
Ka vetëm dy përjashtime kur lutja sjell dobi edhe pa përpjekje. Së pari, kur Vetë Zoti të urdhëron për ndonjë çështje të caktuar: “Lutu dhe mos përdor asnjë mjet dhe mos bëj ndonjë përpjekje!” Sikundër Allahu i kishte thënë Mesihut të Premtuaras të mos merrte vaksinën kur kishte rënë murtajë dhe të bënte vetëm lutje. Duke iu bindur kësaj porosie, as ai e as anëtarët e Xhematit të tij nuk e morën vaksinën e murtajës.[1]
Pra, edhe pse vaksina ishte ilaçi i domosdoshëm për t’u shëruar nga murtaja siç është edhe tani, Zoti e kishte ndaluar marrjen e saj dhe kishte dhënë urdhër vetëm të luteshin. Me bekimin e Zotit në krahasim me ata që morën vaksinën, shumë pak nga anëtarët e Xhematit u prekën nga sëmundja, edhe pse asnjeri prej tyre nuk kishte marrë vaksinë.
Rasti i dytë është atëherë kur njeriu gjendet në një situatë kur nuk mund të bëjë përpjekje në asnjë mënyrë. Nëse je i prangosur diku në pyll dhe s’ke çfarë të bësh, atëherë vetëm duhet të lutesh dhe ajo pranohet. Përveç këtyre rasteve, bashkë me lutjet përpjekjet janë të domosdoshme. Pastaj ka raste që disa njerëz bëjnë edhe lutje, po ashtu bëjnë edhe përpjekje, por prapë nuk shohin ndonjë rezultat. Kam parë vetë se si njerëzit mundohen shumë por nuk e gjejnë dot Zotin. Pse ndodh kështu? Përgjigjja e kësaj është që përpjekjet nuk janë bërë ashtu siç duhen.
[1] “Kishti-e-Nuh”, “Rruhani Khezain”, vëll. 19, f. 6.