Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Qëllimi i agjërimit

Gumbad Shareeeef
Shahid Ahmad Butt

Shahid Ahmad Butt


Shahid Ahmad Butt është misionar i Xhematit Musliman Ahmedia.

Më shumë rreth autorit

Agjërimi është një mjet për pastrimin dhe edukimin shpirtëror. Njeriu duke hequr dorë nga disa prej kënaqësive të tij për hir të Zotit, mëson sesi t’u përmbahet veprave fisnike dhe virtyteve të larta, dhe t’i shmanget çdo gjëje të ndaluar dhe të ndyrë.

Duke obliguar agjërimin, Allahu na tregon dobitë e tij duke thënë se “që të ruheni”. Fjala arabe اتقاء do të thotë për t’u mbrojtur, për t’u fortifikuar dhe për t’u triumfuar. Pra, agjërimi synon që besimtari t’i nënshtrohet mbrojtjes së Zotit, të fitojë mirësi dhe dobi, ndërsa ruhet nga e keqja. Agjërimi gjithashtu shërben si një mjet për pranimin e lutjeve.  Njeriu duke duruar urinë dhe etjen, vetëdijesohet e ndërgjegjësohet ndaj vuajtjes dhe mjerimit të njerëzve të tjerë. Ai duke ndier vuajtje, bëhet më i gatshëm për të ndihmuar të tjerët. Ramazani e ushqen me frymën vetëmohuese dhe altruiste. Kjo gjë shërben jo vetëm për të zgjidhur problemet e shoqërisë, madje e brumos popullin me virtytin e sakrificës. Agjërimi i mëson njeriut durim e vetëpërmbajtje, me qëllim që ai t’u bëjë ballë trimërisht vështirësive dhe sprovave të jetës dhe të mos dorëzohet kurrë para tyre. Ramazani i mundëson njeriut aftësi për të kapërcyer çdo mundim në adhurimin e Zotit si dhe në obligimet e tjera fetare.

Njeriu, kur gjatë agjërimit, u shmanget veprimeve të kota, atij i gjallërohen vetitë shpirtërore. Duke mprehur shikimin e tij shpirtëror, ai reflekton më thellë mbi sjelljen dhe të metat e tij, dhe mundohet t’i zëvendësojë ato me cilësi të larta. I Dërguari i Allahut sas ka thënë:

inimiAgjërimi është mburojë dhe një fortesë për besimtarin. Çdo vepër e njeriut i përket atij. Allahu thotë: Agjërimi është për Mua dhe Unë jam shpërblimi i tij.

[El-Mu’xhamul Kabir, nr. 7608, Sahih el-Xhami’ us-Sujuti nr. 3881]

Agjërimi i jep njeriut mësimin e qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes në sjelljen e tij. Kur besimtari kalon tridhjetë ditë të Ramazanit, duke u përpjekur të heqë dorë nga veset e tij, duke u zgjuar herët për të adhuruar Zotin, duke studiuar Kuranin Famëlartë, kohën e lirë e kalon në përmendjen e Zotit dhe në meditim, nëse në një anë u shmanget punëve të padobishme, në anën tjetër angazhohet në vepra fisnike dhe bamirëse, pra kur del nga muaji Ramazan, ai tashmë është një ushtar i kalitur, i pajisur me virtyte të larta, i cili shfaq vetitë më fisnike të njeriut.

Një tjetër vlerë e agjërimit është që gjatë Ramazanit besimtarët stërviten për të hequr dorë nga të drejtat e tyre të ligjshme. Nëse gjatë 11 muajve, besimtari përpiqet t’u reshtet gjërave të ndaluara, në Ramazan, ai largohet edhe nga gjëra të lejuara. Shumë probleme dhe konflikte në botë, mund të zgjidhen lehtësisht nëse palët nuk do të këmbëngulin për të drejtën e tyre. Njeriu bëhet i gatshëm për t’u futur në konflikt pa menduar për pasojat tragjike, por nuk tërhiqet nga e drejta e tij. Qindra mijëra njerëz, për të kërkuar të drejtën e tyre rrezikojnë paqen dhe stabilitetin e mbarë vendit, ndërsa po të vepronin me largpamësi, do të bëheshin faktorë të rëndësishëm në paqen kombëtare.

Pra përmes agjërimit, njeriu jo vetëm që realizon edukimin e pastrimin shpirtëror dhe lartësimin e vetëdijes së tij, ai gjithashtu fiton dobitë fizike, morale dhe shoqërore. Njeriut i zhvillohet aftësia e komunikimit me Zotin dhe i shfaqen ëndrra të vërteta. Nëse ushqimi e fuqizon organizmin trupor të njeriut, agjërimi i mpreh dhe hollon aftësitë shpirtërore të njeriut. Prandaj Allahu thotë:

inimiNëse agjëroni, është më mirë për ju, në qoftë se e dini.  [el-Bekare 2:185]

Agjërimi ka edhe dobi fizike e shëndetësore. Trupi i njeriut duke duruar vështirësitë dhe mundimet, përforcon aftësinë e vetëpërmbajtjes dhe të durimit. Madje, dobitë e agjërimit në shëndetin e njeriut nga mosngrënia e ushqimit janë botërisht të pranuara. Sipas mjekëve që merren me terapitë metabolike, trupi i njeriut përmban toksina mjedisore si dhe disa substanca të tjera të dëmshme, që mund të hiqen duke agjëruar apo duke detoksifikuar trupin. Sipas tyre agjërimi mundëson që trupi të përqendrojë energjinë për t’u pastruar dhe për t’u shëruar vetvetiu. Agjërimi gjithashtu kontribuon edhe në sistemin e imunitetit për punë më efikase, duke lejuar më shumë oksigjen dhe rruaza të bardha në trup, që djegin më shumë dhjamë dhe si rezultat i japin trupit energji dhe përmirësojnë një sërë funksionesh shëruese. Sipas disa studiuesve, nëse personi që vuan nga kanceri agjëron, atëherë ky ndihmon në tharjen e tumorit duke shkaktuar vdekjen e qelizës. Agjërimi gjithashtu rekomandohet për ripërtëritjen e trupit, humbjen e peshës dhe për mbajtjen e peshës normale, jetëgjatësinë, kthjellimin mendor, vetëdijen dhe vetëvlerësimin. Agjërimi gjithashtu ndihmon në lënien e veseve si duhani, kafeina apo alkooli etj.

Nëse njeriu agjëron në mënyrë të përmbajtur, atëherë ai ndikon dukshëm në shëndetin e tij. Pra, agjërimi është garantues për shëndetin e njeriut, ndërsa në aspektin shpirtëror ai është një burim për të fituar devotshmërinë. Agjërimi i mundëson njeriut mirësjelljen, fisnikërinë, ndershmërinë dhe edukimin brendësor. I zhvillohen vetitë e vetëpërmbajtjes dhe guximit. Bëhet më i ndjeshëm për mjerimet dhe vështirësitë e të varfërve dhe inkurajohet që t’i ndihmojë ata. Pra, agjërimi luan një rol të rëndësishëm në kultivimin e sakrificës, vetëmohimit dhe altruizmit dhe kështu nxit shoqërinë për fshirjen e dallimeve ekonomike dhe etnike.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

agjerimiAi që nuk heq dorë nga gënjeshtra dhe veprime të rrema, Zoti nuk ka nevojë që ai të heqë dorë nga të ngrënit dhe të pirit”.

[Sahih el-Buhari, kitab “Es-Savm”, bab “Men lem jeda’u kavlez-zuri vel-‘amele bihi”, hadithi nr. 1903]

Pra, nëse njeriut i mungon vullneti për të arritur qëllimin esencial, që është edukimi shpirtëror, atëherë ç’dobi mund t’i sjellë agjërimi i tij?

inimiHazret Ebu Hurejra r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

Agjërimi nuk është vetëm (ndalimi) nga të ngrënit dhe të pirit. Agjërimi (i vërtetë) është (shmangia) prej gjërave të padobishme dhe imorale. Nëse dikush të shan apo të provokon, atëherë thuaji: unë jam agjërueshëm”.

[Mu’ata Abdullah bin Veheb, nr. 282]

Send this to a friend