Ngjarje të pranimit të lutjeve të Mesihut të Premtuar a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Ngjarje besimshtytëse të pranimit të lutjeve të Mesihut të Premtuar a.s.

Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu a.s.
Mesihu i Premtuar

Nuk ka shenjë më të madhe sesa shenja e pranimit të lutjes

Hazret Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu a.s. thotë:

“Mbani mend se njëra prej shenjave të forta për të kuptuar pranueshmërinë e robërve të Zotit është pranimi i lutjeve të tyre. Madje, nuk ka shenjë më të madhe sesa ajo e pranimit të lutjes, sepse pranimi i lutjes së robit provon se ai ka vlerë dhe nder pranë Zotit. Ndonëse lutjet nuk pranohen çdo herë, pasi nganjëherë Zoti i Madhërishëm zgjedh dëshirën e Vet, por nuk ka asnjë dyshim që njerëzit e pranuar nga i Madhi Zot kanë shenjë dalluese që lutjet e tyre pranohen shumë shpesh në krahasim me të tjerët. Madje, askush nuk mund të garojë me ta në pranimin e lutjeve dhe unë e them duke u betuar për Zotin e Madhërishëm se mijëra lutje të mia janë pranuar. Nëse do t’i shkruaja të gjitha ato, do të bëhej një libër voluminoz”.[1]

Në librat e tij, si “Nuzul-ul-Mesih”, “Tirjakul-kulub”, “Hakikatul-uehi”, Hazret Mesihu i Premtuar  a.s. ka përmendur ngjarje të ndryshme të pranimit të lutjeve të tij. Këtu si shembuj do të paraqesim vetëm disa prej tyre, të cilat janë përshkruar nga ai vetë.

“Paratë do të vijnë pas dhjetë ditësh”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Një herë pata nevojë jashtëzakonisht të ngutshme për para, gjë që e dinin shumë mirë edhe ata të quajturit Lala Sharampati dhe Malavamali, që i përkasin fesë arje. Ata gjithashtu e dinin se nuk kishte asnjë shenjë që mund të më jepte shpresë për të gjetur para. Në këtë situatë, në mënyrë të vetvetishme ndjeva një vrull të fuqishëm për të bërë lutje, në mënyrë që të më zgjidhej edhe problemi dhe njerëzit në fjalë të dëshmojnë ndonjë shenjë. Kështu që, pasi u luta, Allahu i Lartësuar më njoftoi për ndihmesën financiare duke më dërguar shpallje:

Domethënë, paratë do të vijnë pas dhjetë ditësh. Ndihma e Zotit është afër dhe ashtu siç deveja që ngre bishtin për të lindur, kuptohet se këlyshi do të lindë nga çasti në çast, në të njëjtën mënyrë, edhe ndihma e Zotit është afruar, dhe pas dhjetë ditësh kur të të vijnë paratë, do të shkosh në Amritser. Ndodhi pikërisht ashtu siç ishte parashikuar për të cilën kanë qenë dëshmitarë edhe arjatë e lartëpërmendur. Pra, deri në dhjetë ditë nuk erdhi asnjë gjë, por ditën e njëmbëdhjetë erdhën njëqind e dhjetë rupi prej të nderuarit Muhamed Afzal Khan të Ravalpindisë, dhe erdhën edhe njëzet rupi të tjera nga një vend tjetër dhe më pas filluan të vinin vazhdimisht para, edhe pse nuk ishte shpresuar një gjë e tillë”.[2]

“Çfarëdo lutje që të bësh, do të të pranohet”

“I nderuari Khalifa Sejid Muhamed Hasan ka qenë në një sprovë dhe ishte i shqetësuar dhe i brengosur. Ai vazhdimisht më shkruante për të bërë lutje. Një ditë, papritur, më erdhi shpallje:

Po fryn flladi i mëshirës, sot
Çfarëdo lutje që të bësh, do të të pranohet.

M’u kujtua që të bëja lutje pikërisht për z. Hasanin. Vetëm pak kohë pasi e bëra lutjen, ai u lirua nga sprova dhe përmes një letre më njoftoi për këtë”.[3]

“Askush nuk e dinte sekretin”

“Njëherë, i ndjeri Navab Muhamed Ali Khan i qytetit Ludijana më dërgoi letër dhe më njoftoi se i ishin ndërprerë disa të ardhura jetese dhe më kërkoi të lutesha që t’i zgjidhej problemi. Kur bëra lutje, mora shpalljen se do t’i zgjidhej. Për këtë e njoftova me një letër. Vetëm dy tri ditë pas kësaj, ai mori të ardhurat dhe kjo ia forcoi besimin. Njëherë tjetër ai më dërgoi letër për të më njoftuar për disa probleme të tij personale. Në momentin kur ai e futi letrën në kutinë postare, pikërisht në atë çast mora shpalljen se një letër e tillë me përmbajtjen që u përmend, do të më vinte prej tij. Unë menjëherë i shkrova duke e njoftuar se më kishte dërguar një letër të tillë. Të nesërmen më erdhi letra e tij dhe e imja i shkoi atij. Ai u befasua pa masë se si unë u njoftova për diçka nga e padukshmja, sepse askush nuk e dinte sekretin. Nga kjo ngjarje, ai u bind kaq shumë, saqë u flijua nga dashuria e respekti”.[4]

“Paditësi pësoi vdekje të papritur”

“Një mik më shkroi letër ku më thoshte se ishte në vështirësi të madhe, pasi një i afërm i tij ishte paditur për një çështje të rëndë dhe nuk kishte asnjë shpresë lirimi. Në letrën e tij, ai më kërkoi të lutesha për të. Të njëjtën natë gjeta kohë të përshtatshme për t’u përqendruar në lutje. Njoftova një njeri të besimit arje për shenjat e pranimit të kësaj lutjeje. Pas disa ditësh erdhi lajmi se paditësi pësoi vdekje të papritur dhe personi për të cilën u bë lutja, u lirua. Lavdia është e Allahut!”[5]

Zoti i Madhërishëm e qetësoi nga brenga

Njëherë, kur u luta për mikun tim të sinqertë, z. Abdurrahmanin, që është tregtar nga Madrasi, mora shpalljen:

 I Plotfuqishëm është Ai Zot,
që rregullon punët e prishura
Prish një punë të rregulluar,
askush nuk mund ta di sekretin

Ky ishte një sihariq, që ai do të lirohej nga shqetësimi që kishte. Kështu që, pas pak javësh, Zoti i Madhërishëm e qetësoi nga brenga duke ia zgjidhur problemin”.[6]

“Shiko se sa shpejt do t’i pranoj lutjet e tua”

“Njëherë pata nevojë për pesëdhjetë rupi. Njerëzit që përvetësojnë varfërinë por njëherësh edhe besimin e palëkundur, nganjëherë përballen edhe me situata, në të cilat janë nevojëtarë. Ashtu ishte edhe gjendja ime dhe nuk kisha asnjë mundësi. Në mëngjes dola për shëtitje. Nevoja më shtyu që të bëja lutje diku aty në pyll. Kalova në një vend të fshehtë buzë lumit, që është tri milje larg nga Kadiani, në drejtim të Batalasë, dhe bëra lutje. Sapo e përfundova lutjen, më erdhi fuqishëm një shpallje, përkthimi i së cilës është: “Shiko se sa shpejt do t’i pranoj lutjet e tua”. U gëzova dhe dola nga pylli për t’u kthyer në Kadian dhe shkova direkt në treg që të takoja e të pyesja zëvendësdrejtorin e postës së Kadianit se mos kishin ardhur para në emrin tim. Pas kontrollit që ai bëri në zyrat postare, gjeti një letër që njoftonte se dikush nga Ludjana më dërgonte pesëdhjetë rupi. Të njëjtën ditë, me sa më kujtohet, ose të nesërmen i tërhoqa paratë”.[7]

“Kush guxon të bëjë ndërmjetësim për dikë, pa lejen e Zotit?”

“Abdurrahim Khani, i biri i Sardar Navab Muhamed Ali Khanit, që ishte një njeri me ndikim në Malerkotla, u sëmur nga ethe të forta tifoide. Nuk kishte asnjë shenjë mbijetese dhe ishte thuajse i vdekur. Në këtë situatë u luta për të dhe u njoftova që caktimi ishte i patjetërsueshëm. Atëherë u përgjërova: “O Zot! Prano ndërmjetësimin tim për të”. Në përgjigje të lutjes sime, Zoti i Madhërishëm më tha:

“Kush guxon të bëjë ndërmjetësim për dikë, pa lejen e Zotit?” U tërhoqa. Por, pa u vonuar, më erdhi shpallje tjetër duke thënë:

“Të lejohet të bësh ndërmjetësim”. Atëherë fillova të bëja lutje me të qara e me ngashërim. Zoti i Madhërishëm ma pranoi lutjen dhe djali filloi të shfaqte shenja përmirësimi, tamam sikur u ringjall nga vdekja. Ai ishte dobësuar kaq shumë, saqë iu desh një kohë e gjatë që të merrte veten. Përfundimisht u shërua plotësisht dhe tani është gjallë.[8]

Lind fëmija, por me puçrra në trup

Mikut tim të sinqertë, z. Maulvi Nurudinit, i vdiq djali i vetëm. Për këtë, disa kundërshtarë naivë treguan gëzimin e tyre duke reklamuar se miku im mbeti pa fëmijë. Atëherë u luta shumë për të dhe më pas u njoftova prej Zotit të Lartësuar se, për shkak të lutjes sime, ai do të ketë një fëmijë dhe shenja që më ishte treguar se ai do të lindte vetëm falë lutjes është se ai do të kishte shumë puçrra në trupin e tij. Kështu që, z. Maulvi Nurudinit i lindi djalë, që u quajt Abdulheij, dhe atij i kishin dalë puçrra në mënyrë të pazakontë. Ai ende i ka njollat e puçrrave në trup, ndërkohë, përpara se të lindte djali, kjo si shenjë ishte paralajmëruar në një njoftim që u botua.[9]

Djali u ringjall

Njëherë djali im i vogël, Mubarak Ahmedi, u sëmur. I binte vazhdimisht të fikët. Unë isha i zënë në lutje në një dhomë tjetër afër tij, ndërkohë shumë gra ishin pranë tij. Papritmas, një grua bërtiti: “Lëreni se djali ka vdekur!” Atëherë shkova pranë djalit, vura dorën mbi trupin e tij dhe u përqendrova për t’iu lutur Zotit të Madhërishëm. Pas dy-tri minutash, i erdhi fryma. Edhe pulsi filloi t’i ndihej dhe djali u ringjall. Atëherë e kuptova se e njëjta gjë ka qenë edhe ringjallja e të vdekurve nga Isai a.s., të cilën mendjelehtët më vonë e ekzagjeruan.[10]

Mjekët: “Me keqardhje, nuk mund të bëjmë asgjë për Abdul Kerimin”

Mrekullia e pestë që u shfaq këto ditë ka lidhje me pranimin e një lutjeje, që në fakt, është e barabartë me ringjalljen e të vdekurit. Përshkrimi i hollësishëm i kësaj ngjarjeje ka të bëjë me një djalosh të quajtur Abdul Kerim, të birin e Abdurrahmanit, banor të Hajderabadit (Hyderabad). Ai është nxënës në Medresenë tonë. Për shkak të caktimit, një ditë, atë e kafshoi një qen i tërbuar. E çuam në qytetin Kasoli për mjekim, ku për disa ditë u mjekua dhe më pas u kthye në Kadijan. Por, pas disa ditësh atij iu shfaqën shenjat e tërbimit, që shfaqen nga kafshimi i qenit të tërbuar. Ai filloi t’i trembej ujit. Gjendja e tij ishte alarmante. Atëherë u shqetësova pa masë për atë kurbetxhi të gjorë dhe gjeta përqendrimin e duhur për të bërë lutje për të.

Çdonjëri mendonte që ai i gjorë do të vdiste pas disa orësh. Detyrimisht atë e larguan nga konvikti dhe e vendosën në një vend tjetër larg njerëzve, duke marrë të gjitha masat karantinore. Mjekëve anglezë të Kasolit u dërguam telegram për të pyetur se a mund t’i bëjmë ndonjë mjekim në këtë gjendje. Ata na kthyen përgjigje nëpërmjet telegramit duke thënë: “Tanimë nuk ka asnjë ilaç për të”. Por unë u shqetësova shumë në zemër për atë djalë të gjorë dhe kurbetxhi dhe gjeta përqendrim të veçantë për lutje. Edhe miqtë e mi më thoshin vazhdimisht që të lutesha për të, sepse në këtë gjendje, larg shtëpisë së tij, ai të ngjallte mëshirë. Gjithashtu, kisha frikë se, nëse do të vdiste, vdekja e tij do të shkaktonte përbuzjet e kundërshtarëve. Atëherë, zemra ime ndjeu një shqetësim dhe dhimbje të fortë për të dhe unë gjeta një përqendrim të jashtëzakonshëm, që kurrë nuk mund ta gjeja nga forcat e mia. E gjithë kjo ishte nga Zoti i Lartësuar.

Kur gjendet ky lloj përqendrimi, atëherë me urdhrin e Zotit të Lartësuar tregon një efekt të tillë, që ka mundësi që edhe një i vdekur mund të ringjallet. Shkurt, gjeta gjendjen që do të më mundësonte pranimin e lutjes prej Zotit, dhe kur ajo arriti kulmin e saj dhe dhimbja më pushtoi zemrën, atëherë të sëmurit, i cili më saktë duhet të quhej i vdekur, filluan t’i shfaqeshin shenjat e përmirësimit. Para pak kohësh ishte koha kur ai i trembej ujit dhe i ikte dritës, kurse tani ai përnjëherë filloi ta merrte veten dhe tha: “S’kam frikë më nga uji”. Atij i dhanë ujë, të cilin e piu pa asnjë frikë, madje mori abdes dhe fali namazin dhe gjithë natën fjeti qetësisht. Më nuk kishte asnjë grimë tërbimi dhe, më në fund, brenda disa ditësh, u shërua tërësisht.

Gjatë lutjes, vetëtimthi m’u diktua në zemër, që kjo gjendje tërbimi e tij nuk ishte që ai të vdiste, por që të shfaqej një mrekulli e Zotit të Lartësuar. Njerëz me përvojë thonë se kurrë nuk ka ndodhur në botë që dikë ta ketë ngrënë një qen i tërbuar dhe shenjat e tërbimit t’i ishin shfaqur në këtë mënyrë dhe ai të shpëtonte. Cila mund të jetë dëshmia më e madhe sesa ajo që mjekët specialistë të kësaj sëmundjeje që shërbejnë në spitalin shtetëror të qytetit Kasoli, i ishin përgjigjur me fjalë të prera telegramit tonë që s’ka mjekim më për të.

Duhet të shtoj një gjë këtu, që kur jam lutur për atë djalë, Zoti më dërgoi mesazh në zemrën time që t’i jepja një ilaç të caktuar dhe unë ia dhashë atij disa herë, derisa ai u shërua, ose më saktë u ringjall nga vdekja. Ndërsa përgjigjja që kishte ardhur nga mjekët e Kasolit, e cila është në anglisht, po e shkruajmë më poshtë bashkë me përkthimin e saj. Ata thanë:

“Sorry, nothing can be done for Abdul Karim”.
“Me keqardhje, nuk mund të bëjmë asgjë për Abdul Kerimin””.[11]

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Kjo është plotësisht e vërtetë, që njerëzve të afërt me Zotin u pranohen shumica e lutjeve. Madje, mrekullia e tyre më e madhe është pikërisht pranimi i lutjes. Kur ata ndiejnë shqetësim në zemër, për shkak të ndonjë vështirësie dhe në atë gjendje shqetësimi ata i drejtohen Zotit të tyre, Zoti i dëgjon dhe atëherë dora e tyre bëhet sikur dora e Zotit. Zoti është si një thesar i fshehur. Ai zbulon fytyrën e Tij përmes njerëzve të përsosur e të pranuar. Shenjat e Zotit shfaqen pikërisht në kohën kur të pranuarit e Tij shqetësohen, kur të tjerët i lëndojnë jashtë mase. Kur ndodh kjo, atëherë kuptojeni se shenja e Zotit do të shfaqet së shpejti, madje ajo mund të jetë te dera. Kështu ndodh, sepse Zoti i do kaq shumë njerëzit, që me zemër e me shpirt bëhen të Tij, saqë nuk mund të dojë ndokush kaq shumë as djalin e tij të dashur. Zoti bën mrekulli për hir të tyre dhe tregon forcën e Tij në atë mënyrë, sikur të jetë zgjuar një luan nga gjumi. Zoti është i fshehtë dhe janë pikërisht këta njerëz, të cilët e zbulojnë Atë. Zoti qëndron pas mijëra perdeve dhe janë pikërisht këta njerëz, që ia zbulojnë fytyrën.[12]


[1]. “Hakikatul-uehi”, “Ruhani Khezain”, vëll. 22, f. 334.
[2]. “Tirjakul-kulub”, “Ruhani Khezain”, vëll. 15, f. 258-257.
[3]. “Nuzul-ul-Mesih”, “Ruhani Khezain”, vëll. 18, f. 603.
[4]. “Hakikatul-uehi”, “Ruhani Khezain”, vëll. 22, f. 258-257.
[5]. “Tirjakul-kulub”, “Ruhani Khezain”, vëll. 15, f. 260.
[6]. “Nuzul-ul-Mesih”, “Ruhani Khezain”, vëll. 18, f. 611.
[7]. “Tirjakul-kulub”, “Ruhani Khezain”, vëll. 15, f. 294-295.
[8]. “Hakikatul-uehi”, “Ruhani Khezain”, vëll. 22, f. 229-230.
[9]. “Hakikatul-uehi”, “Ruhani Khezain”, vëll. 22, f. 230.
[10]. “Hakikatul-uehi”, “Ruhani Khezain”, vëll. 22, f. 265.
[11]. “Tatima Hakikatul-uehi”, “Ruhani Khezain”, vëll. 22, f. 480-481.
[12]. “Hakikatul-uehi”, “Ruhani Khezain”, vëll. 22, f. 20-21.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp