
Në xhami gjendeshin shumica e sahabëve, të cilët kishin lënë të gjitha angazhimet e tyre për të pritur ndonjë lajm të gëzueshëm të përmirësimit të shëndetit të Profetit s.a.v.s. Por, kur lajmi i vdekjes mbërriti te ta, atyre sikur u ra një mal. Mungonte Ebu Bekri r.a., i cili, për një punë kishte lëvizur nga atje, por Omeri r.a. qe në xhami. Kur ai dëgjoi njerëzit duke thënë se Profeti s.a.v.s. kishte ndërruar jetë, menjëherë nxori shpatën nga këllëfi dhe bërtiti:
“Ai që thotë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka ndërruar jetë, unë do t’ia pres kokën. Hipokritët ende jetojnë në këtë botë, prandaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk mund të vdesë. Nëse shpirti i tij është ndarë nga trupi, atëherë me siguri ai ka shkuar për të takuar Zotin, ashtu siç kishte shkuar edhe Musai a.s. dhe ai do të kthehet për t’i asgjësuar hipokritët”.[1]
I hutuar dhe gati i çmendur nga lajmi tronditës, që edhe atij ia kishte këputur shpirtin, Omeri filloi të sillej andej-këtej dhe herë pas here, duke tundur shpatën e tij përsëriste:
“Kushdo që pohon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka ndërruar jetë, unë do t’ia pres kokën!”
Sahabët thonë që edhe ata kishin marrë veten kur e panë Omerin kaq të bindur dhe pranonin se ai thoshte të vërtetën, se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk duhej të kishte ndërruar jetë dhe me siguri, kishin gabuar ata që mendonin të kundërtën. Ndërkohë, disa njerëz shkuan me vrap te Ebu Bekri r.a. dhe e lajmëruan për situatën. Ai menjëherë erdhi në xhami, por nuk i foli askujt. Vrulltas hyri në shtëpi dhe e pyeti Ajshen r.a.: “A ka ndërruar jetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.?” “Po”, u përgjigj ajo. Ai shkoi te trupi i tij, e zbuloi çarçafin dhe e puthi në ballë, ndërkohë, i ranë dy lot të ngrohtë nga dashuria ndaj tij. Duke iu drejtuar Profetit s.a.v.s., ai tha:
“Pasha Zotin! Zoti i Lartësuar nuk do t’ju sjellë dy vdekje”.[2]
Domethënë, nuk mundet që në kohën kur Profetit s.a.v.s. i erdhi vdekja e kësaj bote, t’i vijë edhe një vdekje tjetër, e cila ishte devijimi i xhematit të tij, duke ndjekur besime dhe ide të gabuara. Me të thënë këto fjalë, ai doli nga shtëpia dhe duke çarë radhët e njerëzve, heshturazi vazhdoi drejt mimberit. Kur Ebu Bekri r.a. do të merrte fjalën në mimber, edhe Omeri r.a. iu afrua dhe po me shpatë të zhveshur qëndroi pranë tij. A thua se kishte kujtuar se do ta vriste edhe atë, nëse do të thoshte se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte ndërruar jetë! Kur Ebu Bekri r.a. zuri të fliste, Omeri r.a. ia kapi rrobat që ta bënte të heshtte, por, ai i tërhoqi rrobat dhe recitoi ajetin e Kuranit Famëlartë:
O njerëz, Muhammedi s.a.v.s. ishte vetëm një i dërguar i Allahut të Lartësuar. Para tij kanë kaluar shumë profetë dhe që të gjithë kanë vdekur. E, nëse ai do të vdesë apo do të vritet, mos do të ktheheni ju nga besimi juaj? [3]
Besimi i përket Zotit, e jo të Dërguarit të Tij s.a.v.s.. Ky ajet, kishte zbritur gjatë betejës së Uhudit, kur disa njerëz kishin lëshuar zemrën kur kishin dëgjuar se Profeti s.a.v.s. u martirizua. Pas recitimit të këtij ajeti, Ebu Bekri r.a. vazhdoi:
“O njerëz! Ata që adhuronin Muhammedin nga ju, le ta dinë se Muhammedi ka vdekur!”
“Kurse ata që adhuronin Allahun, ta dinë se Allahu është i Gjallë dhe nuk vdes kurrë!”
Omeri r.a. thotë:
“Në momentin kur Ebu Bekri r.a. filloi ta recitonte ajetin, “Muhammed s.a.v.s. ishte vetëm një i dërguar”, filluan të më ktheheshin mendtë dhe m’u hapën sytë e mi shpirtërorë. Kur përfundoi së recituari Ebu Bekri r.a., atëherë kuptova që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. me të vërtetë kishte ndërruar jetë. Po më dridheshin gjunjët dhe sakaq rashë përtokë”.[4]
Njeriu që rrinte për ta sulmuar Ebu Bekrin r.a. me shpatë, ra nga fjalët e tij të mbushura me vërtetësi. Sahabët thonë:
“Neve na dukej sikur ky ajet që recitoi Ebu Bekri, kishte zbritur atë ditë, sepse ne e kishim harruar nga tronditja e vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.”.
Hassan ibni Thabiti, poeti i shquar i Medinës, atë ditë tha këto vargje:
Ti ishe bebëza e syrit tim
sot shikimi më është verbuar
tash le të vdesë kushdo pas teje
nga vdekja jote isha frikësuar [5]
Këto vargje ishin thirrje e zemrës së çdo muslimani. Nëpër rrugicat e Medinës, për shumë ditë, muslimanët burra, gra dhe fëmijë, po këto vargje këndonin:
کُنْتَ السَّوَادَ لِنَاظِرِی
فَعَمِیَ عَلَیَّ النَّاظِرٗ
مَنْ شَاءَ بَعْدَکَ فَلْیَمُتْ
فَعَلَیْکَ کُنْتُ اُحَاذِرٗTi ishe bebëza e syrit tim
sot shikimi më është verbuar
tash le të vdesë kushdo pas teje
nga vdekja jote isha frikësuar.
[1] Musnad Ebi Hanifa, Kitabul-fadail.
[2] Buhariu, Kitab fadaili es’habin-Nebiji s.a., bab keulin-Nebiji s.a.v.s. “le kuntu mutahidhen khelila”.
[3] Kurani Famëlartë 3:145.
[4] Tarikh Kamil, Ibni Ethir, vëll. II, Bejrut, 1965, f. 324.
[5] Divan Hasan bin Thabit, Bejrut, 1998, f. 89.