Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Të ngjashme rreth kësaj teme
pendesa

Për pendesën e vërtetë duhen shtatë gjëra, pa të cilat nuk mund të realizohet ajo. Ato janë:

  1. Njeriu duhet të pendohet për mëkatet e tij të mëparshme në mënyrë të tillë që, duke i kujtuar dhe duke i sjellë parasysh, të turpërohet e të shqetësohet.
  2. Hapi i dytë për pendesën është që njeriu duhet të kryejë detyrimet e mëparshme që i kanë mbetur, pra ato që mund të kryhen. Mund të bëhet përjashtim për ato që nuk mund të kryhen. Për shembull, ai nuk mund t’i falë të gjitha namazet që nuk ka falur më përpara. Edhe në Sheriat nuk gjendet një urdhër i tillë, e as nuk mund të zbatohet ai. Po, nëse dikush ka bërë pendesë në të njëjtën kohë me namazin, ai duhet ta falë atë. Ose për shembull, nëse nuk e ka kryer Haxhin, edhe pse kishte mundësi ta kryente, pas pendesës duhet ta kryejë atë. Ose nëse nuk kishte paguar zekatin, le të mos paguajë zekatin e gjithë jetës, por le ta paguajë të vitit aktual. Pra, bashkë me pendesën për mëkatet e mëparshme, ai duhet t’i kryejë ato obligime që mundet e që nuk i ka kryer më përpara.
  3. Duhet t’i lajë mëkatet e mëparshme. Me larjen e mëkateve nuk e kam fjalën se nëse kishte vrarë dikë, ta ringjallë atë ose nëse kishte bërë kurvëri, ta zhbëjë atë. E kam fjalën që t’i lajë ato mëkate që mund të lahen. Për shembull, nëse i ka vjedhur dikujt një lopë dhe e ka mbajtur në shtëpinë e vetë, atëherë t’ia kthejë pronarit të vërtetë.
  4. Nëse ka lënduar dikë, le t’ia largojë shqetësimin dhe t’i kërkojë falje. Kjo është një çështje delikate që për ato mëkate që kanë të bëjnë me njerëzit e tjerë, Zoti ka lënë si kusht që faljen duhet t’ua kërkojë njerëzve. Nëse ata ia falin, atëherë njeriu nuk ndëshkohet prej Zotit. Pra, njeriu nëse ka lënduar dikë dhe ka mundësi t’i kërkojë falje e të fitojë pëlqimin e tij, atëherë duhet ta bëjë këtë punë. Por të kihet parasysh se Zoti është Mbulues (që u mbulon mëkatet njerëzve). Ai ua mbulon njerëzve edhe mëkatet shumë të mëdha, prandaj edhe njeriu vetë duhet të jetë mbulues për veten. Domethënë nëse ndonjë mëkat është i fshehur ende, ai vetë nuk duhet ta zbulojë atë. Për shembull, nëse i ka vjedhur dikujt ndonjë gjë, vetë nuk duhet t’ia tregojë se i ka vjedhur. Ky vetë është një mëkat. Duhet t’i lajë ato mëkate që janë të hapura, për shembull, nëse i ka hequr dikujt një shuplak, ta kompensojë e t’i kërkojë falje. Por, mëkatet që Zoti i ka mbuluar, njeriu vetë nuk duhet t’i zbulojë.
  5. Nëse i ka sjellë dëm dikujt, sipas mundësisë duhet t’i bëjë mirësi atij. Nëse s’mund ta bëjë këtë, të paktën të lutet për të. Edhe eulijat e nderuar kanë treguar në të njëjtën mënyrë se ai që i ka gllabëruar dikujt diçka dhe nuk gjen mundësi për t’ia paguar, duhet të lutet: “O Zot! Unë nuk kam mundësi t’ia kthej paratë, prandaj Ti vetë dhuroji!”
  6. Pendesëbërësi duhet të bëjë be të fortë që nuk do ta përsërisë mëkatin. Pas kësaj, nëse prapë mëkaton nga padurimi, atëherë është gjë tjetër, por gjatë pendesës duhet të jetë i vendosur për mospërsëritjen e mëkateve. Me këtë nuk e kam fjalën që natën të bëjë mëkat e në mëngjes të betohet që nuk do ta përsërisë. Por e kam fjalën që njeriu kur betohet për këtë gjë, duhet të jetë i sinqertë dhe duhet të bëjë çmos për të qëndruar larg mëkateve.
  7. Duhet të fillojë ta inkurajojë veten për veprat e mira dhe zemrën e nefsin duhet t’i përgatisë që t’i pranojnë gjërat e mira.

Këto shtat kushte janë të domosdoshme për pendesën. Nëse nuk plotësohen këto, nuk mund të realizohet pendesa siç duhet. Tani bëjini një kontroll vetes, a bëni pendesë të këtij lloji apo diçka tjetër? Zakonisht kur njerëzit pendohen, nuk i marrin parasysh kushtet e pendesës dhe nuk interesohen se përse ato janë të domosdoshme. Kur dëshirojnë të pendohen, atyre u rrjedh një fjali e gatshme në gjuhë, ashtu siç thuhet edhe në anglisht “Beg your pardon!”,Të kërkoj falje!”, por në të vërtetë, ata nuk e kanë aspak seriozisht. Pendesa e njerëzve të tillë nuk mund të quhet pendesë, sepse ajo s’ka aspak dobi. Çdo njeri duhet të bëjë pendesë duke i marrë parasysh pikat që kam përmendur më sipër, në mënyrë që të pastrohen llogaritjet e tij të mëparshme. Nëse nuk ju pastrohen llogaritjet e gabuara të mëparshme, nuk mund të jeni të pastër në të ardhmen, madje të metat e mbartura do t’ju përkeqësojnë edhe më shumë. E për t’i pastruar llogaritjet e mëparshme, keni nevojë të bëni pendesë të vërtetë e të sinqertë. Nëse u përmbaheni kushteve që kam treguar, do të liroheni nga borxhi i mëparshëm dhe nuk do të mbetet asnjë qindarkë nga ai. Pastaj po të përpiqeni, mund të bëheni njohës të Zotit. Kur lahen borxhet e mëparshme, vetëm atëherë fillojnë të ardhura të reja.