
Elhamdulillah, lavdia është e Allahut të Madhërishëm që na u mundësua të paraqesim në shqip librin e Hazret Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedit, Kalifit të Dytë të Mesihut të Premtuarra, të titulluar “Irfan-e-Ilahi”, “Njohja e Zotit”. Në fakt, ky është një fjalim që ai mbajti në Xhelsa Salanën (mbledhjen vjetore) e Kadijanit të Indisë, të zhvilluar më 16 mars të vitit 1919.
Duke folur rreth këtij fjalimi, Hazret Kalifi i Katërt i Mesihut të Premtuarra thotë:
“Në këtë mbledhje, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar do të mbante fjalën rreth temës “Njohja e Zotit”. Sëmundja e kishte dobësuar mjaft dhe në kohën kur ai erdhi për të mbajtur fjalimin, kishte shumë dhimbje koke. E kishte të vështirë edhe të fliste. Por, Allahu i Lartësuar i kishte dhuruar një zemër kaq të ndjeshme, saqë ai nuk deshi të zhgënjente mysafirët që kishin ardhur nga viset e largëta dhe po në atë gjendje të rëndë shëndetësore, erdhi për të mbajtur fjalën. Tema ishte mjaft e vështirë, ndërsa në audiencë gjendeshin njerëz analfabetë që kishin ardhur prej katundeve të ndryshme, por edhe njerëz shumë të shkolluar e intelektualë. Veç kësaj, atje nuk ishin vetëm ahmedianë, por edhe një numër i madh jo-ahmedianësh e miqsh që kishin ardhur duke dëgjuar famën e Kalifit të ri në moshë dhe duke u ndikuar nga përmendjet e atmosferës tejet shpirtërore të qendrës së Ahmediatit”.[1]
Sipas parashikimeve hyjnore, Hazret Kalifi i Dytëra shërohet për t’i prirë Xhematit për 46 vjet të tjerë drejt horizonteve të reja.
Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuarra në këtë fjalim thotë:
“Në atë kohë, sipas të gjitha gjasave dukej se më ishte afruar momenti i fundit. I vetmi shqetësim që kisha në zemër, ishte pikërisht ai që Xhemati ynë ende nuk arriti në atë nivel, ku Mesihu i Premtuaras dëshironte ta shikonte. Prandaj, në ato momente, të cilat i konsideroja si momentet e fundit të jetës sime, jam lutur: “O Zoti im, kaloje këtë shqetësim dhe dhuroji Xhematit tonë atë dritë dhe njohje, që fitojnë vetëm robërit e Tu të pastër”. Zoti im ma dëgjoi lutjen dhe po mua më dha mundësi që t’jua tërheq vëmendjen ndaj detyrave tuaja. Ai më mundësoi që t’ju tregoj se cili është qëllimi kryesor i jetës sonë dhe në çfarë drejtimi i Dërguari i Zotit dëshiron të na çojë”.
Hazuri e shpalos temën me fjalë shumë të thjeshta. Fillimisht tregon rëndësinë e kësaj teme duke thënë se ky pikërisht është qëllimi i jetës së njeriut. Ai bën dallim midis dijes (ilm-it) dhe njohjes (irfan-it) rreth Zotit dhe tregon se njeriut nuk i mjafton vetëm të ketë dije rreth Zotit, pra që Ai është i Gjithëmëshirshëm, Mëshirëplotë, Bujar, Mëkatfalës etj, por i duhet ta njohë Atë duke përjetuar ndikimet e këtyre atributeve në jetën e tij. Autori gjithashtu udhëzon se për ta pasur këtë përjetim, njeriu duhet të krijojë ngjashmëri me Zotin, pra në rrethin e vet, edhe ai të bëhet i gjithëmëshirshëm, mëshirëplotë, bujar, mëkatfalës etj. Ky pa dyshim është një udhëtim i gjatë që njeriu e bën duke e njohur Zotin. Në këtë fjalim, autori gjithashtu shpjegon me detaje se si mund të realizohet ky udhëtim i bekuar, si mund të largohen pengesat, si mund të arrihet qëndrueshmëria në këtë udhë, në ç’formë duhet të bëjë përpjekje dhe lutje njeriu për të arritur te Zoti, cilat janë nivelet e njohjes së Zotit, etj.
Shqipërimin e këtij libri e bëri Z. Samad Ghori ndërsa Znj. Ina Komino e redaktoi. Veç kësaj, Znj. Kudsia Ghori e ndihmoi përkthyesin për krahasimin e tekstit shqip me origjinalin. Allahu i shpërbleftë të gjithë me të mira! Amin!
Allahu e pranoftë këtë përpjekje, u haptë zemrat lexuesve për të parë të vërtetën dhe e bëftë këtë libër mjet për t’u prirë shpirtrave të sinqertë drejt Allahut të Madhërishëm! Amin!
Shahid Ahmad Butt
President i Xhematit Musliman Ahmedia të Shqipërisë
Tiranë, prill 2015
[1] “Savaneh Fazl-e-Umar”, vëll. 2, Rabvah, Pakistan, f. 235-236.