Parimet e lutjes
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
darul masih

Hazret Mesihu i Premtuar, Imam Mehdiu a.s. rreth parimeve të lutjes thotë:

Lutja është bërë diçka e panjohur

“Lutja është diçka shumë e çuditshme. Por do të shprehja keqardhjen, sepse lutësit as nuk janë në dijeni për parimet e lutjes e as për metodat që duhet të ndjekin, të cilat çojnë në pranimin e saj. E vërteta është se vetë lutja është bërë diçka e panjohur. Ka disa që e mohojnë kategorikisht lutjen dhe ka të tjerë që nuk e mohojnë atë, por gjendja e tyre është më keq se mohuesit e saj, sepse lutjet e tyre nuk pranohen, pasi ata nuk i dinë parimet e tyre. Lutja e njerëzve të tillë nuk është lutje në kuptimin e vërtetë të fjalës”.[1]

 

“Njerëzit që nuk u treguan të qëndrueshëm e të palëkundur në lutje dhe që nuk i zbatuan kushtet e saj, nuk fituan asnjë dobi prej saj dhe përfundimisht e mohuan edhe efektin e saj. Me kalimin e kohës, ata u bënë mohues të Zotit dhe thanë se po të ekzistonte Zoti, ai do t’ua dëgjonte lutjet. Këta naivë pse nuk menduan që lutjet e tyre të ishin lutje të vërteta, sepse  Zoti patjetër që ekziston?!”[2]

 

“Kushti i parë është që të kesh besim të plotë në Atë, të cilit i lutesh. Të besosh se Ai ekziston dhe është Dëgjues, Shikues, i Gjithëdijshëm, Kontrollues, i Plotfuqishëm dhe të jesh i bindur se Ai dëgjon lutjet dhe i pranon ato”.[3]

 

“Njëra prej arsyeve për shumicën e lutjeve që refuzohen, është që lutësi, për shkak të dobësisë së besimit të tij, vetë e tërheq refuzimin e lutjes”.[4]

4 kushte janë të domosdoshme për pranimin e lutjes

“Katër kushte janë të domosdoshme për pranimin e lutjes: së pari, të druheni ndaj Zotit… Së dyti … të keni dhimbje në zemër … Së treti … të gjeni kohën më të përshtatshme për t’u lutur … Së katërti, të shfrytëzoni periudhën e plotë të lutjes”.[5]

 

“Disa njerëz … nuk janë të informuar për kushtet që duhen zbatuar kur i kërkojnë dikujt që të lutet për ta. Derisa kërkuesi nuk ka përmirësim dhe nuk ndjek rrugën e bindjes, lutja nuk i bën efekt”.[6]

 

“Lutja e njeriut pranohet atëherë kur ai, për hir të Allahut të Lartësuar, heq dorë nga shkujdesja, pabindshmëria dhe ligësia. Njeriu sa më shumë që fiton afrimin me Zotin, aq më shumë shijon frytin e pranimit të lutjes”.[7]

Keqbërësit dhe të padëgjueshmit nuk i pranohet lutja

“Ka disa elemente të papëlqyeshme që vonojnë ose pengojnë pranimin dhe frytin e lutjes dhe njeriu duhet të shmanget nga ato”.[8]

 

“Derisa nuk e ke zemrën të pastër, nuk të pranohet lutja. Nëse ke mëri në zemër, qoftë ndaj një personi të vetëm në ndonjë çështje të kësaj bote, nuk mund të të pranohet lutja”.[9]

 

“Mbani mend! Ai që nëpërkëmb të drejtat e krijesave të Zotit, nuk i pranohet lutja, sepse ai është keqbërës”.[10]

 

“Keqbërësit dhe të padëgjueshmit, në përgjithësi, nuk i pranohet lutja”.[11]

Takva (druajtja ndaj Zotit) dhe durimi janë parakushte për lutjen

“Mbani mend! Lutjet nuk do t’ju pranohen, derisa nuk do të keni druajtje ndaj Zotit”.[12]

 

“Disa njerëz tregohen të ngathët. … Unë ata i konsideroj të paguximshëm. Madje, them se nuk duhet të sprapseni e nuk duhet të dorëzoheni, edhe sikur të kalojnë tridhjetë a dyzet vjet. … Allahu i Lartësuar nuk i shkatërron ata që luten”.[13]

 

“Hazret Jakubi a.s. … vijoi të lutej … për dyzet vjet. … Pas dyzet vitesh lutjet e tij e sollën përfundimisht Jusufin a.s.”.[14]

Lutja nuk bëhet thjesht me gojë

“Lutja nuk bëhet thjesht me gojë, por lutja në të vërtetë është ajo që thuhet në një shprehje: T’i lutesh dikujt është njësoj sikur të vdesësh, dhe pa vdekur, nuk mund të bësh lutje”.[15]

 

“Derisa nuk ka mall dhe shqetësim të sinqertë në lutje, ajo është një punë krejtësisht e paefektshme dhe e kotë”.[16]

 

“Mbani mend! Lutja është një lloj vdekjeje. Ashtu siç njeriu përpëlitet e zhgërryhet në çastet e vdekjes, në të njëjtën mënyrë edhe në lutje ai duhet ta sjellë atë lloj përpëlitjeje e vrulli … Prandaj, duhet që ai vazhdimisht të çohet gjatë natës e të shfaqë shqetësimet e tij para Zotit të Lartësuar me shumë përulësi, përgjërim e të qarë. Dhe kaq shumë të bëjë lutje, saqë të kalojë në një gjendje vdekjeje. Atëherë lutja bëhet e pranueshme”.[17]

Kur tregon lutja shenjat e pranimit?

“Në të vërtetë lutja tregon shenjat e pranimit atëherë, kur ajo shndërrohet në shqetësim tejet të ankthshëm. … Atëherë, së pari, i rregullohen mjetet në qiell, pastaj ajo shfaq efektin e saj në Tokë. Kjo nuk është diçka e vogël, por është një realitet shumë i madh. E vërteta është se ai që dëshiron të shohë shfaqjen e Zotit, le të lutet”.[18]

 

“Kur vjen koha e pranimit të lutjes, Allahu i Madhërishëm shkakton një vrull dhe ankth të vetvetishëm në zemrën e lutësit. Nganjëherë, Vetë Zoti i mëson ndonjë lutje. … Zoti i Madhërishëm Vetë ua mëson përmes shpalljeve robërve të Tij të sinqertë, lutjet që ua pranon”.[19]

 

“Lutja është një mjet që zgjidh çdo problem. … Njerëzit nuk ia dinë vlerën lutjes, prandaj shumë shpejt dëshpërohen. … Kurse lutja kërkon palëkundshmëri dhe qëndrueshmëri. … Sinqeriteti dhe përpjekja janë kushtet e lutjes, por edhe për to duhet lutje”.[20]

 

“Ai që zgjohet gjatë natës, sado shpërqendrim e padurim të ketë, nëse lutet: ‘O Zot! Ti sundon dhe kontrollon zemrën, prandaj Ti Vetë ma pastro atë’, prej shtrëngimit të tij, do të burojë ngazëllimi”.[21]

 

“Kur dhimbja jua pushton zemrën tërësisht për të bërë lutje dhe çan çdo perde, atëherë kuptojeni se lutja ju është pranuar. Ky është “ism-i-azem” [Emri më i lartë i Zotit], përballë të cilit asgjë nuk është e pamundur. Edhe një i lig nëse gjen mundësi të bëjë lutje të tilla, ai pa dyshim do të bëhet i dëlirë”.[22]

Edhe mjetet materiale janë të nevojshme për pranimin e lutjes

“Para se të bëni lutje, është e nevojshme që të keni parasysh edhe mjetet materiale e pastaj të përqendroheni në lutje”.[23]

 

“Sa më shumë që shqetësimi dhe ankthi të shtohet duke u lutur, aq më shumë shpirti ju zbutet dhe kjo është një ndër faktorët e pranimit të lutjes”.[24]

 

“Nganjëherë duket se lutja nuk po ju pranohet. Në këtë rast, mund t’i kërkoni një njeriu tjetër të sinqertë, që ai të lutet për ju dhe ju vetë të luteni që Zoti të pranojë lutjet e atij njeriu të sinqertë (që zgjodhët)”.[25]

Lutuni në namazet tuaja, në gjuhën tuaj!

“Nuk lejohet të bëni ndryshime në lutjet e Kuranit. … Në lutjet që janë përmendur në hadithe, mund të ndryshoni vetëm numrin njëjës në numrin shumës”.[26]

“Duhet të gjeni fjalë emocionuese duke bërë lutje. Nuk është e mirë që thjesht duke mësuar përmendsh lutjet e praktikuara t’i namatisni ato, pa e kuptuar realitetin. Është e vërtetë që duhet ta ndiqni praktikën e Profetit s.a.s., por të keni emocion në lutje, edhe kjo është praktika e tij. Lutuni në gjuhën tuaj që ju e kuptoni më mirë, në mënyrë që të ndieni emocione kur të luteni … Po, duhet të bëni edhe lutjet e praktikuara që të kërkoni bekime … Ai që di gjuhën arabe dhe e kupton, le të lutet në arabisht”.[27]

“Në namaz, lutuni në gjuhën tuaj. Emocioni që mund të keni në gjuhën tuaj amëtare, kurrsesi nuk mund ta keni në një gjuhë të huaj”.[28]

 

“Lutuni shumë! Namazi është çelësi për të zgjidhur vështirësitë. Përveçse të bëni lutjet e praktikuara, lutuni shumë edhe në gjuhën tuaj amtare, në mënyrë që të keni emocione. Dhe mos hiqni dorë nga lutja, derisa të emocionoheni, sepse kjo do t’ju pastrojë shpirtin dhe pikërisht kjo do t’ju mundësojë çdo gjë”.[29]

 

“Lutuni vazhdimisht. Lutuni në namazet tuaja, në çdo pozicion ku keni mundësi të luteni, në ruku e në sexhde dhe braktiseni namazin e shkujdesur. Namazi ritual nuk ju sjell asgjë”.[30]

 

“Njeriu duhet të sjellë në mendje mëkatet e tij e të lutet. Ai mund të shpëtojë vetëm nëse Allahu i Lartësuar e shpëton. Allahu i Lartësuar tha: “Më lusni mua! Unë do t’jua pranoj”.”[31]

Edhe për lutjen e vërtetë, duhet lutje

“Kushdo që shikon veten të dobët për të hequr dorë nga një mëkat i caktuar, le ta piketojë atë e të lutet, atëherë, me bekimin e Zotit, do të gjejë forcën”.[32]

 

“Edhe lutja që tërheq bekimin e Allahut të Madhërishëm, nuk është në dorën e njeriut. Njeriu nuk e ka në dorë të gjejë vetë të gjitha elementet e lutjes, të përqendrimit, mbështetjen, përkormërinë, emocionin etj. Kur atij i jepet mundësia të bëjë një lutje të tillë, ajo e tërheq bekimin e Allahut të Lartësuar, ia plotëson të gjitha kushtet dhe elementet që përbëjnë shpirtin e veprave të mira”.[33]


[1]. “Malfuzat”, vëll. 2, f. 692-693.
[2]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 617.
[3]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 522.
[4]. “Malfuzat”, vëll. 2, f. 702.
[5]. “Malfuzat”, vëll. 1, f. 535-536.
[6]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 39.
[7]. “Malfuzat”, vëll. 1, f. 436.
[8]. “Malfuzat”, vëll. 4, f. 287.
[9]. “Malfuzat”, vëll. 5, f. 170.
[10]. “Malfuzat”, vëll. 2, f. 195.
[11]. “Malfuzat”, vëll. 2, f. 682.
[12]. “Malfuzat”, vëll. 5, f. 130.
[13]. “Malfuzat”, vëll. 5, f. 106.
[14]. “Malfuzat”, vëll. 2, f. 152.
[15]. “Malfuzat”, vëll. 5, f. 107.
[16]. “Malfuzat”, vëll. 5, f. 455.
[17]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 616.
[18]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 618.
[19]. “Malfuzat”, vëll. 2, f. 164.
[20]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 615.
[21]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 397, 398.
[22]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 100.
[23]. “Malfuzat”, vëll. 1, f. 89.
[24]. “Malfuzat”, vëll. 2, f. 707.
[25]. “Malfuzat”, vëll. 5, f. 182.
[26]. “Malfuzat”, vëll. 5, f. 194.
[27]. “Malfuzat”, vëll. 1, f. 538.
[28]. “Malfuzat”, vëll. 4, f. 29.
[29]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 589.
[30]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 176.
[31]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 573.
[32]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 622.
[33]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 389.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp