Ai Zot është shumë besnik dhe bën çudira për besnikët e Tij. Bota dëshiron t’i gllabërojë ata dhe çdo armik u kërcet dhëmbët. Por Ai që është Miku i tyre, i shpëton në çdo vend shkatërrues duke u dhënë atyre fitore në çdo fushë. Sa me fat është ai që nuk e lëshon pragun e Atij Zoti. Ne Atë e besuam dhe Atë e njohëm. Ai Zot është Zoti i të gjithë botës që më dërgoi shpalljen, që tregoi shenja madhështore për mua, që më dërgoi në këtë kohë si Mesih të Premtuar dhe nuk ka zot tjetër përveç Atij, as në qiell e as në tokë. Ai që nuk e beson Atë, është i privuar nga fati dhe gjendet në prangat turpëruese.
Porsi drita e diellit neve na erdhi shpallja e Zotit tonë. Ne e kemi parë me sy që pikërisht Ai është Zoti i gjithësisë dhe nuk ka zot tjetër përveç Atij. Sa i Plotfuqishëm dhe i Qëndrueshëm është Ai Zot që kemi gjetur! Sa shumë fuqi madhështore zotëron Ai që kemi parë! E vërteta është që asgjë nuk është e pamundur për Të, përveç asaj që bie ndesh me Librin dhe premtimin e Tij. Prandaj, kur të luteni, mos u lutni si të ashtuquajtur “natyralistë” të paditur, të cilët me mendimin e vet kanë përcaktuar ligjin e natyrës por që nuk e ka vulën e Librit të Zotit. Në fakt, ata vetë janë të refuzuar dhe atyre kurrsesi nuk u pranohen lutjet. Ata janë të verbër, e jo që shohin; janë të vdekur, e jo të gjallë. Ata Zotit ia tregojnë ligjin e tyre të sajuar dhe u vënë kufi fuqive të panumërta të Tij dhe kështu, e pandehin të dobët. Sipas gjendjes së tyre ata do të gjykohen.
Prandaj, kur të ngrihesh për t’u lutur, të duhet të jesh i bindur plotësisht që Zoti yt është i Plotfuqishëm për çdo gjë. Atëherë do të të pranohet lutja dhe ti do të shohësh çudirat e fuqisë së Zotit që kam parë edhe unë. Dëshmia ime është okulare e jo prej historive. Atij që nuk beson se Zoti ka çdo fuqi, si mund t’i pranohet lutja dhe si mundet që ai të ketë vullnet për të bërë lutje gjatë vështirësive të mëdha, zgjidhja e të cilave sipas tij thyeka ligjin e natyrës?! Por, o njeri fatbardhë, ti mos vepro kështu! Zoti yt është Ai që mban të varur yjet e panumërta, pa i mbështetur ato me ndonjë shtyllë, Ai që krijoi tokën dhe qiellin nga asgjëja. Vallë, Atë e paragjykon ti se me demek nuk paska mundësi të të realizojë një dëshirë?! Përkundrazi, paragjykimi yt ty do të të bëjë të mbetesh i privuar.
Zoti ynë bën mrekulli të panumërta, por i shohin vetëm ata që bëhen të Atij me vërtetësi dhe besnikëri. Ai nuk u shfaq mrekullitë e Tij të tjerëve që nuk besojnë me bindje në fuqitë e Tij dhe që nuk janë të vërtetë e besnikë ndaj Tij.
Sa fatkeq është ai njeri që ende nuk di se ai ka një Zot, i cili ka fuqi mbi çdo gjë! Parajsa jonë është Zoti ynë. Kënaqësitë tona më të larta gjenden në Zotin tonë, sepse ne e pamë Atë dhe çdolloj bukurie gjetëm në Të. Kjo pasuri është me vlerë ta marrësh nëse e gjen duke dhënë edhe jetën. Dhe ky rubin është me vlerë ta blesh edhe sikur të kushtojë sa e gjithë qenia jote. O të humbur, vraponi drejt këtij burimi se do t’jua shuajë etjen. Ky është burimi i jetës që do t’ju shpëtojë. Ç’të bëj unë? Si mund ta gdhend në zemrat e njerëzve këtë lajm të gëzuar? Me çfarë daulleje t’i njoftoj njerëzit se Ky është Zoti i tyre? Dhe me çfarë ilaçi t’ua kuroj veshët që ata të fillojnë të dëgjojnë?