Beteja e Nehavendit dhe arsyeja e ofensivës kundër Iranit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Beteja e Nehavendit dhe arsyeja e ofensivës kundër Iranit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Vijon përmendja e Kalifatit të Hazret Omerit r.a., konkretisht e disa betejave të kohës së tij. Njëra prej tyre është edhe Rrethimi i Gundishapurit

Rrethimi i Gundishapurit

Gundishapuri ishte një qytet i Khuzestanit. Kur Hazret Ebu Sebra ibën Rehmi u lirua nga fitorja mbi qytetet sasani, ushtria e tij marshoi drejt Gundishapurit. Lufta vijoi ditë e natë me ta, por kundërshtarët nuk u lëkundën nga vendi. Derisa njëri prej muslimanëve u dha propozimin e paqes.

Fjala e muslimanit nuk duhet të dalë e gënjeshtërt, qoftë kur vjen nga një skllav

Lufta ishte e tillë që armiku ishte i vetëmbyllur në rrethimin e tij, dhe sa herë që gjente mundësi, dilte dhe e sulmonte ushtrinë muslimane. Në këtë situatë, një musliman i thjeshtë, pra që nuk ishte ndonjë lider, i propozoi armikut marrëveshje për paqe. Atëherë ata i hapën portat. Bagëtitë zunë të dilnin, pazaret u hapën dhe njerëzit filluan të dilnin përjashta. Muslimanët u habitën nga ky ndryshim dhe i pyetën se pse po dilnin kaq lirshëm.

– Ju na keni dhënë garancinë e paqes dhe ne e kemi pranuar atë, iu përgjigjën ata, do t’ju japim xhizjen dhe ju do të na mbroni.

– Po, kur ju kemi dhënë garancinë? i pyeti muslimani, i habitur, dhe u tha se asgjë e tillë nuk kishte ndodhur.

– Nuk po ju gënjejmë, kështu është e vërteta, i thanë ata.

Muslimanët kur e hulumtuan çështjen, mësuan që një skllav i quajtur Muknif u kishte dhënë garancinë e paqes. Çështja shkoi deri tek Hazret Omeri r.a., dhe ai i udhëzoi muslimanët duke thënë:

Allahu i Madhërishëm i ka dhënë rëndësi të madhe besnikërisë. Ju nuk mund të jeni besnikë, derisa nuk do ta përmbushni fjalën që u ka dhënë kushdo prej jush, qoftë ai skllav apo ndokush tjetër. Për sa kohë që nuk jeni të sigurt, tolerojini dhe silluni me besnikëri me ta.

Kështu që, muslimanët e vërtetuan marrëveshjen dhe u kthyen. Me këtë aksion ushtarak do të përfundonte gama e fitoreve në Khuzestan.

Duke treguar po këtë ngjarje, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. tha:

Gjatë Kalifatit të Hazret Omerit r.a., një skllav afrikan, por që qe musilman, bëri një marrëveshje me një popull duke thënë se do të merrni këtë dhe atë pjesë. Kur ushtria muslimane mbërriti tek ai popull, këta të fundit ia kujtuan marrëveshjen. Oficeri i ushtrisë muslimane u tregua i rezervuar për ta pranuar dhe vërtetuar marrëveshjen. Çështja shkoi deri te Hazret Omeri r.a., i cili tha:

– Fjala e muslimanit nuk duhet të dalë e gënjeshtërt, qoftë ajo vjen nga një skllav.

Në një vend tjetër, duke treguar më shumë detaje të kësaj ngjarjeje, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. pohon:

Gjatë Kalifatit të Hazret Omerit r.a., njëherë muslimanët rrethuan ushtrinë e armikut, i cili u bind se nuk kishte më rrugëdalje. Ata e dinin se kryekomandanti i ushtrisë muslimane po u bënte presion nga rrethimi dhe se nëse kështjella e tyre do të binte në duart e tyre, ata do të silleshin me ta si me të pushtuarit.

Çdo musliman dinte dallimin mes atij që pushtohet, dhe atij me të cilin bëhet marrëveshje për paqe. Me të pushtuarit vendosej sipas ligjit të përgjithshëm të Islamit, kurse ata që kërkonin të bënin marrëveshje me muslimanët, përpiqeshin të rezervonin sa më shumë të drejta për veten e tyre. Andaj, armiku mendoi që të bënin marrëveshje me kushte sa më të lehta.

Kështu, një ditë, një musliman afrikan po mbushte ujë te burimi. Ata iu afruan dhe e pyetën:

– Si mendon, marrëveshja për paqe a nuk është më e mirë se lufta? ,

– Po ashtu është, iu përgjigj skllavi musliman.

– Pse mos të bëjmë paqe me ju me kushtin që ne të jetojmë lirshëm në vendin tonë, me pasuritë dhe pronat tona, kurse ju t’i keni tuajat? E pyetën muslimanin.

– Shumë mirë, iu përgjigj ai.

Ata i hapën portat e kështjellës. Kur ushtria muslimane arriti te ta, i thanë se ne e kemi bërë marrëveshjen me ju.

– Për cilën marrëveshje e keni fjalën dhe me cilin oficer keni folur? I pyetën muslimanët.

– Ne nuk e dimë kush është përgjegjësi juaj e kush jo! Iu përgjigjën ata. Një musliman po mbushte ujë te ky burim, e pyetëm dhe ai kështu na është përgjigjur.

Kur muslimanët hulumtuan, mësuan se kishte dalë një skllav afrikan por që qe musliman, dhe ai pikërisht kishte biseduar me ta. E thirrën dhe e pyetën, dhe ai e konfirmoi bisedën. Muslimanët u kthyen te kundërshtarët – Po, ai qenka skllav dhe nuk ka asnjë tagër të marrë ndonjë vendim.

– Ne nuk e dinim se ai ishte oficeri juaj apo skllav.

Pra, kundërshtarët u treguan të zgjuar. Kryekomandanti i ushtrisë së muslimanëve nuk e pranoi mendimin e kundërshtarëve dhe tha se i duhet të konsultohej me Hazret Omerin r.a.. Kur Hazret Omeri r.a. mori letrën e tij, iu përgjigj:

– Lëshohet njoftimi që nga tani e tutje asnjëri nga muslimanët nuk ka tagër të bëjë bisedime me kundërshtarët. Megjithatë, për sa kohë që një musliman ua ka dhënë fjalën për marrëveshje, unë nuk mund ta përgënjeshtroj dot atë. Marrëveshja është bërë dhe muslimanët janë të obliguar ta pranojnë atë.

Arsyeja pse Hazret Omeri r.a. vijoi mësymjen kundër Iranit

Cila ishte arsyeja që e detyroi Hazret Omerin r.a. të vijonte mësymjen kundër Iranit dhe arriti edhe fitoren? Me zemër Hazret Omeri r.a. dëshironte që pas betejave në Irak dhe Huvaz, luftërat të merrnin fund, pasi sipas tij nuk kishte më arsye që të vijonin luftën.

Hazret Omeri r.a. vazhdimisht shprehte dëshirën – Do të ishte mirë sikur të ketë një pengesë mes nesh dhe iranianëve, që as ata të mos vijnë dot te ne e as ne të mos shkojmë dot te ta. Megjithatë, tentativa të përsëritura ushtarake të iranianëve nuk e lejuan Hazret Omerin r.a. ta përmbushte dëshirën e tij.

Në vitin 17 h., një trup ushtarak i ushtrisë muslimane nga fronti i luftës erdhi në Medinë për ta takuar Hazret Omerin. Kalifi i Islamit i pyeti se pse po shpërthente rebelimi herë pas here në zonat që muslimanët i kishin fituar. Hazret Omeri dëshironte të dinte se mos vallë muslimanët i shqetësonin qytetarët e këtyre zonave.

Delegacioni i tregoi Hazret Omerit se nuk ndodhte ashtu siç mendonte ai, përkundrazi. Ata thanë se në të vërtetë muslimanët punojnë me besnikëri të plotë dhe me organizim të shkëlqyer.

Atëherë, cili është shkaku i trazirave? I pyeti Hazret Omeri. Anëtarët e delegacionit nuk i dhanë dot një përgjigje të kënaqshme, përveç Ahnef ibën Kejsit, i cili tha:

– O Emiri i Besimtarëve! Unë do t’jua tregoj situatën. Në të vërtetë ju na keni ndaluar nga mësymjet e mëtejshme dhe na keni porositur të qëndrojmë aty ku jemi, por mbreti iranian është ende i gjallë, dhe për sa kohë ai është i gjallë, iranianët do të vijojnë të luftojnë me ne. Nuk mundet që në një shtet të ketë dy qeveri. Njëra patjetër do ta dëbojë tjetrën. Andaj, në atë zonë do të jenë ose iranianët, ose ne.

Ahnefi vijoi:

– Ju e dini se ne nuk kemi pushtuar vetë ndonjë tokë dhe kështu ishte edhe urdhri juaj. Armiku na sulmonte dhe ne ishim të detyruar t’i kundërpërgjigjeshim. Kështu arritëm t’i pushtonim këto zona.

Ky ligjërim është një argument kundër atyre muslimanëve, të cilët e quajnë të obligueshëm xhihadin me armë në çdo rrethanë, po kështu, është argument edhe për kundërshtarët e Islamit për të treguar që muslimanët kurrë nuk luftuan për të pushtuar tokat apo shtetet. Kundërshtarët e tyre i sulmonin, dhe muslimanët luftuan për hir të vendosjes së paqes, dhe në këto ofensiva ushtarake, ata fituan. Kështu që, Ahnefi tha:

– Ushtritë vijnë me urdhrin e mbretit të tyre dhe ata do të vijojnë të shkaktojnë trazira, derisa ju nuk na jepni urdhrin për marshimin kundër tyre dhe që ta rrëzojmë mbretin e Iranit. Vetëm atëherë do të bjerë fuqia e iranianëve.

Hazret Omeri e konsideroi të arsyeshëm mendimin pasi u bind që nuk kishte zgjidhje tjetër për vendosjen e paqes, përveçse të bëhej marshimi drejt Iranit. Përndryshe, edhe luftërat do të vijonin,  edhe muslimanët do të vazhdonin vriteshin.

Beteja e Nehavendit, fitorja e fitoreve

Pavarësisht nga arsyetimi sa më sipër, Hazret Omeri e zbatoi këtë vendim pas një vit e gjysmë ose dy vitesh, pra në vitin 21 h., pas betejës së Nehavendit, kur iranianët kishin dalë me një ushtri gjigande kundër muslimanëve.

Tri betejat vendimtare mes musilmanëve dhe iranianëve

Beteja e Nehavendit për muslimanët gjithashtu quhet “fitorja e fitoreve”. Në betejat në Iran dhe në Irak, tri prej tyre kanë qenë vendimtare:

  1. Beteja e Kadisijes,
  2. Beteja e Xhelules
  3. Beteja e Nehavendit

Dhe për nga fitorja dhe rezultatet, Beteja e Nehavendit ishte kaq e rëndësishme, saqë për muslimanët u cilësua si “fitorja e fitoreve”. Pas dy humbjeve të thella, iranianët pikërisht në këtë betejë do të bënin përpjekjen e tyre të tretë dhe përfundimtare kundër muslimanëve.

Mbreti i Iranit i cili në atë kohë ishte në Merv, dhe sipas Ebu Hanife ed-Dineveriut ishte në Kum, u angazhua fuqishëm në mbledhjen e ushtrisë së tij për të luftuar me muslimanët. Përmes letërkëmbimeve të tij, ai vuri në lëvizje të gjitha forcat nga Horasani deri në Sind. Ushtritë iraniane filluan të dyndeshin nga çdo anë në Nehavend.

Ku ndodhet Nehavend?

Nehavend është një qytet i Iranit që ndodhet në Lindje të Kermanshahut, dhe afërsisht 70 kilometra në Jug të Hamedanit, kryeqytetit të provincës Hamedan. Nehavendi ishte një qytet i rrethuar tërësisht nga malet.

Hazret Sa’di përmes një letre njoftoi Hazret Omerin r.a. për mbledhjen e ushtrive iraniane në Nehavend. Pas pak ditësh kur Hazret Omeri r.a. e liroi Hazret Sa’din nga detyra e tij, ai pati mundësinë të shkonte në Medinë e ta takonte Hazret Omerin, ku e bëri me dije për situatën edhe gojarisht.

Kalifi i kohës pasi e shkarkoi Hazret Sa’din, ngarkoi Hazret ‘Amar bin Jaserin në këtë detyrë të rëndësishme. Hazret ‘Amari vazhdoi t’i dërgonte Hazret Omerit njoftime për zhvillimet që bëheshin në ushtrinë iraniane.

Këshillim i rëndësishëm i Hazret Omerit me sahabët për luftën me Iranin

Hazret Omeri r.a. mblodhi Këshillin. U ngrit në minber dhe mbajti fjalim, në të cilin tha:

O populli arab! Allahu ju ka fuqizuar përmes Islamit, ju ka bashkuar pas ndasisë, ju ka pasuruar pas skamjes, dhe në cilëndo fushëbetejë u përballët me armikun, juve ju dha fitoren. Andaj, ju as nuk u dobësuat dhe as nuk u mundët.

Por tani djalli ka mbledhur një ushtri, që të shuajë dritën e Allahut. Kam letrën e ‘Amar bin Jasirit, që thotë se iranianët po mblidhen nga rajonet Kumis, Tabaristan, Nehavend, Gorgan, Isfahan, Kum, Hamedan, Muin, Sabzan etj., që të luftojnë me vëllezërit tuaj që janë në Kufa e Basra, dhe duan t’i dëbojnë nga vendet e tyre dhe të sulmojnë shtetin tuaj. O njerëz! Më këshilloni në lidhje me këtë. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Nuk dua të kundërshtoni shumë njëri-tjetrin. Dua të më jepni një këshillë shkurt e saktë. A është e udhës që unë vetë të nisem për këtë betejë kundër Iranit dhe, duke qëndruar në ndonjë vend midis Basrasë e Kufës, të ndihmoj ushtrinë time, dhe nëse me ndihmën e Zotit, do të gëzojmë fitoren, ta dërgoj ushtrinë për ofensivën e mëtejshme në zonat e armikut?

Mendimi i Hazret Talha bin ‘Ubejdullahut r.a.

Pas fjalimit të Hazret Omerit, Hazret Talha bin ‘Ubejdullahu u ngrit, pohoi shahadetin dhe tha:

O Emiri i besimtarëve! Qeverisja e vendit ju ka bërë të zgjuar. Përvoja ju ka bërë të mprehtë. Bëni çfarë të mendoni të arsyeshme, ne jemi me ju. Na jepni urdhër, do ta zbatojmë. Na thërrisni, do t’ju përgjigjemi me pohim. Na dërgoni, do të shkojmë. Nëse doni të na merrni me vete, do t’ju shoqërojmë. Vendosni vetë, sepse jeni i mençur dhe me përvojë.

Mendimi i Hazret Uthmanit r.a.

Talha u ul pas fjalës së tij, por Hazret Omeri vijoi të kërkonte këshillë.

– Flisni o njerëz, sepse vendimi që do të marrim sot, do të ketë rezultate afatgjata.

Pastaj Hazret Uthmani r.a. u ngrit dhe tha:

O Emiri i besimtarëve! Unë mendoj që ju të dërgoni urdhra në Sham dhe në Jemen që ushtritë muslimane që janë aty të nisen drejt Iranit. Po kështu, t’u dërgoni urdhër ushtrive tanë edhe në Basra që të nisen për luftë. Kurse ju vetë të merrni ushtrinë tonë që kemi këtu në Hixhaz, dhe të niseni për në Kufa. Nëse veproni në këtë mënyrë, nuk do të keni frikë për numrin e madh të ushtrisë së armikut. Vërtet ky është një moment që do të sjellë efekte afatgjata, andaj, prania juaj me vëllezërit e tjerë në frontin e luftës është e nevojshme.

Mendimi i Hazret Aliut r.a.

Shumica e mexhlisit e pëlqyen mendimin e Hazret Uthmanit dhe muslimanët e pranishëm pohuan fuqishëm se kështu duhej vepruar. Megjithatë, Hazret Omeri vijoi të kërkonte mendim. Pra, ai nuk e pranoi akoma këshillën e dhënë. Më pas Hazret Aliu u ngrit dhe mbajti një fjalim të gjatë. Ai tha:

O Emiri i besimtarëve! Nëse lëshoni urdhër që ushtritë tona që janë në Sham të zhvendosen, bizantinët do ta pushtojnë atë zonë. Nëse largoni ushtritë nga Jemeni, shteti i Abisinisë do ta pushtojë Jemenin. Nëse ju vetë niseni nga këtu, muslimanët nga çdo cep i vendit do të vijnë për t’ju ardhur në ndihmë, dhe sapo ju do të dilni jashtë vendit për të luftuar me rrezikun, një rrezik akoma më i madh do të hyjë në vend duke e gjetur boshë atë.

Andaj, në vend të këshillës së dhënë deri më tani, Hazret Aliu e këshilloi:

Dërgojini një urdhër ushtrisë sonë në Basra që ta ndajnë gjithë ushtrinë në tri pjesë. Njëra pjesë të caktohet për mbrojtjen e qytetarëve dhe të pronave brenda vendit islamik. Një pjesë tjetër të caktohet në zonat e pushtuara, me banorët e të cilave tanimë kemi marrëveshje për paqe, në mënyrë që në kohë lufte, banorët e atyre zonave të mos dalin të pabesë dhe të mos rebelohen kundër nesh. Dhe një pjesë tjetër të dërgohet drejt Kufës për t’iu bashkuar ushtrisë muslimane. Po kështu, t’i dërgoni urdhër ushtrisë sonë në Kufa që një pjesë të qëndrojë atje ku është, kurse dy pjesë të tjera të dërgohen për të luftuar me armikun. Gjithashtu, t’i dërgoni urdhër edhe ushtrisë sonë në Sham që dy pjesë të ushtrisë të qëndrojë në vend, kurse një pjesë e saj të shkojë në Iran për luftë. Edhe Omanit dhe provincave të tjera t’u dërgoni urdhra të ngjashëm.

Hazret Aliu r.a. vijoi:

Pjesëmarrja juaj në betejë nuk është e duhura, sepse ju jeni ajo fije me të cilën janë lidhur perlat. Nëse fija këputet ose zgjidhet, perlat bien dhe nuk do të lidhen më kurrë. Përveç kësaj, nëse iranianët do të mësojnë se vetë sundimtari i Arabisë po vjen në frontin e luftës, ata do të përpiqen të konsumojnë gjithë forcën e tyre për të luftuar me muslimanët. Për sa u përket lëvizjeve ushtarake të armikut që ju e përmendët, Allahu i Madhërishëm i urren lëvizjet e tyre, dhe Ai është i Plotfuqishëm ta ndryshojë atë që e urren. Edhe në të kaluarën, tradita jonë ishte që luftonim duke u mbështetur te ndihma e Allahut dhe jo te numri i ushtrisë. Andaj, për ne fitorja dhe humbja nuk varen nga numri i ushtrisë sonë. Kjo është feja e Allahut që Ai e ka bërë triumfuese, dhe është ushtria e Tij të cilën e ka ndihmuar përmes engjëjve. Pra, ne kemi premtimin e Allahut dhe Allahu patjetër do ta plotësojë premtimin e Tij, duke e ndihmuar ushtrinë e Tij.

Hazret Nu’man bin Mukrini kryekomandanti i ushtrisë së muslimanëve kundër Iranit

Hazret Omeri r.a. ndau mendim me Hazret Aliun r.a., që nëse ai do të nisej vetë, muslimanët do t’i bashkoheshin nga çdo anë dhe, nga ana tjetër, edhe armiku do të mblidhte gjithë forcën e tij duke menduar se po ta fitonte këtë betejë, do ta rrëzonte Arabinë përgjithmonë, andaj, vajtja e tij në betejë nuk qe e përshtatshme. Pastaj Hazret Omeri r.a. u kërkoi:

– Më jepni mendimin se kë duhet ta dërgoj si kryekomandant të kësaj lufte, por ai të jetë nga ata që morën pjesë në luftërat në Irak, që të ketë përvojë për atë zonë. Njerëzit iu përgjigjën

– Ju vetë e dini më mirë për banorët e Irakut dhe për ushtrinë tonë atje, pasi ata ju kanë ardhur herë pas here në formë delegacionesh. Prandaj, ju mund ta bëni zgjedhjen e duhur për këtë detyrë.

Shikimi i mprehtë i Hazret Omerit r.a. për këtë përgjegjësi piketoi Hazret Nu’man bin Mukrinin, i cili qe një sahab i nderuar i Profetit Muhammed s.a.v.s.

Sipas një rrëfimi tjetër, Hazret Nu’mani po falte namaz në xhami, ndërkohë erdhi Hazret Omeri, e pa dhe u ul pranë tij. Kur Nu’mani e përfundoi namazin, Hazret Omeri i tha:

– Dua të ngarkoj me një detyrë.

– Nëse detyra është ushtarake, jam i gatshëm, por nëse ka të bëjë me mbledhjen e taksave, nuk do të më pëlqente, iu përgjigj Nu’mani.

Hazret Omeri i tha – Jo, është një detyrë ushtarake.

Por rrëfimi më i saktë në lidhje me caktimin e Nu’manit për betejën e Nehavendit, duket se është ai që përmendet në Tabari, ku thuhet:

Ibni Is’haku thotë se në ngjarjet e Nehavendit është përmendur që Nu’man bin Mukrini ishte caktuar si taksambledhës në Kesker. Ai i shkroi një letër Hazret Omerit r.a. duke thënë:

“Sa’d bin Ebi Vekkasi më caktoi të mbledh taksat, ndërkohë mua më pëlqen të jem në xhihad.”

Atëherë Hazret Omeri i shkroi Sa’d bin Ebi Vekkasit:

– Nu’mani më njoftoi që e keni caktuar për të mbledhur taksat, kurse ai nuk e pëlqen këtë punë dhe dëshiron të jetë në xhihad, andaj, dërgojeni atë për betejën më të rëndësishme të Nehavendit.

Kështu që, kjo udhëheqje e rëndësishme iu dha Hazret Nu’man bin Mukrinit, dhe ai u nis për t’u përballur me armikun.

Letra e Hazret Omerit drejtuar Hazret Nu’man bin Mukrinit

Nu’mani ndoshta ishte në Kufa, kur Hazret Omeri i shkroi një letër, dhe edhe kjo letër e mbështet mendimin që ai atëherë nuk qe në Medinë, por në Kufa. Hazret Omeri i shkroi:

Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit

Drejtuar Nu’man bin Mukrinit

Selamun alejk

Lavdëroj Allahun, përveç të cilit nuk ka të adhurueshëm tjetër.

Jam njoftuar që një ushtri e madhe e iranianëve është mbledhur në Nehavend për t’u ndeshur me ju. Kur ta gjeni këtë letër timen, merrni muslimanët dhe, me lejen dhe ndihmën e Allahut të Madhërishëm, nisuni. Por mos i çoni ata në vende të thata, sepse do të hyjnë në vështirësi. Mos u tregoni i dobët në përmbushjen e detyrave ndaj tyre, që ata të mos bëhen mosmirënjohës. Mos i çoni as në zonat me baltë nga ku dalja e tyre të jetë e vështirë, sepse unë e dua secilin muslimanin më shumë se njëqind mijë dinarë.

Dhe paqja qoftë me ju!

Në zbatim të këtij urdhri, Hazret Nu’mani u nis për t’u ndeshur me armikun. Në ushtrinë e tij ishin disa nga muslimanët e shquar dhe trima, si:

  • Hudhejfe bin Jeman
  • Ibn Umer
  • Xherir bin Abdil-lah el-Bexheli
  • Mugire bin Shu’be
  • ‘Amr bin Ma’di Jekrib
  • Tulejhe bin Khuvejlid el-Esedi
  • Kajs bin el-Mekshuh el-Muradi, etj.

Hazret Omeri kishte porositur:

Nëse Nu’man bin Mukrini bie dëshmor, Hudhejfe bin Jemani do të jetë udhëheqës; pas tij Xherir ibën Abdil-lah el-Bexheli dhe pas tij, Mugire bin Shu’be.

Në lidhje me ‘Amr bin Ma’diun dhe Tulejhe bin Khuvejled el-Esediun, Hazret Omeri i shkroi Nu’manit:

– ‘Amr bin Ma’di dhe Tulejhe bin Khuvejled el-Esedi  të jenë me ju. Të dy janë luftëtarë të fortë arabë. Këshillohuni me ta në çështjet e luftës, por mos i caktoni përgjegjës për ndonjë punë.

Marshimi drejt Nehavendit

Sidoqoftë, ushtria islame u nis. Hazret Nu’mani përmes spiunëve të tij kishte mësuar se rruga është e sigurt deri në Nehavend, aty ku armiku kishte mbledhur ushtrinë e tij. Ata kishin mësuar gjithashtu që numri i ushtrisë së kundërshtarëve ishte shumë i madh. Sipas disa historianëve, numri i tyre ishte nga gjashtëdhjetë mijë deri në njëqind mijë ushtarë, por sipas rrëfimit që gjendet në Buhari, ata ishin dyzet mijë, dhe realisht, kjo duket më e sakta, kurse e para ekzagjerim.

Negociatat me iranianët

Iranianët deshën që muslimanët të dërgonin dikë për negociata. Hazret Mugire bin Shu’be shkoi për këtë detyrë. Ata kishin organizuar një takim madhështor. Kryekomandanti iranian me një kurorë në kokë qe ulur në një fron të praruar. Oborrtarët ishin të ulur me armë nëpër duar. Kishte edhe përkthyes. Kryekomandanti iranian e përsëriti të njëjtën histori duke thënë:

– Ju arabë të poshtër në çdo aspekt të jetës! Unë nuk u jap urdhër komandantëve të mi t’ju vrasin ju, sepse nuk dua që shigjetat e tyre të ndoten nga trupat tuaja të pistë. (Neudhubil-lah!) Keni kohë ende. Kthehuni, dhe ne do t’ju lirojmë, përndryshe, fushëbeteja do të mbushet me kufomat tuaja.

Por çfarë mund t’u bënin muslimanëve kërcënimet qesharake të armikut! Hazret Mugire tha:

– Me ardhjen e Profetit Muhammed s.a.v.s. ka mbaruar ajo kohë që thoni.

Rreshtimi i ushtrive

Shkurt, negociatat dështuan. Të dyja ushtritë u përgatitën për t’u ndeshur. Pararojën e ushtrisë muslimane e drejtonte Naim bin Mukrini, kurse anësoret Hudhejfe bin Jemani dhe Suvejd bin Mukrini. Kalorësit sulmues i udhëhiqte Ka’ka bin ‘Amri. Dhe praparojën e ushtrisë e drejtonte Muxhashiu.

Strategjia e veçantë e muslimanëve në betejën e Nehavendit

Përleshje të herëpashershme ndodhën, por luftë e mirëfilltë ende jo, dhe ajo ishte shumë e rrezikshme vetë për muslimanët. Sepse kundërshtarët ishin të mbrojtur për shkak të tuneleve, të fortesave dhe të shtëpive që kishin, kurse muslimanët ishin në fushë të hapur. Armiku sa herë që gjente mundësi, dilte, bënte sulmin dhe kthehej në fortifikimet e tij.

Për sa u përket armatimeve, iranianët i kishin kaq shumë saqë një rrëfimtar thotë se kur i ka parë në lëvizje, iu duk një kodër me hekur. Duke e parë situatën, Kryekomandanti i muslimanëve Nu’man bin Mukrini thirri mbledhjen për t’u këshilluar. U thirrën luftëtarët me përvojë, të cilëve Nu’mani iu drejtua:

– Ju e shikoni se si armiku është i sigurt për shkak të kështjellave, tuneleve dhe shtëpive të tij. Kur i teket, del dhe na sulmon. Pra, ne nuk mund të luftojmë, për sa kohë që ai nuk del për të luftuar me ne. Nga ana tjetër, ata vazhdimisht kanë përforcime. Më jepni mendimin se çfarë metode të ndjekim për të nxjerrë armikun në log sa më shpejt.

Pasi e dëgjuan Kryekomandantin, më i moshuari i këtij mexhlisi, ‘Amr bin Sebiu tha:

– Ata janë të vetëmbyllur në kështjella, dhe kjo është e rëndë për ata sesa për ne muslimanët. Andaj, duhet ta zgjasim edhe më shumë rrethimin. Por, njëkohësisht duhet të vijojmë të luftojmë me luftëtarët e tyre që dalin herë pas here.

Këshilli nuk e pranoi mendimin e ‘Amr bin Sebiut. Pas tij, ‘Amr bin Ma’di Jekrib mori fjalën dhe tha:

– Nuk duhet të frikësohemi. Duhet të dalim përpara e ta sulmojmë armikun me gjithë forcën tonë.

Por edhe ky mendim nuk u pranua. Luftëtarët me përvojë thanë se nëse do të marshonin përpara për të sulmuar, ata nuk do të ndesheshin me armikun, por vetëm me muret e tij. Këto mure e ndihmonin armikun kundër muslimanëve. Pastaj u ngrit Tulejhe dhe tha:

– Sipas meje të dyja mendime nuk mund të jenë të përshtatshme për këtë situatë. Mendimi im është që të dërgojmë drejt kundërshtarëve një çetë të vogël ushtarësh, të cilët të shigjetojnë drejt tyre për të ndezur përplasjen. Ata do të dalin jashtë për t’u përballur me çetën tonë. Në këtë rast, çeta jonë të zmbrapset duke treguar se po humbet dhe po largohet nga beteja. Ka mundësi që kundërshtarët të gëzohen dhe, duke lakmuar fitoren, të dalin që të gjithë. E kur të dalin në fushë, ne do të ndeshemi fort me ta.

Hazret Nu’mani e pranoi këtë mendim dhe ngarkoi Hazret Ka’kaun që ta realizonte planin. Ai veproi sipas planit që tregoi Tulejhe dhe ndodhi pikërisht ashtu siç ishte parashikuar. Pas sulmit, Ka’kau bëri sikur po mundej, dhe filloi të tërhiqej. Ushtria e armikut, nga ana tjetër, doli potershëm nga gëzimi i fitores, derisa të gjithë dolën nga fortesat e tyre. Mbetën vetëm rojat që qëndronin nëpër porta.

Ushtria e armikut në shtyrje e sipër doli nga vendet e saj të sigurta dhe kaq shumë iu afrua ushtrisë muslimane, saqë disa muslimanë u lënduan nga shigjetat e saj. Megjithatë, Hazret Nu’mani ende nuk e dha urdhrin për sulm të përgjithshëm. Hazret Nu’man bin Mukrini kishte shumë dashuri me Profetin Muhammed s.a.v.s., dhe Profeti s.a.v.s. e kishte si praktikë që nëse nuk fillonte lufta që në mëngjes, priste derisa dielli të kalonte zenitin e të binte, dhe të fillonte të frynte.

Disa muslimanë nuk duronin dhe donin të bënin sulmin sa më parë. Dhe pasi disa prej tyre u lënduan nga shigjetat e armikut, vrulli i tyre për të sulmuar sa vinte shtohej. Ata shkonin te Kryekomandanti për të marrë leje për sulm, por ai u thoshte – Prisni edhe pak.

Hazret Mugire bin Shu’be tha i shqetësuar – Po të isha unë në vendin tënd, do ta lëshoja urdhrin për sulm.

– Duro edhe pak, i tha Nu’mani, sigurisht nëse do të ishe ti Kryekomandant, do të organizoje më mirë, por edhe sot Zoti nuk do të na turpërojë ne. Ajo që dëshironi ta merrni me nxitim, unë dua ta marrë me qetësi.

Trimëria e komandantëve muslimanë

Kur mesdita filloi të kalonte, Hazret Nu’mani hipi në kalë dhe e rendi në tërë ushtrinë e tij. Qëndronte në çdo vend ku kishte flamur dhe u drejtohej ushtarëve me fjalë plot patos. Gjithashtu, bëri lutje që ai të binte dëshmor, dhe fjalët e tij ishin kaq prekëse, saqë muslimanët zunë të qanin. Më pas u dha udhëzimin:

– Do të them tri herë tekbirin dhe do të tund edhe flamurin. Në herën parë të gjithë të bëheni gati, në herën e dytë të ngrehni armët dhe kur ta them tekbirin për herë të tretë dhe ta tund edhe flamurin, unë vetë do t’i vërsulem armikut, dhe secili prej jush të bëjë të njëjtën gjë.

Pas kësaj, Nu’mani bëri dua duke thënë:

– O Zot! Ndero fenë Tënde! Ndihmo robërit e Tu, dhe në këmbim të kësaj, Nu’manin bëje dëshmor të parë të kësaj beteje!

Ushtria e muslimanëve u hodh mbi ushtrinë e armikut. Rrëfimtari pohon:

– Vrulli i tyre ishte kaq i fortë, saqë për asnjërin prej tyre nuk mund të shpresoje se mund të kthehej pa gëzuar ose pozitën e dëshmorit, ose fitoren. Duke mbartur flamurin, Nu’mani si një shqiponjë iu ndërsye armikut.

Nu’man bin Mukrini r.a., Kryekomandanti i muslimanëve bie dëshmor

Muslimanët bënë një sulm të bashkuar me shpatat e tyre, megjithatë, edhe rreshtat e armikut po qëndronin të palëkundura. Përplasja e shpatave të hekurta shkaktoi një zhaurimë të madhe. Kuajt e muslimanëve rrëshqisnin për shkak të gjakut të derdhur.

Hazret Nu’mani u plagos. Edhe kali i tij rrëshqiti dhe ai u rrëzua përtokë. Për shkak të veshjes dhe të çallmës së tij të bardhë, ai dallohej nga larg. Naim bin Mukrini, vëllai i tij, kur e pa duke u rrëzuar, bëri zgjuarsi të madhe që nuk e la flamurin të binte, kurse Nu’manin e mbuloi me një çarçaf. Me flamurin në dorë, shkoi te Hudhejfe bin Jemani, i cili do të ishte mëkëmbësi i Nu’manit. Të dy bashkë sërish shkuan aty ku kishte rënë Nu’mani dhe atje e nguli flamurin. Sipas këshillës së Hazret Mugire bin Shu’bes, deri në fund të betejës, u mbajt sekret vdekja e Hazret Nu’manit.

Në librin “El-Ahbarut-tiwal” shkruhet:

Kur Hazret Nu’man bin Mukrini ra i plagosur, vëllai i tij e mori dhe e çoi në çadër. Më pas, u vesh me veshjen e tij, mori shpatën e tij dhe po në kalin e tij u kthye në fushëbetejë. Shumica e njerëzve mendonin se ai ishte Hazret Nu’mani.

Bindja shembullore ndaj Emirit edhe në një situatë kritike

Duke përmendur shembullin e bindjes ndaj Emirit në një situatë tepër kritike, Historiani i Tabariut shkruan:

Hazret Nu’mani kishte bërë njoftimin – Nëse Nu’mani do të vritet, askush nuk duhet t’i kushtojë vëmendjen atij duke e lënë luftën, përkundrazi të vijojë të luftojë me armikun. Mu’kili thotë:

Kur Nu’mani ra përtokë, shkova pranë tij. Papritmas m’u kujtua urdhri i tij, atëherë menjëherë u ktheva në fushëbetejë për të vijuar luftën. Lufta vazhdoi fort gjithë ditën. Sapo filloi të errësohej, ushtria e armikut e humbi kontrollin. Muslimanët e morën betejën. Iranianëve iu vranë komandantë të tyre kryesorë. Pas fitores, unë sërish shkova te Nu’mani. Akoma i regëtinte zemra. Ia lava fytyrën me ujin që kisha në shtambën time. Më pyeti emrin dhe pyeti edhe gjendjen e muslimanëve.

– Të jap lajmin e mirë të ndihmës së Allahut dhe të fitores! I thashë.

– Elhamdulil-lah! Njoftojeni Omerin! Më tha.

Fitorja e fitoreve

Këtej, Hazret Omeri po priste me padurim rezultatin e luftës. Natën që ai shpresonte se po bëhej lufta atje, e kaloi shumë i shqetësuar dhe zgjuar. Rrëfimtari thotë se tërë kohën vetëm po i lutej Zotit në atë mënyrë, sikur të ishte një grua shtatzënë për të lindur.

Lajmëtari mbërriti në Medinë me lajmin e fitores.

– Elhamdulil-lah!, tha Hazret Omeri, dhe e pyeti për Nu’manin.

Lajmëtari e njoftoi se ai kishte rënë dëshmor. Hazret Omeri u brengos. Vuri duart mbi kokë dhe zuri të qante. Lajmëtari përmendi edhe emra të tjerë të dëshmorëve muslimanë. Pastaj tha:

– O Emiri i besimtarëve! Ka edhe shumë muslimanë të tjerë që ranë dëshmorë, të cilët ju nuk i njihni.

– Ata nuk kanë humbur asgjë nëse nuk i njeh Omeri, sepse Allahu i njeh ata, i tha Hazret Omeri lajmëtarit duke qarë. – Ata edhe pse janë të panjohur në mesin e muslimanëve, por Allahu i ka nderuar me martirizimin e tyre.

Pas betejës, muslimanët i ndoqën armiqtë deri në Hamedan. Duke parë këtë, krerët iranianë Khusro Shunum në emër të qyteteve të Hamedanit dhe Rustegit ua morën garancinë muslimanëve në këmbim të marrëveshjes që ata nuk do t’i sulmonin muslimanët. Qyteti Nehavend ra në duar të muslimanëve. Fitorja e Nehavendit ishte shumë e rëndësishme për nga rezultatet e saj. Pas kësaj, iranianët nuk do të kishin më mundësi t’i bashkonin forcat e tyre kundër muslimanëve. Muslimanët këtë fitore e quajtën “Fitore e fitoreve”.

Ofensivë e përgjithshme kundër Iranit

U hodh propozimi edhe për marshimin e përgjithshëm mbi Iranin. Ndonëse muslimanët kishin të drejtën morale dhe ligjore që të shtypnin deri në fund shtetin mizor, pasi ai i sulmonte vazhdimisht, Hazret Omeri i dhembshur e urrente gjakderdhjen e mëtejshme. Duke qenë shërbëtor i vërtetë i Mëshirës për tërë botën (Rahmatul-lil-‘alemin) s.a.v.s., ai donte që ushtria iraniane, pas kësaj humbjeje në zonat kufitare, t’u jepte fund aksioneve ushtarake kundër muslimanëve, në mënyrë që kjo luftë të përfundonte që këtu.

Hazret Omeri shumë herë e shprehu këtë dëshirë përpara njerëzve. Madje, ushtritë muslimane që qenë në Iran dhe në Irak, i ndaloi rreptësishtë të bënin të parët ndonjë aksion ushtarak. Por, për shkak të përpjekjeve ushtarake të kundërshtarëve dhe të tentativat të tyre të vazhdueshme për të ngjallur kryengritje në zonat e fituara, dëshira e Hazret Omerit nuk u sendërtua dot.

Përfundimisht, pasi diskutoi me një delegacion të ardhur nga fronti i luftës, ai vendosi që nuk kishte rrugëzgjidhje pa e vijuar marshimin. Kjo ndodhi në vitin 17 h.. Por pavarësisht nga ky vendim, Hazret Omeri nuk i dha ushtrisë urdhrin për të marshuar përpara. Por siç u tha më sipër, situata nuk e lejonte të bënte më shumë durim.

Hazret Omeri e pa që Jazdegiri çdo vit dërgonte një ushtri për të ndezur zjarrin e luftës. Muslimanët vazhdimisht i kërkonin – Jazdegiri gjersa të sundojë mbretërinë e tij, nuk do të ketë ndryshim në sjelljen e tij. Beteja e Nehavendit e përforcoi këtë mendim. I detyruar nga kjo situatë, më në fund, pas betejës së Nehavendit, në vitin 21 h., Hazret Omeri u dha leje muslimanëve të vijonin marshimin ushtarak. Bëri një plan të fitores mbi gjithë Iranin dhe e dërgoi në Kufa, e cila në atë kohë ishte si një repart ushtarak për muslimanët.

Hazret Omeri r.a. caktoi kryekomandantë të ndryshëm për provinca të ndryshme të Iranit dhe nga Medina ua dërgoi flamujt, të cilët ai i kishte përgatitur vetë. Flamurin për Horasanin ia dorëzoi Ahnef bin Kejsit, flamurin për Estekhranë Uthman bin Ebu ‘Asit, flamurin për Ardashirin dhe Shapurin Mexhash bin Mes’udit, flamurin për Fasanë dhe Darabgerdin Sarije bin Zenimit, flamurin për Sixhistanin ‘Asim bin ‘Amrit, flamurin për Makranin Hakam bin ‘Amrit, dhe flamurin për Kermanin i dha Es’hel bin ‘Adiut.

Po kështu, për fitoren e Azerbajxhanit i dërgoi flamujt ‘Utbe bin Ferkedit si dhe Bekir bin ‘Abdullahut, dhe u dha urdhër që nga djathtas Azerbajxhanin ta sulmonin nga Halvani, kurse nga majtas ta sulmonin nga Mosuli. Kurse flamurin për fitoren e Isfahanit ia dha ‘Abdullah bin ‘Abdullahut.

Fitorja e Isfahanit

Në lidhje me fitoren e Isfahanit është e shkruar:

Misioni ushtarak mbi Isfahanin iu dorëzua ‘Abdullah bin ‘Abdullahut, i cili në atë kohë po gjendej në Nehavend. Ai mori letrën e Hazret Omerit që thoshte:

– Nisu drejt Isfahanit. Cakto ‘Abdullah bin Vereka Rihain komandant të pararojës së ushtrisë; kurse ‘Abdullah bin Vereka Esedin si dhe Usama bin ‘Abdullahun komandantë për anësoret

‘Abdullahu u nis. Në periferi të qytetit u ndeshën me një ushtri të Isfahanit, të cilën po e drejtonte komandanti iranian, Istidar. Komandanti i pararojës së kundërshtarëve ishte një oficer me përvojë dhe i moshuar që quhej Sheher bin Beraz Xhazivije. Bashkë me shokët e tij, ai u ndesh me muslimanët. Ndodhi një përplasje e fuqishme. Më pas, Xhazivija kërkoi dyluftim. Atëherë ‘Abdullah bin Vereka e vrau atë. Pas një lufte të ashpër, kundërshtarët u arratisën, kurse kryekomandanti Istidar bëri kompromis me ‘Abdullah bin ‘Abdullahun.

Më pas, ushtria muslimane iu drejtua qytetit të Isfahanit … dhe e rrethoi qytetin. Një ditë, sundimtari i qytetit Fazosfani doli jashtë dhe iu drejtua ‘Abdullah bin ‘Abdullahut, kryekomandantit të ushtrisë muslimane:

– Më mirë të luftojmë ne të dy, sesa të luftojnë ushtritë tona. Ai që mund tjetrin, do të shpallet fituesi.

‘Abdullahu e pranoi propozimin dhe e pyeti:

– Do të sulmosh ti i pari, apo të sulmoj unë?

Fazosfani sulmoi i pari, të cilin ‘Abdullahu e rezistoi në mënyrë të palëkundur. Sulmi i armikut arriti t’i çante vetëm samarin e tij. Por ‘Abdullahu vijoi të rrinte ulur mbi shpinën e zhveshur të kalit. Para se të bënte sulmin e radhës, i tha – Mbahu ti tani, po u munde!

Fazosfani i tha:

– Je i përsosur, i zgjuar dhe trim. Dua të bëj kompromis me ty duke ta dorëzuar qytetin.

Kështu u bë marrëveshja dhe muslimanët e morën qytetin. Sipas Tabariut, kjo fitore u shënua në vitin 21 h..

Sipas Historianit El-Baladhuri, Kryekomandanti i ushtrisë muslimane në këtë betejë ishte ‘Abdullah bin Bedil bin Vereka Khezaiu, e jo ‘Abdullah bin ‘Abdullahu. Por historiani Tabari sqaron që ngaqë një komandat i ushtrisë ishte ‘Abdullah bin Vereka Esedi, disa njerëz e ngatërruan me ‘Abdullah bin Bedil bin Vereka Khezaiun, ndërkohë ky i fundit ishte i vogël në moshë gjatë Kalifatit të Hazret Omerit, dhe gjithashtu, kur ai ra dëshmor në Betejën e Siffinit, ishte vetëm 24 vjeç.

Kryengritja e Hamedanit dhe fitorja e përsëritur

Pas Nehavendit, muslimanët e kishin rrëzuar edhe Hamedanin. Megjithatë, banorët e Hamedanit, më pas, e thyen marrëveshjen e paqes, morën përforcime nga Azerbajxhani, dhe përgatitën edhe një herë ushtrinë e tyre.

Hazret Omeri r.a. urdhëroi Naim bin Mukrinin të nisej për në Hamedan me dymbëdhjetë mijë ushtarë. Pas një përplasjeje të fuqishme, muslimanët e morën qytetin. Hazret Omeri ishte i shqetësuar veçanërisht për këtë betejë. Lajmëtari ia solli lajmin e fitores. Hazret Omeri r.a. e ktheu lajmëtarin me mesazhin drejtuar Naim bin Mukrinit:

– Caktoni një zëvendës tuajin në Hamedan dhe nisuni drejt qytetit Rej (të Iranit). Pasi të mundni ushtrinë e Rejit, atje vendosuni, sepse ai është një qytet i rëndësishëm i zonës.

Ka edhe beteja dhe fitore të tjera, të cilat do t’i përmend në të ardhmen, inshaAllah.

(Më pas, Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, tregoi jetëshkrimin e disa xhenezeve dhe pas faljes së të xhumasë, udhëhoqi edhe namazin e xhenazes së tyre. Ju lutem ndiqeni videon për hutben e plotë)

LEXONI:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp