Prejardhja e Imam Mehdiut sipas haditheve
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
darul masih

Cila është prejardhja e Imam Mehdiut sipas haditheve? Zakonisht muslimanët kur flasin rreth kësaj teme, prerazi tregojnë karakteristikat e tij duke menduar se të gjitha ato janë fjalët dhe paralajmërimet e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Por, duhet bërë e qartë që shumica e transmetimeve rreth ardhjes së Imam Mehdiut janë kontradiktore dhe si të tilla, ato nuk mund t’i atribuohen të Dërguarit të Allahut s.a.s. Këtu sjellim disa nga ato, në mënyrë që lexuesit të mund të gjykojnë që përshkrimi i Imam Mehdiut i bërë nga dijetarë të ndryshëm nuk është në bazë të fortë.

Rrëfime kontradiktore për prejardhjen e Imam Mehdiut

Në disa transmetime, thuhet se Imam Mehdiu do të jetë nga pasardhësit e Hazret Fatimes r.a.

(Ibni Maxha, Kitabul Fiten, Bab Khuruxhul Mehdi)

Në një transmetim thuhet se ai do të jetë nga pasardhësit e Imam Hasanit r.a.

(Sunan Ebi Daud, Kitabul Mehdi, numri i hadithit 3739)

Në librat e shitëve përmendet që Imam Mehdiu do të jetë nga pasardhësit e Imam Husainit r.a.

(El-Bejan li Muhamed bin Jusuf Esh-Shafi, Bab 9, f. 119-120)

Në disa transmetime është thënë se Imam Mehdiu do të jetë nga pasardhësit e Hazret Abbasit r.a.

(Mexhmauz zavaid, Kitabul Fiten, Babul Mehdi)

Në një libër tjetër të haditheve paralajmërohet që Imam Mehdiut do të jetë nga pasardhësit e Hazret Omerit r.a.

(Kenzul Umal, numri i hadithit 37847)

Në disa hadithe thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.s. ka thënë që Imam Mehdiu është prej tij ose ai është nga umeti i tij.

(Musnad Ahmad Bin Hanbal, numri i hadithit 10737; Mustadrik lil-Hakim, Kitabul-fiten uel-malahim, numri i hadithit 8673)

Por ka edhe hadithe që përcaktojnë se vetë Mesihu i Premtuar do të jetë Imam Mehdiu.

(Ibni Maxha, Kitabul-fiten, bab shidetiz-zeman; Mustedrik lil-Hakim, Kitabul-fiten uel-malahim, nr. i hadithit 8481)

Siç përmendet: transmetohet nga Abu Hurejrah r.z. se Hazret i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Çdokush që do të jetojë prej jush, do ta gjejë Isain birin e Merjemes si Imam Mehdi, si vendimtar, gjyqtar, ai do ta thyejë kryqin, do të mbysë derrin dhe do të heqë xhizjen dhe lufta (xhihadi) do të dorëzojë armët e saj.”

Kontradiktat rreth Imam Mehdiut nuk mbarojnë deri me kaq. Edhe rreth emrit të tij ka kontradikta dhe po ashtu edhe rreth çështjes se në cilin vend do të dalë ai dhe sa kohë do të qëndrojë ai, ka transmetime që janë shumë kundërthënëse.

Transmetime kundërthënëse rreth prejardhjes tij shkaktuan paqartësi edhe në lidhje me pozitën e tij. Disa sekte kanë përcaktuar që Imam Mehdiu nuk do të jetë profet, ndërsa disa të tjerë pohojnë që ai do të ketë pozitë më shumë se sa në profet. Kështu, kur do të vijë Profeti Isai a.s., sipas tyre, ai do të jetë i detyruar të falë namazin në udhëheqjen e Imam Mehdiut.

Veç kësaj, pikërisht për shkak të këtyre transmetimeve, disa sekte besojnë që Imam Mehdiu do të vijë si një luftëtar i pamëshirshëm, duke u dhënë njerëzve vetëm një prej dy opsioneve për të zgjedhur: Islamin ose vdekjen. Ndërsa ka shumë transmetime të tjera që pohojnë se ai do të vijë për të stabilizuar paqe, drejtësi dhe siguri në botë.

Është shumë e qartë që të gjitha këto transmetime rreth Imam Mehdiut nuk mund të jenë të vërteta njëkohësisht. Duke mbledhur të gjitha këto transmetime, në librin e tij, Hazret Alama Ibni Hulduni ka dhënë këtë mendim:

فھذہ جملۃ الاحادیث التی خرّجھا الائمۃ فی شان المھدی و خروجہ آخر الزمان و ھی کما رائیت لم یخلص منھا من النقد الا القلیل او الااقل منہ

مقدمۃ ابن خلدون، الفصل الثانی والخمسون فی امر الفاطمی

“Të gjitha hadithet që dijetarët i paraqesin rreth Imam Mehdiut dhe ardhjes së tij në ditët e vona dhe këto hadithe po ashtu, siç mund të keni vërejtur, përveç një pjese të vogël të pjesës së vogël, nuk mund të jenë pa u kritikuar”. (Mukadima Ibni Hulduni, El-fasl 52, fi emril-Fatimi)

Arsyeja e kontradiktave dhe një zgjidhje e tyre

Arsyeja kryesore e kontradiktave në këto transmetime është politike. Gjatë përçarjes që u bë pas periudhës së Kalifatit të Drejtë, për të treguar epërsinë e tij, çdo fis ishte përpjekur t’i atribuonte vetvetes të gjitha mirësitë fetare. Midis tyre ekziston profecia e të Dërguarit të Allahut s.a.s. që në umetin tim do të lindë një Mehdi i Premtuar, atëherë, disa njerëz, për arsye politike, sajuan rrëfime që lidhte përkatësinë e të premtuarit me fisin e tyre. Dihet që të gjithë nuk mund të jenë të drejtë e të devotshëm, dhe ata që sajuan këto transmetime, vijnë pikërisht nga njerëzit që nuk kishin frikë ndaj Zotit.

Pra, është e qartë që të gjitha këto transmetime në asnjë mënyrë nuk mund të përmbushen në një person të vetëm, pasi ato kanë kontradikta të tilla që nuk mund të realizohen njëkohësisht në një person të vetëm. Megjithatë, përsëritja e profecisë rreth tij bën të qartë që premtimi i ardhjes së tij nuk mund të ishte i pavërtetë. Gjithashtu, këto rrëfime mund t’i ndajmë në dy pjesë: një pjesën e parë le t’i fusim atë që lidhin përkatësinë e Imam Mehdiut me ndonjë fis a grup të caktuar dhe në pjesën e dytë t’i fusim ato që nuk e lidhin atë me ndonjë fis të caktuar, madje tregojnë ai do të jetë një njeri nga umeti musliman dhe ai shpirtërisht do të jetë i lidhur me të Dërguarin e Allahut s.a.s.. Një analizë e sinqertë do të na bindë se pikërisht kjo e dyta do të jetë më e besueshme dhe më e sigurt. Çfarë nevoje politike apo personale mund të kenë ata që kanë transmetuar hadithe që i përkasin kategorisë ku përkatësia e Imam Mehdiut nuk lidhet me ndonjë fis apo familje? Ndërsa transmetime që e lidhin ardhjen e tij me ndonjë fis apo ndonjë vend të caktuar, sigurisht mbeten të dyshimta.

Vendimi i dhënë nga Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia

Karshi mendimeve të disa muslimanëve që thonë se Imam Mehdiu do të jetë një luftëtar i pamëshirshëm dhe që do të vijë për të bërë gjakderdhje, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia jep mendimin e tij dhe të Xhematit të tij në këto fjalë:

“Besimi im dhe i Xhematit tim rreth Mehdiut dhe Mesihut të Premtuar është që transmetimet në lidhje me ardhjen e Mehdiut në asnjë mënyrë nuk janë të besueshme. Sipas meje, tri kritika bëhen ndaj tyre, ose me fjalë të tjera, ato ndahen në tri kategori:

Së pari, janë “hadithe” të sajuara dhe të pavërteta dhe transmetuesit e tyre akuzohen për gënjeshtër dhe jobesnikëri, dhe si të tillë, asnjë musliman i drejtë nuk mund t’i besojë.

Së dyti, janë disa “hadithe” që janë të prekura dhe që quhen të dobëta dhe për shkak se janë kontradiktore, nuk mund të besohen. Edhe dijetarët kryesorë që mblodhën hadithet, ose nuk i kanë futur fare në përmbledhjet e tyre, ose i kanë futur në to duke shprehur edhe pabesueshmërinë e tyre dhe duke mos dhënë vendimin e tyre pozitiv për transmetuesit e tyre.

Së treti, janë ato hadithe, të cilat me të drejtë janë të vërteta, por ato mund të jenë përmbushur në ndonjë kohë të së kaluarës dhe luftërat që përmenden në ato hadithe, gjithashtu kishin ndodhur që në kohët e hershme të muslimanëve dhe se në të ardhmen nuk ka asnjë gjasë për përsëritjen e tyre. Ose janë hadithe në kategorinë e fundit, të cilat nuk flasin për luftëra materiale dhe kalifati material, por përmendet vetëm paralajmërimi i ardhjes së një Mehdiu, i cili, sipas titullit që ka, do të ishte njeri i udhëzuar.

Veç kësaj, në ato hadithe me fjalë të qarta, është përmendur që ai nuk do të jetë kalif si mbretërit e kësaj bote dhe që as nuk do të luftojë e as nuk do të derdhë gjak, madje ai as ushtri nuk do të ketë për këtë punë, por me fuqinë e tij shpirtërore do të rivendosë besimin në zemrat e njerëzve, siç thuhet në hadithin: Mehdiu nuk është tjerë përveç Isait, hadith ky që është përmendur në librin Ibni Maxha.

Ky hadith përmendet edhe në librin Mustadrek dhe transmetohet nga Enes ibni Maliki. Atje përmendet që Muhamed bin Halid Xhundiu e ka dëgjuar Aban bin Salihin, i cili ka dëgjuar nga Hasan Bin Besriu, i cili ka dëgjuar nga Enes bin Maliki, i cili ka dëgjuar nga i Dërguari i Allahut s.a.s.. Kuptimi i këtij hadithi është që nuk do të vijë ndonjë Mehdi tjetër përveç atij që do të vijë me natyrshmërinë dhe misionin e Isait. Domethënë një njeri që do të vijë me natyrshmërinë dhe mësimin e Isait do të jetë edhe Mesih i Premtuar edhe Mehdi.

Me një fjalë, ai nuk do të bëjë luftëra fizike kundër së keqes, por me modelin e tij të pastër dhe me shenjat qiellore, do të udhëzojë njerëzit në botë. Pikërisht në mbështetjen e këtij hadithi është edhe ai hadith, të cilin Imam Buhariu ka përmendur në librin e tij Sahih Buhari, fjalët e të cilit janë: “ai do të ndalë luftërat”, domethënë Mehdiu që gjithashtu quhet Mesihu i Premtuar, do t’u japë fund luftërave fetare”. (Hakikatul Mehdi, Rruhani Khezain, vëll. 14, f. 429-432)

Pra, Imam Mehdiu është po ai që në hadithe të tjera përmendet me titullin e Mesihut apo të Isait të birit të Merjemes, të cilin duke e lidhur me umetin e tij, i Dërguari i Allahut s.a.s. i sqaroi muslimanët të mos mendojnë se Isai i vjetër do të vijë në këtë umet, por një Imam Mehdi, pra një musliman i udhëzuar nga Zoti, që do të jetë një shërbëtor i sinqertë i Profetit Muhammed s.a.s. dhe të cilit do t’i jepen vetitë e Mesihut. Veç kësaj, për shkak të misionit të tij të “thyerjes së kryqit”, ai u quajt Isa i biri i Merjemes.

Duke përmendur edhe një tjetër arsyetim interesant për emërtimin e Imam Mehdiut për Isain, Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mesihu i Premtuar a.s., thotë:

“Mesihu është quajtur edhe Imam Mehdi për të treguar që njerëzit nuk do ta pranojnë atë si Mehdi (d.m.th. i udhëzuar), madje do ta quajnë të pafe dhe mosbesimtar. Prandaj Zoti i Madhërishëm i ka vënë këtë emër për t’iu kundërpërgjigjur akuzave të tyre, ashtu siç Profeti ynë Hazret Muhammed s.a.s. është quajtur Muhammed (d.m.th. “i lavdëruar”) për t’iu kundërpërgjigjur fajësimeve dhe nënçmimeve prej kundërshtarëve, gjë që paralajmëronte që ky profet kaq i lavdëruar do të tentohet të poshtërohet nga të këqijtë dhe keqdashësit, por ai është Muhemmed, domethënë “Shumë i lavdëruar”, e jo mudhammem (i poshtër)”. (Enxhame At’hem, Rruhani Khezain vëll. 11, f. 296)

 

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp