
Një tjetër dobi shumë të madhe që do t’i sjellë njeriut kategorizimi i veprave është që ai do të fillojë të kuptojë rrënjët dhe degët e veprave. E kur sheh se ka pësuar të metë ndonjë vepër e caktuar, ai lehtësisht mund ta përmirësojë atë. Megjithatë, jo çdokush mund ta bëjë këtë metodë kontrollimi, prandaj do t’ju tregoj edhe një metodë të lehtë. Në vend që njeriu t’i kontrollojë veprat e tij pas një periudhe të caktuar kohore, për shembull pas një viti, gjashtë muajsh, katër muajsh ose pas një muaji, le ta bëjë këtë punë gjatë leximit të Kuranit Famëlartë. Të nënvizojë porositë dhe ndalimet që janë përmendur në Kuran e pastaj të premtojë që do ta lexojë Kuranin çdo ditë nga një ruku ose dy ose tre ose aq ruku sa mundet dhe gjatë leximit të ketë parasysh që të mos e përsërit ashtu si papagall, por ta studiojë e të thellohet në porositë dhe ndalimet e tij. Gjatë këtij studimi të përditshëm, të ndalet në çdo porosi e të reflektojë nëse e zbaton apo jo. Po ashtu, të qëndrojë edhe te çdo ndalim për të reflektuar nëse ai ndalet prej tij apo jo.
Në këtë mënyrë, kontrolli bëhet i lehtë. Shikoni. Kur njeriu dëshiron të ndërtojë shtëpi, pyet inxhinierin ose ndonjë që njeh, që të bëjë një projekt dhe preventivë, në mënyrë që të mos mbetet ndonjë gjë pa bërë dhe që shtëpia të mos i mbetet e pakompletuar. Në të njëjtën mënyrë, Kurani është inxhinier për të ndërtuar ngrehinën shpirtërore dhe atë duhet ta pyesni se çfarë gjërash ju duhen për ta kompletuar besimin tuaj. Pra, kjo metodë mund të praktikohet pikërisht gjatë leximit të Kuranit. Sa herë që të lexoni ndonjë porosi apo ndalim nga Kurani, të reflektoni se a jeni duke vepruar sipas tyre apo jo. Këtë metodë mund ta ndjekë kushdo, por një gjë duhet të keni parasysh: në këtë proces, nuk duhet të pranoni mendimin e nefsit që ju nxit për të keqen!