Kush është djalli a shejtani? A ekziston djalli me të vërtetë?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Kush është djalli a shejtani? A ekziston djalli me të vërtetë?

Kalifi i Katërt i Mesihut të Premtuar r.a.
Shejtani djalli iblisi tym

Ky është transkript i përkthyer në shqip i një sesioni pyetje-përgjigjesh, të zhvilluar me Hazret Mirza Tahir Ahmed r.a., Kalif i Katërt i Xhematit Musliman Ahmedia, më 18 korrik 1995.

PYETËSI:

Kush dhe çfarë është Shejtani, Iblisi a djalli?

Hazret Mirza Tahir Ahmad (r.a.)

Para së gjithash, do të doja t’ju kujtoja se fjala shejtan është përdorur në dy konotacione të qarta. Pra ka dy aspekte, ose kuptime, që i përkasin fjalës shejtan. Në kuptimin e parë ai është një person i një natyre të zjarrtë, ose çfarëdo qoftë; por ai është një individ a person. Dhe kuptimi i dytë është se natyra njerëzore në vetvete ka një element djallëzor, pra satanik. Këto dy aspekte të fjalës shejtan janë qartazi të kuptueshme nga studimi i Kuranit të Shenjtë dhe i Hadithit, etj.. Këtë do ta shtjelloj më tej.

Shejtani, kur është person, lind një pyetje tjetër se a është një person i padukshëm që vrapon kudo dhe njëkohësisht është i pranishëm pranë çdo burri dhe gruaje? Apo, është si një sistem që mashtron njerëzit dhe kreu i këtij sistemi është ai person, i quajtur Shejtan? Ashtu si Xhibraili është udhëheqësi i sistemit të shpalljes a zbulesës dhe Azraeli është kreu i sistemit të marrjes së shpirtrave nga të gjallët, në të njëjtën mënyrë, ka edhe sisteme të tjera. Për shembull, ekziston një sistem i sigurimit të ushqimit. Pra ushqimi për njerëzit a kafshët në vetvete është një sistem i mirorganizuar dhe i balancuar universalisht që drejtohet nga një ëngjëll që quhet Mikail.

Kështu që, secili prej këtyre sistemeve drejtohet nga një qenie e tillë që ne nuk e shohim dot me sy, dhe ato kanë një dimension tjetër.

Pra, nuk është se një person vrapon kudo. Nëse djalli merret si person, ai është një qenie karshi engjëjve, por që nuk është bërë nga e njëjta “lëndë” dhe as nuk ka të njëjtën natyrë. Dallimi i qartë midis dy grupeve, dhe që ndan karakterin satanik nga ai ëngjëllor, është se engjëjt bëjnë gjithçka që u thuhet dhe nuk devijojnë kurrë nga rruga e caktuar për ta dhe ata gjithmonë ndjekin rrugën e tyre në mënyrë rigoroze sepse ata vijnë prej Fjalës Hyjnore dhe nuk mund t’i dalin mosbindës Asaj. Kurse Djalli nuk mund t’i bindet Fjalës Hyjnore, ky është problemi i tij, por këtë ai nuk e bën drejtëpërdrejt; pasi në tërësi askush nuk mund të shkojë përtej Fjalës Hyjnore. Prandaj, siç e ka natyrën që është mosbindës, ai ka marrë leje prej Zotit që deri në fund të kësaj bote, ai do të vijojë t’i tregohet mosbindës Zotit dhe gjithashtu do të vijojë të devijojë njerëzit nga rruga e Tij.

Kështu që, sistemi i engjëjve është një sistem i tërë, i cili [në Kuranin e Shenjtë] është quajtur “Xhunudu Rabbi” [“ushtria e Zotit tim”] dhe askush nuk e di ushtrinë e Tij se sa është në numër, përveç Atij. Për ne engjëjt janë të panumërt dhe të gjitha grupet e tyre kontrollohen nga një kryeengjëll i caktuar dhe ne u dimë emrat vetëm atyre dhe jo të gjithëve.

Kështu unë dalloj të mirën dhe të keqen, virtytin dhe vesin, që luftojnë njëra-tjetrën, dhe Zoti na ka dhënë mundësinë e zgjedhjes, të ndjekim daç nxitjet djallëzore, daç frymën engjëllore, e cila vjen prej Zotit në shpirtin tonë. Kjo është një sprovë që kalojmë përditë.

Ky pra është një kuptim i djallit, që ai duhet të jetë në krye të të singjashmëve të tij, të cilët ndjekin urdhrat e tij për të nxitur dhe cytyr ligësinë te njerëzit që kanë të njëjtën mendësi.

Dhe ashtu si engjëjt janë mishëruar në natyrën tonë, janë mishëruar edhe djajtë. Natyra jonë ka një dualizëm: anon edhe nga e mira, edhe nga e keqja. Por parimisht, kur na dhurohet për herë të parë mundësia për të jetuar, ne të gjithë jemi të anuar nga e mira. Këtë e thotë Profeti Muhammed s.a.v.s.:

کل مولود یُولد علٰی فطرتی و کل مولود یُولد علی الاسلام۔ ابواہ یُھوّدانہ و یُنصّرانہ۔

(Çdo fëmijë lind me natyrën e Zotit dhe çdo fëmijë lind mbi Islamin [nënshtrimin ndaj Zotit]. Por kur rritet, prindërit e tij e konvertojnë në hebre, të krishterë, etj..)

Kështu që, fillimi është i pastër dhe ndikimet vijnë më vonë dhe, nganjëherë, e keqja del sipër dhe nganjëherë ndodh e kundërta. Forcat e jashtme pozitive dhe negative ndikojnë këtë fenomen respektivisht. Pra, forcat pozitive ndikojnë pozitivisht, dhe ato negative ndikojnë negativisht që të shfaqet e keqja. Këto të fundit janë forcat satanike.

Kështu që, ka një djall edhe brenda njeriut, përndryshe djalli i jashtëm nuk mund të kryente dot punën e vet. Ai nuk do të kishte asnjë autoritet mbi ne, nëse ne nuk do të kishim të instaluara edhe tendencat e këqija brenda nesh. Kjo është ajo që thotë Kurani Famëlartë:

فَاَلۡہَمَہَا فُجُوۡرَہَا وَ تَقۡوٰٮہَا۔قَدۡ اَفۡلَحَ مَنۡ زَکّٰٮہَا۔ وَ قَدۡ خَابَ مَنۡ دَسّٰٮہَا۔

Fe’elhemehā fuxhūrehā ve takvāhā. Kad eflehā men zek-kāhā. Ve kad khābe men des-sāhā

“Ai i shpalli shtrembësitë e tij dhe drejtësitë e tij. Pa dyshim, fitoi ai që e pastroi atë, dhe humbi ai që e shkeli atë.” (Esh-Shams 91:9-11)

Pra, Zoti i Madhërishëm na tregoi se cila është rruga e mirë për ne dhe cila është e keqe.

Fuxhureha do të thotë momentet kur dobësohemi, kur rrëzohemi, kur biem në gropë.

Kurse takvaha do to thotë të jemi të kujdesshëm, të mos hedhim hapin e gabuar, të jemi vigjilentë për hapat që hedhim dhe për kthesat që marrim. Zoti i Madhërishëm, me fjalë të tjera, thotë: Këto dy gjëra Ne i kemi gdhendur në natyrën që kemi krijuar, daç ajo natyrë e njeriut apo e kafshës. Dhe thellë në natyrën e tyre ata e dinë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për ta.

Më pas tha:

Ked aflaha men zek-kaha: Kushdo që promovon të mirën në veten e tij, që e ndihmon vetveten në mënyrë që virtytet të rrënjosen e të përhapen tek ai, ai do të përparojë dhe do të evoluojë drejt përsosurisë për të mos u rrëzuar më, dhe do të gjejë pozitë të lartë pranë Zotit.

Kurse ata që i përdhosin këto tendeca pozitive, fillojnë të bien, të largohen prej Zotit dhe të fundosin krejt. Pikërisht për këtë punon Djalli; këtë ai tenton të na bëjë neve. Ai punon për të krijuar distanca shpirtërore mes nesh dhe Allahut dhe për këtë arsye ai është quajtur “i mallkuar”.

La’net (mallkimi) është humnera që krijohet mes Zotit dhe njeriut. Kur një person me dëshirë largohet prej Zotit, ai është duke punuar nën ndikimin e djallit dhe ai punon për djallin që ka përbrenda. Ky djall brenda nesh është i natyrshëm. Nuk është një gjë e keqe në vetvete. Është thjesht një prirje, një tendencë, dhe e cila më shumë vjen në ndihmë për ta larguar mburrjen e të qenit pastër. Së mirës i është dhënë dorë e fortë.

Ata që bëjnë keq, e bëjnë kundër ndërgjegjes së tyre. Kjo është arsyeja se edhe njeriu më i lig, kur fillon të bëjë një krim të caktuar, ndërgjegjja e tij e paralajmëron. Ky paralajmërim në hapin e parë është si një tërmet brenda tij që e shkund dhe i thotë: Çfarë je duke bërë?! Por më vonë, sa më shumë që ai vijon dhe këmbëngul për të bërë krimin dhe mëkatin, zëri i ndërgjegjes meket. Kjo është ajo që thotë Kurani me fjalën: “des-sāhā”. Ndërgjegjja i merr tatpjetën, derisa zhduket plotësisht.

Kështu unë e kuptoj në tërësi se çfarë kuptimi ka emri Shejtan, cilët janë qëllimet e tij, si punon ai mbi njerëzit dhe, kjo pikërisht është ajo që shpjegohet edhe në hadithin e Profetit Muhammed s.a.v.s., në të cilin Profeti s.a.v.s. tha:

“Çdo njeri e ka djallin e tij dhe i rrjedh në damaret e tij.”

Dikush e pyeti i habitur:

“O i Dërguari i Allahut! Edhe në damaret e tua?”

“Po”, iu përgjigj Profeti s.a.v.s. dhe tha: “por, Shejtani im u bë musliman.”

Kjo do të thoshte se Profeti s.a.v.s. arriti ta mundte zërin e së keqes brenda vetes aq fort, saqë e kishte nënshtruar atë plotësisht. Nuk kishte më Shejtani brenda tij. Ky quhet nënshtrim i plotë.

Nga ana tjetër, ata që i përgjigjen pozitivisht zërit të së keqes një herë dhe pastaj edhe vazhdimisht, atyre u vritet ndëgjegja dhe u vdes. E vetmja gjë që u mbetet duke rrjedhur në damaret e tyre është e keqja. Njeriu i tillë bëhet personifikim i djallit. Njeriu i tillë referohet si Iblis, pra një njeri që paraqet veten si arenë për manovrat e djallit (Shejtanit), që ky i fundit të bëjë çfarë të dojë. Ai që së pari bëhet një instrument i Shejtanit, më pas bëhet personifikim i tij,  quhet Iblis.

Kështu unë e kuptoj këtë temë dhe mundet që dikush edhe mund të mos pajtohet tërësisht, por unë mendoj se përgjithësisht kështu është e saktë.

PYETËSI:

Ka mbetur vetëm një gjë që nuk arrij ta kuptoj, dhe ajo është në lidhje me Shejtanin (djallin) si person.

E shpjegova pak më parë se ai ka qenë dhe është edhe si person. Ky person, siç e thashë edhe më parë, është karshi Xhibrailit, për shembull. Xhibraili qëndron në anën e djathtë, dhe Shejtani në anën tjetër. Edhe Shejtani u dërgon “zbulesën” e vet njerëzve. E dini, besoj. Por ai nuk është një person i vetëm. Ai është kreu i departamentit të së keqes, kur shumë persona të tjerë punojnë nën komandën e tij. Prandaj, Kurani i Shenjtë përmend në disa ajete fjalën “Shejtan” edhe në numrin shumës, e cila është “shejatin”, pra shejtanët. Kjo nuk do të thotë se Kryeshejtani pjell fëmijët e vet dhe ai ka ndonjë grua shejtane etj., etj.. Kurani Famëlartë shpjegon se që nga fillimi ky është sistemi që ka krijuar Allahu i Madhërishëm, që Shejtani të mbetet kryetari i departamentit satanik dhe ka plotë shejtanë që punojnë për të. Kur ata personifikohen te njerëzit, ne atyre njerëzve u referohemi si Iblis. E kuptuat?

Shejtanët e tillë gjithashtu u zbresin njerëzve, siç edhe engjëjt u zbresin njerëzve, dhe ata janë përmendur edhe në shumës [në Kuranin e Shenjtë]. Andaj, mendimi që ka qenë vetëm një Shejtan që nga koha e Ademit a.s., është gabim. Kurani Famëlartë flet për dy kategori shejtanësh:

ہَلۡ اُنَبِّئُکُمۡ عَلٰی مَنۡ تَنَزَّلُ الشَّیٰطِیۡنُ۔ تَنَزَّلُ عَلٰی کُلِّ اَفَّاکٍ اَثِیۡمٍ۔ یُّلۡقُوۡنَ السَّمۡعَ وَ اَکۡثَرُہُمۡ کٰذِبُوۡنَ۔

“A t’ju tregoj për atë, të cilit shpesh i zbresin shejtanët?! Ata zbresin mbi çdo shpifës dhe mëkatar të madh. Këta mbajnë veshin (te shejtanët) dhe shumica e tyre janë gënjeshtarë.” (Kurani Famëlartë 26:222-224)

Tani, këto ajete tregojnë se Shejtani nuk mund të zbresë mbi dikë, derisa ky i fundit nuk ka përgatitur një terren për të. Shikoni, edhe avioni nuk mund të zbresë, derisa nuk ka ndonjë pistë. Kështu që, disa njerëz bëhen pista të gatshme për djajtë. Prandaj Allahu na thotë:

“A t’ju tregoj për atë, të cilit shpesh i zbresin shejtanët?!

Kush janë këta dhe çfarë lloje pistash kanë ata në zemrat e tyre?

“… çdo shpifës dhe mëkatar të madh.”

Këta shpifin shumë dhe mëkatojnë shpesh. Shpifja dhe mëkati u bëhen vese. Njerëzve të tillë nuk u zbresin engjëjt. Dhe pse do t’u zbrisnin engjëjt, përkundrazi, ata u rrijnë shumë larg. Pra, njeriu që gënjen shumë dhe mëkaton shpesh është një “parajsë” për djallin, ku djalli gjen “paqe”, atje ai zbret, atje i bëhet mirëseardhje dhe atje ai kujdeset mirë. Pra, jo një shejtan, plot shejtanë zbresin mbi njerëz të tillë.

Kurse për Profetin Muhammed s.a.v.s., Allahu i Madhërishëm thotë:

وَ مَا تَنَزَّلَتۡ بِہِ الشَّیٰطِیۡنُ۔وَ مَا یَنۡۢبَغِیۡ لَہُمۡ وَ مَا یَسۡتَطِیۡعُوۡنَ۔

“Me këtë (Kuran) nuk kanë zbritur shejtanët. Dhe ata as nuk kanë guxim dhe as nuk kanë mundësi (për këtë).” (Kurani Famëlartë 26:211-212)

Pra, thotë se për sa i përket Profetit Muhammed s.a.v.s., shejtanët a djajët as nuk mund t’i afrohen dhe as nuk kanë fuqi të zbresin pranë tij, madje ata ia mbathin prej tij.

Edhe këtu flitet jo për Shejtanin në njëjës, por në shumës, të cilët janë receptorë të forcave të këqija, kreu i të cilëve është Shejtani.

PYETËSI:

Shejtani ose Iblisi a jeton deri më sot?

Shikoni, këto janë qenie, të cilat daç i quani shpirtërore, daç eterike. Ato kanë një jetëgjatësi ndryshe nga ne. Ata nuk kunsumojnë ushqim a energji sikur ne, dhe janë një fenomen tjetër. Prandaj, jetëgjatësia e tyre është shumë më e madhe sesa e jona. Kështu që, për sa i përket Shejtanit, ne e dimë me siguri që ai ka leje prej Zotit të Madhërishëm deri në ditën e Kiametit, atëherë si mund të themi se ai të ketë vdekur? Nëse Shejtani ka vdekur, gjitha ato forcat satanike që varen prej tij, duhet të kishin vdekur gjithashtu. Dhe ju paparitmas duhet të kishit vënë re se gjithçka u vu në rrugë të drejtë përsëri… Pra, djalli duhet të jetojë.

Related Questions by Topics
Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp