Vetëm bindja e përsosur mund t’ju shpëtojë nga mëkati
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
bindja lutja

O robër kërkimtarë të Zotit! Hapni veshët dhe më dëgjoni! Asgjë nuk ngjason me bindjen. Është pikërisht bindja që ju largon nga mëkati. Bindja është ajo që ju jep forcën për të bërë mirësi. Bindja është ajo që ju bën të dashur dhe të sinqertë ndaj Zotit. A mund të hiqni dorë nga mëkati, pa pasur bindjen? A mund të ndaleni nga tundimet e nefsit, pa përjetuar një manifestim bindës? A mund të gjeni qetësi, pa pasur bindjen? A mund të krijoni ndonjë ndryshim të sinqertë, pa pasur bindjen? A mund të arrini lumturinë e vërtetë, pa pasur bindjen? A ka ndonjë shlyerje a shpagim nën kupën e qiellit, që mund t’ju largojë nga mëkati? Isai Biri i Merjemes a është i tillë që gjaku artificial i tij të mund t’ju largojë nga mëkati?

O të krishterë! Mos thoni një gënjeshtër të tillë që mund ta çajë tokën. Vetë Jezusi ishte nevojtar i bindjes për shpëtimin e vet. Ai pati bindjen dhe gjeti shpëtimin. Keqardhje për ata të krishterë që mashtrojnë të tjerët duke thënë se kanë gjetur shpëtimin nga mëkati me anë të gjakut të Mesihut, ndërkohë janë të zhytur kokë e këmbë në mëkate. Ata nuk e dinë se cili është Zoti i tyre. Bëjnë jetë të shkujdesur dhe kanë mendje të dehur, dhe ata nuk kanë as haberin për atë dehje të pastër që zbret prej qiellit. Ata janë të privuar nga jeta që është me Zotin dhe nga rezultatet e asaj jete të pastër.

Prandaj, ju mbajeni mend! Pa bindjen nuk mund të dilni dot nga errësira e jetës dhe as nuk mund të gjeni dot Shpirtin e Shenjtë. Të bekuar janë ata që kanë bindjen, sepse vetëm ata do ta shohin Zotin. Të bekuar janë ata që janë liruar nga dyshimet, sepse vetëm ata do të gjejnë shpëtimin nga mëkati. Të bekuar jeni ju kur ju jepet pasuria e bindjes, sepse pas kësaj, mëkateve tuaja do t’u vijë fundi. Mëkati dhe bindja nuk mund të bashkohen. A do ta fusnit dorën në vrimën e një gjarpri tejet helmues? A mund të qëndroni pranë një vullkani që shpërthen, ku mund t’ju prekë lava e tij? A qëndroni dot nën vetëtima, përpara një luani të egër, apo diku ku murtaja ka shpërthyer e ka shkaktuar zhdukjen e brezave të tërë?! Atëherë, nëse keni të njëjtën shkallë bindjeje te Zoti, siç e patët përpara gjarprit, vetëtimave, luanit ose murtajës, nuk mundet që ju të ndiqni rrugën e ndëshkimit, duke shkelur porosinë e Tij dhe nuk mundet që ju të shkëpusni lidhjen tuaj të sinqertë dhe besnik me Të.

O njerëz që jeni thirrur për mirësi dhe për rrugën e drejtë! Besoni me bindje se tërheqja e Zotit do të lindë brenda jush dhe ju do të pastroheni nga njolla e neveritshme e mëkatit vetëm atëherë kur zemrën do ta keni të plotë me bindje. Ndoshta do të thoni – e kemi bindjen. Dijeni se vetëm po mashtroheni. Ju nuk e keni bindjen, sepse nuk i keni as rezultatet e saj. Arsyeja është se nuk hiqni dorë nga mëkati dhe nuk hidhni hapin që duhet hedhur; nuk druheni ashtu siç duhet të druheni.

Mendojeni vetë, ai që është i bindur se në atë vrimë ka gjarpër, a mund ta fusë dorën në të? Ose ai që është i bindur se në ushqimin e tij ka helm, a mund ta hajë atë? Ose ai që sheh me bindje se në këtë pyll ka një mijë luanë të egër, a mund ta çojnë këmbët e tij me harresë a pakujdesi drejt pyllit? Atëherë, duart dhe këmbët tuaja, veshët dhe sytë tuaj a mund të guxojnë të bëjnë mëkat, nëse besoni me bindje në Zot dhe në shpërblim-ndëshkimin e Tij. Mëkati nuk mund ta mbizotërojë bindjen. Pra, ndërkohë që shihni një zjarr gllabërues, si mund të hidheni në të? Muret e bindjes janë deri në qiell, andaj, djalli nuk mund t’i kapërcejë ato.

Çdokush që u pastrua, u pastrua përmes bindjes. Bindja ju jep forcë për të përballuar dhimbjen, aq saqë edhe një mbret e bën ta lërë fronin për të veshur petkun e fukarait. Bindja lehtëson çdo brengë. Bindja ju tregon Zotin. Çdo shlyerje dhe çdo shpërblesë tjetër është e rremë. Çdo pastërti vjen përmes rrugës së bindjes. Ajo që ju largon nga mëkati, ajo që ju çon te Zoti dhe ju bën të përparoni në sinqeritet dhe qëndrueshmëri më shumë se engjëjt, është pikërisht bindja. Çdo fe që nuk ju jep mjetet e bindjes është e gënjeshtërt. Çdo fe që nuk ju tregon dot Zotin nëpërmjet mjeteve bindëse, është e gënjeshtërt.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp