
Udhëheqësi dhe kryetari ynë, i Dërguari i Allahut, Profeti Muhammedsavs kishte ardhur në një kohë, kur bota ishte prishur në të gjitha aspektet, siç Allahu i Madhërishëm thotë:
ظَہَرَ الۡفَسَادُ فِی الۡبَرِّ وَ الۡبَحۡرِ 1
Edhe toka ishte prishur, po ashtu edhe detet ishin prishur. Kjo do të thotë se ishin degjeneruar edhe ata që quheshin popujt e Librit, edhe të tjerët që nuk kishin marrë ujin e shpalljes Hyjnore. Pra, synimi i Kuranit Famëlartë ishte të ringjallte të vdekurit, siç ai thotë:
اِعۡلَمُوۡۤا اَنَّ اللّٰہَ یُحۡیِ الۡاَرۡضَ بَعۡدَ مَوۡتِہَا 2
Dijeni që Zoti i Madhërishëm ka vendosur ta ringjallë tokën edhe një herë, pas vdekjes së saj. Gjendja e Arabisë, në atë kohë, ishte tmerrësisht barbare, saqë nuk kishte mbetur asnjë sistem njerëzimi tek arabët. Të gjitha ligësitë për ta ishin krenari. Një njeri martohej me qindra gra. Konsumi i gjërave të ndaluara ishte gjahu i tyre. Lejohej të martoheshin edhe me nënat e tyre. Për këtë arsye Zotit i është dashur të thoshte:
حُرِّمَتۡ عَلَیۡکُمۡ اُمَّہٰتُکُمۡ 3
Tani e tutje, juve ju ndalohet martesa me nënat tuaja.
Po ashtu, ata hanin ngordhësirat, hanin edhe mishin e njeriut, pra nuk ekzistonte ligësi që ata të mos e bënin. Shumica nuk besonin në botën e përtejme, madje pjesa dërrmuese e mohonte ekzistencën e Zotit. Bijat e tyre i vrisnin me duart e veta. Vrisnin jetimët dhe ua gllabëronin pasuritë. Ishin njerëz për të qenë, veç mend nuk kishin. Nuk kishin as turp e as sedër. Alkoolin e pinin si ujë. Ai që bënte më shumë kurvëri, konsiderohej kryetar i tyre. Analfabetizmi te ta ishte kaq i theksuar saqë, popujt përreth e quanin popull analfabet. Në një kohë të tillë dhe për t’i reformuar njerëzit e tillë kishte lindur udhëheqësi e kryetari ynë Hazret Muhammedisavs në Mekë.
Pra, ajo ishte pikërisht koha, kur do të bëheshin të tria reformimet që kemi përmendur më lartë. Kjo është arsyeja se pse Kurani Famëlartë deklaron të jetë udhëzimi më i përsosur dhe më i kompletuar ndër të gjitha udhëzimet e tjera të botës, sepse Librat e tjerë të botës nuk e gjetën kohën që gjeti Kurani Famëlartë. Me pak fjalë, synimi i Kuranit Famëlartë ishte që egërsirat t’i shndërronte në njerëz, njerëzit në njerëz të virtytshëm dhe njerëzit e virtytshëm në njerëz të Zotit. Prandaj, Kurani Famëlartë përbëhet nga të tria llojet e udhëzimeve.
[1] “Trazira është shfaqur në tokë dhe në det”. (Er-Rum 30:42)
[2] “Dijeni se Allahu ringjall tokën pas vdekjes së saj”. (El-Hadid 57:18)
[3] “Juve ju ndalohet martesa me nënat tuaja”. (En-Nisa 4:24)