Jeta e shkëlqyer e sahabëve të Bedrit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e shkëlqyer e sahabëve të Bedrit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Sot do t’ju rrëfej rreth atyre sahabëve, jeta dhe veprat e të cilëve janë ruajtur vetëm përmbledhtas në historinë e Islamit. Unë kam dëshirë t’i ruaj në literaturën e xhematit, emrat e të gjithë atyre sahabëve të cilët kishin luftuar në luftën e Bedrit. Prandaj, kam marrë tashmë emrat e atyre sahabëve, për të cilët  historia nuk na rrëfen me hollësi. Meqë këta sahabë gjenden në një shkallë shumë të lartë, prandaj përmendja dhe kujtimi i tyre sado i vogël, është një bekim për ne.

Këta burra të shquar, pavarësisht thjeshtësisë, varfërisë dhe pafuqisë së tyre, gjendeshin në prapavijën e mbrojtjes së Islamit. Ata kurrë nuk iu trembën fuqisë së armikut, por treguan një mbështetje të palëkundshme në Allah. Nëse u betuan për besnikëri e dashuri ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ata nuk kursyen as jetën në këtë drejtim, dhe për shkak të kësaj devotshmërie, Allahu ua premtoi xhenetin dhe shprehu kënaqësinë ndaj tyre.

Abd-i Rabbihi ibn Hakk el-Hazrexhi

Abd-i Rabbihi ibn Hakk el-Hazrexhi | عبد ربه بن حق بن أوس. Ka më shumë se një mendim lidhur me emrin e këtij sahabiu bedri, sepse disa e quajnë edhe Abdurrab apo Abdullah. Ibni Ish’aku e ka quajtur Abdullah ibn Hakk, ndërsa Ibni Amara e ka shënuar me emrin Abd-i Rabbihi ibn Hakk. Ai bënte pjesë në familjen Benu Sa’ida të fisit Hazrexh.

Seleme ibn Thabit el-Evsi (r.a.)

Seleme ibn Thabit el-Evsi (r.a.) | سَلَمة بن ثَابِت بن وَقْش Emri i plotë i këtij sahabiu është Seleme ibn Thâbit ibn Vaksh r.a. Nëna e tij quhej Lejla bint Jeman, e cila ishte motra e Hudhjefa ibn Jeman. Ai mori pjesë në luftën e Bedrit, ndërsa ra dëshmor në luftën e Uhudit nga dora e Ebu Sufjanit. Në luftën e Uhudit kishin rënë dëshmorë edhe babai i Selemes, Thâbit ibn Vaksh r.a., xhaxhai Rifâa ibn Vaksh r.a. dhe vëllai Amr ibn Vaksh r.a. Shumë njerëz nga familja e Selemes kishin rënë dëshmorë.

Ebu Sinan ibn Sajfi el-Hazrexhi (r.a.)

Ebu Sinan ibn Sajfi el-Hazrexhi (r.a.) | سِنَان بن صَيْفيّ بن صَخْر Hazret Sinan ibn Sajfi r.a. i përkiste Benu Selmasë, e cila qe dega e fisit Hazrexh. Nëna e tij quhej Naila bint Kajs ndërsa djali i tij quhej Masut. Ai kishte pranuar Islamin në vitin 12 të profetësisë, pas përpjekjeve të Musab ibn Umejrit r.a. Ai ishte një prej 70 ensarëve në ngjarjen e besëlidhjes së dytë. Hazret Sinani luftoi në Bedër dhe Uhud, ndërsa ra dëshmor në luftën e Handekut.

Abdullah Abd-i Menaf r.a.

Abdullah Abd-i Menâf r.a. | عبد الله عبد مناف Hazret Abdullahu i përkiste fisit Benu Numan. Ai njihej me nofkën Ebu Jahja ndërsa nëna e tij quhej Hamime bint Ubejd. Ai kishte vetëm një vajzë, e cila gjithashtu quhej Hamime, ndërsa nëna e saj quhej Rebi bint Tufejl. Abdullahu r.a. mori pjesë në luftën e Bedrit dhe Uhudit.

Muhriz ibn Amir r.a.

Muhriz ibn Amir r.a. | مُحْرزُ بنُ عامر بن مالك Hazret Muhriz ibn Amiri r.a. i përkiste fisit Benu Adi ibn Nexhar. Nëna e tij quhej S’uda bint Khajsma ibn Harith dhe ishte nga fisi Aus. Nga bashkëshortja e tij Umi Sehl bint Ebu Kharixha, ai kishte dy fëmijë: Esma dhe Kulthum. Hazret Muhrizi kishte ndërruar jetë në mëngjesin e asaj dite, kur muslimanët do të niseshin për luftën e Uhudit. Meqë kishte bërë nijet për të marrë pjesë në këtë luftë, prandaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e quajti pjesëmarrës në Uhud.

Aidh ibn Mais el-Hazrexhi (r.a.)

Hazret Âidh ibn Mâisi r.a. është një sahab prej ensarëve. Ai i përkiste fisit Benu Zerik të ensarëve. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur vëllazërinë e tij me Hazret Suebet ibn Hermele r.a. Hazret Âidhi r.a. bashkë me vëllain e tij Mu’adh ibn Mais r.a. kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit. Mori pjesë në të gjitha betejat e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Hazret Âidhi r.a. mori pjesë në Besëlidhjen e dytë si dhe në luftën e Handekut. Ai u martirizua në vitin 12 pas hixhretit, në kohën e Kaifatit të Ebu Bekrit r.a., në luftën Jamama.

Abdullah ibn Seleme r.a.

Abdullah ibn Seleme r.a. | عبد الله بن سَلِمة بن مالك Hazret Abdullahu është një sahab ensari, i cili vinte prej fisit Bel’i të ensarëve. Ai kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit, ndërsa ra dëshmor në luftën e Uhudit. Pas martirizimit, trupi i tij ishte transportuar në deve për në Medinë bashkë me Muxheziz ibn Zijad të mbështjellë në një çarçaf. Pas ngjarjes së martirizimit, nëna e tij shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i tha: Ja Resulallah! Im bir kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit, ndërsa në betejën e Uhudit ai ka rënë dëshmor. Unë kam dëshirë ta marrë atë me vete në Medinë, që të varrosej atje, dhe ta kem pranë meje. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia pranoi kërkesën.

Hazret Abdullah ibn Seleme r.a. kishte një trup të mbushur e të shëndoshë, ndërsa Muxheziri ishte i hollë dhe i dobët, megjithatë sipas transmetimeve pesha e tyre ishte ndarë barabar. Duke parë habinë e sahabëve, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha: veprat e tyre i kanë bërë njësoj.

Mes’ud ibn Halde r.a.

Mes’ud ibn Halde r.a. | مَسْعُود بن سَعْد بن قَيْس بن خَلْدَة Hazret Mes’ud ibn Halde r.a. është përmendur edhe si Mes’ud ibn Halit. Ai i përkiste fisit Benu Zerik të ensarëve. Ai mori pjesë në luftën e Bedrit dhe Uhudit, dhe sipas transmetimeve ai ishte martirizuar në ngjarjen e Maunasë. Megjithatë sipas burimeve të tjera të historisë, ai kishte rënë dëshmor në betejën e Hajberit.

Mes’ud ibn Sa’d el-Ensari r.a.

Mes’ud ibn Sa’d el-Ensari r.a. | مَسْعُودُ بْنُ سَعْدٍ الأَنصاري Hazret Mes’ud ibn Sa’di r.a. i përkiste fisit Benu Zerik të Ensarëve. Ai mori pjesë në luftën e Bedrit dhe Uhudit. Historianët janë të ndarë lidhur me martirizimin e tij, sepse sipas disave ai kishte rënë dëshmor në ngjarjen e Maunasë, ndërsa sipas Muhammed ibn Amarasë dhe Ebu Naimit ai ishte martirizuar në luftën e Hajberit.

Zejd ibn Eslem el-Evsi r.a.

Zejd ibn Eslem el-Evsi r.a. | زَيْدُ بنُ أسْلَم Hazret Zejd bin Eslemi r.a. është një sahab nga radha e ensarëve. Ai i përkiste fisit Benu Uxhlan. Ai kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe Uhudit, dhe kishte rënë dëshmor në kohën e kalifatit të Ebu Bekrit r.a. në luftën Ghezakha, duke u ballafaquar me Tulejha ibn Huvejlid el-Esedi. Ghezaha është një burim në Nexhed, ku muslimanët kishin zhvilluar një luftë me rebelët dhe profetin e rremë Zulejha ibn Huvejlid el-Esedi.

Ebu’l- Mundhir Jezid ibn Amir r.a.

Ebu’l- Mundhir Jezid ibn Âmir r.a. | أبو المنذر يزيد بن عامر بن حديدة الأنصاري Emri i Hazret Eb’ul Mundhirit r.a. është përmendur edhe si Jezid ibn Amru. Ai i përkiste fisit Benu Suvad të Ensarëve. Ai mori pjesë në besëlidhjen e Ukbasë, si dhe në luftën e Bedrit e Uhudit. Pasardhësit e tij ishin shpërndarë në Medinë e Bagdad.

Amr ibn Tha’lebe el-Hazrexhi r.a.

Amr ibn Tha’lebe el-Hazrexhi r.a. | عمرو بن ثعلبة الجهني Hazret Amr ibn Tha’lebe r.a. qe një sahab ensari nga fisi Benu Ara. Ai më tepër njihej me nofkën e tij. Kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe Uhudit. Ai ka rrëfyer se kishte takuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në vendin Sejala dhe atje pranoi Islamin. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia kishte përkëdhelur kokën. Hazret Vedah ibn Seleme r.a. ka transmetuar nga babai i tij që Amr ibn Tha’lebe ishte 100 vjeç, por akoma nuk i ishin thinjur flokët aty ku e kishte përkëdhelur Profeti a.s.

Ebu Halid el- Haris ibn Kajs r.a.

Ebu Hâlid el- Hâris ibn Kajs r.a. | ابو خالد الحارث بن قيس Hazret Hâlid el- Hâris ibn Kajs ibn Hâlid ibn Muhalid r.a. ishte një sahab ensari nga fisi Benu Zerik. Ai njihet më shumë me nofkën Ebu Hâlid. Përfshirë besëlidhjen e Ukbasë dhe luftën e Bedrit, ai mori pjesë në të gjitha betejat e Profetit s.a.v.s. Ai luftoi bashkë me Hâlid ibn Velidin në luftën Jemama, në të cilën mori edhe plagë. Këto plaga edhe pse ishin mbyllur, por në kohën e kalifatit të Omerit r.a., i ishin hapur sërish, që shkaktuan edhe vdekjen e tij. Për këtë arsye, emri i tij shënohet ndër dëshmorët e luftës Jemama.

Abdullah ibn Tha’lebe el-Belevi r.a.

Abdullah ibn Tha’lebe el-Belevi r.a. |  عبدالله بن ثعلبة البلوي Abdullah ibn Tha’lebe r.a. ishte ndër sahabët ensarë. Ai kishte marrë pjesë në Bedër dhe Uhud. Në luftën e Bedrit, ai kishte luftuar bashkë me vëllain e tij Behhâth ibn Tha’lebe r.a.

Mahab ibn Tha’lebe r.a.

Mahab ibn Tha’lebe r.a. | محاب بن ثعلبة Hazret Mahab ibn Tha’lebe r.a. i përkiste fisit Bali’ të ensarëve. Abdullahu r.a. dhe Jezidi r.a. ishin vëllezër të tij. Jezidi r.a. kishte marrë pjesë në të dy besëlidhjet, ndërsa Mahab ibn Tha’lebe r.a. ishte i pranishëm në të parën. Mahabi r.a. mori pjesë në Bedër dhe Uhud. Emri i tij është përmendur edhe si Behhath ibn Tha’lebe.

Malik ibn Mes’ud el-Hazrexhi r.a.

Mâlik ibn Mes’ud el-Hazrexhi r.a. | مالك بن مسعود Hazret Mâlik ibn Mes’udi r.a. i përkiste fisit Benu Sa’ida të ensarëve, i cili kishte marrë pjesë në Bedër dhe Uhud.

Abdullah ibn Kajs ibn Sahr r.a.

Abdullah ibn Kajs ibn Sahr r.a. | عبدالله بن قيس بن صخر Hazret Abdullahu i përkiste fisit Benu Seleme të ensarëve. Ai bashkë me vëllain e tij Ma’bed ibn Kajs kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe të Uhudit.

Abdullah ibn Abs el-Hazrexhi r.a.

Hazret Abdullahu i përkiste degës Benu Uda të fisit Hazrexh dhe bënte pjesë në radhën e ensarëve. Në histori emri i tij është shënuar edhe si Abdullah ibn ‘Ubejs. Ai mori pjesë në të gjitha betejat e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. përfshirë edhe Bedrin.

Mu’attib ibn Kushejr el-Evsi r.a.

Mu’attib ibn Kushejr el-Evsi r.a. | مُعَتِّبُ بْنُ قُشَيْرٍ Emri i Hazret Mu’attib ibn Kushjerit r.a. është përmendur edhe si Mu’attib ibn Beshir. Ai i përkiste degës Benu Dhebi’a të fisit Aus të ensarëve. Ai kishte marrë pjesë në besëlidhjen e parë, si dhe në luftën e Bedrit dhe Uhudit.

Sevad ibn Zurejk el-Hazrexhi r.a.

Sevad ibn Zurejk el-Hazrexhi r.a. | سواد بن رزن بن زيد بن ثعلبة الأنصاري Në disa transmetime, emri i këtij sahabiu ensari është shënuar si Esved ibn Rrezn ose Sevad ibn Zurejk. Ai kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe Uhudit.

Muattib ibn Avf el-Muhaxhiri r.a.

Muattib ibn Avf el-Muhaxhiri r.a. | مُعَتِّب بن عوف الخزاعي Hazret Muattibi r.a. i përkiste fisit Benu Hiza’ dhe ishte aleatë me Benu Mehzum. Atë e quanin dhe Muattib ibn el-Humara. Ai njihej me nofkën Ebu Avf. Hazret Muattibi kishte marrë pjesë në emigrimin e dytë drejt Abisinisë. Kur emigroi për herë të dytë nga Meka për në Medinë, ai bujti në shtëpinë e Mubeshir ibn Abdul-Mundhirit. Në kohën e vendosjes së vëllazërisë midis muhaxhirëve dhe ensarëve në Medinë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e bëri vëlla me Tha’lebe ibn Hatib el-Ensari. Përveç Bedrit dhe Uhudit, Muattibi r.a. kishte marrë pjesë në të gjitha betejat e Profetit. s.a.v.s. Ai ndërroi jetë në vitin 57 të hixhretit në moshën 78 vjeçare.

Buxhejr ibn Ebi Buxhejr r.a.

Buxhejr ibn Ebi Buxhejr r.a. | بجير بن أبي بجير Rreth Hazret Buxhejrit historia nuk na tregon shumë detaj. Ne dimë vetëm këtë që ai kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe Uhudit.

Amir ibn el-Bukejr el-Muhaxhiri r.a.

Âmir ibn el-Bukejr el-Muhaxhiri r.a. | عامر بن بُكير Hazret Âmir ibn el-Bukejri r.a. i përkiste fisit Benu Sa’ad. Ai mori pjesë në luftën e Bedrit bashkë me vëllezërit e tij Ijâs ibn el-Bukejr r.a., Âkil ibn el-Bukejr esh-Shehid r.a. dhe Hâlid ibn el-Bukejr r.a. Këta vëllezër kishin pranuar Islamin në Dari Erkem dhe morën pjesë dhe në beteja të tjera. Hazret Âmir ibn el-Bukejri r.a. kishte rënë dëshmor në luftën e Jamamasë.

Amr ibn Surâka el-Muhaxhiri r.a.

Amr ibn Surâka el-Muhaxhiri r.a. |عَمْرو بن سُرَاقة بن المُعْتَمِر Emri i tij i plotë është Amr ibn Suraka ibn el-M’utemir. Ai kishte ndërruar jetë në periudhën e Osmanit r.a. Nëna e tij quhej Kadama bint Abdullah ibn Omer, ndonëse disa historianë e quajnë Amine bint Abdullah ibn Umejr ibn Ahjib. Amr ibn Surâka r.a. i përkiste fisit Benu Adi dhe Abdullah ibn Suraka ishte vëllai i tij.

Kur Amr ibn Surâka r.a. bashkë me vëllain e tij Abdullah mbërritën në Medinë pas hixhretit, ata bujtën te Rifâa ibn Abdi’l-Mundhir el-Evsi r.a. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur vëllazërinë e tij me Sa’ad ibn Zejd r.a.. Amr ibn Surâka r.a. mori pjesë në të gjitha betejat përfshirë Bedrin dhe Uhudin.

Âmir ibn Rebia r.a. ka rrëfyer se Pejgamberi a.s. na dërgoi në ekspeditën “Nekhla”. Në këtë mision na shoqëronte dhe Amr ibn Suraka r.a. me një trup të hedhur e të hollë. Gjatë udhëtimit Amr ibn Surâka r.a. u ndal në një vend dhe shtrëngoi barkun për shkak të urisë. Ai nuk mund të ecte dot për shkak të urisë, prandaj ne i lidhëm një gur mbi bark dhe e shtrënguam fort.

Kështu ai u ngrit dhe filloi të ecte prapë, derisa mbërritëm në një vend ku banonte një fis. Ata na pritën mirë dhe na bënë zijafet duke na shtruar bukë. Kur u çuam nga vendi, dhe nisëm rrugën sërish, Amr ibn Surâka r.a. na tha: “Unë përpara kujtoja se dy këmbët e njeriut ia mbajnë barkun, por tashmë kam kuptuar se me të vërtetë barku i mban këmbët”. Omeri r.a. i kishte dhuruar një truall në tokën e Hajberit. Ai kishte ndërruar jetë në kalifatin e Osmanit r.a.

Thabit ibn Hezzal el-Hazrexhi r.a.

Thâbit ibn Hezzâl el-Hazrexhi r.a. | ثَابِتُ بن هَزَّال بن عَمْرو الأنصاري Hazret Thabiti r.a. i përkiste degës Benu Amr ibn Avf të fisit Hazrexh. Ai luftoi përkrah të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në të gjitha betejat përfshirë Bedrin, Uhudin dhe Handekun. Ai u martirizua në vitin 12 të hixhretit në kohën e Ebu Bekrit r.a. duke luftuar në luftën e Jemamasë.

Subej’ ibn Kajs el-Hazrexhi r.a.

Subej’ ibn Kajs el-Hazrexhi r.a. | سُبَيْع بن حَاطِب بن قَيْس Hazret Subej’ r.a. ishte një sahab ensari nga fisi Hazrexh, i cili kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe Uhudit. Nëna e tij quhej Hatixhe bint Amr ibn Zejd. Ai kishte vetëm një djalë, që quhej Abdullah i cili vdiq në moshë të njomë, dhe nëna e tij ishte nga fisi Benu Xhedara. Âbbâd ibn Kajsi r.a. dhe Zejd ibn Kajsi r.a. ishin vëllezërit e tij dhe Ebu Derdaja r.a. ishte nipi i tyre.

Habbab Mevla Utbe ibn el-Gazvan r.a.

Habbâb Mevla Utbe ibn el-Gazvân r.a. | خَبّاب، مولى عتبة بن غَزْوان Hazret Habbâbi ishte një skllav, të cilin e kishte liruar Utbe ibn el-Ğazvâni r.a. Ebu Jehja është nofka e tij dhe ai ishte aleat me Benu Neufil. Pas mërgimit nga Meka, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur vëllazëri midis tij dhe Temim mevla Harash ibn Esma r.a. Përfshirë Bedrin, Uhudin dhe Handekun, Hazret Habbabi r.a. kishte marrë pjesë në të gjitha betejat e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Ai ndërroi jetë në Medinë në vitin 19 të hixhretit në moshën 50 vjeçare. Omeri r.a. kishte udhëhequr xhenazen e tij.

Sufjan ibn Bishr r.a.

Sufjan ibn Bishr r.a. | سُفْيانُ بن نَسْر بن زيد بن الحارث الأَنصاري الخزرجي Hazret Sufjani r.a. është një sahab ensari nga familja Benu Xhoshim të fisit Hazrexh. Historianët janë të ndarë lidhur me emrin e babait të tij, i cili përmendet si Nesr ose Bishr. Ai kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe Uhudit. Sipas një transmetimi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur vëllazëri midis tij dhe Tufejl ibn Harithit r.a.

Ebu Mahshi Suvejd et-Tai el-Muhaxhiri r.a.

Ebu Mahshi Suvejd et-Tâi el-Muhaxhiri r.a.  | بشار بن عدي بن عمرو بن سويد الطائي Ky sahab është njohur më shumë me nofkën e tij Ebu Mahshi. Emri i tij i plotë është Su’ejd ibn Mahshi. Ai ishte aleat me Benu Esed dhe konsiderohet prej atyre muslimanëve të cilët kishin bërë hixhret qysh në fillim të Islamit. Ai gjithashtu bën pjesë ndër ata sahabë që luftuan në Bedër.

Vehb ibn Abdullah ibn Sa’ad ibn Ebi Sarh r.a.

Vehb ibn Abdullah ibn Sa’ad ibn Ebi Sarh r.a. | وهب بن عبد الله بن سعد بن أبي سرح Musa ibn Akbai r.a. ka rrëfyer se Vehb ibn Abdullahu ibn Sa’ad ibn Ebi Sarh r.a. kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit bashkë me vëllain e tij. Hejthim ibn Adi r.a. e ka renditur ndër muhaxhirët e Abisinisë, ndonëse Biladur-Rida është shprehur që kjo nuk është vërtetuar.

Temim Mevla beni Ganm el-Evsi r.a.

Temim Mevla beni Ganm el-Evsi r.a. | ميم الغَنْمي. مولى بني غَنْم بن السِّلْم بن مالك بن الأوس Hazret Temimi r.a. ishte një skllav, të cilin e kishte liruar Benu Ganm es-Silmi. Ai kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe Uhudit.

Ebu’l-Hamrâ Mevlâ el-Hârith ibn Rifâai r.a.

Ebu’l-Hamrâ Mevlâ el-Hârith ibn Rifâai r.a. | ابو الحمراء مولى حارث Hazret Ebu’l-Hamrâi r.a. kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe Uhudit. Në luftën e Bedrit Hazret Mu’adhi, Hazret Aufi r.a., Hazret Mu’avidhi dhe Ebu’l Hamrai r.a. kishin vetëm një deve, të cilin e hipnin me radhë.

Ebu Sebra ibn Ebi Ruhm el-Muhaxhiri r.a.

Ebu Sebra ibn Ebi Ruhm el-Muhaxhiri r.a. | أَبو سَبْرَةَ بن أَبي رُهْم بن عبد العُزّى القرشي العَامِرِيّ Nofka e Ebu Sebrait r.a. ishte bërë aq e njohur, saqë njerëzit e kishin harruar emrin e tij origjinal. Nëna e tij quhej Bara’ bint Abdul Muttelib, e cila ishte halla e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Në këtë mënyrë Ebu Sebrai r.a. ishte kushëriri i tij. Ai kishte mërguar dy herë drejt Abisinisë. Herën e dytë, kur u nis drejt këtij vendi, e kishte shoqëruar bashkëshortja e tij Umi Kulthum bint Suhejl ibn Amri. Ai kishte tre djem, Muhammed, Abdullah dhe Sa’ad.

Pas hixhretit kur mbërriti në Medinë nga Meka, ai bujti në shtëpinë e Mundhir ibn Muhammedit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur lidhjet e tij vëllazërore me Seleme ibn Selama. Përveç Bedrit dhe Uhudit Ebu Sebrai r.a. e shoqëroi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në të gjitha betejat e tij. Pas vdekjes së Pejgmaberit a.s., ai u vendos në Mekë dhe ndërroi jetë në kohën e Kalifatit të Osmanit r.a.

Thabit ibni Amr r.a.

Thabit ibn-i Amr r.a. | ثابت بن عامر بن زيد الأنصاريّ Sipas historianëve Ibni Is’haku dhe Zehriu, Hazret Thâbit ibn-i Amri r.a. kishte lidhje farefisnore me Benu Nexhar, dhe Ibni Mundhiri ka treguar që kishte prejardhje me fisin Benu Eshxhe’e, aleat me Ensarët. Ai mori pjesë në Bedër, ndërsa në Uhud u martirizua.

Ebu’l-A’ver ibn el-Harith r.a.

Ebu’l-A’ver ibn el-Harith r.a. |  أبو الأعور بن الحارث Nëna e tij quhej Umi Nijar bint Ijas ibn Amir. Ai i përkiste degës Benu Adi ibn Nexhar të fisit Hazrexh. Ai kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe Uhudit. Historianët kanë një mosmarrëveshje lidhur me emrin e Ebu’l A’ver ibn el-Harithit. Sipas Ibn Is’hakut emri i tij ishte Ka’ab, ndërsa Ibn Amara është i mendimit se ai quhej Harith ibn Dhalim. Meqë xhaxhai i tij quhej Ka’ab, prandaj duke mos ditur prejardhjen e tij familjare, dijetarët e kanë lidhur Hazret Ebul A’verin me xhaxhain e tij Ka’ab. Ibni Hishami gjithashtu ka mbështetur këtë mendim.

Abs ibn Amir el-Hazrexhi r.a.

Abs ibn Âmir el-Hazrexhi r.a. | عبس بن عامر Ibni Is’haku dhe Musa ibn Ukbai e kanë quajtur Abs. Nëna e tij quhej Umul Benin bint Zehir ibn The’lebe, dhe i përkiste familjes Benu Selma të fisit Hazrexh. Hazret Absi r.a. ishte prej atyre 70 sahabëve të cilët kishin marrë pjesë në Besëlidhjen e Ukbasë. Ai gjithashtu kishte marrë pjesë në Bedr dhe Uhud.

Ijas ibn el-Bukejr el-Muhaxhiri r.a.

Ijâs ibn el-Bukejr el-Muhaxhiri r.a. |  إيَاسُ بنُ البُكَيْر بن عبد ياليل Ai gjithashtu njihet me nofkën Ibn el-Bukejr. Ai i përkiste fisit Benu Sa’ad ibn Leth i cili ishte aleat me Benu Adi. Hazret Ijasi dhe vëllezërit e tij Akili, Amiri dhe Haliti kishin bërë hixhret së bashku drejt Medinës dhe ishin bujtur te Rifa’ ibn Abdul Mundhiri. Ai kishte edhe tre vëllezër të tjerë nga nëna dhe që të gjithë kishin luftuar në Bedër. Sipas Ibn Junusit, Hazret Ijasi kishte marrë pjesë në fitoren e Egjiptit. Ai ndërroi jetë në vitin 34 të hixhretit, ndërsa sipas një burimi tjetër ai kishte rënë dëshmor në luftën Jemama.

Tre vëllezërit e tij Muâdh, Muavvidh dhe Akil kishin rënë dëshmorë në Bedër, ndërsa Haliti në ngjarjen Rexhi’ dhe Amiri në Jemama. Sipas një transmetimi Amiri r.a. ishte martirizuar në Bi’ri Mauna.

Përpos Bedrit dhe Uhudit, Ijas ibn Bukejri r.a. kishte marrë pjesë në të gjitha betejat e Profetit. Ai ishte ndër të parët që pranuan Islamin dhe bënë hixhret. Djali i tij quhej Muhammed ibn Ijas ibn Bukejr. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur vëllazëri midis Ijas ibn Bukejrit dhe Harith ibn Hezmes. Ijasi bënte edhe poezi.

Zejd ibn Eslemi ka rrëfyer që djemtë e Ebu el-Bukejrit shkuan te Profeti dhe i thanë: Ja Resulallah! Ju lutemi, shpallni nikahun e motrës sonë me filan person. Profeti s.a.v.s. u tha: Çfarë mendim keni për Bilalin? A nuk është Bilali zgjedhja më e mirë? Mendoni pak për këtë. Ata u larguan dhe erdhën sërish pas njëfarë kohe dhe i thanë: O i Dërguari i Allahut! Shpallni martesën e motrës sonë me filanin. Profeti s.a.v.s. sërish u tha të njëjtën bisedë “Çfarë mendoni për Bilalin?”. Ata u larguan duke thënë që u duhej të mendojnë.

Pastaj erdhën për herë të tretë dhe iu drejtuan Profetit duke thënë: Ju lutemi, shpallni nikahun e motrës sonë me filanin. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. edhe njëherë u tha: Çfarë mendim keni për Bilalin? Çfarë mendim keni për një njeri që bën pjesë në banorët e Xhenetit? Ata u pajtuan me Profetin s.a.v.s. dhe martuan motrën e tyre me Bilalin.

Kjo ngjarje hedh dritë mbi pozitën e Bilalit, po ashtu na tregon se vendoeshein lidhjet martesore në atë kohë.

Malik ibn-i Numejle el- Ensari r.a.

Mâlik ibn-i Numejle el- Ensari r.a. | مَالِكُ ابْنُ نُمَيْلَةَ Nëna e tij quhej Numejla, prandaj ai njihet me nofkën Ibn-i Numejla. Ai i përkiste fisit Mezina e cila kishte bërë aleancë me Benu Mu’avia degën e fisit Aus. Ai mori pjesë në Bedër dhe ra dëshmor në luftën e Uhudit.

Unejs ibn Katade el-Evsi r.a.

Unejs ibn Katâde el-Evsi r.a. | أَنَسُ بْنُ قَتَادَةَ الأَنْصَارِيُّ Hazret Unejsi r.a. i përkiste fisit Aus të Ensarëve. Ai luftoi përkrah Profetit s.a.v.s në Betejën e Bedrit, ndërsa ra dëshmor në fushën e Uhudit nga dora e Ebu el-Hikem ibn Ekhnes ibn Sherik. Hensa bint Hazam ishte bashkëshortja e tij. Pas rënies së tij në luftë, vjehrri e tij e martoi Hensanë me një njeri të fisit Mezina, ndërsa ajo nuk e pëlqente. Kështu, ajo u ankua te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i cili ia zgjidhi martesën. Pra, babai i saj e kishte martuar, por Profeti s.a.v.s. e zgjidhi këtë martesë, sepse asaj nuk i pëlqente kjo martesë. Pastaj, Hazret Hansaja r.a. u martua me Ebu Lubaba dhe nga kjo martesë Saibi ibn Ebi Lubaba erdhi në jetë.

Kjo ngjarje tregon për të drejtat e gruas lidhur me martesën e saj, dhe është mësim për ata që duan të imponojnë pëlqimin e tyre mbi vajzat e tyre.

el-Harith ibn Arfexhe el-Evsi r.a.

el-Hârith ibn Arfexhe el-Evsi r.a. | الحَارِثُ بن عَرْفَجَةَ بن الحارِث بن مالك Hazret Harithi i përkiste fisit Benu Ghenem dhe kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe Uhudit.

Rafi’ ibn Anxhede el-Evsi r.a.

Rafi’ ibn Anxhede el-Evsi r.a. | رَافِعُ ابن عَنْجَدَة الأنصاري الأوسي Babai i tij quhej Abd el-Harith dhe Anxhede ishte emri i nënës së tij. Hazret Rafiu r.a. u bë i njohur përmes lidhjes amësore. Ai i përkiste fisit Benu Umeja ibn Zejd ibn Malik. Ai mori pjesë në betejat e Bedit, Uhudit dhe Handekut. Sipas një transmetimi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur vëllazëri midis Râfi’ ibn Anxhedes r.a. dhe Husejn ibn el-Harithit r.a.

Hulejde ibn Kajs el-Hazrexhi r.a.

Hulejde ibn Kajs el-Hazrexhi r.a. | خُلَيْدَة بن قَيْس بن النُّعمان Nëna e Hulejdes r.a. quhej Idam bint el-Kajn إدام بنت القين بن كعب e cila kishte prejardhje nga Benu Seleme. Përveç Hulejde ibn Kajs, ai gjithashtu përmendet në histori me emra si Hulejd ibn Kajs خُلَيْدُ بن قَيْس ose Halida ibn Kajs خالدة بن قيس. Ai kishte luftuar në betejën e Bedrit dhe Uhudit. Kishte edhe një vëlla i cili quhej Hallad خلاّد, dhe kishte rënë dëshmor në luftën e Bedrit.

Thakf ibn Amr el-Muhaxhiri r.a.

Thakf ibn Amr el-Muhaxhiri r.a. | ثَقْفُ بن عمرو بن سُمَيط Dijetarët janë të ndarë se cilit fis i përkiste Thakfi r.a. Disa mendojnë se ai ishte nga fisi benu Islam ndërsa të tjerët e konsiderojnë Benu Esed apo Silmije. Ata ishin aleatë me Benu Esed apo Benu Abdi Shems. Hazret Thakfi r.a. mori pjesë në luftën e Bedrit së bashku me dy vëllezërit e tij Mâlik ibn Amr r.a. dhe Midlaxh ibn Amr r.a. Ata ishin ndër të parët që emigruan drejt Medines. Hazret Thakfi r.a. mori pjesë edhe në Uhud dhe Handek, ndërsa ra dëshmor në betejën e Hajberit.

Sebre ibn Fatik r.a.

Sebre ibn Fatik r.a. | سَبْرة بن فاتك Hazret Sebre ibn Fatiku r.a. ishte vëllai i Khurejm ibn Fatikut r.a. dhe i përkiste familjes Benu Esed. Babai i tij quhet Fatik ibn el-Ekhrem. Emri Semure ibn Fatik gjithashtu i është atribuuar atij. Ejmen ibn Khurejmi r.a. ka thënë: “Im atë dhe xhaxhai im kanë luftuar në betejën e Bedrit, dhe më kishin vënë në be që të mos luftoja me asnjë musliman. Abdullah ibn Jusufi ka thënë që ishte Sebreh ibn Fatiku i cili kishte ndarë Damaskun ndër muslimanët. Ai konsiderohet të ketë prejardhje siriane. Ai ka thënë që peshorja është në dorën e Zotit të Gjithmëshirëshëm, i Cili lartëson disa popuj, dhe disa i shpie në degradim për shkak të sjelljes së tyre.

Njëherë Sebre ibn Fatiku r.a. kaloi pranë Ebu Derdasë, i cili u shpreh që nuri i Muhammedit s.a.v.s. e shoqëron Sebren. Abdurrahman ibn ‘Aaiz r.a. ka thënë që ai kishte parë dikë që fliste keq për Sebre ibn Fatikun, ndërsa ai në vend të kundërpërgjigjej, e mbajti zemërimin. Ai njeri vijonte t’i drejtohej me fjalë të shpifura, ndërsa Sebreja r.a. vetëm mposhtte zemërimin. Nga durimi, iu përlotën sytë.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. njëherë kishte thënë: “Sa i mirë është Sebreja, po sikur të shkurtojë edhe pak flokët dhe të ngrejë veshjen pak më lartë”. Kur Hazret Sebre ibn Fatiku r.a. mësoi fjalët e Profetit s.a.v.s., ai menjëherë i zbatoi ato. Ai thoshte: “Kam dëshirë që çdo ditë të ndeshem me një idhujtar të armatosur i cili më martirizon, ose përndryshe unë e mbys dhe shfaqet një tjetër si ai”. Ndonëse, disa dijetarë nuk e kanë quajtur bedri, por Imam Buhariu e ka cilësuar atë dhe babanë e tij ndër sahabët e Bedrit.

Kjo ishte historia e këtyre sahabëve.

Disa xhenaze

Tashmë pas namazit të xhumasë, do të udhëheq dy xhenaze në mungesë. Xhenazja e parë i përket të ndjerit Ungku Adnan sahibit, Kryetarit të Xhematit në Malajazi, i cili ka ndërruar jetë më 8 tetor në moshën 74 vjeçare. Ina lil-lahi va ina ilejhi raxhiun. Babai i tij ishte prej ahmedianëve të parë, i cili kishte pranuar xhematin në 1956 në Singapor me anë të përpjekjeve të Mevlana Muhammed Sadik sahibit, misionar i Singaporit dhe Muhamed Salikin sahibi, kryetar i xhematit në atë vend. Babai i të ndjerit ishte Myfti në shtetin Xhohor të Malajzisë, ndërsa nga ana e nënës, kishte lidhje me familjen mbretërore të atij vendi. Për shkak të xhematit, atë e kishin transferuar në një departament tjetër.

Adnan sahibi kishte lindur në gusht 1944. Në vitin 1969, ai kreu studimet në Baçelor në Shkencat politike pranë Universitetit të Singaporit. Në vitin 1969, ai filloi të punonte në administratën shtetërore dhe përfaqësitë politike. Nga 1969 deri në 1981, ai shërbeu në departamentin e hulumtimit të Kryeministrit. Gjatë kësaj periudhe, ai gjithashtu shërbeu në përfaqësitë e Malajzisë në Singapor, Pekin dhe Bangkok. Më vonë, atë e ngritën në gradë, dhe u caktua kryetar i një sektori në Këshillin Kombëtar të Sigurisë. Ai i shërbeu kësaj detyre nga 1984 deri në 1992. Përveç kësaj nga 1992 deri në 1997 përveç kryeministrisë, ai shërbeu edhe në institucione të tjera publike.

Në vitin 1996, ai kishte pasur një ndërhyrje në zemër dhe nga 1997 e deri në 1999 ai punoi për departamentin e hulumtimit të kryeministrisë dhe doli në pension.

Ai kishte pranuar xhematin në 1956 bashkë me prindërit e tij, por pas kthimit të tij nga Bangkoku në 1981, filloi të bëhej një ahmedian praktik dhe aktiv, duke forcuar edhe lidhje me xhemat. Në 1986, Hazret Kalifi IV r.a. e caktoi atë si Kryetar i parë i Xhematit në Malajzi. Gjatë kohës së udhëheqjes së tij, Xhemati shënoi arritje dhe progres të dukshëm. Gjatë kësaj kohe u ndërtuan dy qendrat e Xhematit Bejtus Selam dhe Bejtur Rahman. Ai kontribuoi veçanërisht në vendosjen e misionarëve nga Indonezia në Malajzi. Po kështu dërgoi studentë në Xhamiat në Rabvah dhe Kadijan.

Gjendja e tij shëndetësore kishte përkeqësuar në këto dy vitet e fundit dhe disa herë u shtrua në spital. Ai më kishte kërkuar leje për t’u shtruar në “Tahir Heart Institute”, dhe në maj të këtij viti ai shkoi atje. Kishte parë përmirësim në shëndet i cili u përkeqësua sërish. E kishin shtruar sërish në spital ku dhe ndërroi jetë. Ai ishte anëtarësuar në sistemin e Testamentit. Ai ka lënë pas një vajzë dhe dy djem.

Pavarësisht prejardhjes së tij nga familja mbretërore, Ungku Adnan sahibi ishte njeri i thjeshtë dhe i përulur. Ka përmbushur të gjitha përgjegjësitë e tij, qoftë ndaj shtetit apo xhematit, në mënyrë të shkëlqyer. Ishte i përpiktë dhe i kujdesshëm për çdo detaj që dërgohej në qendër. Shpeshherë punonte deri vonë në zyrat e xhematit. Kishte një sjellje të shkëlqyer me të gjithë anëtarët e xhematit, dhe veçanërisht me misionarët dhe përgjegjësit e xhematit. Ai i kushtonte një vëmendje të veçantë edukimit dhe zhvillimit të brezit të ri. Bashkëshortja e tij ka thënë që ai gjithmonë shqetësohej për arsimin e lartë të fëmijëve dhe mendonte për përparimin e xhematit.

Ditën kur ai ndërroi jetë, të gjitha ambulancat ishin të zënë, dhe nuk po gjendej dot transporti për të përcjellë trupin deri në xhami. Një anëtar kontaktoi një vullnetar kinez z. Kuan Qi, i cili ka një ambulancë personale dhe ndihmon vullnetarisht në transportimin e kufomave. Më vonë, ai kishte shkruar në statusin e tij në Facebook se “Kam parë diçka që nuk më kishte ndodhur kurrë gjatë jetës. Kur ndeza ambulancën, sikur u zhduk krejt trafiku. Nuk kam hasur asnjë trafik në rrugë, edhe pse ajo rrugë gjithmonë ka trafik të rënduar. Distancën që gjithmonë kam përshkuar në një orë, e bëra në 25 minuta. Kur mbërrita në xhami, kuptova që ai nuk ishte njeri i zakonshëm, por një shërbëtor i Zotit”.

Mansur Khan sahibi, i cili shërben si Vakilut Tabshir në Rabvah ka shkruar që Unkgu Adnan sahibi ka shërbyer si kryetar i Xhematit të Malajzisë për një kohë të gjatë. Ai ishte si baba për të gjithë anëtarët e xhematit. Gjatë vizitave të mia, kam folur gjerësisht me të lidhur me çështjet e xhematit, dhe gjithmonë e kam gjetur njeri i urtë dhe largpamës, i cili drejtoi xhematin në mënyrë të shkëlqyer në kushte jashtëzakonisht të vështira. I kërkonim opinion për situata jashtëzakonisht të ndërlikuara dhe të vështira. Allahu ia lartësoftë gradat në xhenet dhe i mundësoftë pasardhësit e tij të përjetësojnë virtytet e të ndjerit dhe forcojnë lidhjen e tyre me xhemat.

Xhenazja e dytë i përket znj. Hamida Begum bashkëshortes së Çodri Halil Ahmed sahibit. Ajo kishte ndërruar jetë më 5 tetor në moshën 84 vjeçare. Ina lil-lahi va ina ilejhi raxhiun. Ajo kishte lindur në një fshat Peni Banger, i cili ndodhej afër Kadijanit, në Indi. Ishte e përpiktë në namazet e pesë vakteve, por edhe në tehexhud. Ndonëse nuk ishte arsimuar në shkollë, por ushqehej me dashurinë e Kuranit. E lexonte disa herë gjatë ditës, dhe gjatë muajit të Ramazanit shkonte në xhami rregullisht për të dëgjuar Kuranin në namazin teravih. Kur gratë lejoheshin të shkonin për namazin e xhumasë, ajo mundohej të ishte e para që hynte në xhaminë Aksa.

Ajo bënte një jetë të thjeshtë. Gjithçka që kursente, jepte në rrugë të Zotit, në arka të ndryshme apo në ndërtimin e xhamive. Ajo ndiente kënaqësi dhe falënderonte Zotin për këto sakrifica. Ajo vetë kishte marrë përsipër martesat e disa vajzave të varfra dhe u përgatiste pajën. Shpeshherë kishte dhënë stolitë e saj në rrugë të Zotit apo si ndihmë ndaj njerëzve të nevojë. Për të kënaqësia më e madhe ishte të vizitonte rregullisht familje në nevojë. Sadakanë dhe lëmoshat i jepte me zemërgjerësi, dhe nuk i pëlqente që dikush të kthehet duarbosh nga dera e saj. Ajo ishte anëtare e sistemit të Testamentit. Ka lënë dy vajza dhe 6 djem.

E ndjera ishte motra e madhe e Imam Letif Ahmed Kahlon sahib. Dr. Muzafer Çaudri është djali i saj i madh që jeton në Angli dhe shpesh shërben vullnetarisht në spitalin e xhematit në Pakistan. Një djalë i saj është Besharat Nevid, i cili po shërben si misionar në ishullin Rijunion, po kështu një dhëndër Hafiz Abdul Halimi është murabi në Rabvah. Dy nipat janë hafiz dhe një nip është misionar. Një nip po ndjek institutin teologjik këtu në Angli.

Unë në përgjithësi udhëheq xhenazen e nënave të misionarëve, të cilët për shkak të detyrës, nuk marrin dot pjesë në xhenazen e prindërve të tyre. Basharat Nevid sahibi është gjithashtu në detyrë dhe nuk arriti dot të mbërrinte në varrim. Prandaj, kam vendosur ta udhëheq këtë xhenaze.

Ai ka shkruar që “… pas përfundimit të arsimit në Xhamia, më kishin caktuar detyrën në një vend. Para se të shkoja në shërbim, kam shkuar vetëm njëherë në shtëpi. Por në mëngjes, nuk u zgjova dot për sabah. Nëna ime më tha: djali im! Ndoshta aty ku shkon ti, njerëzit të shohin, prandaj ti shkon në xhami për shkak të njerëzve. Por, të dish që këtu të shikon Zoti. Gjithmonë kujdesu për namazin dhe mos harro se ty të shikon Zoti”.

Ai gjithashtu ka shkruar: “Isha duke studiuar në xhamis, kur papritur babai im ndërroi jetë. Vëllai i madh kishte shkuar jashtë shtetit, por ajo drejtoi gjithë shtëpinë me shumë përkushtim. Njëherë i thashë me shaka që do t’i them xhematit se meqë nëna ime është krejt e vetëm, dhe dua t’i shërbej asaj, prandaj të mos më çojnë me detyrë në ndonjë vend të largët. Ajo menjëherë më pa me fytyrë të vrenjtur dhe tha: Do të shkosh atje, ku të dërgon xhemati. Është e pamundur ta pengoj atë, të cilin kam dedikuar në rrugë të Allahut, ndërsa djemve të tjerë t’u them të fitojnë dynja. Nëse dua të mbaj dikë pranë vetes, ai nuk do të jetë ti”.

Në vitin 2013 kur e kam vizituar për herë të fundit gjatë pushimeve në Pakistan, i thashë që dua të lë familjen time atje që gruaja ime t’i shërbente asaj. Ajo ndonëse e lodhur nga mosha aq sa nuk çohej dot nga shtrati, nuk më lejoi dhe tha që familja duhet të qëndrojë afër bashkëshortit. Ky është shembulli i etërve tanë, që duhet ruajtur edhe në brezat e ardhshëm. Allahu ia lartësoftë gradat shpirtërore dhe i mundësoftë pasardhësit e saj që t’i qëndrojnë besnik rrugës së besimit. Amin

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp