Përshkrim i librit
Ligjërata e titulluar “Filozofia e mësimeve të Islamit” është shkruar në gjuhën urdu nga Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdi, si përgjigje ndaj ftesës së Z. Svami Sad’hu Shogan Çander, i cili organizoi Mbledhjen e Madhe të Feve, në Town Hall të qytetit Lahor në datat 26 – 29 dhjetor të vitit 1896. Dijetarët muslimanë, të krishterë, arjë dhe të feve të tjera ishin ftuar për të përfaqësuar fenë e tyre përkatëse. Atyre u ishte caktuar të ligjëronin rreth pesë pyetjeve të kërkuara në bazë të Librit që ata besonin si Hyjnor:
- Gjendjet trupore, morale dhe shpirtërore të njeriut
- Cila është gjendja e njeriut pas kësaj jete, pra në botën vijuese?
- Cili është qëllimi i vërtetë i qenies së njeriut në këtë botë dhe si mund të përmbushet ai qëllim?
- Si ndikojnë veprat te njeriu në këtë botë dhe në botën vijuese?
- Cilat janë mjetet për të arritur dijen dhe njohjen Hyjnore?
Zoti i Madhërishëm njoftoi Mesihun e Premtuar a.s. paraprakisht se ligjërata e tij do të shpallej triumfuese mbi të gjitha ligjëratat e tjera. Dhe kështu ndodhi. Gazetat e asaj kohe shkruan njëzëri se ligjërata etij triumfoi dhe jo vetëm që u dha përgjigje pyetjeve të caktuara, porse këto përgjigje së pari bazoheshin mbi argumente të logjikshme dhe më pas mbi ajetet e Kuranit Famëlartë. Kjo ligjëratë është përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe mund të quhet një paraqitje e përsosur e Islamit brenda kornizës së këtyre pesë pyetjeve.
ISBN: 978-9928-4491-1-5
Shënim
Për arsye të ndarjes së librit nëpër kapituj, në librin Online, redaksia ka shtuar disa nëntituj, pa prekur tekstin origjinal të librit. Andaj, për referencë, të përdoret libri në formatin PDF ose të botuar.