
Pjesa e dytë e reformës që sjell Kurani përbën përshtatjen e gjendjeve instinktive, për t’i shndërruar ato në virtyte të larta. Kjo është një pjesë shumë e gjerë dhe po ta shtjellojmë me të gjitha hollësitë e saj, domethënë po të tregojmë të gjitha moralet që Kurani Famëlartë i përmend, atëherë as një të dhjetën e temës nuk mund të mbarojmë brenda kohës që kemi në dispozicion. Prandaj, si shembull do të përmendim vetëm disa morale të larta.
Duhet ditur që moralet ndahen në dy kategori: së pari, ato morale që aftësojnë njeriun për të hequr dorë nga e keqja dhe, së dyti, ato morale me të cilat ai aftësohet për të bërë vepra të mira. Në heqjen dorë nga e keqja bëjnë pjesë ato morale, me të cilat njeriu përpiqet të mos i sjellë dëm pasurisë, nderit dhe jetës së tjetrit, as me gjuhë, as me dorë, as me sy e as me ndonjë pjesë tjetër të trupit të tij, madje as të mendojë t’i shkaktojë dëm atij apo nderit të tij.
Kurse në bërjen e mirësisë, përfshihen të gjitha ato morale, me të cilat, njeriu përpiqet t’i sjellë dobi e nder dikujt tjetër, qoftë me gjuhën e tij, qoftë me dorën e tij, qoftë me pasurinë e tij, qoftë me dijen e tij, apo qoftë me ndonjë mënyrë tjetër, ose të synojë t’i bëjë nder atij, ose nëse dikush i ka bërë ndonjë padrejtësi, t’ia falë dënimin e merituar duke e mbrojtur atë nga problemet, nga dëmet fizike apo financiare, ose t’i japë një ndëshkim të tillë, që në të vërtetë të jetë vetëm mëshirë për të.