
Qëllimi i luftërave të Profetit Muhammed s.a.v.s. kurrsesi nuk ishte që të vriteshin njerëz e të derdhej gjak pa arsye. Muslimanët ishin dëbuar nga vendi i tyre ku kishin jetuar ata dhe etërit e tyre dhe shumë prej burrave dhe grave muslimanë ishin martirizuar. Mizorët nuk kishin ndërmend të hiqnin dorë nga mizoria dhe donin ta ndalonin mësimin e Islamit. Atëherë ligji i mbrojtjes i Zotit deshi t’i shpëtonte të shtypurit, që ata të mos asgjësoheshin tërësisht. Pra, ata që të parët e ngritën shpatën, po me shpatë u përballën.
Andaj, luftërat e Profetit s.a.v.s. ishin për t’i ndaluar vrasësit dhe për t’u mbrojtur nga e keqja e tyre, në një kohë kur njerëzit keqbërës donin t’i asgjësonin tërësisht ata që ndiqnin të vërtetën. Në këtë situatë, po të mos ndërmerrte Islami këtë mbrojtje, që është e drejta e çdokujt, mijëra fëmijë e gra të pafajshme do të vriteshin dhe në fund edhe Islami do të zhdukej nga faqja e dheut.
Kundërshtarët tanë gabojnë rëndë kur mendojnë se udhëzimi i shpallur prej Zotit në asnjë vend dhe për asnjë situatë nuk duhet të ketë mësim përballjen fizike me armikun dhe se gjithmonë të shfaqë dashurinë dhe mëshirën e tij në formën e durimit dhe të butësisë. Njerëzit e tillë mendojnë se e respektojnë shumë Zotin e Madhërishëm, duke i kufizuar të gjitha cilësitë e Tij brenda butësisë dhe ëmbëlsisë.
Por ata që meditojnë dhe thellohen, mund të kuptojnë fare lehtë që njerëzit e tillë ndjekin një gabim të hapët. Kur vështrojmë ligjin Hyjnor të natyrës, qartazi na del që Zoti pa dyshim që është i tëri mëshirë për botën, por mëshira e Tij jo gjithmonë shfaqet në formën e butësisë dhe të ëmbëlsisë. Madje, pikërisht duke u nisur nga mëshira absolute, Ai si një mjek herë na jep të pimë shyrypin e ëmbël, herë ndonjë ilaç të hidhur. Mëshira e Tij ndaj njerëzimit është si mëshira e njeriut që ka ndaj trupit të vet.
Është e sigurt që çdo njeri prej nesh e do trupin e tij të gjithin. Nëse dikush tenton të na heqë qoftë një fije floku, ne i zemërohemi pa masë. Dashuria jonë që kemi për trupin është e shpërndarë nga koka gjer në këmbë, saqë ne i kemi të përzemërta të gjitha gjymtyrët tona dhe nuk mund të mendojmë që qoftë ndonjëra prej tyre të dëmtohet. Por, pavarësisht nga kjo dashuri që kemi ndaj këtij trupi, ne jo çdo pjesë të trupit tonë e duam njëlloj. Gjymtyrët dhe organet kryesore që janë të pazëvendësueshme për ne, i duam më shumë se pjesët e tjera të trupit. Po ashtu, dashuria jonë ndaj një gjymtyre të vetme relativisht është më e vogël sesa dashuria jonë ndaj të gjitha gjymtyrëve në tërësi.
Për këtë arsye, kurdoherë që ne përballemi me një situatë që një gjymtyrë me rëndësi më të vogël na duhet të lëndojmë, ose të bëjmë ndërhyrje kirurgjikale në të, ose ta heqim, për të shpëtuar një tjetër gjymtyrë me rëndësi më të madhe dhe për të shpëtuar jetën, ne tregohemi të gatshëm për këtë. Pavarësisht se do të jemi të brengosur, sepse presim ose heqim një pjesë të trupit tonë, por duke menduar që infeksioni i asaj pjese të mos përhapet edhe në pjesët e tjera të pastra, ne detyrohemi ta bëjmë këtë gjë. Nga ky shembull mund të kuptojmë që edhe Zoti kur sheh që shërbëtorët e Tij të drejtë po shkatërrohen nga duart e adhuruesve të gënjeshtrës dhe po përhapin trazira në tokë, Ai bën dhe zbaton planin e duhur qoftë prej qiellit, qoftë prej tokës, sepse Ai siç është i Gjithëmëshirshëm (Rrahīm), është edhe i Urtë (Hakīm).
اَلۡحَمۡدُ لِلّٰہِ رَبِّ الۡعٰلَمِیۡنَ
Lavdia është e Allahut, Zotit të botëve!