24 : 56 - Kurani shqip dhe arabisht. Lexo Online Kuranin, përkthim e komentim
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
  • وَعَدَ اللّٰہُ الَّذِیۡنَ اٰمَنُوۡا مِنۡکُمۡ وَ عَمِلُوا الصّٰلِحٰتِ لَیَسۡتَخۡلِفَنَّہُمۡ فِی الۡاَرۡضِ کَمَا اسۡتَخۡلَفَ الَّذِیۡنَ مِنۡ قَبۡلِہِمۡ ۪ وَ لَیُمَکِّنَنَّ لَہُمۡ دِیۡنَہُمُ الَّذِی ارۡتَضٰی لَہُمۡ وَ لَیُبَدِّلَنَّہُمۡ مِّنۡۢ بَعۡدِ خَوۡفِہِمۡ اَمۡنًا ؕ یَعۡبُدُوۡنَنِیۡ لَا یُشۡرِکُوۡنَ بِیۡ شَیۡئًا ؕ وَ مَنۡ کَفَرَ بَعۡدَ ذٰلِکَ فَاُولٰٓئِکَ ہُمُ الۡفٰسِقُوۡنَ ﴿۵۶﴾
    24 : 56 Allahu u ka premtuar atyre prej jush që besuan dhe bënë të mira, se patjetër do t’i bëjë kalifë në tokë, ashtu siç i ka bërë kalifë ata që ishin para tyre dhe do t’ua përforcojë fenë që e ka pëlqyer për ta dhe do t’ua shndërrojë frikën në siguri. Ata do të më adhurojnë Mua dhe nuk do të barazojnë me Mua asgjë. Kurse ata që tregohen mosmirënjohës edhe pas kësaj, pikërisht ata janë të pabindur.
    Shpjegime

    Kalif do të thotë mëkëmbës, pasardhës. Ky ajet quhet “ajeti istikhlaf”, në të cilin thuhet se Allahu i Madhërishëm, ashtu siç vendosi kalifatin pas Profetëve të mëparshëm, do ta vendoste atë edhe pas Profetit Muhammed s.a.v.s., dhe ky kalifat do ta mbartte edhe më tej pikërisht dritën profetike. Gjithashtu, sa herë që do të largohet nga kjo botë ndonjë kalif, xhemati i besimtarëve do të përballet me një frikë se mos armiku do ta shuajë dritën Hyjnore, por ky ajet i sures En-Nur jep premtimin e fortë se në saje të bekimit të Zotit të Madhërishëm përmes kalifatit, çdoherë armiku do të dështojë dhe frika do të kthehet sërish në siguri. Kjo do të jetë edhe shenjë e kalifatit të vërtetë që ai do ta nxjerrë xhematin e besimtarëve nga frika në siguri. Qëllimi i profetërisë është vendosja e njëshmërisë së Zotit në tokë. Kështu që, një tjetër shenjë e kalifatit të vërtetë është se edhe qëllimi i tij përfundimtar do të jetë vendosja e njëshmërisë së Zotit.

    Edhe Profeti Muhammed s.a.v.s. parashikoi se umeti i tij do ta gëzojë Kalifatin në rrugën e profetërisë jo vetëm menjëherë pas tij, por edhe në një kohë të dytë (Musned Ahmed, vëll. 6, f. 285; Musned En-Numan Ibni Beshir, nr. i hadithit 18596, Bejrut, 1998). Duket e qartë se për shkak të këtij ajeti që flet për kalifatin ose udhëheqjen e besimtarëve, në ajetet 52 – 55 theksi është vënë në mënyrë të përsëritur tek bindja ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij. Ky theksim hedh dritë mbi statusin dhe pozitën e një Kalifi në Islam. Sot Xhemati Musliman Ahmedia është ajo bashkësi muslimane, e cila me bekimin e Zotit gëzon Kalifatin. Më shumë për këtë temë, mund të lexoni librin e Hazret Mirza Ghulam Ahmedit a.s., të titulluar “Testamenti”, botuar në Prishtinë, 2011.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp