Garat akademike dhe sportive – Ixhtimaja e 7-të vjetore Shqipëri-Kosovë
Xhemati Musliman Ahmedia i Shqipërisë në bashkëpunim me Xhematin Ahmedia të Kosovës, zhvilluan në datat 7 – 8 shtator Ixhtimanë e 7-të Shqipëri-Kosovë. Ky aktivitet është kthyer në një praktikë të përvitshme, dhe synon nxitjen e të rinjve (Khuddamul-Ahmedia) të garojnë në vepra të mira.
Nga rreth 60 pjesëmarrës, 40 prej tyre morën pjesë në gara të ndryshme akademike dhe sportive. Aktiviteti filloi me ceremoninë e ngritjes së flamurit të organizatës së Khuddamul-Ahmedia dhe atij kombëtar. Menjëherë pas saj, filloi sesioni hapës, drejtuar nga Imam Jinahuddin Saif.
Pas recitimit të Kuranit të Shenjtë dhe përkthimit të tij nga Sali Beja, mori fjalën Imam Samad Ahmed Ghori, President i Xhematit Musliman Ahmedia të Shqipërisë. Ai tregoi se qëllimi primar i krijimit të organizatës Khuddamul-Ahmedia është ai që përmendet edhe në betimin e saj: dobia fetare, kombëtare dhe shoqërore dhe gjithashtu mbështetja dhe bindja ndaj Kalifatit Ahmedia. Ai tregoi me fjalët e Kalifit të kohës, Hazret Mirza Masrur Ahmed, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, se Kalifati Ahmedia nuk ngjason me lidershipet që kanë synimet e kësaj bote.
Ceremonia hapëse përfundoi me një lutje të heshtur të drejtuar nga Imam Jinahuddin Saif.
Menjëherë pas saj, filluan garat akademike: gara e recitimit të Kuranit, gara e këndimit të Ezanit, gara e mësimit të namazit, gara e fjalimeve etj.. Pas kësaj pjesëmarrësit falën namazet të bashkuara, të drekës dhe të ikindisë, në xhaminë Bejtul-Evel.
Pas namazeve u zhvillua gara e Vëzhgim-Kumtimit. Më pas të gjithë pjesëmarrësit u drekuan, pas së cilës u zhvillua gara e kumtimit të mesazhit.
Pas kësaj deri në darkë u zhvilluan garat sportive si volleyboll, tërheqja e litarit, garat për fëmijët, pingpong. Pas namazeve të akshamit dhe të jacisë dhe darkës, u zhvillua edhe Kuizi, në të cilën morën pjesë skuadrat nga Xhemati i Shqipërisë dhe ai i Kosovës.
Aktiviteti i së nesërmes filloi me namazin e sabahut në xhaminë Bejtul-Evel. Pas mëngjesit, pjesëmarrësit u nisën drejt fushave të footbollit për të zhvilluar kampionatin. Në orën 13:00 pasi u kthyen, falën namazet e drekës dhe të ikindisë të bashkuara në xhaminë Bejtul-Evel (Xhamia Bejtul-Evel), pas së cilës u shtrua edhe dreka.
Në orën 14:30 filloi sesioni përmbyllës, i drejtuar nga z. Bujar Ramaj, me recitimin e Kuranit dhe përkthimin nga Besmir Yvejsi dhe betimin e Khuddamul-Ahmedia nga Ilirian Ibrahimi. Z. Bujar Ramaj në fjalën e tij bëri paralelizëm mes sitemeve fizike dhe shpirtërore që ka krijuar Zoti i Madhërishëm dhe tregoi faktin se të dyja sisteme ngjasojnë me njëri-tjetrin dhe se ato nuk kanë asnjë të metë, siç e shpjegon edhe Kurani Famëlartë në suren El-Mulk. Ai gjithashtu tregoi se ne jemi fatlumë që gëzojmë sistemin e Kalifatit që buron nga sistemi shpirtëror i vendosur nga Vetë Zoti i Madhërishëm. Ndryshe nga rinia nëpër botë që po çorientohet për shkak të mungesës së një sistemi, rinia e Xhematit Musliman Ahmedia gëzon një synim dhe gjithë mekanizmën për realizimin e këtij synimi të përmendur në Kuranin Famëlartë:
“Çdo kush ka një synim, në të cilin ai është i përqendruar, pra garoni në mirësi! Kudo që të gjendeni Allahu do të ju mbledhë bashkë. Allahu me të vërtetë ka fuqi të plotë mbi çdo gjë që dëshiron”. (Surja El Bekara 2:149)
Ashtu edhe siç pas çdo gare ka fitues, xhemati shpërndau çmimet dhe dhuratat për fituesit e garave, ku nuk munguan edhe çmimet inkurajuese.
Më pas, Samad Ahmed Ghori, President i Xhematit Ahmedia të Shqipërisë falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, miqtë nga Kosova e Shqipëria, vullnetarët që punuan si dhe kryetaren e organizatës Lexhna Imaillah (të grave ahmediane) të Shqipërsië dhe ekipin e saj për gatimin e ushqimit për 3 ditë radhazi.
Aktiviteti u mbyll me një lutje të heshtur të drejtuar nga z. Bujar Ramaj.