Përshkrim i librit
Testamenti është shkruar në dhjetor të vitit 1905. Në këtë libër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka përmendur shpallje e paralajmërime, të cilat tregojnë se vdekja e tij ishte afër. Gjithashtu, duke paratreguar për tronditjen që pëson një popull fill pas vdekjes së udhëheqësit të tij shpirtëror, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i jep zemër e kurajë Xhematit dhe e njofton se praktika e hershme e Zotit është se Ai tregon dy fuqi të madhështisë së Tij: e para manifestohet me dërgimin e profetit dhe e dyta me vendosjen Kalifatit, ashtu siç Hazret Ebu Bekri r.a. e mbajti fenë e Zotit pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në një kohë kur feja e Tij dukej se po thyhej. Në këtë mënyrë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. paralajmëron vendosjen e Kalifatit pas tij me kushtet e ngjashme me ato të popujve të kaluar.
Duke ia dhënë këtë sihariq Xhematit, ai thotë:
“Por ajo fuqi e dytë nuk mund të ndodhë para se unë të largohem. Pasi unë të kem shkuar, atëherë Allahu do t’jua dërgojë juve fuqinë e dytë të madhështisë së Tij, që do të mbetet përgjithmonë me ju”.
Veç kësaj, nën udhëzimin e Zotit të madhërishëm, për mbarëvajtjen e Xhematit dhe për ngritjen e nivelit shpirtëror të anëtarëve të tij, ai vendosi sistemin e testamentit (Vasijatit), në bazë të të cilit, anëtarët e Xhematit që dëshirojnë të hynë në të, të kontribuojnë të paktën me një të dhjetën e pasurisë së tyre për përhapjen e fesë Islame. Gjithashtu testamentbërësi, duhet të sjellë një ndryshim të qenësishëm shpirtëror në veten e tij për të krijuar lidhje të pashkëputshme me Zotin.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s., me udhëzimin e Zotit, propozoi një varrezë të veçantë për testamentbërësit e tillë dhe tha:
“Lutem që Zoti ta bekojë këtë tokë dhe ta bëjë atë Bahishti Makberah. Aty u prefshin njerëz zemërpastër të këtij Xhemati, të cilët me të vërtetë fesë i dhanë përparësi përpara botës dhe duke hequr dorë nga kënaqësia e kësaj bote, u bënë të Zotit, sollën një ndryshim të pastër në qeniet e tyre dhe treguan shembullin e besnikërisë dhe të së vërtetës, ashtu si i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe es-habët e tij! Amin, o Zot i botëve”.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. parashikon zhvillim të jashtëzakonshëm të Xhematit dhe njëkohësisht edhe rënie të shumë tërmeteve dhe katastrofave natyrore në këtë botë, qofshin ato nga qielli apo nga toka.
Libri Testamenti tashmë është përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës. Në shqip, atë e përktheu z. Samad Ghori, ndërsa shërbimet e redaktimit i kryen z. Rexhep Hasani dhe z. Muhamet Peci. Allahu i shpërbleftë me të mira.
SHËNIM
Në librin Online, për arsye të ndarjes së librit nëpër kapituj, redaksia ka shtuar disa nën tituj, pa prekur tekstin origjinal të librit. Andaj, për referencë, të përdoret libri në formatin PDF ose i botuar.