Depresioni - Shenjat dhe trajtimi i depresionit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Cilat janë shenjat e depresionit dhe si mund të trajtohet ai?

Psikologe Klinike dhe e Këshillimit
lutja kunder brengave depresioni

Të gjithë ne ndihemi të trishtuar herë pas here; për shkak të një note të keqe të marrë në provim, një debati që mund të kemi pasur me njeriun tonë të dashur, vlerësimeve jo të mira në punë, mosmarrëveshjeve me motrat a vëllezërit, dhe shumë probleme të tjera në jetë që ushtrojnë një lloj presioni dhe na bëjnë të ndihemi keq.

Në shumicën e rasteve, këto mendime dhe ndjesi negative zgjasin për pak ditë dhe fillojnë të veniten. Zakonisht ato nuk ndërhyjnë apo pengojnë aktivitetet tona të përditshme, dhe shumica prej nesh fillojnë të ndihen mirë pas një bisede konstruktive ose moment gazmor me një anëtar familjeje, koleg ose mik.

Por, nëse vuani nga depresioni, duket sikur i keni gjithmonë këto mendime dhe ndjesi negative, që jua bëjnë jetën të zymtë. Duket sikur kjo gjendje e keqe nuk përmirësohet apo largohet, por mund të vazhdojë për muaj me radhë, ndoshta edhe vite, duke ju shkaktuar ankth ose probleme në marrëdhëniet shoqërore, profesionale ose fusha të tjera të veprimit.

Depresioni është më shumë se thjesht trishtim; është quajtur si problemi shëndetësor mendor numër një aktualisht në botë.

Disa njerëz përjetojnë pak simptoma e të tjerë më shumë, ndërkohë që mund të përkeqësohen apo të përmirësohen me kalimin e kohës. Disa nga këto shenja dhe simptoma përfshijnë ndjesinë e mungesës së interesit apo dëshirës për t’u përfshirë në aktivitete të ndryshme, ndjesinë e mërzisë, fajit, melankolisë, ndihesh i pavlerë ose i pashpresë shumicën e kohës, gati çdo ditë; duke menduar negativisht, pëson rënie të konsiderueshme në peshë edhe pa mbajtur dietë, ose shtim në peshë (ndryshim të më shumë se 5% të peshës trupore brenda një muaji), rënie apo shtim të oreksit, pagjumësi ose hipersomnia (përgjumje e tepërt) gati çdo ditë, agjitacion ose vonesa psikomotore (domethënë nervozizëm dhe dembeli), pamundësi për t’u përqendruar, mendime të përsëritura të vdekjes ose të ideve vetëvrasëse, ose edhe përpjekje për vetëvrasje.

Prezenca e këtyre 5 apo më shumë simptomave të përmendura më sipër përgjatë një periudhe prej 2 javësh dhe mosshfaqja e asnjë shenje për përmirësim mund të paralajmërojnë zhvillimin e këtij problemi mendor.

Depresioni është një problem heterogjen që ka një sërë faktorësh rrezikues, ai ata gjenetikë, mjedisorë dhe psikologjikë. Mund të shfaqet në çdo moshë, ndërkohë që predispozitat janë më të larta që të shfaqet në adoleshencë.

Ngjarjet e këqija në jetë, trauma, abuzimi seksual, stresi kronik, abuzimi me substancat e jashtëligjshme, shtatzënia, sëmundjet fizike kronike, si kanceri, goditja në tru dhe diabeti mund të jenë disa nga shkaqet e depresionit. Për disa individë, influenca të ndryshme në jetë dhe mënyra si i interpretojnë ato duket të jetë shkaku kryesor. Në këtë artikull do të shohim reagime të ndryshme ndaj depresionit.

Ju ndiheni ashtu siç mendoni

Depresioni është një sëmundje që kryesisht rezulton nga mendime negative dhe ndjesi të këqija. Qëndrimet pesimiste të palogjikshme luajnë një rol kryesor në shfaqjen dhe përkeqësimin e të gjitha simptomave të depresionit.

Një studim mbi 30-vjeçar konfirmon që njerëzit me depresion priren drejt mendimeve negative që i bëjnë të ndihen të stresuar. Këto mendime janë edhe simptomat më shpesh të anashkaluara të depresionit. Ato përmbajnë çelësin për lehtësimin e depresionit, prandaj këto simptoma nuk duhen anashkaluar.

Gjendja emocionale dhe mënyra e të vepruarit varen tërësisht nga mënyra si i interpretoni gjërat. Një fakt i njohur neurologjik është se para se të përjetoni ndonjë ngjarje, filloni e përpunoni në mendje dhe i jepni një lloj kuptimi, para se ta ndjeni apo reagoni ndaj saj.

Shenjat e depresionit

Më poshtë janë të listuara disa çrregullime njohëse (mënyrat si mendja na bind për diçka që realisht nuk është e vërtetë) që janë fillesat e depresionit.

  1. Të menduarit gjithçka ose asgjë: Kjo ndodh kur i sheh gjërat vetëm bardhë e zi. Për shembull, nëse nuk keni qenë plotësisht perfekt gjatë një performance, e shihni këtë si dështim total. Pra, mendësia e tillë nuk ka një pikëpamje të mesme.
  2. Përgjithësim i gjithçkaje: Në këtë rast, një përvojë negative të kaluar më parë ju e përgjithësoni me të gjitha ndodhitë e tjera duke e parë si model humbjeje.
  3. Filtër mendor: Ju kapeni pas një detaji të vetëm negativ rreth një çështjeje ose situate.
  4. Pesimizëm: Ju nuk besoni në përvojat pozitive dhe insistoni që nuk kanë rëndësi për një arsye a tjetër.
  5. Arrini në përfundime të menjëhershme: Ju arrini në përfundime negative pa pasur asnjë fakt që i vërteton.
  6. Zmadhim (ekzagjerim) dhe minimizim: Quajtur ndryshe “mashtrim binokular”, sepse ju ose i ekzagjeroni gjërat ose i anashkaloni ato. Kjo ndodh kur vëreni defektet apo gabimet tuaja dhe i ekzagjeroni edhe më shumë, ndërkohë që minimizoni pikat tuaja të forta.
  7. Arsyetim emocional: Nëse i shihni gjërat përreth jush si negative, ju mendoni që ato ashtu janë. “Është e vërtetë sepse kështu e ndjej”. Një efekt anësor i zakonshëm i arsyetimit emocional është zvarritja e gjërave.
  8. Deklaratat “duhet”: Ju përpiqeni të motivoni veten duke thënë që duhet ta bëni diçka, por me kalimin e kohës këto deklarata mund t’ju vënë nën presion ose të ndiheni të pamotivuar.
  9. Etiketime të gabuara: Kjo është një formë edhe më e rëndë se përgjithësimi i gjithçkaje. Kur bëni një gabim, i vini vetes një emërtim të gabuar, si ndjesia e një “humbësi”. Po kështu, kur dikush tjetër ju mërzit apo ju nxeh, e piketoni për keq.
  10. I personalizoni gjërat: Kjo ndodh kur filloni të fajësoni veten për gjithçka dhe të merrni përgjegjësi edhe për gabimet apo dështimet e të tjerëve, kur nuk është aspak e nevojshme.

Trajtimet e depresionit

Për format e lehta të depresionit, do të rekomandoja që të identifikoni me kujdes të gjitha mendimet negative dhe ndjesitë apo reagimet përkatëse. Shkruajini këto mendime diku në bllok, duke përdorur “teknikën me tri kolona”. Në kolonën e majtë shkruani mendimet negative që ju vijnë ndër mend, në kolonën e mesme shkruani problemet, ndërsa në kolonën e djathtë bëni një interpretim më realist ose racional të problemeve të caktuara.

Ky aktivitet i të shkruarit çdo ditë do t’ju ndihmojë në rritjen e vetëbesimit dhe shpresoj të qetësoheni emocionalisht.

Provoni të praktikoni gjithashtu meditimin, që është forma më e mirë për të qenë më afër Zotit të Madhërishëm me lutje të përditshme, me sinqeritet dhe shpresë. Njerëzit që besojnë ose që anojnë nga spiritualiteti, falin dhe harrojnë shpejt çdo ndodhi të keqe, duke parandaluar kështu stresin kronik që mund të jetë një nga shkaqet e depresionit.

Është shumë e rëndësishme që të mendoni me optimizëm dhe të rrethoheni nga njerëz që ju inkurajojnë dhe motivojnë.

Regjistrimi dhe rikujtimi i të gjitha eksperiencave pozitive dhe të çmuara në jetë, mund t’ju ndihmojë të ndiheni më mirë, më të gëzuar dhe më falënderues.

Aktiviteti i moderuar fizik të paktën gjashtë ditë në javë ka gjithashtu një ndikim shumë pozitiv në shëndetin mendor. Duke eksploruar natyrën dhe duke marrë ajër të pastër sa më shpesh, mund të ndiheni më mirë. Bëni atë çka doni dhe merrni sa më shumë rreze dielli, duke qenë se prodhimi i vitaminës D në trup ndihmon në lehtësimin e simptomave të depresionit.

Mos qëndroni të vetmuar dhe kryeni aktivitete që ju bëjnë të ndiheni mirë.

Depresioni kur kalon në një shkallë të moderuar ose të rëndë, mund të shkaktojë probleme edhe më të mëdha, dhe mund t’ju marrë aftësinë e të menduarit dhe të arsyetuarit. Në këto raste do të rekomandoja që të konsultoheni me një profesionist të shëndetit mendor për të bërë sa më shpejt të jetë e mundur një ekzaminim të plotë të shëndetit mendor.

Nuk keni përse të jetoni me depresion, sepse për fat të mirë gjithmonë keni një rrugëdalje. Edhe rastet më të rënda të depresionit mund të trajtohen me ndihmën e ilaçeve dhe psikoterapisë.

Nëse njihni dikë që vuan nga depresioni, ju lutem, ofrojini mbështetje emocionale me durim, mirëkuptim, dashuri, ndjeshmëri dhe inkurajim. Përfshijeni atë në biseda dhe dëgjojeni me kujdes. Ftojeni për një shëtitje ose udhëtim. Mos i injoroni shenjat e depresionit; nëse një person shfaq ndonjë tentativë për vetëvrasje, kërkoni menjëherë ndihmë për të.

E rëndësishme është t’i ofroni shpresë, që zhduk thuajse çdo problem ekzistues.

(Ju lutemi, konsultohuni gjithmonë me doktorin ose një mjek specialist për të diagnostikuar problemet shëndetësore dhe ndiqni rekomandimet e një mjeku të kualifikuar).

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp