Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Të ngjashme rreth kësaj teme

Mbledhja Vjetore e Kanadasë, 2016

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Pjesë të shkëputura nga hutbeja)

Siç ju thashë, do t’ju bëj disa këshilla në fjalët e Hazret Mesihut të Premtuar a.s..  Le të dëgjojmë fjalët e tij, t’i pranojmë ato me veshët, me mendjen e me zemrën tonë dhe të bëjmë atë ndryshim shpirtëror në jetën tonë, që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. priste nga ne.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

I kam thënë shpesh herë xhematit tim që mos u mjaftoni vetëm me bejtin (besëlidhjen) që keni bërë. Nuk mund të gjeni dot shpëtimin, derisa nuk e arrini thelbin e bejtit. Ai që mjaftohet me lëvozhgën, do të privohet nga bërthama. I mençur është ai që përpiqet për ta marrë bërthamën dhe jo vetëm lëvozhgën.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Nëse nxënësi nuk është punëtor, shenjtëria e mësuesit nuk i bën aspak dobi. … Nëse mjeku ju jep një recetë dhe ju e merrni dhe e vendosni në sirtar, nuk do të keni asnjë dobi prej saj. Do të keni dobi vetëm kur ta përdorni atë. Vetë e keni marrë recetën dhe vetë mos e privoni veten nga ajo. Lexoni shpesh librin tim “Arka e Nuhut” dhe bëjeni jetën sipas tij.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Zoti thotë “Fitoi ai që e pastroi veten e tij”. Domethënë, do të fitojë ai që do ta zhvillojë takvanë e tij. Ka plot njerëz në botë që mund të jenë vjedhës, kurvarë, të ligj, pijanecë, por pretendojnë të jenë pjesë e umetit të Profetit Muhammed s.a.v.s.. Por, a llogariten me të vërtetë të jenë të tillë?! Kurrsesi. Në umetin e Profetit Muhammed s.a.v.s. është vetëm ai që i zbaton me përpikëri mësimet e tij.

Njëherë tjetër, duke shpjeguar se cili duhet të jetë standardi i bejtit, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

Kështu, ai që pretendon të ketë bërë bejtin dhe pretendon të jetë besimtar, duhet të analizojë nëse është lëvozhgë apo bërthamë. Derisa nuk e keni bërthamën, pretendimi juaj i besimit, i dashurisë, i bindjes, i bejtit, i të qenit ndjekës, i të qenit musliman, është i kotë. Mbani mend! Është shumë e vërtetë që Zoti i Madhërishëm nuk i jep asnjë vlerë lëvozhgës, kur është pa bërthamë.

Asnjëherë mos harroni që ju nuk e dini se kur do t’ju vijë vdekja, por ju e dini se ajo do t’ju vijë një ditë pashmangshmërisht. Prandaj, mos u mjaftoni vetëm me pretendime dhe mos u kënaqni vetëm deri me aq. Ato në asnjë mënyrë nuk janë të dobishme, derisa njeriu nuk pranon një sërë vdekjesh mbi vete dhe të mos bëjë revolucione dhe ndryshmi madhore në jetën e tij. Deri atëherë, ai nuk mund të arrijë qëllimin e krijimit të tij. Cilat janë këto vdekje? T’i jepni epërsi besimit mbi botën.

Në këto vende, shkëlqimin e botës përpara. Në çdo hap keni pengesa që tentojnë t’ju largojnë nga rruga e Zotit të Madhërishëm. Duhet të shpëtoni nga këto pengesa. Më pas Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Shikoni pak gjendjen e sotme të botës. I dërguari ynë Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. me veprat e tij provoi që jeta, vdekja dhe çdo gjë e tij ishte për Zotin e Madhërishëm. Sot bota ka plotë muslimanë. Kur pyes dikë – A je musliman? Elhamdulil-lah ju thotë. Jeta e Profetit ka qenë për Zotin, ndërsa ky që këndon shehadetin e tij, për këtë botë jeton dhe për këtë botë vdes, derisa e kap agonia. … Pra, të mençurit nuk mbeten të kënaqur në një pikë.

Një herë një musliman i bëri thirrje një hebreu drejt Islamit, ndërkohë vetë muslimani në fjalë bënte vepra të këqija. Hebreu i tha: Shiko veten tënde në radhë të parë dhe mos u mburr që je musliman. Zotit i pëlqen kuptimi i Islamit dhe jo veç emri islam. Pastaj edhe hebreu i rrëfeu një ngjarje të tijën se atij i kishte lindur një djalë, të cilin e quati Halid (i përjetshëm), por ai i vdiq të njëjtën ditë në darkë..

Prandaj, kërkoni realitetin dhe mos u kënaqni vetëm nga emri. Sa e turpshme është që njeriu të pohojë lidhjen e tij me Profetin më madhështor s.a.v.s. dhe të kalojë jetë qafirësh! Ju gjatë jetës suaj provoni modelin e Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe të njëjtën gjendje krijoni në tuajën.

Njëherë erdhën disa njerëz te Mesihu i Premtuar a.s. dhe bënë edhe bejtin. Pas bejtit, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u bëri disa këshilla. Ai tha:

Njeriu nuk duhet të mjaftohet vetëm me bejtin, duke besuar se ky xhemat është i vërtetë dhe nuk duhet të kujtojë që, vetëm me këtë, ai e ka marrë bekimin. Përkundrazi, përvetësoni takvanë (druajtje ndaj Zotit). Kaloni këtë kohë në lutje.

Duke i këshilluar më tej, ai tha:

Zoti i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë, bashkë me porosinë e besimit, ka lënë edhe porosinë për veprat e mira. Vepra e mirë [عمل صالح] është ajo që nuk ka asnjë grimë çrregullimi. Mbani mend! Në veprat e njeriut gjithmonë hyjnë vjedhësit. Cilët janë ata? Dukja, kur njeriu bën një vepër të mirë për sy e faqe të botës. Vetëpëlqimi, kur bën një vepër të mirë dhe kënaqet në vetvete se ka bërë një mirësi të madhe. Dhe lloj-lloj ligësish, paturpësish e mëkatesh që ai i bën, të cilat ia djegin veprat. Vepra e mirë është ajo që nuk përmban asnjë grimë mendimi të padrejtë, të dukjes, të mburrjes, të nëpërkëmbjes së të drejtave të të tjerëve.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Njeriu ashtu siç shpëton në ahiret për shkak të veprave të mira, ai shpëton edhe në këtë botë. Qoftë një njeri me vepra të mira të ketë një shtëpi, e gjithë shtëpia shpëton për shkak të tij. Dijeni! Derisa nuk bëni vepra të mira, vetëm besimi nuk ju mjafton. Mjeku kur ju shkruan një recetë, pritet që ju ta përdorni ashtu siç është shkruar në të. Nëse dikush nuk i pi ilaçet që janë shkruar në recetë, madje ta lërë recetën në sirtar, çfarë dobie mund të ketë?!

Tani që keni bërë pendesë, Zoti i Madhërishëm dëshiron t’ju shohë se sa do ta pastroni vetveten përmes kësaj pendese në vazhdim. Tani është koha kur Zoti i Madhërishëm dëshiron t’i dallojë njerëzit në bazë të takvasë së tyre. Ka shumë njerëz që i ankohen Zotit dhe nuk e shikojnë vetveten. Janë padrejtësitë e vet njeriut që e dëmtojnë, përndryshe, Zoti i Madhërishëm është shumë Mëshirëbërës dhe Bujar.

Ka disa njerëz që dinë se ky është mëkat, por ka edhe nga ata që as nuk e dinë fare, sepse atyre u është bërë shprehi. Për këtë arsye, Zoti i Madhërishëm na mësoi që gjithmonë t’i kërkojmë falje (istigfar). Pra, duhet të bëjmë shumë istigfar.

Sidomos gjatë këtyre ditëve, kur jeni mbledhur për Xhelsen, në këtë atmosferë ku do të bëni shumë lutje të tjera, bëni edhe shumë istigfar.

Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Njeriu duhet të bëjë istigfar për çdo mëkat të tij, qoftë të dukshëm, qoftë të padukshëm, qoftë atë që e di, qoftë atë që nuk e di dhe për të gjitha mëkatet e tjera që i bën me dorë, me këmbë, me gjuhë, me hundë, me sy etj. Këto ditë duhet të bëni lutjen e Hazret Ademit a.s., e cila i ishte pranuar menjëherë.[1]

Lutja e Hazret Ademit a.s. ishte:

ربنا ظلمنا انفسنا وان لم تغفر لنا لنکونن من الخاسرین۔

O Zoti ynë! I kemi bërë keq vetes! Nëse nuk do të na falësh dhe nuk do të na mëshirosh, do të bëhemi ndër të humburit. (Kurani Famëlartë 7:24)

Pra, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë se kjo lutje ishte pranuar që në kohën kur Zoti ia kishte mësuar Hazret Ademit.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Andaj, mos kaloni jetën në shkujdesje. Ai që nuk e kalon jetën në shkujdesje, në asnjë mënyrë nuk rrezikohet të përfshihet në ndonjë gjëmë të pakapërcyeshme. Asnjë gjëmë nuk bie pa lejen e Zotit. Po këtë më ka shpallur Zoti në këtë lutje:

O Zoti im! Çdo gjë është shërbëtore Jotja. Andaj, më mbro, më ndihmo dhe më mëshiro.

Edhe këtë lutje duhet ta bëjmë shumë.

….

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Nëse Zoti i Madhërishëm i mundëson xhematit tonë fatbardhësi të tillë, që ai të luftojë me të keqen e të përparojë në logun e takvasë e të dëlirësisë, ky është suksesi më i madh dhe nuk ka asnjë gjë më të madhe se sa kjo. Shikoni njerëzit e të gjitha feve sot. U mungon takva që është thelbi i besimit. Njerëzit i kanë bërë zot madhështitë e kësaj bote, kurse Zoti i Vërtetë u mbeti i fshehur, madje atë e fyejnë. Por tani Zoti dëshiron që të njihet dhe njerëzit ta shikojnë Atë. Ata që botën e kanë marrë si zot, nuk mund të mbështeten tek Zoti.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Po vjen një ndëshkim i madh, i cili do të dallojë të dëlirin nga i ligu. Zoti do t’ju japë furkan (dallues), kur do të shohë që zemrat tuaja nuk kanë më ndonjë dallim. Përse do të merakoset Zoti për dikë që e ka bërë bejtin, që ka premtuar se do t’i japë përparësi besimit mbi botën, por këtë nuk e provon besnikërisht nga veprat e tij?! Të tillët jo një, edhe njëqind të vdesin, do të bindemi që ata nuk kanë bërë ndryshim në veten e tyre dhe kanë mbetur larg dritës së njohjes së Zotit dhe të së vërtetës, e cila do t’ua largonte errësirën dhe do t’ua jepte bindjen dhe kënaqësinë e zemrës.

Situata aktuale e botës është e tillë që na shqetëson dhe ne detyrohemi të mendojmë se si do të jetë përfundimi i saj. Ditët e fundit, një zotëri më pyeti se ngaqë bota po shkon me shpejtësi drejt shkatërrimi, çfarë do të ndodhë me ne. Përgjigjen e ka dhënë vetë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në një poezi të tij. Ai tha:

آگ ہے پر آگ سے وہ سب بچائے جائیں گے
وہ جو رکھتے ہیں خدائے ذوالعجائب سے پیار

Është vetëm zjarr! Por të gjithë do të shpëtojnë prej atij zjarri,
ata që kanë dashuri për Zotin Mrekullibërës

Pra, ky është thelbi. Ne të forcojmë lidhjen tonë me Zotin e Madhërishëm. Jo vetëm që t’i përmbushim detyrimet që kemi ndaj Zotit, por edhe detyrimet që kemi ndaj robërve të Zotit. Të përpiqemi për të kërkuar ato mirësi, të cilat janë të tilla sipas parimeve të Zotit. Të përpiqemi për të shpëtuar nga ligësitë, nga ato ligësi, të cilat në sy të Zotit quhen ligësi dhe të cilat, Ai na i ka treguar qartazi në Kuranin Famëlartë.

Pasi që kemi pranuar Mesihun e Premtuar a.s., kemi nevojë të forcohemi vazhdimisht në besim e në vepra. Këto janë gjëra që do të shkaktojnë shpëtimin tonë dhe po këto janë gjëra që i pëlqejnë Zotit të Madhërishëm. Përndryshe, jo pesëdhjetë vjet, xhematet edhe sikur të kalojnë shtatëdhjetë e pesë vjet apo njëqind vjet, pa bërë këtë revolucion, nuk kanë asnjë vlerë.

Njerëzit e kësaj bote kënaqen nga kalimi i viteve, por xhematet e Zotit jo. Nëse gëzimi juaj është sepse keni përparuar në zbatimin e porosive të Zotit dhe jeni të vendosur të përparojmë akoma më shumë në të ardhmen, atëherë ky gëzim është i lejuar, madje bëhet një falënderim ndaj Zotit. Por, nëse hapat tanë janë ndalur dhe nuk po shkojnë drejt mirësive ose po shkojnë mbrapa, atëherë është shqetësuese.

Prandaj, kemi nevojë t’i kemi parasysh këshillat e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Kemi nevojë të bëjmë analizë të vetes sonë se nëse i zbatojmë porositë e Zotit dhe të dërguarit të tij s.a.v.s. apo jo. Këto analiza duhen bërë vazhdimisht e gjithmonë. Kur do të kemi mbushur shtatëdhjetë e pesë vjet, inshaAllah, të jemi në gjendje të pohojmë që, po, jo vetëm që jemi të qëndrueshëm, madje po përparojmë në betimin që kemi bërë për t’i dhënë përparësi besimit mbi botën. Zoti i Madhërishëm na mundësoftë të gjithë ne për ta bërë këtë.

Ju kam thënë edhe më herët që gjatë ditëve të xhelses, pra, gjatë këtyre tri ditëve kaloni kohën në lutje. Merrni pjesë në të gjitha programet e xhelses dhe përpiquni ta arrini qëllimin e xhelses. Zoti i Madhërishëm na mundësoftë të gjithë ne për ta bërë këtë.


[1]. “Malfuzat”, vëll. 2, f. 577.