E katërta
E katërta është qëndrueshmëria në vepra. Allahu i Lartësuar thotë:
وَ اعۡبُدۡ رَبَّکَ حَتّٰی یَاۡتِیَکَ الۡیَقِیۡنُ “Adhuroje Zotin derisa të të vijë vdekja” [1]
pra derisa të ndahesh nga kjo botë. Ata që thonë se e kanë arritur Zotin dhe për këtë arsye nuk kanë nevojë të mbeten në “varkë” duke vijuar kërkimin e Tij, janë gënjeshtarë të mëdhenj. Sipas tyre, namazi, agjërimi, haxhi dhe zekati janë si një varkë që i çon deri te Zoti dhe thonë se është naivitet të mbeten në varkë pasi e kanë arritur Zotin. Pra, ata thonë se veprat janë si varkë që i çon te Zoti dhe shtrojnë pyetjen: a do të mbërrijmë deri tek Zoti apo jo? Dhe vetë japin edhe përgjigje që kur të kenë arritur deri tek Ai, nuk ka nevojë më për vepra. Këto janë fjalë të sufistëve të rremë e mashtrues, sepse qenia tek e cila ne duam të shkojmë nuk është e kufizuar, andaj edhe lumi në të cilin po lundrojmë është i pakufizuar. Ne i përngjajmë atij që lundron në një lumë dhe që ka për qëllim të shkojë deri te burimi, e jo atij që lundron për të shkuar nga një breg te bregu tjetër. Pra, ngaqë Zoti nuk është i kufizuar, edhe veprat tona që do të na çojnë deri tek Ai, nuk duhet të jenë të kufizuara. Po të ishte Ai i kufizuar, atëherë edhe namazet tona, agjërimet tona, zekati dhe haxhi ynë do të ishin të kufizuara. Por, kur Zoti ynë është i pakufizuar, si mund të jenë të kufizuara veprat tona?! Për veprat tona, ne sot marrim shpërblim më shumë sesa kemi marrë dje. Nesër do të marrim akoma më shumë dhe ky përparim do të vijojë çdo ditë e më tepër. Prandaj, adhurimi duhet bërë me qëndrueshmëri. Nuk duhet të ndodhë që të keni praktikuar adhurimin për ca kohë e pastaj ta lini, sepse kjo do të humbë vlerën edhe të asaj që keni fituar më përpara, siç e thotë edhe Allahu i Madhërishëm:
وَ لَا تَکُوۡنُوۡا کَالَّتِیۡ نَقَضَتۡ غَزۡلَہَا مِنۡۢ بَعۡدِ قُوَّۃٍ اَنۡکَاثًاMos u bëni si ajo grua që e shprishi duke e bërë fije-fije atë që kishte tjerrë fort (kur ajo qe gati për t’u përdorur). [2]
E pesta
Ka shumë gjëra në botë që njeriu nuk mund t’i mësojë pa mësues. Edhe Zoti i Madhërishëm thotë:
یٰۤاَیُّہَا الَّذِیۡنَ اٰمَنُوا اتَّقُوا اللّٰہَ وَ کُوۡنُوۡا مَعَ الصّٰدِقِیۡنَO besimtarë! Kijeni druajtjen ndaj Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë[3]
domethënë, të qëndroni me ta, në mënyrë që të forcoheni. Pra, është shumë e rëndësishme që njeriu të përfitojë nga një mësues i mirë. Në botë, në çdo kohë vijnë muxhedidë, eulija dhe besimtarë të përsosur. Kur njerëz të tillë nuk gjenden, Zoti dërgon ndonjë profet. Pra, duhet të përfitoni nga ata, sepse ashtu siç një nxënës vetë nuk mund të mësojë libra por i duhet një mësues, në të njëjtën mënyrë, njeriu nuk mund të arrijë vetvetiu nivelet shpirtërore, por edhe ai ka nevojë për një mësues për këtë qëllim. Prandaj Zoti i Madhërishëm thotë në Kuranin Famëlartë:
وَعَدَ اللّٰہُ الَّذِیۡنَ اٰمَنُوۡا مِنۡکُمۡ وَ عَمِلُوا الصّٰلِحٰتِ لَیَسۡتَخۡلِفَنَّہُمۡ فِی الۡاَرۡضِ کَمَا اسۡتَخۡلَفَ الَّذِیۡنَ مِنۡ قَبۡلِہِمۡAllahu u ka premtuar mes jush atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, që sigurisht do t’i bëjë ata kalifë në Tokë ashtu siç i ka bërë ata që ishin para tyre[4]
Ky ajet thotë se umeti (populli) i Muhammeditsa gjithmonë do të ketë kalifë. Nuk tha më tej se si do të jenë ata, por vetëm tha se ashtu siç ishin në umetet e mëparshme, do të jenë edhe në këtë umet. Në popujt e mëparshëm kalifët kanë qenë edhe politikë edhe jo politikë. Përse do të ketë kalifë?
وَ لَیُمَکِّنَنَّ لَہُمۡ دِیۡنَہُمُ الَّذِی ارۡتَضٰی لَہُمۡ وَ لَیُبَدِّلَنَّہُمۡ مِّنۡۢ بَعۡدِ خَوۡفِہِمۡ اَمۡنًا… që Ai t’ua forcojë fenë e tyre, të cilën e ka pëlqyer për ta e t’ua shndërrojë gjendjen e tyre të frikës në gjendje paqeje.[5]
Pra, do të ketë kalifë në mënyrë që të vendoset besimi nëpërmjet tyre dhe duke qenë mësues, ata të bëjnë reformë te njerëzit. Kështu që, edhe Zoti i Madhërishëm pohon se qenia e mësuesit është e domosdoshme dhe se pa të nuk mund të arrihet qëllimi. Ka shumë gjëra që, pa mësues, njeriut i duhen vite për t’i kuptuar, por nëpërmjet mësuesit, ai mund t’i kuptojë ato në pak çaste. Nxënësit që në fillim nëse duan të mësojnë vetëm prej fjalorëve, edhe sikur të studiojnë për vite, nuk mund të mësojnë aq sa një mësues mund t’ua mësojë vetëm për pak ditë.
Mund ta kuptoni edhe nga ky fjalim që po mbaj. Nëse do të përpiqeni individualisht për t’i ditur këto gjëra, do t’ju duhen vite, dhe do t’i mësoni me vështirësi, por këtu mund t’i dëgjoni brenda pak orësh. Pra, prania e mësuesit është e pazëvendësueshme. Zoti ju ka premtuar që Ai vazhdimisht do t’ju dërgojë mësues. Pra, ju as nuk keni nevojë për të kërkuar mësuesin, sepse jeni pjesë e një Xhemati të tillë, në të cilin Zoti i Madhërishëm Vetë jua cakton mësuesin. Ju nuk keni ato vështirësi që kanë të tjerët, prandaj, duhet të përfitoni nga mësuesi juaj.
[1] Kurani Famëlartë 15:100.
[2] Kurani Famëlartë 16:93.
[3] Kurani Famëlartë 9:119.
[4] Kurani Famëlartë 24:56.
[5] Po aty.