Lutje për të pasur fëmijët të edukuar, adhurues dhe shërbëtorë të Zotit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Lutje për të pasur fëmijët të edukuar, adhurues dhe shërbëtorë të Zotit

Në fjalimin e tij të xhumasë, të mbajtur më 18 nëntor 2011, Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, duke përmendur një lutje të Kalifit të Dytë, thotë:

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar Allahu e mëshiroftë kishte bërë një lutje për fëmijët e tij, për të cilën mendoj se duhet t’ju tregoj. Do ta lexoj atë. Zoti e bëftë të përmbushet ajo për të gjithë Xhematin. Sepse kjo është një kohë, në të cilën do të hyjmë me fitore, inshallah. Kështu që, nëse gjendja jonë do të jetë sipas kësaj lutjeje, vetëm atëherë do të mund të korrim sukses. Lutja e Hazret Kalifit të Dytë ishte:

“O Zoti im, Ty të paraqes fëmijët e mi. Ata të mos bëhen ujqër të botës, por të jenë shpendë të xhenetit Tënd; të jenë shtylla të fesë dhe rojtarë të shtëpisë Sate; të jenë yje të qiellit, udhëzues të njerëzve në errësirë dhe udhërrëfyes të të humburve; të jenë si dielli i ndritur, që zhduk errësirën dhe hap rrugën për përpjekje e përparime. O Zot, Je Ti që zgjon të përgjumurit dhe bashkon të humburit.

Fëmijët e mi të jenë pemë dashurie, frutat e të cilave të jenë krejtësisht të pastra nga mëria e xhelozia; të jenë si ai burim i rrugës që është i rrethuar me pemë hijegjera, ku çdo udhëtar i këputur, qoftë i njohur apo i panjohur, qëndron për të pushuar, uji i të cilit i shuan etjen çdo të eturi dhe hija e gjerë e pemëve të të cilit, merr në strehim çdo strehimkërkues. Ata të jenë ndalues të dhunës dhe ndihmës ndaj të shtypurve; të jenë ndër ata që pranojnë vdekjen për t’i dhënë jetë botës, që vështirësitë i mbajnë për vete dhe rehatinë ua japin të tjerëve; të jenë vullnet’hekurt, zemërbutë në sjellje; sofra e tyre të jetë e hapur për të gjithë; të jenë konkurrentë të mirësisë; të mos jenë dorështrënguar, por as dorëshpuar që të mbeten të qortuar e të mjerë.

O Udhëzuesi im, ata të jenë misionarë të fesë, përhapës të fesë Islame, gjallërues të virtyteve të zhdukura, ndriçues të atyre rrugëve të takvasë që janë të fshehura, të jenë ndihmëtarë të Hazret Muhammedit, të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., t’u plotësohet premtimi “Ai do ta dërgojë të Dërguarin edhe te të mëvonshmit që ende nuk u janë bashkuar”[1]; të jenë mbajtës të sunetit të bijve të Persisë;[3] të jenë sedërmëdhenj për Ty e gjoksshkëmb për fenë Tënde; të jenë të flijuar për profetët e Tu; të jenë djem të vërtetë të udhëheqësit të të gjithë profetëve, Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s.; të jenë vërtet të dashuruar, flaka e dashurisë së të cilëve kurrë nuk zbehet.

O Sunduesi im, fëmijët e mi të jenë robërit e Tu, po, vetëm robërit e Tu; ata të mos e ulin kokën para mbretërve të botës, por te pragu Yt të jenë më të përulur; të jenë me pasardhës të bekuar; të udhëheqin botën në rrugët që çojnë drejt njohjes Sate; të mbjellin farën e asaj të mire që nuk shuhet kurrë; të lartësojnë mirëbërësit edhe më shumë; të edukojnë keqbërësit; të urrejnë dëshpërimin; të bëhen model të jetës shpirtërore.

O Zoti im i Gjallë, i Përjetshëm dhe i Qëndrueshëm, ata, fëmijët e tyre dhe fëmijët e fëmijëve të tyre të jenë amaneti Yt në këtë botë, që s’mund ta rrëmbejë shejtani; të jenë pasuria Jote që s’mund ta vjedhë askush; për ngrehinën e fesë Sate, të jenë gurë këndorë, të cilët asnjë ndërtues nuk i anashkalon; të jenë njëra ndër shpatat e Tua të mprehta, që pret çdo të keqe nga rrënjët; të jenë dora Jote e faljes, që u zgjatet gjynahqarëve për falje; të jenë degë e ullirit, që jep sihariqin e përfundimit të tufanit.

Po, o Zot i Gjallë, i Përjetshëm dhe i Qëndrueshëm, ata të jenë daullja Jote, që Ti i bie për të grumbulluar robërit e Tu. Pra, ata të jenë të Tutë e Ti i atyre, derisa çdokush të rrëfejë kur t’i shohë ata:

من تو شدم تو من شدی
من تن شدم تو جاں شدی
تا کس نہ گوید بعد زیں
من دیگرم تو دیگری

jam Ti dhe Ti unë
unë trup, Ti shpirt
të mos thotë asnjëri
unë tjetër, Ti tjetër

Amin, amin. Vetëm falë mëshirës Sate të kërkoj o Ti që je më i Mëshirshmi nga të gjithë mëshiruesit”.

Zoti e bëftë të përmbushet kjo lutje te çdo anëtar i Xhematit”. (Amin)[2]

(Shqipëroi nga origjinali: Samad Ahmed Ghori)

Klikoni linkun për të lexuar Disa nga ngjarjet besimnxitëse të pranimit të lutjes


[1] El-Xhuma 62:4. D.m.th. Ata, ndër të cilëve është parashikuar të vijë i Dërguari i Allahut, por që nuk janë bashkëkohës të tij.
[2] Marrë nga fjalimi i xhumasë i Hazret Kalifit të Pestë të Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, i mbajtur më 18 nëntor të vitit 2011.
[3] Duke komentuar ajetin El-Xhuma 62:4, i Dërguari i Allahut s.a. tha se te të mëvonshmit, i dërguari do të vijë prej bijve të Persisë. (Shikoni Buhariun, Kitabut-Tefsir, Sureja El-xhuma)

Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp