الإخلاص
El-Ihlas
Surja El-Ihlas është mekase dhe, bashkë me bismil-lahin, ka pesë ajete.
Është një sure shumë e shkurtër, por që premton fitore madhështore të së ardhmes, që Islami do të ketë mbi fenë e krishterë. Allahu as nuk ka pasur ndonjë baba, dhe as nuk ka ndonjë bir. Kjo fjali e shkurtër e rrëzon gjithë ngrehinën e fesë së krishterë. Pra, derisa Zoti nuk ka ndonjë baba, si i lindi nevoja për të bërë një djalë?! Po kështu, edhe Jezusi a.s., për të cilin të krishterët pretendojnë se është “i biri i Zotit”, pse nuk i trashëgoi dot aftësitë e “të atit”?! Nëse “i ati” bëri “djalë”, pse nuk lindën më tej fëmijët e tjerë?! Pas kësaj, Allahu tha: Askush nuk është i barabartë me Allahun e Madhërishëm. Andaj, besimi që Zoti ma’adhAllah ka bërë fëmijë etj., shkakton vetëm mosrespektim të Zotit dhe asgjë më shumë.
- بِسۡمِ اللّٰہِ الرَّحۡمٰنِ الرَّحِیۡمِ﴿۱﴾112 : 1 Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
- قُلۡ ہُوَ اللّٰہُ اَحَدٌ ۚ﴿۲﴾112 : 2 Thuaj: Ai është Allahu, i Vetmi.
- اَللّٰہُ الصَّمَدُ ۚ﴿۳﴾112 : 3 Allahu është i Pavaruri.
- لَمۡ یَلِدۡ ۬ۙ وَ لَمۡ یُوۡلَدۡ ۙ﴿۴﴾112 : 4 Ai nuk ka lindur (askënd) dhe as nuk është i lindur.
- وَ لَمۡ یَکُنۡ لَّہٗ کُفُوًا اَحَدٌ ٪﴿۵﴾112 : 5 Dhe askush nuk ka qenë asnjëherë i barabartë me Të.Shpjegime
Ajetet 1-5: Shikoni se me çfarë mjeshtërie dhe me çfarë bukurie kjo sure e shkurtër tregon patëmetësinë e Zotit, duke përshkruar pastërtinë e Tij nga çdolloj shirku! Logjikisht shirku, pra të barazuarit ose ortakëria e dikujt a diçkaje me Zotin, mund të bëhet në katër forma: shirku në numër, shirku në status, shirku duke sajuar trashëgimtar a farefis të Zotit dhe shirku në vepra apo në ndikimin e ndonjë vepre të caktuar. Kjo sure e përshkruan Zotin të pastër nga të katër llojet e shirkut. Pohon qartazi se Ai është i Vetmi dhe se nuk ka dy a tre a shumë zota. Pastaj thotë se Ai është Es-Samed, d.m.th. në status Ai është i Vetëmjaftueshëm dhe i Pavarur dhe përveç Tij, gjithçka tjetër është krijesë, e vdekshme dhe në çdo çast varet prej Tij. Pastaj tha se Ai nuk ka bir, i cili për shkak të lidhjes së birësisë, të mund të pretendonte barazinë me Të, dhe shtoi se as dikush tjetër nuk është babai i Tij, i cili për shkak të lidhjes së atësisë, të mund të pretendonte barazinë me Të. Pastaj tha se as në punët e Tij nuk ka ndonjë bashkëpunëtor, i cili për shkak të bashkëpunimit, të mund të pretendonte barazinë me Të. Në këtë mënyrë, kjo sure e nxjerr të pastër Zotin e Madhërishëm nga të katërta llojet e shirkut dhe provon se Ai është i Vetëm, pa asnjë ortak.