
Por, ka edhe të tillë që dinë të dallojnë të mirën e të keqën dhe, edhe pse e dinë deri diku shpjegimin e gjërave të lejuara dhe të atyre të ndaluara, nuk arrijnë të veprojnë sipas tyre. Si do t’ua gjesh dermanin? Çfarë rruge të ndjekin njerëzit e tillë që me vullnetin e tyre të bëjnë gjërat e lejuara e të rrinë larg nga gjërat e ndaluara, në mënyrë që ta pastrojnë veten e ta fitojnë njohjen e Zotit? Njerëzit që nuk dëshirojnë ta kenë njohjen e Zotit, në të vërtetë, nuk dinë aspak për atributet e Tij. Të tillët, së pari duhet t’i informoni për Zotin. Por, ngaqë dëgjuesit e kësaj teme janë ata që e besojnë Zotin, janë ndjekës të Islamit dhe dëshirojnë ta fitojnë afrimin dhe njohjen e Zotit, prandaj në këtë kohë do të merremi vetëm me ta dhe të shohim se çfarë pengesash gjenden në rrugën e tyre dhe se si ato mund të hiqen.
Sikundër thashë që e vetmja rrugë për ta njohur Zotin është që t’i krijoni atributet dhe moralet e Tij në veten tuaj dhe se nuk mund t’i krijoni atributet e Tij derisa nuk do ta pastroni zemrën nga mëkatet, atëherë, pengesa e parë për ta njohur Zotin janë mëkatet.