
E shtata
Pika e shtatë, e nevojshme për pastrimin e nefsit është që njeriu duhet të bëjë shprehi meditimin për porositë dhe ndalimet që ka mësuar. Pak më parë kam treguar që duhen hequr mendimet e këqija nga zemra, sepse ato e dëmtojnë njeriun nëse hedhin rrënjë në zemrën e tij. Por, tani dua të them se duhet përpjekur që urdhrat dhe ndalimet të hedhin rrënjë në zemër, sepse ato i japin dobi njeriut. Për shembull, ai duhet të thellohet në dobitë dhe bekimet e namazit, të studiojë realitetin e agjërimit e të veprave të tjera të mira. Po ashtu, të shqyrtojë realitetin dhe pasojat e gënjeshtrës, mashtrimit, pabesisë, paturpshmërisë, padëgjueshmërisë, etj. sepse edhe nga zbulimi i realitetit zemra e njeriut fiton dashuri apo urrejtje ndaj diçkaje të caktuar. Lidhur me këtë, Kurani Famëlartë pohon:
لَہُمۡ قُلُوۡبٌ لَّا یَفۡقَہُوۡنَ بِہَا ۫ وَ لَہُمۡ اَعۡیُنٌ لَّا یُبۡصِرُوۡنَ بِہَا ۫ وَ لَہُمۡ اٰذَانٌ لَّا یَسۡمَعُوۡنَ بِہَا(Ka disa njerëz që) kanë zemrën, por nuk kuptojnë; kanë sytë, por nuk shohin prej tyre; kanë veshët, por nuk dëgjojnë me anë të tyre.[1]
Domethënë, derisa nuk i vini në punë veshët dhe sytë e zemrës, nuk mund të keni sukses.
E teta
Njeriu duhet të ketë vullnet për të pranuar të vërtetën. Nuk duhet të ndodhë që të dëgjojë një këshillë e të mos përpiqet për të vepruar sipas saj. Madje, kur merr ndonjë këshillë, duhet t’i kushtojë rëndësi e të përpiqet ta ndjekë. Edhe këtë e tregon ajeti që u citua më parë. Njerëzit që edhe pse dëgjojnë, bëjnë sikur nuk kanë dëgjuar, ose shikojnë, por bëjnë sikur nuk kanë parë, kurrsesi nuk mund të përparojnë.
E nënta
Nëse njeriu merr vërejtje për ndonjë gabim që ka bërë, duhet ta pranojë me durim. Shumë njerëz nuk arrijnë të sjellin reformë në veten e tyre sepse kur dikush ua tregon gabimin, nevrikosen dhe nuk e përmirësojnë veten. Nuk duhet të ndodhë kështu. Kur merrni vërejtje për gabimin që keni bërë, duhet të duroni. Allahu i Lartësuar thotë:
وَ اِذَا قِیۡلَ لَہُ اتَّقِ اللّٰہَ اَخَذَتۡہُ الۡعِزَّۃُ بِالۡاِثۡمِ فَحَسۡبُہٗ جَہَنَّمُ ؕ وَ لَبِئۡسَ الۡمِہَادُ“Kur i thuhet” Kije druajtjen ndaj Allahut!”, egoja e nderit të tij e mban në mëkat. Andaj, atij i mjafton xhehenemi. Eh, sa vendbanim i keq është ai![2]
Pra, thotë se ka disa njerëz që kur u thuhet të kenë takuanë e Allahut, preken në sedër dhe çmenden duke kujtuar se janë fyer dhe, në vend të përfitojnë nga këshilla, zënë të luftojnë me këshilluesin. Vendbanimi i njerëzve të tillë është xhehenemi, sepse ata grinden me këshilluesin, në vend që t’i tregohen mirënjohës. Por, të mos kujtojë ndokush se çdo njeri ka të drejtë të qortojë kë të dojë e ku të dojë, kur sheh se ai ka ndonjë dobësi ose ka bërë ndonjë gabim. Vërejtjet gjithmonë duhen bërë vetëm për vetëm.
Gjithashtu, ai që bën vërejte, duhet të ketë parasysh pozitën dhe aftësinë e vet, se sa është i denjë për t’i bërë vërejtje tjetrit, që të mos shohë rezultat të kundërt. Pra, nëse në njërën anë është e nevojshme që ata që gabojnë të kenë edhe durim për të pranuar gabimin e tyre e të dëgjojnë me gjakftohtësi fjalën e këshilluesit, në anën tjetër, është e nevojshme që edhe këshilltari të ketë shumë kujdes kur dëshiron të këshillojë dikë. Ai nuk ka të drejtë të poshtërojë midis njerëzve kë të dojë e ku të dojë.
E dhjeta
Njeriu nuk duhet të dëshpërohet por t’i mbështetet Zotit. Ka syresh që përpiqen e mundohen, por pikërisht në momentin kur do të merrnin frytin e përpjekjeve të tyre, tërhiqen të dëshpëruar.