Çfarë janë vendet adhurimi? Sinagoga, kisha, xhamia?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Çfarë janë vendet adhurimi? Sinagoga, kisha, xhamia?

kabe Haxhi umra

Le të hedhim një vështrim tek shtëpitë e adhurimit edhe të feve të tjera, vende ku përkujtohet dhe lavdërohet shpesh emri i Zotit.

Qabja (Ka’ba) – Shtëpia e parë e adhurimit

Sipas Kuranit të Shenjtë, shtëpia e parë e adhurimit u themelua nga Profeti Adem a.s. në zemër të gadishullit arab, e cila sot njihet si Qabja e shenjtë:

اِنَّ اَوَّلَ بَیۡتٍ وُّضِعَ لِلنَّاسِ لَلَّذِیۡ بِبَکَّۃَ مُبٰرَکًا وَّ ہُدًی لِّلۡعٰلَمِیۡنَ

“Sigurisht, shtëpia e parë që u vu për njerëzit, ishte ajo në Bek-kah, që është e bekuar dhe udhëzuese për botët”.[1]

Me kalimin e kohës Qabja u shndërrua në rrënojë dhe domethënia e saj fetare u la në harresë.

Megjithatë, Zoti i Plotfuqishëm dekretoi që njerëzimi duhet të bashkohej nën një besim dhe ngriti profetin Ibrahim a.s., babanë e profetëve, ngjarje e cila pasqyrohet në Kuranin Shenjtë:

وَ اِذۡ یَرۡفَعُ اِبۡرٰہٖمُ الۡقَوَاعِدَ مِنَ الۡبَیۡتِ وَ اِسۡمٰعِیۡلُ ؕ رَبَّنَا تَقَبَّلۡ مِنَّا ؕ اِنَّکَ اَنۡتَ السَّمِیۡعُ الۡعَلِیۡمُ

Dhe kur Ibrahimi ngrinte themelet e asaj shtëpie, edhe Ismaili po ashtu, (ata luteshin) “O Zoti ynë! Pranoje këtë prej nesh! Me të vërtetë, Ti je Dëgjuesi, i Dijshmi![2]

Mesazhi universal që iu zbulua Profetit të Shenjtë të Islamit, Muhammedit s.a.v.s, përmban mësimet e plota dhe të përsosura se si njerëzimi të kthehej tek Shtëpia e Parë e Adhurimit, e themeluar nga Zoti i Madhërishëm.

Teksa shpjegon objektivat madhështore të Qabes, Kalifi i Tretë i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Nasir Ahmed thotë:

Qëllimi i parë i ndërtimit të Shtëpisë së Allahut, lidhet me faktin se ajo është Shtëpia e parë e Tij, e cila përmban dobi shpirtërore dhe tokësore për të gjithë njerëzit. Ajo është ndërtuar për mirëqenien e të gjithë njerëzve, të cilët, pavarësisht nga ngjyra, raca dhe dallime të tjera, do të përfitonin të mira materiale dhe shpirtërore prej saj.[3]

Sinagoga

Ashtu siç ndodh me të gjitha fetë e tjera të mëdha botërore, adhurimi përbën një element kyç të besimit hebraik, që realizohet në sinagogë. Fjala sinagogë vjen nga fjala greke synagein që do të thotë “të bashkosh”. Në gjuhën hebraishte ajo gjithashtu njihet si bet ha-tefilla, ose shtëpia e lutjes. Tradicionalisht, adhurimi hebre kërkon pjesëmarrjen e të paktën dhjetë meshkujve të rritur, i njohur ndryshe si një minyam. Kështu që, edhe pse hebrenjtë falen edhe jashtë sinagogës, ka disa lutje që duhet të kryhen bashkërisht brenda në sinagogë.

Një funksion tjetër i sinagogës nënkuptohet edhe nga një term tjetër i zakonshëm, i përdorur për ta përshkruar atë: bet-ha-kneset, ose shtëpia e kuvendit, ku bashkësia hebraike mblidhet për arsye sociale dhe bamirësie për t’i shërbyer komunitetit të gjerë.

sinagogaTermi ortodoks për sinagogën është shul, që do të thotë shkollë. Prandaj një funksion tjetër i sinagogës është përdorimi si qendër e të mësuarit, për këtë njihet edhe si bet-ha-midrash, ose shtëpia e të mësuarit. Fëmijët hebre shkojnë sinagogën për të marrë arsimimin e tyre fetar dhe shumë sinagoga kanë biblioteka që përmbajnë tekste të shenjta.[4]

Në sinagogat ortodokse, shërbimi kryhet zakonisht në hebraisht dhe burrat dhe gratë ndahen veçmas. Gjatë shërbimit, gjithkush duhet të mbulojë kokën e vet për respekt, përveç vajzave të reja.

Një tipar i përbashkët në të gjitha sinagogat është arka, një sënduk druri që përmban fletushkat e Tevratit. Dyert e arkës hapen me ceremoni gjatë shërbimit dhe pasazhe të zgjedhura për leximin e asaj dite hapen për t’u lexuar. Ndërkohë që dyert e arkës qëndrojnë të hapura, bashkësia e njerëzve qëndron në këmbë.[5]

Kisha

Fjala greke ekklesia, nga e cila rrjedh fjala kishë, u përdor fillimisht për të treguar një grupim njerëzish. Në Dhiatën e Vjetër gjenden referenca të ndryshme të cilat dëshmojnë se domethënia e fjalës ekklesia ishte për një mbledhje me qëllime fetare. Pavarësisht nga persekutimi, komuniteti i hershëm i krishterë filloi të përhapte mesazhin e Jezusit a.s. dhe të përdorte lehtësira për pasuesit, duke i bazuar tiparet e tyre thelbësore tek sinagogat. Me kalimin e kohës kisha dalëngadalë ndërtoi identitetin dhe tiparet e saj dalluese.

kisha ortodokseAltari, që simbolikisht konsiderohet si tryeza e përdorur në Darkën e Fundit, shërben për të mbajtur Biblën së bashku me verën dhe bukën. Një tjetër tipar dallues i kishës është edhe katedra, një platformë e ngritur nga e cila prifti bën predikimet. Përveç kësaj, pothuajse të gjitha kishat kanë një stol prej druri, ku adhuruesit mund të ulen. Tradicionalisht, kjo përdorej vetëm për personalitete, por më vonë u zgjerua për të gjithë anëtarët e bashkësisë.

Sot, kisha luan një rol të rëndësishëm në shoqëri dhe nuk është vetëm një vend adhurimi, por përdoret gjithashtu për t’u shërbyer pjesëtarëve të komunitetit nëpërmjet veprimtarive të ndryshme të bamirësisë. Shumë kisha rregullisht ofrojnë ushqim për të varfërit, sigurojnë strehim për të pastrehët dhe garantojnë një sërë shërbimesh për të ndihmuar të paprivilegjuarit.

Xhamia

Fjala xhami vjen nga fjala arabe mesxhid, që rrjedh nga sa-xhe-deh (gjunjëzim). Pra, mesxhid tregon një vend ku dikush gjunjëzohet. Si një shtëpi adhurimi, xhamia është e hapur për të gjithë ata që dëshirojnë t’i luten Zotit. Në fakt, në kohën e Profetit të Shenjtë s.a.v.s., një delegacion i krishterë nga Nexhrani kreu shërbimin e tyre fetar brenda një xhamie, me ftesë të tij. Emërtimi tregon se sa në qendër të Islamit është lutja: muslimanët janë të obliguar të falin namaz (falje ose lutje islame) pesë herë në ditë me xhemat në xhami.

xhamia merjemeMeqenëse qëllimi kryesor është i fokusuar në lutje, xhamitë janë ndërtuar për të minimizuar shpërqendrimin: ka salla faljeje për burrat veç dhe për gratë veç dhe brenda një xhamie nuk ka të vendosura imazhe apo piktura në mënyrë që adhuruesit të mos shpërqendrohen. Karakteristikat kyçe që gjenden pothuajse në çdo xhami janë: mihrab, një dhomë gjysmërrethe në pjesën e përparme të xhamisë që sheh në drejtim të Qabes së Shenjtë në Mekë, ku imami (personi që udhëheq faljen) qëndron për falje, kupola dhe minaret, një kolonë e gjatë ku myezini (personi që thërret për namaz) thërret ezanin (thirrjen për namaz). Në Islam, xhamitë janë simbole që shprehin unitetin e Zotit dhe paraqesin paqen dhe harmoninë.

Nga historia e hershme e Islamit, xhamitë jo vetëm që funksiononin si ndërtesa për adhurimin dhe përkujtimin e Zotit, por gjithashtu shërbyen për mirëqenien e përgjithshme të njerëzve, si vende takimi për tubime shoqërore, si qendra të të mësuarit, për pushim dhe madje edhe për nevojat esenciale të furnizimit me ujë. Kështu, përderisa xhamitë luajnë një rol jetësor në komunitet, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. theksoi ndërtimin e xhamive dhe tha: “Nga të gjitha ndërtesat, më e bukura dhe më tërheqësja në syrin e Allahut është xhamia”. Duke folur për qëllimin e vërtetë të xhamive, Shenjtëria e tij Hazret Mirza Masrur Ahmed, Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, tha:

“Muslimani që lutet me përulësi është një person i butë, i kujdesshëm dhe i mëshirshëm, që përpiqet të qëndrojë larg imoralitetit, veprimeve të paligjshme dhe të gjitha formave të së keqes, dhe asnjëherë nxitës i trazirës apo i përçarjes. Xhamitë janë mjet për t’i bashkuar njerëzit në përulësi për adhurimin e Krijuesit të tyre”.[6]

(Marrë nga revista “The Review of Religions“)


[1] Kurani Famëlartë 3:97.
[2] Kurani Famëlartë 2:128.
[3] Hazrat Hafiz Mirza Nasir Ahmad r.a., “Twenty-three Great Objectives of Building the House of Allah”, Islam International Publications, Tilford UK, 2012, f. 8-9.
[4] Synagogue. 2017. Encyclopedia Britannica. Kontrolluar më 25 maj 2017. https://www.britannica.com/topic/synagogue.
[5] BBC – Religions – Judaism: The Synagogue. 2009. bbc.co.uk. Aksesuar më 25 maj 2017. http://www.bbc.co.uk/religion/religions/judaism/worship/synagogue_1.shtml.
[6] “Nuk ka nevojë të frikësoheni nga xhamitë e vërteta”, – Udhëheqësi i Xhematit Musliman Ahmedia. Njoftim për shtyp – https://www.ahmadiyya-islam.org/al/njoftim-per-shtyp/xhamia-e-re-nuk-ka-nevoje-per-frike/

Related Questions by Topics
Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp