Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Të ngjashme rreth kësaj teme

Shëndeti mendor dhe qetësia shpirtërore

Psikolog
durimi spiritualiteti

Studiues të fushave të ndryshme kanë filluar të njohin dhe të zbulojnë ndikimin pozitiv të spiritualitetit në shëndetin mendor. Në literaturën e psikiatrisë gjithashtu i është kushtuar një vëmendje e veçantë spiritualitetit, si një metodë parandaluese dhe shëruese.

Qetësia shpirtërore ose spiritualiteti është një ndjesi e lidhjes me diçka më të madhe se vetja. Kjo ndjesi ndihmon njerëzit të reflektojnë mbi ekzistencën e tyre dhe t’i japin një kuptim dhe qëllim në jetë. Shumë e përshkruajnë përvojën shpirtërore si të jashtëzakonshme ose ndjenjë e thellë e afrimit me Zotin.

Universaliteti shpirtëror shtrihet në të gjitha kulturat, dhe është unik për çdo njeri. Shkalla e përhapjes gjithashtu ndryshon nga një person në tjetrin. Spiritualiteti dhe besimi fetar (besime dhe praktika) mund të shkojnë krah për krahë, për një  zhvillim më të mirë mendor dhe emocional.

Çfarë ndryshimi mund të bëjë spiritualiteti?

Emocionet dhe spiritualiteti janë të integruar thellë me njëri-tjetrin dhe besoj shumë se të gjitha emocionet pozitive te qeniet njerëzore lindin ose rrjedhin nga një ndjesi e fortë shpirtërore. Spiritualiteti ndihmon në shfaqjen e sa më shumë emocioneve pozitive dhe sjelljeve të tilla si dashuria, shpresa, dhembshuria, lumturia, paqja, kënaqësia, mirënjohja, falja, empatia dhe mirëkuptimi në jetë. Shfaqja e emocioneve të tilla tregojnë për mirëqenie të shëndetit mendor.

Emocionet pozitive na ndihmojnë të rritemi, të mësojmë dhe të zgjerojmë horizontet tona. Ato rrisin ndërgjegjësimin, vëmendjen dhe aftësitë e tjera njohëse, si memoria. Nga ana tjetër, ato na ndihmojnë të krijojmë vetëbesim dhe të përballojmë situata të caktuara.

Emocionet pozitive që dalin nga shpirti, veprojnë si sinjale të forta të brendshme që motivojnë njerëzit të zbulojnë mundësi të reja, ide dhe situata të ndryshme, duke ndihmuar kështu në rritjen dhe zhvillimin tonë. Çuditërisht, këto emocione kanë fuqi shëruese, duke e ndihmuar një person të rimarrë veten pas një situate të tmerrshme.

Sipas psikologëve Tugade, Fredrickson dhe Barrett, emocionet pozitive ulin ndikimin negativ të ngjarjeve stresuese në shëndet. Ato lehtësojnë stresin dhe ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit psikologjik dhe fizik.

Profeti i Shenjtë Muhammed s.a.v.s. thotë:

“Mos xhelozoni njëri-tjetrin, mos e bojkotoni njëri-tjetrin, mos e urreni njëri-tjetrin, mos mashtroni njëri-tjetrin. Bëhuni të gjithë vëllezër me njëri-tjetrin, o shërbëtorë të Allahut.”

Spiritualiteti jo vetëm që na ofron emocione pozitive, por lehtëson gjithashtu ndjesitë e emocioneve negative, si zemërimi, frika, urrejtja, ankthi, trishtimi, pasiguria, xhelozia etj.

Sot, bota është e zhytur në errësirën e përçarjes dhe polarizimit. Negativiteti dhe lakmia janë përhapur ndjeshëm në jetët tona, gjithashtu edhe padrejtësia.

Edhe një problem i vogël yni mund të nxisë emocione negative, duke shkaktuar probleme jo vetëm në shëndetin tonë mendor dhe fizik, por edhe ndaj atyre përreth nesh.

Fëmijëria dhe adoleshenca janë periudhat kur fillojnë të shfaqen shenjat e para të padrejtësisë dhe urrejtjes, dhe bëhet gjithmonë e më e vështirë që të zhduken në vitet e mëvonshme.

Një mesazh shumë i rëndësishëm është përmbledhur në moton e Xhematit Musliman Ahmedia, të dhënë nga Hazret Kalifi i III-të i Mesihut të Premtuar, “Dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd”. Nëse vihet në praktikë kjo moto, mund të eliminojë fillesat e shumë problemeve emocionale në përgjithësi në shoqëri.

Emocionet negative dihet se nxisin sistemin nervor automatik, duke krijuar një gjendje ankthi, që rrit nivelet e hormoneve të stresit, si kortizoli dhe adrenalina. Nivelet e luhatura të këtyre hormoneve shkaktojnë shfaqjen e një sërë problemesh mendore dhe fizike, si ankthi, depresioni, shtimi në peshë, nervozizëm, uri e shtuar si pasojë e gjendjes së keqe emocionale, pagjumësi, sistem të dobët imunitar, hipertension, rritje të rrezikut për zhvillimin e goditjes në tru dhe të problemeve kardiovaskulare.

Studimet më të fundit tregojnë se lidhja me fenë ndihmon në lehtësimin e simptomave të depresionit dhe shërim më të shpejtë pas një ngjarje traumatike.

Qetësia shpirtërore, ja si mund të arrihet ajo!

Të gjithë ne duam të anojmë drejt spiritualitetit në jetët tona, por nuk e dimë nga t’ia fillojmë. Më poshtë do të gjeni disa sugjerime që do t’ju ndihmojnë drejt spiritualitetit dhe shëndetit të mirë mendor.

1. Përsiatje dhe vetë-reflektim

Profeti i Muhammed s.a.v.s. tha:

لا عقل كالتدبير
“Nuk ka më urtësi se reflektimi.” (Sunen Ibni Maxheh, kitab “Ez-Zuhd”, hadithi nr. 4218.).

Profeti i shenjtë s.a.v.s. reflektonte shumë, saqë shkonte në shpellën Hira që gjendej në një mal, për të kaluar kohë në soditje dhe meditim. Në një nga këto çaste të jashtëzakonshme, ai takoi Krijuesin e tij. Soditja e natyrës dhe adhurimi ndaj Zotit rrit komunikimin me Të. Eksplorimi i vetvetes është një nga metodat më të mira të përdorura në seancat e psikoterapisë për të kuptuar pikat e forta dhe të dobëta të një personi, dhe zbulon kapacitetet shpirtërore dhe intelektuale të parealizuara, që mund të përdoren si një metodë parandaluese në zbulimin e vlerave themelore të njeriut.

2. Meditimi

Meditimi është një praktikë e të qenit i vetëdijshëm dhe plotësisht i përqendruar në të tanishmen. Është një mjet i fuqishëm që na ndihmon të jemi më të vetëdijshëm për gjendjen tonë fizike, emocionale dhe mendore, pa u përfshirë në kritika, cinizëm dhe gjykime. Shpeshherë, pasiguritë na turbullojnë mendjen, duke na penguar të vërejmë gjërat e mira në jetë. Kurse ky lloj meditimi ofron qetësi shpirtërore dhe mendore.  Ai ndihmon në parandalimin e luftës së vazhdueshme midis mendimeve dhe emocioneve. Meditimi na ndihmon të çlirohemi nga gracka e egos sonë. Ndërgjegjshmëria përmirëson “mentalitetin” tonë (aftësinë për të reflektuar mbi gjendjen emocionale të një personi tjetër; të kuptojmë si ndihet dikush dhe pse). Praktikat fillestare përfshijnë përqendrimin në ndjesitë trupore, tingujt dhe ndjenjat. Shumë psikologë praktikojnë vetëdijen terapeutike, e cila përfshin psikoterapinë që përdor metodat e terapisë njohëse të sjelljes dhe edukimin terapeutik, ndër masat kryesore parandaluese të kujdesit shëndetësor mendor.

3. Agjëro dhe lutu

Agjërimi është një mënyrë fantastike për të detoksikuar trupin dhe shpirtin dhe rrit vetëdijen dhe drojën ndaj Zotit (takva). Kjo na afron më pranë mirësisë së Tij. Privimi nga ushqimi dhe lëngjet për një periudhë të caktuar kohe na lejon të praktikojmë vetëpërmbajtjen dhe të pranojmë dhuratat e Zotit. Kjo na mban larg egoizmit dhe dashakeqësisë, dhe na lejon të tregojmë keqardhje ndaj një njeriu me pak fat ose të varfër, duke krijuar kështu një vetëdije kolektive.

Njeriu ndihet i përtërirë shpirtërisht dhe plot energji pas çdo dite agjërim. Gjatë një studimi, pas periudhës së agjërimit, gratë raportuan se ndiheshin më të arrira, më të çmuara, krenare dhe të vetëpërmbajtura, që tregon për një rritje të vetëvlerësimit dhe një ndjenjë të arritjes.

Agjërimi ndihmon në rritjen e vigjilencës, përmirëson kujtesën dhe cilësinë e gjumit. Lutja është një lloj meditimi në vetvete, na ndihmon në largimin e  mendimeve sfiduese dhe luhatjeve të emocioneve, duke na ndihmuar që të mbajmë larg stresin gjatë ditës.

Lutja ofron një ndjenjë lehtësie dhe qetësie emocionale, që rezulton në më pak simptoma ankthi dhe depresioni. Ndjenja e fuqizimit dhe e sigurisë që ne marrim pas çdo lutje, na ndihmon të përballojmë më së miri faktorët e përditshëm që nxisin stresin. Mesihu i Premtuar tha dikur se lutjet e Xhematit promovojnë unitetin dhe ulin pabarazinë dhe egoizmin. Të arrini të kuptoni dhe të interpretoni siç duhet lutjet që bëni, ndihmon edhe më shumë në efikasitetin e tyre për përmirësimin e shëndetit mendor. Leximi i librave fetarë, si Kurani Famëlartë në gjuhën mëmë, na ndihmon të krijojmë një ide më të qartë mbi besimin tonë, kuptimin dhe qëllimin e jetës.

Siguria dhe qetësia që merrni nga fjala e Zotit është e pashembullt dhe shumë e dobishme për shëndetin mendor.

4. Shërbimet komunitare dhe fetare

Ndihma dhe mbështetja e marrë nga anëtarët dhe udhëheqësit e komuniteteve fetare konsiderohet gjerësisht si një ndërmjetës kryesor midis shëndetit mendor dhe zhvillimit shpirtëror. Një komunitet spiritual krijon një ndjenjë të përkatësisë dhe nxit angazhimin dhe lidhjen shoqërore, duke mbrojtur njerëzit nga izolimi dhe vetmia, që janë pararendës të depresionit dhe të mendimit për vetëvrasje.

Ato janë gjithashtu një mënyrë e mbështetjes spirituale në raste fatkeqësie. Këto komunitete ndihmojnë gjithashtu në plotësimin e nevojave shpirtërore të një fëmije, duke e njohur që herët me këto praktika spirituale. Studimet tregojnë se frekuentimi i shërbimeve fetare është i lidhur me sjellje të shëndetshme, si përfshirja në aktivitete fizike, kujdesi për shëndetin mendor dhe shmangia e sjelljeve të rrezikshme, si duhanpirja, abuzimi me alkoolin dhe tejngopja. Përveç kësaj, ato veprojnë gjithashtu si faktor mbrojtës kundër ankthit, depresionit dhe çrregullimeve të lidhura me abuzimin me substancat.

5. Mbani një ditar

Regjistroni të gjithë progresin spiritual në këtë ditar. Gjithashtu mbani një ditar mirënjohjeje për të shënuar atë për çfarë jeni falënderues çdo ditë. Mos harroni, mirënjohja bën që të keni një qasje të mirë ndaj jetës. Vlerësimi edhe i një gjëje më të vogël që mund të kemi do të na bëjë të kënaqur dhe të lumtur gjithë ditën, çdo ditë, një shenjë kjo e shëndetit të mirë mendor. Lutjet pesë herë në ditë janë një mënyrë e mirë për të treguar mirënjohjen ndaj të Plotfuqishmit.

6. Udhëtoni

قُلۡ سِیۡرُوۡا فِی الۡاَرۡضِ فَانۡظُرُوۡا کَیۡفَ بَدَاَ الۡخَلۡقَThuaj: “Udhëtoni nëpër tokë e shikoni se si Ai e filloi krijimin.” (Kurani Famëlartë 29:21)

Kurani Famëlartë na kërkon që të udhëtojmë. Eksplorimi i botës së gjerë është i rëndësishëm për të zgjeruar vetëdijen jashtë nesh. Na jep mundësi të reja për të vëzhguar dhe eksploruar jetët e një sërë njerëzish dhe rifreskon psikikën tonë. Personalisht udhëtoj jashtëzakonisht shumë dhe është një ndër praktikat më të mira shpirtërore. Sa herë që udhëtoj në një vend të ri, zbuloj pikat e forta dhe të metat e mia në rrethana të ndryshme, duke zbuluar kështu anën e fortë dhe të dobët timen. Udhëtimi na ndihmon të jemi më afër natyrës dhe krijimeve të Zotit. Na jep hapësirë dhe kohë larg stresuesve  të një jete të gumëzhimshme, duke na larguar për pak kohë mendjen dhe duke na ndihmuar për t’u qetësuar. Provoni të mbani një ditar udhëtimesh për të shënuar të gjitha eksperiencat shpirtërore dhe mendore të përfituara nga çdo udhëtim.

Spiritualiteti mund të shërbejë si spirancë që ju mban të mbushur me ndjesi të mira dhe si një busull që ju tregon drejtimin kur jeni duke e humbur. Ndihma dhe qetësia shpirtërore mund të na ndihmojnë për të adresuar disa nga besimet a supozimet jofunksionale.

Shumë prej nesh ndihen të lumtur, të kënaqur dhe të gëzuar për sa kohë gjithçka shkon mirë në jetë, por në momentin që ndodh diçka e papritur, fillojmë të ndihemi të pashpresë dhe të zhgënjyer.

Gjendja e qëndrueshme kur kalon fatkeqësi dhe në kohëra të mira tregon për një gjendje të fortë dhe të mirë shpirtërore dhe mendore. Spirirtualiteti dhe besimi fetar, të dy kanë fuqinë për të përmirësuar gjendjen shpirtërore dhe për të sjellë gëzim. Më e rëndësishmja, ata na japin shpresë për të ecur përpara, pa pranuar humbjen.

Integrimi i spiritualitetit në shëndetin mendor jep rezultate premtuese dhe është si dy fuqi të mëdha, dituria dhe shkenca, që bashkohen për të gjetur kurën shëruese.