Jeta e shkëlqyer e sahabëve të Bedrit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e shkëlqyer e sahabëve të Bedrit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Meqë para këtij turneu të fundit, kisha trajtuar ngjarjet nga jeta e sahabëve të Bedrit, prandaj sot do ta rifilloj këtë temë.

Umâre ibn Hazmi r.a.

Sahabiu i parë, për të cilin do të flas në këtë hutbe është Umâre ibn Hazmi r.a. Ai është prej atyre 70 sahabëve që morën pjesën në Besëlidhjen e dytë. Dy vëllezërit e tij Umare ibn Hazm dhe Mu’amer ibn Hazm ishin gjithashtu sahabë. Nëna e tij quhej Halita bint Enes.[1] Ai mori pjesë në të gjitha betejat e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. përfshirë këtu Bedrin dhe Uhudin. Në ditën e fitores së Mekës, ai mbante flamurin e Benu Malik ibn Nexharit. Pas hixhretit në Medinë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur vëllazëri midis tij dhe Muhriz ibn Nadlasë مُحْرز بن نَضْلة. Hazret Umâre ibn Hazmi r.a. luftoi bashkë me Halit ibn Velidin r.a. kundër revoltës së rebelëve, të cilët ishin kthyer nga Islami, pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ai kishte rënë dëshmor në luftën e Jamamasë.[2]

Ebu Bekri ibn Muhammedi r.a. ka transmetuar se kur Abdullah ibn Sahlini ishte kafshuar nga gjarpri, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi për ta çuar atë menjëherë tek Umâre ibn Hazmi r.a. që t’i bënte rukje. Ai i tha: O i Dërguari i Allahut! Ai është në prag të vdekjes. Por Profeti u tha sërish për ta çuar atë tek Umâre ibn Hazmi r.a. dhe siguroi që Allahu do ta shëronte atë.[3]

Këtu duhet sqaruar që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vetë ia kishte mësuar rukje dhe lutje të tjera. Nga kjo ngjarje nuk duhet të kuptojmë që meazallah i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte nevojë për rukjen e Umâres r.a., apo Profeti vetë nuk e bënte dot etj. Disa persona kishin detyra të caktuara, dhe sigurisht fuqia shpirtërore dhe bekimet e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ishin në favor të tij.

Siret Ibni Hisham shkruhet që hipokritët vinin në Xhaminë e Profetit dhe talleshin e qesëndisnin me muslimanët. Njëherë kur këta hipokritë ishin mbledhur në xhami dhe pëshpëritnin diçka me njëri-tjetrin, i vështroi edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Ai urdhëroi që ata hipokritë të përziheshin nga xhamia. Ebu Ejubi r.a. iu drejtua Omer bin Kejsit i cili i përkiste fisit Benu Genem ibn Malik ibn Nexhar dhe në kohën e injorancës kujdesej për idhujt. Ai e tërhoqi zvarrë duke e kapur nga këmbët, dhe e nxori jashtë xhamisë, ndërsa Omeri i thoshte “O Ebu Ejub! A do të mö përzësh nga kuvendi i Benu Thelabasë?” Pastaj, Ebu Ejubi iu drejtua Rafi’ ibn Bediasë i cili gjithashtu i përkishte fisit Benu Nexhar. Ebu Ejubi r.a. e mbështolli me çarçaf dhe e përzuri nga xhamia duke e tërhequr zvarrë. Ai e qëlloi me dorë dhe i dha një shuplakë të fortë duke i thënë: “O munafik! Qofsh i mallkuar. Largohu nga xhamia e Profetit!”

Umâre ibn Hazmi r.a. iu afrua Zejd ibn Amrut dhe e kapi nga mjekra dhe tërhoqi zvarrazi dhe e përzuri nga xhamia. Pastaj, ai e qëlloi aq fort në gjoks me duart e tij, saqë e rrëzoi përtokë. Zejdi iu ankua: “Më vrave o Umâre!” Umara iu përgjigj: “Të vraftë Zoti o munafik! Dënimi që ka përgatitur Zoti për ty është shumë herë më i rëndë. Tani e tutje mos iu afro xhamisë së Profetit s.a.v.s.”[4]

Ngjarja e humbjes së devesë së Profetit

Gjatë luftës së Tebukut, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. po udhëtonte drejt Tebukut, atij iu humb deveja që quhej Kasva. Sahabët po e kërkonin rreth e përqark. Atëherë, Zejd ibn Selti i cili ishte një hebre nga fisi Benu Kejnka, i shërbente Umâre ibn Hazmit r.a. dhe i vinte shalat mbi devetë e tij. Fillimisht ai kishte pranuar Islamin por më vonë sillej me hipokrizi. Ai ishte shprehur gjoja me thjeshtësi se përderisa Muhammedi ka deklaruar se ai është i Dërguari i Allahut dhe ua tregon të tjerëve ngjarjet e së padukshmes, përse nuk ditka vendndodhjen e devesë së tij? Kur Zejdi kishte thënë këto fjalë. Umâre ibn Hazmi r.a. ndodhej në praninë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Profeti gjithashtu mësoi atë që kishte thënë Zejdi, dhe ndoshta Zoti e kishte njoftuar atë. Ai tregoi se dikush ka thënë që Muhammedi u tregon të tjerëve se është i Dërguari i Zotit dhe bën sikur ua tregon ngjarjet e së padukshmes, ndërsa vetë s’ka haber se ku i është humbur deveja? I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu tha “Pasha Allahun! Unë nuk di asgjë përveç asaj që më tregon Allahu. Vetëm Ai posedon të padukshmen. Për të hedhur pretendimin e këtij munafiku, Allahu i Madhërishëm më ka treguar se ku ndodhet deveja ime. Ajo ndodhet në filan luginë dhe i është ngecur litari në një pemë. Shkoni atje dhe ma sillni atë!” Sahabët nxituan drejt atij vendi dhe u kthyen bashkë me devenë.

Bejhaki dhe Ebu Naimi ka shënuar që Umâre ibn Hazmi r.a. shkoi te shërbëtori i tij dhe i tha: “Pasha Allahun! Sot ka ndodhur diçka e çuditshme. Sapo i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nëpërmjet shpalljes hyjnore është njoftuar për fjalët e një njeriu, të cilat ai na tregoi edhe neve. Bëhej fjalë për Zejd bin Seltin, i cili i shërbente Umâre ibn Hazmit r.a. Dikush nga shërbëtorët e Umâres i tha “Betohem në Allah që Zejdi kishte thënë pikërisht këto fjalë, para se të vinit ju”. Umâre ibn Hazmi r.a. e zuri Zejdin nga qafa dhe iu drejtua shokëve të tij “O robërit e Allahut! Kam pasur një gjarpër pranë meje dhe isha plotësisht i shkujdesur prej tij”. Pastaj Umara iu drejtua Zejdit dhe i tha: “Tani e tutje, nuk kam asnjë lidhje me ty”. Sipas disa rrëfimeve Zejdi qe penduar, kurse sipas të tjerëve ai vijoi sjelljen e tij të poshtër derisa e zuri vdekja.[5]

Zijad ibn Nuej’mi r.a. ka transmetuar nga Umâre ibn Hazmi r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë që nëse dikush u përmbahet katër porosive, ai bëhet musliman, por nëse i shmanget vetëm njërës prej tyre, tri të tjera nuk e bëjnë asnjë dobi. Zijadi ka thënë që e pyeta Umâren se cilat janë ato katër porosi? Ai më tregoi se ato janë: namazi, zekati, agjërimi dhe haxhi.[6] Bindja dhe zbatimi i tyre është i obligueshëm. Namazi është i detyrueshëm. Cilitdo që i detyrohet Zekati, duhet ta paguajë atë. Agjërimi është kusht i domosdoshëm për çdo musliman i rritur, i cili nuk është i sëmurë apo udhëtar. Po ashtu, kryerja e haxhit është një dispozitë e detyrueshme për ata që ia plotësojnë kushtet. Këto janë shënuar në Esedul Ghabba. Është e çuditshme që dijetarët muslimanë kanë paraqitur përkufizimin e muslimanit në këta libra, ndërsa klerikët e sotëm të cilët japim vendime për mosbesimin e dikujt, nxjerrin përkufizime të veta.

Abdullah ibn Mes’udi r.a.

Sahabiu tjetër jetën e të cilit do të rrëfej sot është Hazret Abdullah Ibn Mes’udi r.a. Ai mbante nofkën Abdurrahman dhe i përkiste fisit Benu Azilit. Babai i tij quhej Mes’ud ibn Gafir ndërsa e ëma Umi Abd. Abdullah ibn Mes’udi r.a. ka qenë ndër muslimanët e parë. Koha kur ai pranoi Islamin përputhej me kohën kur Fatima bint Hatab r.a. motra e Omerit r.a. dhe bashkëshorti i saj Se’id ibn Zejd kishin përqafuar Islamin,[7] madje përpara se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të hynte në Dari Erkam, i cili ishte qendra e parë e muslimanëve në Mekë[8].

Abdullah ibn Mes’udi r.a. ka treguar se ai qe i gjashti që kishte pranuar Islamin. Ngjarjen e pranimit të Islamit, ai ka rrëfyer në këto fjalë:

“Atëherë kisha fituar pak pjekuri dhe mund të kuptoja gjërat. Një ditë po ruaja dhe kullosja bagëtinë e Ukba ibn Mu’itit, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe Ebu Bekri r.a. erdhën tek unë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. m’u drejtua mua dhe pyeti: O djalosh! A ke pak qumësht? Unë i thashë: Po. Por më vjen keq, unë nuk mund t’ju jap asgjë sepse jam përgjegjës për këto bagëti. Ai më tha: Atëherë, më sill ndonjë dhi shterpe që nuk jep qumësht”. Unë i solla një dhi të vogël. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia lidhi këmbët dhe dalëngadalë duke bërë dua lëvizi duart mbi gjinjtë e saj, derisa ato u mbushën me qumësht. Pastaj, Ebu Bekri i solli një enë, dhe Profeti e moli dhinë. Kur e mbushi enën, ai ia dha Ebu Bekrit për ta pirë atë. Kur u ngop Ebu Bekri r.a., e piu edhe Profeti s.a.v.s. Pastaj, ai sërish lëvizi duart mbi gjinjtë e saj dhe tha “tkurruni” e ato u tkurrën si në gjendjen e mëparshme.

Unë i thashë: “O i Dërguari Allahut! Më mësoni pak nga ajo që keni recituar”. Ai më fërkoi kokën dhe tha “Je djalosh i regjur”.

Abdullah ibn Mes’udi r.a. rrëfen se ai kishte mësuar 70 sure të Kuranit direkt nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s..[9] Hazret Mirza Bashir Ahmed r.a. i ka kushtuar një shënim Abdullah ibn Mes’udit r.a. Ai shkruan:

“Abdullah ibn Mes’udi nuk qe nga Kurejshët, por i përkiste fisit Hezilit. Ishte njeri i varfër, prandaj rronte duke ruajtur bagëtitë e Ukba ibn Ebi Mu’itit, një prej krerëve të Mekës. Pas pranimit të Islamit, ai iu kushtua tërësisht shërbimit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Nga shoqëria e bëri Abdullahun një prej dijetarëve më të shquar të kohës, madje shkolla henefi e jurisprudencës islame bazohet në përgjithësi mbi thëniet dhe gjykimet e tij.[10]

Ne kemi një dëshmi lidhur me diturinë e tij të gjerë. Ibni Mes’udi r.a. ka thënë që njerëzit janë në dijeni se jam njohës i mirë i Librit të Allahut. Nuk ka asnjë sure apo ajet në Kuran, që të mos ia di kontekstin dhe kohën e zbritjes. Këtë dëshmi e ka rrëfyer Ebu Vaili, i cili gjithashtu ka thënë që askush nuk e kundërshtoi për këtë thënie.[11] Emri i Abdullah ibn Mes’udit r.a. gjendet në krye të atyre katër sahabëve, të cilët i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte zgjedhur për të dhënë mësimin e Kuranit Famëlartë.[12] Hazret Kalifi II r.a. ka shënuar në veprën e tij “Hyrje në Komentimin e Kuranit” lidhur me këtë:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. caktoi një grup mësuesish për të dhënë mësimin e Kuranit Famëlartë. Ata kishin mësuar Kuranin përmendësh dhe ua mësonin të tjerëve. Këta ishin katër mësues më të shquar të cilët kishin mësuar Kuranin vetë nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe tani duhet t’u mësonin të tjerëve. Nën kujdesin e tyre ishin edhe sahabë të tjerë, të cilët gjithashtu ua mësonin Kuranin të tjerëve. Emrat e këtyre katër sahabëve të zgjedhur janë kështu:

  1. Abdullah ibn Mes’ud r.a.
  2. Salim maula Ebi Huzejfa
  3. Mu’adh ibn Xhebel r.a.
  4. Ebi ibn Ka’ab r.a.

Ndër këta sahabë, dy të parët janë muhaxhirë, ndërsa dy të fundit janë ensarë. Për sa i përket pozitës shoqërore, Abdullah ibn Mes’udi r.a. qe një punëtor i thjeshtë, Salimi ishte një rob i liruar, Mu’adh ibn Xhebeli dhe Ebi ibn Ka’abi r.a. ishin ndër pasanikët e Medinës. Pra, i Dërguar i Allahut s.a.v.s. kishte caktuar mësues nga çdo grup. Sipas një hadithi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë:

خذوا القرآن من أربعة من عبد الله بن مسعود – فبدأ به – وسالم مولى أبي حذيفة ومعاذ بن جبل وأبي بن كعب

“Mësoni Kuran nga këta katër persona: Abdullah ibn Mes’ud, Salim maula Ebu Hudhejfa, Muadh ibn Xhebel dhe Ebi ibn Ka’ab”.

Këta katër kishin mësuar tërë Kuranin drejtpërdrejt nga i Dërguari i Allahut dhe kishin përmirësuar lëshimet e tyre duke ia recituar përmendësh. Megjithatë, përpos tyre ishin edhe sahabë të tjerë të cilët vazhdimisht mësonin disa pjesë të Kuranit nga Pejgamberi a.s. Sipas një transmetimi, njëherë Abdullah ibn Mes’udi r.a. dhe Omer ibn Hattabi r.a. shqiptuan të njëjtën fjalë në dy mënyra të ndryshme. Omeri r.a. e ndaloi Ibni Mes’udin dhe e kërkoi të korrigjonte shqiptimin. Por, Ibni Mes’udi r.a. këmbënguli se ashtu e kishte mësuar atë fjalë nga Profeti. Atëherë Omer ibn Hattabi r.a. e shoqëroi atë te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe iu ankua që Ibni Mes’udi po bënte gabim në recitim. Profeti s.a.v.s. urdhëroi Abdullah ibn Mes’udin për të recituar. Kur dëgjoi recitimin e tij, Profeti s.a.v.s. tha që ai kishte lexuar tamam pa asnjë gabim. Atëherë Omeri r.a. i tha “Por mua ma keni këtë fjalë me një shqiptim tjetër”. Profeti s.a.v.s. e ngushëlloi që edhe ai e kishte mirë tamam atë fjalë.

Nga kjo ngjarje Kalifi II r.a. ka nxjerrë përfundimin që numri i sahabëve të cilët mësonin Kuranin Famëlartë nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte më shumë se katër.[13]

Sipas një transmetimi, i pari që recitoi Kuranin Famëlartë publikisht në qytetin e Mekës, pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., qe Abdullah ibn Mes’udi r.a. Sipas burimeve, një herë disa sahabë po bisedonin me njëri-tjetrin se Kurejshët ende nuk kishin dëgjuar fjalët e Kuranit me zë të lartë. A mund të guxonte dikush nga sahabët për të recituar Kuranin para tyre? Abdullah ibn Mes’udi r.a. pranoi këtë sfidë. Shokët i thanë që mohuesit do ta rrihnin atë, sepse ai ishte një punëtor i thjeshtë. Më mirë të ishte dikush me pozicion të lartë në shoqëri dhe lidhje fisnore, që të kishte mbështetje nga populli, në rast se qëllohet nga mosbesimtarët. Abdullah ibn Mes’udi r.a. u përgjigj trimërisht “Vëllezër! Mos u shqetësoni për mua, sepse do të më ruajë Allahu”.

Këta sahabë kishin një besim të fuqishëm. Të nesërmen në të gdhirë, Abdullah ibn Mes’udi r.a. nisi të recitonte Kuranin me zë të lartë mu pranë Qabesë, në vendin e quajtur “Mukami Ibrahim”.

بِسْمِ اللَّـهِ الرَّحْمَـٰنِ الرَّحِيمِ﴿﴾ الرَّحْمَـٰنُ ﴿﴾ عَلَّمَ الْقُرْآنَ ﴿﴾

Kurejshët, që kuvendonin me njëri-tjetrin u habitën dhe u acaruan nga ky veprim. Dikush tha se këto ishin po ato fjalë, që recitonte Muhammedi në bisedat e tij. Të gjithë u çuan dhe filluan ta godisnin Ibn Mes’udin në fytyrë, por ai nuk e ndërpreu recitimin dhe vazhdoi aq sa kishte dashur. Kur u kthye Ibn Mes’udi r.a. te sahabët, ata i shprehën keqardhje duke parë shenjat e grushteve në fytyrë dhe i thanë që ata kishin frikë pikërisht për këtë trajtim. Por Abdullahu trim u përgjigj shokëve të tij “Unë kurrë nuk i kisha shpërfillur këta armiq të Zotit aq sa tani kur ata më godisnin mua. Nëse doni mund ta bëj këtë prapë edhe nesër”. Sahabët i thanë “Jo, kaq mjafton, sepse ti i ke detyruar ta dëgjojnë atë, që e urrejnë”.[14]

Pas pranimit të Islamit, Abdullah ibn Mes’udi r.a. rrinte pranë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Abdullahu i shërbente Profetit s.a.v.s., ndërsa ai i kishte thënë “O Abdullah! Nëse ma dëgjon zërin dhe nuk sheh perde në derë, mund të hysh lirisht në shtëpi, pa pasur nevojë të kërkosh leje”. Pra, kur gjendej perdja te dera, ai nuk mund të vinte, ndërsa kur dera qe e hapur dhe perdja i ishte hequr, ai mund të hynte lirisht. Kjo tregon se ai mund të hynte në shtëpi, kur nuk gjendeshin gra në shtëpi. Abdullah ibn Mes’udi r.a. i shërbente Profetit për çdo nevojë. Ai ia veshte këpucët, e shoqëronte Profetin kur ai dilte jashtë, madje kur Profeti s.a.v.s. lahej, Abdullahu qëndronte në këmbë duke mbajtur perden.

Sahabët e Profetit s.a.v.s. e thërrisnin Abdullahun me nofkën “Sahibus Sivak”.[15] Ndërsa në një transmetim tjetër, i janë atribuuar nofkat “Sahibus Sivak”, “Sahibul Vesad” dhe “Sahibun-Na’lejn”.[16] Abdullah ibn Mas’udi r.a. ishte një shoqërues i besueshëm i Profetit s.a.v.s., i cili kujdesej për shtratin, misvakun dhe shapkat e Profetit. Po ashtu, ai i siguronte ujë për abdes.

Ebu Melihu r.a. ka transmetuar që kur i Dërguari Allahut s.a.v.s. bënte gusl, Abdullahu r.a. siguronte perde, e zgjonte nga gjumi dhe kur e shoqëronte të Dërguarin e Allahut nëpër udhëtime, mbante armë për mbrojtje.[17]

Ebu Musa r.a. ka transmetuar se ata kishin ardhur nga Jemeni, dhe duke parë hyrje-dalje të shpeshta të Abdullah ibn Mes’udit r.a. dhe të nënës së tij në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ata kujtuan se Abdullahu dhe nëna e tij ishin nga familja e Profetit.[18]

Abdullah ibn Mes’udi r.a. mori pjesë në të dyja hixhrete, si ndaj Abisinisë po ashtu drejt Medinës. Ai qëndroi bashkë me Profetin s.a.v.s. në betejat e Bedrit, Uhudit, Handekut si dhe në besëlidhjen e pemës. Pas vdekjes së Profetit s.a.v.s., Abdullahu r.a. mori pjesë edhe në luftën e Jermukut. Abdullah ibn Mes’udi r.a. ishte ndër عشرة مبشرة  d.m.th. prej atyre dhjetë sahabëve të cilëve i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kishte dhënë myzhdenë e xhenetit po në këtë jetë.[19]

Abdullah ibn Mes’udi r.a. ka kontribuar edhe në përfundimin e Ebu Xhehlit. Në Bedr, kur mbaroi lufta, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha “A mund të njoftosh dikush për gjendjen e Ebu Xhehlit?” Abdullah ibn Mes’udi r.a. shkoi menjëherë dhe e gjeti Ebu Xhehlin. Ai kishte marrë plagë të rënda dhe qe në grahmat e fundit. Djelmoshat e Ifrait e kishin lënë në këtë gjendje. Ibn Mes’udi r.a. e zuri nga mjekra dhe e pyeti “A je Ebu Xhehli?” Ndonëse i lënduar rëndë, ai u përgjigj me kryeneçësi “A keni vrarë ndonjë udhëheqës më të madh se unë? Ah! Sikur të mos vdisja nga dora e një bujku”.[20] Pra, atë e kishin goditur dy djelmosha të Medinës.[21]

Fundi i mjerë i Ebu Xhehlit

Hazret Kalifi II r.a. ka përshkruar këtë ngjarje në Tefsir Kebir dhe ka treguar që armiqtë e Allahut gjithmonë plasen nga marazi dhe digjen tërë jetën në zjarrin e smirës, madje edhe atëherë kur lëshojnë dëshpërimisht këtë botë. Ai shkruan:

“Abdullah ibn Mes’udi r.a. rrëfen: “Pasi që pushoi lufta, e pashë Ebu Xhehlin duke rënkuar nga plagët e marra. Unë iu afrova dhe i thashë: Si e ke hallin? Më tha: Nuk mërzitem për vdekjen sepse ushtarët vdesin. Por, brengosem se më kanë sjellë në këtë gjendje dy djelmosha të Medinës. Unë jam në çastet e agonisë. Nëse mundesh më bëj një nder, më pre kokën që t’i jap fund kësaj vuajtje. Por, më pre kokën me qafe të gjatë, sepse gjeneralëve ashtu u pritet koka”. Abdullah ibn Mes’udi r.a. iu përgjigj: “Nuk do të fal kurrsesi as dëshirën e fundit dhe do të të pres kokën afër mjekrës”. Kështu që, presën e shpatës e vuri afër mjekrës dhe ia preu kokën.

Hazret Kalifi II r.a. komenton:

“Vini re! Sa përvëlues ishte ky zjarr që shkrumbonte Ebu Xhehlin. Ai gjithë jetën digjej nga brenga se nuk arriti të ndalonte misionin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ndërsa tani kur i erdhi vdekja, përpëlitej nga dhimbja se përse u vra nga dy djelmosha të paregjur të Medinës. Madje, nuk iu plotësua as dëshira e fundit, dhe atij u pret koka afër mjekrës. Pra, ai i dha lamtumirë botës duke u përvëluar në lloj-lloj zjarresh”.[22]

Kur Abdullah ibn Mes’udi r.a. mërgoi në Medinë, ai u strehua në shtëpinë e Mu’adh ibn Xhebelit r.a. Sipas disa burimeve, ai ndenji në shtëpinë e Sa’ad ibn Huthejmes r.a. Në Mekë Zubejr ibn A’vam r.a. ishte bërë vëllai i tij, ndërsa në Medinë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e bëri vëlla me Mu’adh ibn Xhebel r.a. Fillimisht, ai hasi shtrëngesë ekonomike. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. krijoi kushte për banimin e muhaxhirëve të Mekës pranë xhamisë së tij, disa persona të fisit Benu Zuhra treguan pakënaqësi për të pranuar Abdullah ibn Mes’udin r.a. pranë tyre. Ata veten e konsideronin me status në shoqëri, ndërsa Abdullah ibn Mes’udi r.a. ishte njeri punëtor dhe i thjeshtë. Kur i Dërguari i Allahut s.av.s. mësoi sjelljen e tyre, i shtyrë nga sedra për shërbëtorin e tij të varfër e të pafuqishëm, ai u tha: “A Zoti më ka dërguar mua për këtë arsye që të vazhdoni me kësisoj ndasi në shoqëri. Zoti kurrë nuk e bekon atë popull, që ia mohon të drejtën të pafuqishmit”. Më vonë, Profeti s.a.v.s. i sanksioni Ibn Mes’udit r.a. një truall afër xhamisë së tij dhe Benu Zuhranë e çoi në një qoshe mbrapa xhamisë.[23]

Abdullah ibn Mes’udi r.a. ka transmetuar që njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më kërkoi që të recitoja surenë Nisa. Unë i thashë: O Profet! Si mund t’ju recitoj diçka nga Kurani, kur ajo ju është shpallur juve”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u shpreh: “Më pëlqen të dëgjoj kur reciton dikush tjetër”. Pastaj vazhdova të recitoja derisa mbërrita në ajetin:

فَكَيْفَ إِذَا جِئْنَا مِن كُلِّ أُمَّةٍ بِشَهِيدٍ وَجِئْنَا بِكَ عَلَىٰ هَـٰؤُلَاءِ شَهِيدًا ﴿﴾

Andaj, si do të jetë kur do të sjellim një dëshmitar nga çdo popull, dhe ty do të të sjellim si dëshmitar mbi të gjithë ata![24] Sapo dëgjoi këtë ajet, lotët e përshkuan Profetin dhe ai i tha për t’u ndalur.[25]

Njëherë Omer ibn Hattabi r.a. kalifi i muslimanëve po qëndronte në fushën e Arafatit, kur iu paraqit një person dhe i tha: O prijësi i besimtarëve! Kam ardhur nga Kufa. Aty kam parë një njeri, i cili shkruan ajetet e Kuranit nga kujtesa. Omeri r.a. u shpreh me zemërim se kush është ai person? Ai u përgjigj i frikësuar: Abdullah ibn Mes’udi r.a. Kur dëgjoi këtë emër, ai menjëherë u qetësua dhe tha: Për këtë punë, nuk konsideroj askënd më të denjë se ai.[26]

Hazret Omeri r.a. ka transmetuar që një natë, Ebu Bekri r.a. dhe unë bashkë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. kaluam pranë Abdullah ibn Mes’udit r.a. teksa apo po falte nafile dhe recitonte Kuranin me zë të lartë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndaloi dhe filloi ta dëgjonte. Pastaj Abdullah ibn Mes’udi r.a. bëri ruku dhe ra në sexhde. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: O Abdullah! Çfarëdo që do të kërkosh, do të të jepet. Me të thënë këto fjalë, Profeti u largua dhe tha: Ai që ndien kënaqësi e freski duke lexuar Kuranin, duhet ta mësojë atë nga Abdullah ibn Mes’udi. Ky hadith është transmetuar nga Musned Ahmed ibn Hanbeli.[27]

Abdurrahman ibn Jezidi r.a. ka transmetuar që njëherë shkuam te Hudhejfa r.a. dhe e pyetëm: Na tregoni emrin e atij personi, i cili i shëmbëllen më së shumti të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në sjellje, që të mësojmë prej tij dhe t’ia dëgjojmë fjalët profetike. Ai u përgjigj: Njeriu më i ngjashëm me Profetin s.a.v.s. është Abdullah ibn Mes’udi.

Imam Buhariu ka sjellë një hadith në veprën e tij, i cili gjithashtu hedh dritë mbi modelin e shkëlqyer të Abdullah ibn Mes’udit r.a. Të shtyrë nga dëshira e madhe për të ndjekur gjurmët e Profetit s.a.v.s. dhe për t’iu përmbajtur praktikës së tij, njerëzit gjithmonë i pyesnin sahabët se kush ngjasonte më së shumti me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në sjellje, morale, veti dhe vepra ndër të gjithë shokët e tij. Kur kjo pyetje i shtrohej Hudhejfes r.a. ai thoshte: Sipas dijes sime, në sjellje, lëvizje, morale e zakone Abdullah ibn Mes’udi ka më shumë ngjashmëri me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.[28] Ndoshta për këtë arsye i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë që unë i pëlqej po ato gjëra për umetin tim, që i pëlqejnë Abdullah ibn Mes’udit.[29]

Alkama r.a. ka transmetuar që kur sahabët kishin nevojë të përshkruanin hijeshinë, moralin dhe maturinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ata jepnin shembullin e Abdullah ibn Mes’udit r.a.[30] I biri i tij Ubejdullahu r.a. ka thënë që Abdullah ibn Mes’udi zgjohej për tehexhudin kur njerëzit ishin ende në gjumë. Një natë e dëgjova teksa po këndonte Kuranin, dhe zëri i tij i ngjante gumëzhimës së bletëve.[31]

Aliu r.a. ka transmetuar që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë që nëse duhet të caktoja dikë si kryetar pa kërkuar këshillë prej askujt, ai do të ishte Abdullah ibn Mes’udi.[32]Tebkatul Kubra shënohet një transmetim të Aliut r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha që nëse do të zgjidhte si kryetar jashtë këshillit të muslimanëve, ai do të ishte Abdullah ibn Mes’udi. Sipas një rrëfimi tjetër, Abdullah ibn Mes’udi r.a. kishte thënë që pas pranimit të Islamit, ai kurrë nuk kishte bërë gjumë pas lindjes së diellit.[33]

Abdullah ibn Mes’udi r.a. e donte familjen e tij. Para se të hynte në shtëpi, kollitej pak që familja e tij të njoftohen për ardhjen e tij. Bashkëshortja e tij Zejneb r.a. ka transmetuar që njëherë Abdullahu r.a. hyri në shtëpi, teksa një plakë po më varte hajmali. Por, kur e pashë Abdullahun, nga frika e fsheha poshtë shtratit. Ai erdhi dhe u ul pranë meje. Ai më vështroi dhe pyeti se çfarë kisha vënë në qafë? Unë i thashë se ajo ishte hajmali. Ai e hoqi dhe hodhi tutje. Pastaj tha që familja e Abdullahut është e pastër nga shirku dhe tha se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë: “Me të vërtetë yshtjet, hajmalitë dhe nuskat janë veprat e shirkut”. I thashë: “Syri im lotonte dhe shkoja tek filan çifut dhe kur më lexonte rukje, unë qetësohesha.” Abdullahu tha: “Kjo është puna e shejtanit. … Do të të mjaftonte të thuaje ashtu siç thoshte i Dërguari i Allahut a.s.:

«  أَذْهِب الْبَأسَ ربَّ النَّاسِ ، اشْفِ ، أَنْتَ الشَّافي لا شِفَاءَ إِلاَّ شِفَاؤُكَ ، شِفاءً لا يُغَادِرُ سقَماً »

“Hiqe mundimin, o Zoti i njerëzve. Ti je Shëruesi, nuk ka shërim tjetër përveç shërimit tënd që nuk lë të sëmurë (pa shëruar).[34]

Kjo është porosi edhe për ata njerëz, të cilët për t’u gjetur derman problemeve të tyre shkojnë te dervisha dhe shehlera, të cilët tërë ditën pinë hashash dhe drogë, që kurrë nuk u afrohen namazeve.

Njëherë, Abdullah shkoi në shtëpinë e shokut të tij Ebu Umejr për ta takuar atë. Ebu Umejri nuk qe në shtëpi, prandaj ai e përshëndeti bashkëshorten te tij dhe i kërkoi ujë. Ata s’kishin ujë por gruaja e Ebu Umejrit menjëherë dërgoi shërbëtoren te fqinji për të marrë ujë. Ajo vonoi shumë dhe kur u kthye, gruaja e Ebu Umejrit e qortoi fortë dhe e mallkoi. Duke parë këtë ngjarje, Abdullahu i etur u kthye mbrapsht. Të nesërmen, kur e takoi Ebu Umejri, ai e pyeti arsyen e largimit të tij kaq të ngutshëm, që nuk priti dot as për ujë. Ai iu përgjigj: Kur gruaja jote e mallkoi shërbëtoren, m’u kujtuan fjalët e Profetit s.a.v.s. që nëse dikush mallkon dikë të pafajshëm, atëherë mallkimi i bie atij që mallkon. Në atë çast mendova që nëse shërbëtorja do të ishte e pafajshme, atëherë bie që do të bëhesha shkak për kthimin e atij mallkimi,[35] dhe vendosa të largohesha e të mos prisja për ujë.

Kjo ishte shkalla e druajtjes së tyre ndaj Zotit që ruheshin nga situatat ku kishin me më mëdyshje sado e vogël që mund të tërhiqnin zemërimin e Zotit.

Abdullahu ishte zeshkan, me shtat të shkurtër e të hollë. Përdorte veshje të bukura dhe gjithmonë përdorte parfum. Talhai r.a. ka transmetuar që Abdullah ibn Mes’udi r.a. njihej nga aroma.[36] Aliu r.a. ka treguar që njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e porositi Abdullahun për t’u ngjitur në pemë. Sahabët që ia vështronin pulpat e holla dhe të dobëta, filluan të qeshnin e të talleshin me të. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha: Përse po qeshni? Në ditën e Kijametit peshorja e veprave të Abdullahut do të jetë më e rëndë se mali Uhud.[37]

Abdullahu mbante flokë të gjatë, të cilët vinin deri në qafë, dhe kur falte namazin, i kapte ata pas veshëve.[38]

Zejd ibn Vehbi r.a. ka transmetuar që një ditë isha pranë Omer ibn Hattabit r.a., kur i erdhi Abdullah ibn Mes’udi r.a. Meqë ishte i shtatshkurtër, ai nuk dallohej ndër njerëz që ishin ulur. Kur Omeri r.a. e pa, ai buzëqeshi. Pastaj filloi të bisedonte me të duke bërë edhe shaka. Abdullahu qëndronte në këmbë, për aq kohë sa fliste me Omerin r.a. Kur mbaruan bisedë, Abdullahu u largua nga kuvendi, ndërsa Omeri r.a. e vështronte derisa ai u zhduk. Pastaj Omeri r.a. tha: Ky njeri i ngjan kazanit, mbushur me dije e urtësi.[39]

Pozita e tij e lartë mund të kuptohet nga një rrëfim. Kur Mu’adh ibn Xhebelit i erdhi çasti i vdekjes, njerëzit i kërkuan ndonjë porosi apo këshillë. Ai u tha që besimi dhe dija kanë një shkallë të lartë, dhe çdokush që i synon ato me çiltërsi dhe përpjekje të sinqerta, me siguri ia del kësaj pune. Ai gjithashtu përmendi emrat e katër sahabëve të shquar, të cilët ishin dijetarë me vepra, dhe një prej tyre ishte Abdullah ibn Mes’udi r.a.[40]

Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Omeri r.a. e caktoi si murabbi për arsimin dhe edukimin e banorëve të Kufës, ndërsa Amar ibn Jasirin r.a. e caktoi guvernator. Ai u shkroi banorëve të Kufës: Këta dy janë sahabë të zgjedhur të të Dërguarit të Allahut. Janë njerëz të veçantë, të cilët kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit. Duhet t’u bindeni të gjitha porosive të tyre dhe kushtojuni vëmendje fjalëve të tyre. Unë e konsideroj Abdullah ibn Mes’udin r.a. më të mirë se unë.[41]

Kur Abdullah ibn Mes’udi r.a. ishte në sëmundje, në të cilën ai edhe ndërroi jetë, e vizitoi Osmani r.a. Ai e pyeti: A keni ndonjë hall? Abdullahu iu përgjigj: nëse më pyesni për shqetësimin, më bren ndërgjegjja për mëkatet e mia. Osmani r.a. e pyeti: A keni nevojë për diçka? Ai i tha: Unë kërkoj vetëm mëshirën e Zotit tim. Osmani r.a. i tha: A t’ju caktoj ndonjë mjek që të kujdeset për ju? Ai iu përgjigj: Mjeku më ka sjellë në këtë gjendje. D.m.th. ai u shpreh që pajtohej plotësisht me vullnetin e Zotit. Osmani r.a. e pyeti: A t’ju caktoj ndonjë ndihmë nga shteti? Ai u përgjigj: Jo, faleminderit. Nuk kam nevojë. Osmani r.a. i tha: Ajo do t’u shërbejë vajzave të tua. Ai ia ktheu: A keni merak që vajzat e mia do të mbeten të pa përkrahura? Unë u kam lënë amanet vajzave të mia për të recituar çdo natë suren el-Vakia. Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. që kushdo që reciton suren el-Vakia çdo natë, kurrë nuk vuan nga skamja.[42]

Kjo ishte shkalla e bindjes dhe mbështetjes ndaj Allahut të këtyre yjeve të ndritur.

Selma ibn Tevami ka thënë që njëherë një person nga Medina shkoi në Kufe për ta takuar Abdullah ibn Mes’udin r.a. Gjatë bisedës, ai i tregoi një ëndërr, në të cilën kishte parë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte ulur në një mimber të lartë, ndërsa Abdullahu ishte ndenjur pranë tij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu drejtua Abdullahut dhe i tha: O Ibn Mes’ud! Eja pranë meje, sepse tregon shpërfillje ndaj gjërave të tjera.

Abdullahu e pyeti atë njeri: A me të vërtetë ke parë këtë ëndërr? Ai iu përgjgij me pohim. Pastaj e pyeti: A ke ardhur nge Medina deri këtu, vetëm për të marrë pjesë në xhenazen time? D.m.th. ai kuptoi që i kishte ardhur koha e largimit nga kjo botë, dhe me të vërtetë nuk jetoi gjatë pas kësaj ngjarje.[43]

Hazret Osmani r.a. kishte mësuar për sëmundjen e tij, prandaj ai e porositi për t’u kthyer në Medinë. Ndonëse banorët e Kufës këmbëngulnin për qëndrimin e tij dhe i premtonin se do ta ruanin, por ai veproi sipas porosisë së Kalifit. Ai u tha banorëve të Kufës se duhet t’i bindej urdhrit të Kalifit. Së shpejti, do të shfaqen disa ngjarje të rënda, dhe unë nuk dua të bëhem shkaktari i tyre. Duke thënë këto fjalë, ai u kthye te Kalifi në Medinë. Ai ndërroi jetë në vitin 32 të hixhretit. Sipas një rrëfimi ai ndërroi jetë në moshën 60 vjeçare,[44] ndërsa sipas një transmetimi tjetër ai ishte rreth 70 vjeç.[45] Hazret Osmani r.a. kishte udhëhequr xhenazen e tij, dhe ai u varros në Xhenetul Baki.

Sipas një transmetimi, pas vdekjes së Abdullah ibn Mes’udit r.a. Ebu Musa el-Ash’ari r.a. e pyeti Ebu Mes’udin: A besoni që Abdullahu ka lënë dikë në këtë botë, që është i barabartë me të në vlerat dhe veprat? Ebu Mes’udi r.a. iu përgjigj: Shiko, kur nuk na lejohej të shkonim te i Dërguari i Allahut s.a.v.s., Ibn Mes’udit i lejohej. Kur ne nuk ishim pranë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Ibn Mes’udi i shërbente Profetit dhe përfitonte nga shoqëria e tij. Prandaj, si është e mundur që dikush t’i ngjajë atij?[46]

Abdullah ibn Mes’udi r.a. i përmbahej rreptësisht sunetit Profetik. Njëherë dikush e pyeti Aishen r.a. se janë dy sahabë të Profetit s.a.v.s. Njëri prej tyre nxiton në çeljen e agjërimit dhe në faljen e namazit, d.m.th. menjëherë pas perëndimit të diellit, ndërsa sahabiu tjetër vonon relativisht. Aisheja r.a. pyeti: Cili sahabinxiton? U tha që Abdullah ibn Mes’udi r.a. vepron në këtë mënyrë. Aisheja r.a. i tha: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. vepronte pikërisht në këtë mënyrë, që e ndjek Abdullah ibn Mes’udi r.a.[47]

Ka edhe disa transmetime dhe ngjarje të tjera nga jeta e Abdullah ibn Mes’udit r.a., të cilat do t’ju përmend në të ardhmen.

Allahu na mundësoftë të ecim në gjurmët e këtyre yjeve të ndritur të Islamit dhe të ndjekim modelin e tyre. Amin

 

[1] Sirus-Sahaba, vëll. 3, f. 455, botuar nga Darul Isha’at, Karaçi
[2] Eshabe Bedr, Kazi Muhammed Sulejman, f. 182, Mekteba Islamija Lahor, 2015
[3] Subulul Huda varrishad, vëll. 10, f. 771, kapitull IV, botuar në Kairo, 1995
[4] Siret Ibni Hisham, f. 246, botuar nga Dar Ibni Hazm, 2009
[5] Tarikh-ul-Khamis, vëll. 3, f. 18, Beteja e Tubukut, botuar nga Darul-Kutubil-Ilmija, Bejrut, 2009
[6] Esedul Ghaba, vëll. 4, f. 129, botuar nga Darul-Kutubil-Ilmija, Bejrut
[7] Esedul Ghaba, vëll. 3, f. 381-2, 387, botuar nga Darul-Kutubil-Ilmija, Bejrut
[8] Et-Tebkatul Kubra, vëll. 3, f. 112, botuar nga Darul-Kutubil-Ilmija, Bejrut, 1990
[9] Esedul Ghaba, vëll. 3, f. 382, botuar nga Darul-Kutubil-Ilmija, Bejrut
[10] Siret Khatemun-Nebijjin, nga Hazret Mirza Bashir Ahmed r.a., f. 124
[11] Eshabe Bedr, Kazi Muhammed Sulejman, f. 107, Mekteba Islamija Lahor, 2015
[12] Buhariu, Kitabul Manakib, numri i hadithit 3760
[13] Përshtatur nga libri Hyrje në Komentimin e Kuranit, Envarul Ulum, vëll. 20, f. 427-428
[14] Esedul Ghaba, vëll. 3, f. 383, botuar nga Darul-Kutub-ul-Ilmija, Bejrut
[15] Esedul Ghaba, vëll. 3, f. 383, botuar nga Darul-Kutub-ul-Ilmija, Bejrut
[16] Et-Tebkatul Kubra, vëll. 3, f. 113, botuar nga Darul-Kutubil-Ilmija, Bejrut, 1990
[17] Et-Tebkatul Kubra, vëll. 3, f. 113, botuar nga Darul-Kutubil-Ilmija, Bejrut, 1990
[18] Esedul Ghaba, vëll. 3, f. 384, botuar nga Darul-Kutub-ul-Ilmija, Bejrut
[19] Esedul Ghaba, vëll. 3, f. 383, botuar nga Darul-Kutub-ul-Ilmija, Bejrut
[20] Buhariu, Libri i betejave, numri i hadithit 3962
[21] Muslimi, kitabul Xhihad, numri i hadithit 4662
[22] Përshtatur nga Tefsir-e-Kebir, vëll. 6, f. 461
[23] Et-Tebkatul Kubra, vëll. 3, f. 112, 113, botuar nga Darul-Kutubil-Ilmija, Bejrut, 1990, Siret Sahaba Resulullah, Hafiz Muzafer Ahmed, f. 275, botuar nga Drejtoria e Botimit Rabvah, 2009
[24] Kurani Famëlartë 4:42
[25] Esedul Ghaba, vëll. 3, f. 384, botuar nga Darul-Kutub-ul-Ilmija, Bejrut, Buhariu, Libri vlerat e Kuranit , numri i hadithit
[26] Mesned Ahmed bin Henbel, vëll. 1, f. 128, numri i hadithit 175
[27] Mesned Ahmed bin Henbel, vëll. 1, f. 156-157, numri i hadithit 265
[28] Esedul Ghaba, vëll. 3, f. 385, botuar nga Darul-Kutub-ul-Ilmija, Bejrut
[29] Buhariu, numri i hadithit 3762
[30] Et-Tebkatul Kubra, vëll. 3, f. 114, botuar nga Darul-Kutubil-Ilmija, Bejrut, 1990
[31] Esedul Ghaba, vëll. 3, f. 386, botuar nga Darul-Kutub-ul-Ilmija, Bejrut
[32] Esedul Ghaba, vëll. 3, f. 385, botuar nga Darul-Kutub-ul-Ilmija, Bejrut
[33] Et-Tebkatul Kubra, vëll. 3, f. 114, botuar nga Darul-Kutubil-Ilmija, Bejrut, 1990
[34] Sirus-Sahaba, vëll. 2, f. 225, botuar nga Darul-Isha’at, Karaçi
[35] Sirus-Sahaba, vëll. 2, f. 223, botuar nga Darul-Isha’at, Karaçi
[36] Et-Tebkatul Kubra, vëll. 3, f. 116-117, botuar nga Darul-Kutubil-Ilmija, Bejrut, 1990
[37] Esedul Ghaba, vëll. 3, f. 385, botuar nga Darul-Kutub-ul-Ilmija, Bejrut
[38] Et-Tebkatul Kubra, vëll. 3, f. 117, botuar nga Darul-Kutubil-Ilmija, Bejrut, 1990
[39] Esedul Ghaba, vëll. 3, f. 386, botuar nga Darul-Kutub-ul-Ilmija, Bejrut
[40] Mesned Ahmed bin Henbel, numri i hadithit 22455, botuar nga Alemul Kutub, Bejrut, 1998
[41] Esedul Ghaba, vëll. 3, f. 385, botuar nga Darul-Kutub-ul-Ilmija, Bejrut
[42] Esedul Ghaba, vëll. 3, f. 386-87, botuar nga Darul-Kutub-ul-Ilmija, Bejrut
[43] Esedul Ghaba, vëll. 3, f. 386, botuar nga Darul-Kutub-ul-Ilmija, Bejrut
[44] Esedul Ghaba, vëll. 3, f. 387, botuar nga Darul-Kutub-ul-Ilmija, Bejrut
[45] Tebkatul Kubra, përkthyer nga Abdullah el-Amadi, vëll. III, f. 230, botuar nga Nefis Akademi, Karaçi
[46] Et-Tebkatul Kubra, vëll. 3, f. 119, botuar nga Darul-Kutubil-Ilmija, Bejrut, 1990
[47] Mesned Ahmed ibn Hanbel, vëll. 8, f. 51, numri i hadithit 24716

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp