Përshkrim i librit
Parathënie
Mësimi ynë është përkthimi në shqip i librit të titulluar “Hamāri Ta’līm”, i përmbledhur nga Hazret Mirza Bashir Ahmedra. Pjesa më e madhe e këtij libri është marrë nga “Mësimi” që gjendet në librin “Arka e Nuhut” të shkruar nga Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s. i Kadijanit, Mesih i Premtuar, Imam Mehdi.
Në “Arka e Nuhut”, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shpjegoi profecinë e tij që Zoti i Madhërishëm i dha në lidhje me përhapjen e murtajës. Bazuar nga shpallja Hyjnore, ai deklaroi se kushdo që do të qëndronte brenda katër mureve të shtëpisë së tij, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë shpirtëror, do të mbrohej nga sulmi i murtajës. Më pas, parashtroi mësimin, që sipas tij, ishte shtëpia e tij shpirtërore, dhe anëtarët e Xhematit të tij që do ta zbatonin atë mësim, duke hyrë në shtëpinë e tij shpirtërore do të shpëtonin mrekullisht nga epidemia.
Libri Mësimi ynë gjithashtu ka një shtojcë ku janë përmbledhur “Besimet e Xhematit Musliman Ahmedia”. Kjo shtojcë është marrë nga libri “Da’vetul-Emir” i Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi r.a., Kalif i Dytë i Mesihut të Premtuar, libër i cili ishte shkruar si një deklaratë besimesh me gjithë argumentet përkatëse dhe si ftesë në emër të Xhematit Musliman Ahmedia.
Mësimi ynë kryesisht u drejtohet anëtarëve të Xhematit për edukimin e tyre moral dhe shpirtëror. Megjithatë, përmbajtja e tij është kaq e fuqishme dhe kaq dritëplote, saqë çdo shpirt që ka etje për të vërtetën dhe spiritualitetin mund të përfitojë prej tij.
Ky libër i shkurtër tanimë është përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës. Në gjuhën shqipe, fillimisht është përkthyer Z. Muhammed Zakaria Khan në vitin 1990, dhe është botuar në vitet 1993, 1995 dhe 2000. Ky është përkthimi i dytë i këtij libri, i bërë nga origjinali nga Z. Samad Ahmed Ghori. Zoti i shpërbleftë të gjithë!
Haxhi Munir-ud-Din Shams
Drejtor i Botimeve të Xhematit Musliman Ahmedia
Shtator 2020