Këtu duhet sqaruar edhe një gjë që, njohja e Zotit është diçka që thelbi dhe e vërteta e së cilës nuk mund të shpjegohet në fjalë. Nëse do të ishte e mundur një gjë e tillë, mund t’ua mësonim të gjithëve, gjë që nuk ndodh. Kush mund të jetë më shumë dashamirës ndaj njerëzve sesa I Dërguari i Allahutsa. Rreth tij, Zoti thotë në Kuran:
لَعَلَّکَ بَاخِعٌ نَّفۡسَکَ اَلَّا یَکُوۡنُوۡا مُؤۡمِنِیۡنَ“A do të vrasësh veten, pse të gjithë njerëzit nuk po bëhen besimtarë. [1]
Nëse njohja e Zotit mund të përshkruhej në fjalë, Hazret Profeti Muhammedsa patjetër do ta bënte këtë, pasi ai gati vdiste që njerëzit ta njihnin Zotin. Por ai kurrë nuk e përshkroi këtë me fjalë. Kjo tregon që njohja e Zotit është diçka që s’mund të thuhet me fjalë, ajo ka lidhje vetëm me zemrën. Përndryshe i Dërguari i Allahutsa dhe Mesihu i Premtuar do t’i bënin të gjithë njerëzit njohës të mirë të Zotit. Prandaj, edhe unë nuk do t’ju tregoj e as nuk mund t’ju tregoj realitetin e njohjes së Zotit, por mund t’ju tregoj vetëm për mjetet përmes të cilave ajo arrihet.
Thuhet se nxënësi nuk mund t’ia dijë gjendjen mësuesit, e as mësuesi nxënësit. Bëhet fjalë për gjendjen shpirtërore, e cila është e fshehtë sepse ajo lidhet me zemrën e njeriut. Njohja e Zotit gjendet pikërisht atje, prandaj ajo kurrsesi nuk mund të përshkruhet me fjalë, edhe sikur një njeri ta ketë arritur atë. Pra, vetëm mjetet mund të përmenden kurse rezultati që vjen pas asaj, nuk mund të përmendet. Deri më tani askush në botë nuk e ka përshkruar me fjalë njohjen e Zotit, kështu që, as unë nuk mund ta përshkruaj dot këtë. Ashtu sikur ne mund t’i tregojmë dikujt se si bëhet ëmbëlsira, por nuk mund t’i tregojmë se si përjetohet ëmbëlsia, derisa ai vetë nuk do ta shijojë atë. Në të njëjtën mënyrë, mund të tregohet se si arrihet njohja e Zotit, por nuk mund të tregohet se si përjetohet ajo. Por, kur njeriu e fiton atë, fillon ta përjetojë vetë.
[1] Kurani Famëlartë 26:4.