
Po kështu, kujdestarët e faltoreve dhe pasardhësit e shenjtërve që janë në këtë vend, janë sa të larguar nga feja, po aq të zhytur natë e ditë në risitë (bidatet) e tyre, si rrjedhojë, janë tërësisht në padijeni për vështirësitë dhe fatkeqësitë që po prekin Islamin. Po të shkoni në takimet e tyre, në vend që të dëgjoni Kuranin e Shenjtë ose librat e haditheve, do të shihni lloj-lloj tamburesh, violinash, daullesh, këngëtarësh etj.. E megjithatë, pretendojnë të jenë udhëheqës të muslimanëve dhe ndjekës të Profetit s.a.v.s.. Disa prej tyre, madje, janë të veshur si femra, me duar të lyera me këna e të zbukuruara me byzylykë. Parapëlqejnë të recitojnë poezitë, në vend të Kuranit të Shenjtë. Këto zakone janë ngulitur kaq thellë, saqë janë ndryshkur, e vështirë të hiqen. Megjithatë, Zoti i Madhërishëm do të tregojë fuqitë e Tij dhe do ta ndihmojë Islamin. …
Çdokush mund të pretendojë se e do Zotin. Por, Zotin e do ai, dashuria e të cilit provohet me anë të dëshmisë qiellore. Çdokush thotë se feja e tij është e vërtetë, por feja e vërtetë është vetëm e atij, të cilit i jepet dritë që në këtë botë. Çdokush thotë se do ta gjejë shpëtimin, por këtë e tha të vërtetë vetëm ai që sheh dritën e shpëtimit që në këtë botë. Prandaj, ju përpiquni të bëheni të dashur të Zotit, në mënyrë që të mbroheni nga çdo fatkeqësi.