Si mund të gjesh Zotin?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
si mund të gjesh zotin

Edhe ju duhet të përfitoni prej shpirtit të shenjtë duke pastruar nefsin tuaj dhe duke u bërë të dhembshur, sepse pa shpirtin e shenjtë nuk mund ta arrini dot takvanë[4] e vërtetë. Hiqni dorë tërësisht nga dëshirat e nefsit dhe për ta fituar pëlqimin e Zotit, ndiqeni atë rrugë, që asnjë rrugë tjetër të mos jetë aq e ngushtë dhe e drejtë sesa ajo. Mos dashuroni kënaqësitë e botës, sepse ato ju largojnë nga Zoti. Për hir të Zotit, përvetësoni një jetë të vështirë.

Dhimbja, përmes së cilës kënaqet Zoti, është shumë më e mirë sesa kënaqësia që shkakton mospëlqimin e Tij. Po ashtu, humbja me të cilën kënaqet Zoti, është shumë më e vlefshme sesa fitorja që sjell zemërimin e Tij. Braktiseni dashurinë që ju shpien drejt zemërimit të Zotit. Nëse ju do t’i afroheni Atij me zemër të pastër, atëherë në çdo rrugë Ai do t’ju ndihmojë dhe asnjë armik nuk mund t’ju dëmtojë. Ju kurrsesi nuk mund ta fitoni pëlqimin e Zotit, derisa nuk i braktisni qejfet tuaja, dëshirat tuaja, nderin tuaj, pasurinë tuaj dhe jetën tuaj, e t’i përvetësoni vështirësitë që ju nxjerrin vdekjen përpara. Por, nëse i keni përvetësuar këto vështirësi, atëherë do të gjendeni në prehrin e Zotit, si një fëmijë i dashur. Dhe ju do të bëheni trashëgimtarë të atyre njerëzve të mirë, të cilët kanë kaluar para jush. Do t’ju hapen dyert e të gjitha bekimeve. Por, pak janë ata që do të bëhen të tillë.

Zoti më tha mua se takva është një pemë që duhet mbjellë në zemër. Uji që mban gjallë takvanë e vadit gjithë kopshtin. Takva është rrënja, e cila nëse mungon, mungon çdo gjë e nëse ajo mbetet, mbetet çdo gjë. Çfarë dobie mund të ketë ai njeri, i cili deklaron kot me gojë që po kërkon Zotin dhe nuk e bën hapin e vërtetë!? Dëgjoni, se unë po e them të vërtetën! Ai njeri, që përzien gjërat e kësaj bote me besimin e tij, do të shkatërrohet. Po ashtu, xhehenemi është shumë afër atij nefsi, gjithë dëshirat e të cilit nuk janë për Zotin, por disa për Zotin e disa për botën.

Prandaj, nëse në qëllimet tuaja, ju keni qoftë edhe një përbërje të vogël të kësaj bote, atëherë të gjitha adhurimet tuaja janë të kota, sepse në këtë rast, ju nuk e ndiqni Zotin, por shejtanin. Kurrë mos shpresoni se Zoti do t’ju ndihmojë në këtë gjendje. Sepse në këtë gjendje, ju do të jeni si krimbat e tokës dhe shumë shpejt mund të shkatërroheni, ashtu siç shkatërrohen ata. Zoti nuk do të jetë në ju, përkundrazi, Ai do të gëzohet duke ju shkatërruar ju.

Por, nëse ju do të hiqni dorë nga nefsi juaj, sikur ta keni vrarë atë, atëherë ju do të manifestoheni në Zotin dhe Zoti do të jetë me ju. Ajo shtëpi ku do të banoni ju, do të jetë e bekuar. Mbi muret e asaj shtëpie ku banoni ju, do të zbresin bekimet e Zotit. Ai qytet ku banon një njeri i tillë, do të jetë i bekuar. Nëse jeta dhe vdekja juaj, butësia dhe zemërimi juaj dhe çdo lëvizje juaj, do të bëhet vetëm për hir të Zotit dhe ju në çdo shqetësim a vështirësi, nuk do ta sprovoni Zotin dhe nuk do ta shkëpusni lidhjen tuaj me Të, por do të ecni përpara, atëherë, sinqerisht unë ju them të vërtetën, ju do të bëheni një popull i veçantë i Zotit. Edhe ju jeni njerëz si unë. Zoti im është po ai që është edhe Zoti juaj.

Prandaj, mos prishni aftësitë tuaja të pastra. Nëse ju do të anoni tërësisht nga Zoti, atëherë më besoni se unë po ju them sipas dëshirës së Zotit, që ju do të bëheni një popull i zgjedhur i Zotit. Le të vë rrënjë Madhështia e Zotit në zemrat tuaja. Deklaroni Teuhidin e Tij, jo vetëm me gojë, por edhe me vepra, në mënyrë që dhe Zoti t’ju tregojë mirësi e favore në veprimet e Tij Hyjnore. Ruhuni nga mëria dhe silluni me njerëzit me dhembshuri të vërtetë. Përvetësoni çdo rrugë të mirë, sepse ju nuk dini se përmes cilës rrugë do të pranoheni.

Keni lajm të gëzuar, që mejdani për ta gjetur afrimin e Tij është i lirë, sepse çdo popull është i dhënë pas botës dhe njerëzit nuk po i kushtojnë vëmendje asaj që i pëlqen Zotit. Ata që dëshirojnë të futen me vrull në këtë derë, kanë një mundësi që të tregojnë shkathtësitë e tyre dhe të fitojnë bekim të veçantë prej Zotit.

Mos mendoni se Zoti do t’ju lërë të prisheni. Ju jeni një farë që është mbjellë nga dora e Zotit në tokë. Zoti thotë se kjo farë do të shtohet, do të lulëzojë dhe nga çdo anë do të dalin degët e saj dhe do të bëhet një pemë e madhe. I bekuar është ai që beson fjalën e Zotit dhe nuk frikësohet nga sprovat që has në mes. Sepse edhe sprovat janë të domosdoshme, në mënyrë që Zoti t’ju sprovojë se kush është i vërtetë në deklaratën e tij e kush është gënjeshtar. Ai që do të lëkundet nga ndonjë sprovë, Zotin nuk mund ta dëmtojë aspak dhe fatkeqësia e tij do ta çojë atë deri në xhehenem. Për të, më mirë do të ishte të mos lindte. Por, të gjithë ata që do të durojnë deri në fund, edhe pse do të përballen me vështirësi tronditëse, ngjarje të stuhishme dhe popuj do t’i përqeshin e shpotitin, madje edhe bota do të sillet shumë e inatosur me ta, përfundimisht do të fitojnë dhe atyre do t’ju hapen dyert e bekimeve.

Zoti m’u drejtua mua dhe më tha që unë ta njoftoj Xhematin tim se ata që besuan në atë mënyrë, saqë në besimin e tyre nuk ka asnjë përzierje të kësaj bote dhe që nuk janë ndotur nga hipokrizia dhe frika, madje besimit të tyre të mos i mungojë asnjë nivel bindjeje, të tillët janë të pëlqyerit e Zotit dhe Ai thotë se vetëm të tillët janë ata, hapi i të cilëve është hapi i vërtetë.

(Nga: Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s.)

Vazhdon …

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp