الکَوثَر
El-Keuther
Surja El-Keuther është mekase dhe, bashkë me bismil-lahin, ka katër ajete.
Pas sures El-Maun, Zoti i Madhërishëm i jep Profetit Muhammed s.a.v.s. lajmin e mirë që atij do t’i dhurojë keutherin, diçka me kaq bollëk që kurrë nuk do të shterojë. Një kuptim i kësaj janë pasuritë që Profeti dhe besimtarët do të shpenzojnë pa frikë në rrugën e Zotit dhe se Zoti do t’ua shtojë edhe më shumë. Një kuptim tjetër i keutherit është edhe Kurani i Shenjtë. Realisht, sihariqi më i madh që Allahu i ka dhënë Profetit s.a.v.s. është pikërisht Kurani i Shenjtë, temat e të cilit nuk do të shterojnë kurrë, dhe ky Libër do të vijojë t’i sjellë dobi njerëzimit deri në Kiamet. Askush nuk do të mund t’i përmbledhë temat e këtij Libri të Shenjtë.
Më pas, Zoti i Madhërishëm e porosit Profetin s.a.v.s.: Adhuro Zotin dhe sakrifiko duke e falënderuar Atë për bekimin e madh që Ai të dha; sigurisht, armiku yt do të mbetet farësosur, kurse bekimet e tua kurrë nuk do të sosen.
- بِسۡمِ اللّٰہِ الرَّحۡمٰنِ الرَّحِیۡمِ﴿۱﴾108 : 1 Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
- اِنَّاۤ اَعۡطَیۡنٰکَ الۡکَوۡثَرَ ؕ﴿۲﴾108 : 2 Pa dyshim, Ne të dhuruam Keutherin.Shpjegime
Sipas fjalorit keuther do të thotë (1) bollëk i të mirave, (2) udhëheqës që zotëron të mira të shumta, (3) njeri bujar që dhuron shumë dhe shpesh (Akrab). Në hadith gjithashtu përmendet se në xhenet është një lumë i veçantë që quhet Keuther (Buhari, nr. 4964).
- فَصَلِّ لِرَبِّکَ وَ انۡحَرۡ ؕ﴿۳﴾108 : 3 Andaj, fal namazin për hir të Zotit tënd dhe (po për hir të Tij) bëj kurban.
- اِنَّ شَانِئَکَ ہُوَ الۡاَبۡتَرُ ٪﴿۴﴾108 : 4 Pikërisht armiku yt do të mbetet farësosur.Shpjegime
Mohuesit mekas e ironizonin Profetin Muhammed s.a.v.s. duke thënë se ai është farësosur, pra një njeri që nuk ka një pasardhës mashkull. Kurse Allahu i Madhërishëm i dha lajmin – Vetë armiku yt do të mbetet farësosur. Kjo nënkupton që pasardhësit meshkuj të mohuesve mekas do të krijonin lidhje shpirtërore me Profetin s.a.v.s., duke shkëputur lidhjen me baballarët e tyre fatligë. Kjo ishte një profeci që u përmbush fjalë për fjalë. Ikremeja r.a. i biri i Ebu Xhehlit, për shembull, e pranoi Islamin. Një herë dikush e ironizoi se ai qe i biri i Ebu Xhehlit, gjë që e mërziti Ikremenë, dhe ai iu ankua Profetit s.a.v.s.. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi – Më mos e thirrni Ikremenë si i biri i Ebu Xhehlit! (Usdul-Gabeh nën emrin Ikreme). Me një fjalë, Ebu Xhehli vdiq dhe mbeti farësosur, kurse pasardhësit e tij krijuan lidhje shpirtërore me Profetin Muhammed s.a.v.s..