Ky është Zoti që është kushti i Xhematit tonë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
mesimi i kuranit mesimi yne

Le ta keni të qartë se nuk ka asnjë dobi të bëni Bej’atin[1] vetëm me gojë, derisa nuk e praktikoni plotësisht me vendosmërinë e zemrës. Andaj, ai që praktikon plotësisht mësimin tim, hyn në shtëpinë time, për të cilën Zoti i Madhërishëm ka premtuar në fjalën e Vet:

mesimi yne - ZotiUnë do të shpëtoj çdokënd që është brenda mureve të shtëpisë sate!

Këtu nuk do të thotë se në shtëpinë time janë vetëm ata që banojnë në këtë shtëpi prej balte e tullash, por do të thotë se edhe ata që më ndjekin plotësisht, hyjnë në shtëpinë time shpirtërore.

Që të më ndiqni mua, është e nevojshme të besoni me bindje se keni një Zot të Plotfuqishëm, të Qëndrueshëm, Krijues të gjithçkaje, dhe Ai është i Përhershëm, i Përjetshëm dhe i Pandryshueshëm në atributet e Tij. Ai nuk është biri i dikujt dhe askush nuk është biri i Tij. Ai është i pastër nga vuajtjet, nga kryqëzimi e nga vdekja. Është i tillë që pavarësisht se është larg, gjendet afër dhe pavarësisht se është afër, gjendet larg dhe pavarësisht se është Një, ka manifestime të ndryshme. Kur njeriu sjell në vete një ndryshim të ri, Ai për të bëhet një Zot i ri dhe me të fillon të ketë marrëdhënie me një manifestim të ri.

Kështu, njeriu në bazë të ndryshimit që bën në veten e tij, shikon ndryshim edhe në Zot. Por në të vërtetë, Zoti nuk pëson ndonjë ndryshim, përkundrazi, Ai është i Pandryshueshëm përgjithmonë dhe zotëron përsosmërinë absolute, por njeriu gjatë ndryshimeve të gjendjes shpirtërore, kur anon nga mirësia, Zoti i shfaqet me një manifestim të ri. Në çdo kohë sa herë njeriu bën një përparim të qenësishëm, edhe fuqia e Zotit të Madhërishëm i shfaqet me një përparim të tillë. Ai tregon fuqinë e Tij të jashtëzakonshme, vetëm atje ku shfaqet ndryshimi i jashtëzakonshëm. Kjo është pikërisht baza e mrekullive dhe e ndodhive të jashtëzakonshme. Ky Zot është kushti i Xhematit tonë. Atë besojeni dhe Atij jepini përparësi mbi veten tuaj, mbi rehatinë tuaj dhe mbi të gjitha lidhjet tuaja. Provoni me vepra e me guxim vërtetësinë dhe besnikërinë në rrugën e Tij. Njerëzit e botës nuk i japin Atij përparësi mbi të dashurit e tyre, por ju jepini përparësi, në mënyrë që të shënoheni në qiell në Xhematin e Tij.

Është një praktikë e hershme e Zotit të tregojë shenjat e mëshirës. Por ju mund të përfitoni nga kjo praktikë e Tij, kur nuk do të ketë aspak ndarje mes jush dhe Atij; kur pëlqimi juaj të jetë pëlqimi i Tij dhe dëshirat tuaja të bëhen dëshirat e Tij, dhe kur në çdo situatë arritjeje a mosarritjeje, koka juaj të gjendet vetëm te pragu i Tij, që Ai të bëjë si të dojë. Po e bëtë këtë, në ju do të shfaqet Ai Zot, që është i fshehur prej një kohe të gjatë. A ka ndonjë mes jush që ta zbatojë këtë, të bëhet kërkues i pëlqimit të Tij dhe të mos mbetet i pakënaqur nga caktimet e Tij? Atëherë, kur të përballeni me vështirësinë, duhet ta hidhni hapin akoma më përpara, sepse ky është mjeti i përparimit tuaj.

Bëni përpjekje duke përdorur gjithë fuqinë tuaj për të përhapur Njëshmërinë e Tij. Mëshironi robërit e Tij dhe mos u bëni keq as me gojë, as me dorë e as me ndonjë mjet tjetër. Gjithnjë përpiquni për dobinë e krijesave. Mos u mburrni ndaj askujt, qoftë ai nëpunësi juaj. Mos shani, edhe kur dikush ju shan. Bëhuni të duruar, të dhembshur, qëllimmirë dhe dashamirës ndaj gjithë njerëzimit, në mënyrë që të pranoheni. Ka plot që tregojnë dhembshuri, por janë ujq përbrenda. Ka plot që janë të pastër nga jashtë, por janë gjarpër përbrenda. Kështu, ju nuk mund të pranoheni pranë Tij, derisa nuk do të jeni të njëjtë së jashtmi e së brendshmi.

Nëse jeni të mëdhenj, mëshironi të vegjlit, dhe jo të talleni me ta. Nëse jeni të ditur, këshilloni të paditurit, dhe jo t’i poshtëroni duke reklamuar veten. Nëse jeni të pasur, shërbejini të varfrit, dhe jo të mburreni ndaj tyre me vetëpëlqim. Kini frikë nga rrugët e shkatërrimit. Kijeni frikë Zotin dhe përvetësoni takvanë.[2] Mos adhuroni krijesat. Tërhiquni tërësisht drejt Mikut tuaj dhe shkëputeni zemrën nga bota. Bëhuni tërësisht të Atij dhe jetoni vetëm për Të. Urreni çdo papastërti e ligësi për hir të Tij, sepse Ai është i Pastër. Duhet që çdo mëngjes të dëshmojë për ju se keni kaluar natën me takva dhe çdo mbrëmje të dëshmojë për ju se keni kaluar ditën duke pasur drojë.


[1] Fjala bej’at është arabe بَیْعَت që do të thotë be, besë e besëlidhje. Në kohën e Profetit Muhammed s.a.v.s., ata që donin të pranonin Islamin, bënin bej’at duke dhënë dorën e tyre në dorën e Profetit s.a.v.s.. Me urdhrin e Zotit të Madhërishëm, Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, Imam Mehdiu a.s., e nisi këtë praktikë Profetike edhe në Xhematin Musliman Ahmedia. Madje, është edhe urdhri i Profetit Muhammed s.a.v.s., në të cilin ai u thotë muslimanëve të takojnë Imam Mehdiun e të bëjnë bej’at në dorën e tij, edhe nëse u duhet të kalojnë nëpër male me borë për të shkuar deri tek ai. (Përkthyesi)
[2] Druajtje dhe devotshmëri ndaj Zotit. (Përkthyesi)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp