
Le t’i rikthehemi temës kryesore. Mjeti për të krijuar lidhje të përsosur shpirtërore që tregon Kurani Famëlartë është Islami dhe lutja që përmend surja El-Fatiha. Që do të thotë, së pari ta dedikojmë gjithë jetën tonë në rrugën e Zotit dhe më pas të bëjmë vazhdimisht lutjen që Zoti ua mësoi muslimanëve në suren El-Fatiha. Thelbi i të gjithë besimit Islam janë këto dy gjëra: Islami dhe lutja e El-Fatihasë. Ky është mjeti i përsosur me të cilin njeriu që në këtë botë mund ta arrijë Zotin dhe mund të pijë ujin e shpëtimit të vërtetë. Madje, ky është i vetmi mjet që ligji Hyjnor ka përcaktuar për përparimin maksimal të njeriut dhe për takimin e tij me Zotin. Vetëm ata që hyjnë në zjarrin shpirtëror që gjendet në kuptimin e Islamit dhe që vazhdimisht e bëjnë lutjen e El-Fatihasë, e gjejnë Zotin.
Çfarë është Islami? Është zjarri që shkrumbon tundimet e jetës sonë tokësore si dhe zotat e rremë që ne krijojmë vetë dhe na përgatit të flijohemi përpara të Adhuruarit të Shenjtë me gjithë jetën, pasurinë dhe nderin tonë. Është burimi që kur hyjmë në të, ne pimë ujin e jetës së re dhe të gjitha aftësitë tona shpirtërore krijojnë lidhje të tillë me Zotin, siç janë lidhjet farefisnore. Kështu, një zjarr buron vetëtimthi nga qenia jonë dhe një zjarr tjetër na zbret prej së larti. Me bashkimin e këtyre dy flakëve na zhuriten plotësisht të gjitha dëshirat dhe epshet tona, si dhe merr fund dashuria jonë për dikë a diçka tjetër përballë Zotit. Ne përjetojmë “vdekje” të jetës sonë të mëparshme. Kjo gjendje, sipas Kuranit Famëlartë, quhet islam. Pra, Islami na mundëson vdekje të tundimeve shpirtërore. Më pas, përmes lutjes ne ringjallemi sërish. Për këtë jetë të dytë, shpallja Hyjnore është një domosdoshmëri. Arritja e kësaj shkalle quhet takim me Zotin. Njeriu që arrin këtë shkallë krijon një lidhje kaq të ngushtë me Zotin, saqë sikur e sheh Atë me sytë e tij. Atij i jepet fuqia. I ndriçohen gjithë shqisat dhe aftësitë e brendshme. Graviteti i jetës së pastër e tërheq fuqimisht. Kur njeriu arrin pikërisht këtë shkallë, Zoti bëhet sytë e tij, me të cilët ai sheh, gjuha e tij me të cilën ai flet, duart e tij me të cilat ai sulmon, veshët e tij me të cilët ai dëgjon dhe këmbët e tij me të cilat ai ecën. Këtë e tregon Zoti i Madhërishëm në ajetin:
یَدُ اللّٰہِ فَوۡقَ اَیۡدِیۡہِمۡ 1
Dora e tij është Dora e Zotit, që është sipër duarve të tyre.
Gjithashtu, Ai thotë:
وَ مَا رَمَیۡتَ اِذۡ رَمَیۡتَ وَ لٰکِنَّ اللّٰہَ رَمٰی 2
Kur ti gjuajte gurë, nuk i gjuajte ti, por Zoti i gjuajti.
Pra, në këtë shkallë njeriu krijon lidhje të plotë me Zotin. Pëlqimi i shenjtë i Zotit rrjedh në mishin e në shpirtin e tij. Forcat morale që deri më parë ishin të dobëta, në këtë shkallë bëhen të fuqishme si malet. Mendja dhe logjika e tij fitojnë një dritë të jashtëzakonshme. Pikërisht këtë e thotë Allahu i Madhërishëm në këtë ajet:
وَ اَیَّدَہُمۡ بِرُوۡحٍ مِّنۡہُ
[“… dhe Ai i ndihmoi me Shpirtin prej Vetes.”] [3]
Në këtë shkallë, valët e dashurisë dallgëzojnë kaq fuqishëm brenda njeriut, saqë të vdesë për hir të Zotit, të përfshihet në mijëra vështirësi, të poshtërohet për hir të Tij, bëhen kaq të lehta për të, si të thyejë një fije kashte. Ai vazhdimisht tërhiqet pas Zotit të Madhërishëm, pa e kuptuar se çfarë e tërheq. Një dorë e padukshme e lëviz gjithkund. Përmbushja e pëlqimeve të Zotit bëhet qëllimi primar i jetës së tij. Në këtë shkallë Zoti i afrohet jashtëzakonisht shumë, siç Ai thotë:
وَ نَحۡنُ اَقۡرَبُ اِلَیۡہِ مِنۡ حَبۡلِ الۡوَرِیۡدِ 4
Ne jemi më afër tij sesa damari i jetës.
Njeriu në këtë gjendje është si fruta e pjekur, që bie vetvetiu nga pema. Në të njëjtën mënyrë, të gjitha lidhjet e ulëta të tij bien dhe asgjësohen. Lidhja e tij me Zotin e vet thellohet kaq shumë, saqë ai largohet nga krijesat dhe bekohet me komunikimet dhe bisedat e Zotit. Dyert që mundësojnë këtë komunikim janë të hapura edhe tani, siç ishin të hapura më përpara. Edhe tani bekimi i Zotit ua jep këtë dhuratë atyre që e kërkojnë, siç jepte më përpara. Por kjo rrugë nuk arrihet vetëm me fjalë boshe dhe kjo derë nuk hapet me tregime të rreme dhe me llafazanëri. Ka shumë që e kërkojnë, por pak janë që e gjejnë. Pse kështu, vallë? Sepse kjo gradë kërkon vullnetin e vërtetë dhe sakrificën e vërtetë. Fjalët edhe sikur t’i përsërisni deri në kiamet, çfarë do t’ju sjellin?! Kushti i parë i kësaj rruge është të hidhni hapin e sinqertë në këtë zjarr, prej të cilit njerëzit frikësohen dhe largohen. Nëse nuk ka vullnet dhe vepra, fjalët janë asgjë. Lidhur me këtë, Allahu i Madhërishëm thotë:
وَ اِذَا سَاَلَکَ عِبَادِیۡ عَنِّیۡ فَاِنِّیۡ قَرِیۡبٌ ؕ اُجِیۡبُ دَعۡوَۃَ الدَّاعِ اِذَا دَعَانِ ۙ فَلۡیَسۡتَجِیۡبُوۡا لِیۡ وَ لۡیُؤۡمِنُوۡا بِیۡ لَعَلَّہُمۡ یَرۡشُدُوۡنَ ﴿۱۸۷﴾ 5
Nëse robërit e Mi të pyesin rreth Meje se ku Jam, thuaju se Unë jam shumë afër tyre. Unë i përgjigjem lutjes së lutësit. Andaj, duhet që edhe ata të kërkojnë takimin Tim përmes lutjeve dhe të Më besojnë, që të kenë sukses.
[1] “Dora e Allahut është mbi duart e tyre.” (El-Fet’h 48:11).
[2] “… dhe (o Muhammed!) kur ti gjuajte gurë (në drejtim të tyre), nuk i gjuajte ti, por Allahu i gjuajti.” (El-Enfal 8:18).
[3] El-Muxhadile 58:23.
[4] “Ne jemi më afër tij sesa damari i qafës.” (Kaf 50:17).
[5] “Kur robërit e Mi të pyesin rreth Meje, Unë pa dyshim jam afër. I përgjigjem lutjes së lutësit, kur ai Më lutet. Prandaj, edhe ata le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, që të udhëzohen.” (El-Bekare 2:187).