Jeta e Hazret Uthman ibn Afanit r.a., Kalif i Tretë i Profetit a.s. | pjesa II
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Hazret Uthman ibn Afanit r.a., Kalif i Tretë i Profetit a.s. | pjesa II

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Pjesa II)

Në hutben e sotme do të trajtoj pjesëmarrjen e Hazret Uthmanit nëpër beteja. Siç kam përmendur më parë, Hazret Uthmani nuk kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit, pasi bashkëshortja e tij dhe njëkohësisht vajza e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Hazret Rukijje ishte e sëmurë dhe ndodhej në gjendje të rëndë. Profeti s.a.v.s. e porositi Uthmanin për të qëndruar në Medinë e për t’u kujdeseur për Hazret Rukijjen dhe e quajti atë si pjesëmarrës në luftën e Bedrit. Madje, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i caktoi atij pjesë në plaçkat dhe shpërblimet njësoj si për pjesëmarrësit e tjerë të Bedrit.

Beteja e Gatafanit

Beteja e Gatafanit u zhvillua në vitin 3 hixhri. Hazret Uthmani nuk mundi të merrte pjesë dhe në këtë betejë, pasi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. para se të nisej drejt Nexhedit për këtë betejë, e kishte caktuar Hazret Uthmanin si kryetar të Medinës.

Një përshkrim të hollësishëm të kësaj beteje, e gjejmë në shkrimin e Hazret Mirza Bashir Ahmed sahibit. Ai shkruan:

“Disa fise të Benu Gatafanit, përkatësisht Benu Tha’leba dhe Benu Maharibi pas thirrjes së luftëtarit të tyre të njohur Da’thur ibn Harithit, kishin nisur të mobilizoheshin në vendin Dhi-Amr të Nexhdit, për të realizuar një sulm të befasishëm mbi Medinë. Por, meqë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndiqte me vëmendje të gjitha lëvizjet dhe zhvillimet e kundërshtarëvre të tij, ai kishte zbuluar këtë plan të rrezikshëm në kohë. Si një gjeneral i zgjuar dhe syhapur, ai së bashku me një çetë sahabësh që përbëhej nga 450 luftëtarë, u nis nga Medina nga fundi apo fillimi i muajit Sefer të 3 hixhri dhe me shpejtësi të madhe, mbërriti afër Dhi Amrit.

Me të mësuar ardhjen e ushtrisë muslimane, luftëtarët kundërshtarë u ngjitën shpejt e shpejt nëpër kodra përreth dhe u strehuan në vende të sigurta. Kur muslimanët mbërritën në Dhi Amr, fusha ishte e boshatisur, megjithatë një bediun i fisit Benu Tha’leba, me emrin Xhebar përfundoi në duar të muslimanëve, dhe këta të fundit e arrestuan dhe e paraqitën para Profetit s.a.v.s.. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e mori në pyetje, u zbulua që njerëzit e fiseve Benu Tha’leba dhe Benu Meharib janë fshehur nëpër kodra dhe ata nuk do të guxojnë të ndeshen me muslimanët. Duke shqyrtuar gjendjen, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u detyrua të urdhëronte tërheqjen e ushtrisë muslimane. Kjo fushatë ushtarake të paktën kishte një të mirë që rreziku i cili kanosej nga Benu Gatafani, tashmë ishte shtyrë përkohësisht”.

Beteja e Uhudit

Hazret Uthmani kishte marrë pjesë në luftën e Uhudit, e cila ishte zhvilluar në Sheval të vitit 3 hixhri. Për shkak të sulmit të papritur dhe lajmit që meazallah i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte martirizuar në luftë, një grup sahabësh u shpërnda në fushë, ndërsa grupi tjetër që e shoqëronte Profetin s.a.v.s. ishte tkurrur aq shumë saqë përbehej vetëm nga 12 sahabësh. Hazret Uthmani bënte pjesë në grupin e parë.

Gjatë luftës, në fillim muslimanët kishin mposhtur kurejshët dhe pas tërheqjes së tyre, po grumbullonin plaçkat. Në këtë moment, grupi i 50 shigjetarëve, të cilin i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte caktuar kastile në një pikë strategjike dhe e kishte porositur të mos lironin vendin e tyre në asnjë rrethanë, duke parë fitoren e muslimanëve, braktisi vendin e tyre dhe zbritën në fushë. Halit ibn Velidi, i cili akoma nuk kishte pranuar Islamin, gjeti një rast të volitshëm dhe menjëherë u hodh në një sulm të befasishëm. Sulmi qe kaq i papritur dhe i beftë saqë si pasojë muslimanët u çorientuan dhe u hallakatën andej këtej.

Emri i Hazret Uthmanit gjithashtu figuron ndër këta sahabë që ishin shpërndarë. Kurani Famëlartë gjithashtu përmend këta persona dhe tregon që Allahu i Madhërishëm ka falur këta persona, për shkak të rrethanave specifike të asaj kohe dhe për shkak të devotshmërisë dhe bindjes së tyre. Allahu thotë:

إِنَّ الَّذِينَ تَوَلَّوْا مِنكُمْ يَوْمَ الْتَقَى الْجَمْعَانِ إِنَّمَا اسْتَزَلَّهُمُ الشَّيْطَانُ بِبَعْضِ مَا كَسَبُوا ۖ وَلَقَدْ عَفَا اللَّـهُ عَنْهُمْ ۗ إِنَّ اللَّـهَ غَفُورٌ حَلِيمٌ۝

Me të vërtetë, prej jush, ata që treguan shpinën ditën kur u ndeshën dy ushtritë, i lëkundi djalli për shkak të disa veprave të tyre që ata bënë. Allahu pa dyshim që i ka falur. Sigurisht, Allahu është shumë Falës, shumë i Përmbajtur. (Al-Imran 3:156)

Hazret Mirza Bashir Ahmed sahibi ka përshkruar gjendjen e muslimanëve gjatë kësaj beteje me këto fjalë. Ai shkruan në veprën Siret Khatemun Nebijin:

“Ushtria e kurejshëve kishin ngushtuar rrethimin e muslimanëve nga të katër anët dhe po shtonin sulmet e njëpasnjëshme. Megjithatë, muslimanët ndoshta mund të ishin stabilizuar pas lëkundjeve të para, por ndodhi diçka e rëndë. Një ushtar trim i kurejshëve, që quhej Abdullah ibn Kamia sulmoi Mus’ab ibn Umejrin, i cili mbante flamurin e muslimanëve, dhe ia preu dorën e djathtë. Mus’abi menjherë e rroki flamurin dhe doli përpara për t’u ballafaquar me të, por Abdullahu me një goditje të menjëhershme ia gjymtoi dhe dorën tjetër. Mus’abi u mundua të kapte flamurin me krahë të gjymtuar dhe për të ndaluar rrëzimin e tij, e ngjiti fort pranë kraharorit. Ibn Kamia i dha Mus’abit goditjen e tretë, që doli fatale për të dhe ai ra dëshmor.

Ndonëse dikush tjetër i kishte siguruar flamurin, por meqë pamja dhe fizionomia e Mus’abit i ngjante aq shumë të Dërguarit të Allahut, saqë Ibn Kamia kujtoi se kishte vrarë Muhamedin (s.a.v.s.). Mundet që ai kishte shpikur këtë skenë nga djallëzia apo dredhia. Sidoqoftë, ai lëshoi thirrje se gjoja kishte vrarë Muhammedin (s.a.v.s.). Ky lajm ua preu muslimanëve dhe shpresën e fundit, dhe i çoroditi keq. Të trullosur nga situata e krijuar, shumë sahabë ndërprenë luftën dhe u larguan nga fusha.

Ushtria muslimane ishte shpërndarë në tri grupe. Grupi i parë u përket njerëzve, të cilët me të dëgjuar lajmin e martirizimit të Profetit s.a.v.s. ishin larguar nga fushëbeteja. Ky ishte grupi më i vogël.

Ndër këta sahabë, përmendet dhe emri i Hazret Uthman ibn Afanit. Megjithatë, Kurani Famëlartë tregon se për shkak të atyre rrethanave specifike, besnikërisë dhe gjendjes së tyre shpirtërore, Allahu ua shmang atyre dhe i fali ata.

Disa prej tyre u kthyen në Medinë, dhe lajmi gjoja i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është martirizuar dhe ushtria muslimane ka pësuar një disfatë të rëndë, trishtoi atomsferën e qytetit. Banorët e Medinës, burra, gra, fëmijë e pleq të gjithë dolën nga qyteti dhe u nisën drejt Uhudit. Disa vrapuan drejt fushëbetejës, dhe me emrin e Allahut vrulluan në radhët e armikut.

Në grupin e dytë, bënin pjesë ata që nuk kishin dezertuar nga lufta, por lajmi i martirizimit të Profetit s.a.v.s. i kishte thyer moralisht, dhe ata nuk shihnin asnjë kuptim në vazhdimin e luftës. Prandaj, ata ishin tërhequr nga lufta dhe rrinin kokulur në një anë.

Grupi i tretë përbëhej nga njerëzit që nuk kishin hequr dorë nga lufta dhe luftonin pandërprerë. Disa prej tyre ishin mbledhur rreth të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe shfaqnin aktet heroike, ndërsa pjesa dërrmuese po vazhdonte luftë në të gjitha drejtime, por në mënyrë të çoroditur.

Këta dhe njerëz të tjerë nga grupi i dytë, sapo mësonin se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është i gjallë, fillonin të luftonin heroikisht dhe pozicionoheshin menjëherë rreth e përqark atij.

Gjendja e luftës qe e tillë që ushtarët kurejsh po përparonin si dallgë të fuqishme, që vinin duke u forcuar gjithnjë e më shumë. Shigjetat dhe gurët po vërshonin nga të katër anët. Sahabët besnikë kishin kuptuar rrezikun që i kanosej jetës së Profetit s.a.v.s., prandaj ata e kishin rrethuar atë duke formuar një mur të pakapërcyeshëm dhe e kishin mbuluar Profetin me trupat e tyre. Çdo herë që ngrihej vala e re e sulmit, disa sahabë shtyheshin andej e këtej dhe nganjëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbetej plotësisht i vetmuar përballë sulmeve të njëpasnjëshme.

Kjo ngjarje tregon se Hazret Uthmani ishte larguar nga fusha, ndoshta për shkak të trishtimit që e kishte kapluar lajmi i martirizimit të Profetit s.a.v.s., apo i shtyrë nga ndonjë arsye tjetër. Ndër personat të cilët kishin ndërprerë luftën dhe ishin ndenjur jashtë fushëbetejës, qe Hazret Omer ibn Hattabi, por kjo ngjarje do të përmendet në lidhje me jetën e tij.

Marrëveshja e Hudejbijes

Tani dua t’ju përmend rreth rolit të Hazret Uthmanit dhe ngjarjeve të tjera në marrëveshjen e Hudejbijes, në procesin e dialogut e diplomacisë midis palëve dhe besëlidhjen e Ridvanit.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte parë një ëndërr se ai dhe sahabët e tij po hyjnë në shtëpinë e shenjët (d.m.th. Qabe), në gjendje paqeje, me kokë të rruar apo me flokë të shkurtuar. Në bazë të kësaj ëndrre, Profeti s.a.v.s., së bashku me 1400 sahabë, në muajin dhi Ka’dah 6 hixhri, u nis nga Medina me qëllim që të kryente Umre. Në këtë udhëtim, ai bëri një ndalesë në Hudejbije. Kurejshët nuk pranuan që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të kryente Umre, dhe u nisën bisedimet midis palëve. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi për atmosferën armiqësore në Mekë, ai porositi për të dërguar ndonjë person me ndikim për të zhvilluar bisedimet. Ky person duhet të ishte jo vetëm banor i Mekës, por të përkonte ndonjë fis të fuqishëm e të respektuar të kurejshëve. Për këtë qëllim, u caktua Hazret Uthmani r.a..

Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. ka përshkruar këtë ngjarje në mënyrë të hollësishme, të cilën po ju citoj. Ai shkruan:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte parë një ëndërr, që sahabët e tij po kryenin tevafin e Bejtullahut (Qabes së shenjtë). Në atë kohë, po afrohej muaji Dhul Ka’da, i cili konsiderohej një prej katër muajve të shenjtë, gjatë të cilëve, ndalohej rreptësisht zhvillimi i çdolloj lufte apo përleshjeje. Në një  anë Profeti s.a.v.s. kishte parë këtë ëndërr, kurse në anën tjetër, edhe koha qe e tillë, në të cilën ndërpriteshin të gjitha konfliktet dhe veprimtaritë ushtarake në mbarë arabi, dhe mbretëronte paqja në tokë.

Ndonëse, ato nuk ishin ditët e haxhit, madje haxhi ende nuk ishte obliguar në Islam, megjithatë Umreja është një pelegrinazh e cila mund të kryhej në çdo kohë. Kështu, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. pas kësaj ëndrre, u bëri thirrje muslimanëve që të përgatiteshin për të kryer Umre. Ai gjithashtu njoftoi sahabët që ky udhëtim nuk kishte asnjë qëllim ushtarak, madje synonte vetëm përmbushjen e një adhurimi fetar në mënyrë paqësore, andaj muslimanët nuk duhet të jenë të armatosur. Megjithatë, në këtë udhëtim, sipas traditave arabe, duke qenë udhëtarë ata mund të shoqëronin shpatat e tyre, të cilat duhet të mbanin gjithmonë brenda këllëfëve. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u bëri thirrje beduinëve (banorëve endacakë) të cilët jetonin rreth Medinës, për t’iu bashkuar në këtë udhëtim për Umre. Por, fatkeqësisht, përveç një numri të papërfillshëm, shumica e beduinëve, të cilët jetonin rreth e përqark Medinës dhe veten e quanin muslimanë por kishin besim të dobët, refuzuan thirrjen e Profetit s.a.v.s.. Ata mendonin se pavarësisht qëllimit të mirë të muslimanëve për të kryer umre, kurejshët do t’i pengonin ata dhe kjo situatë do të përshkallëzohet në një konfrontim dhe meqë ky ballafaqim do të zhvillohej larg Medinës dhe shumë afër Mekës, prandaj si pasojë nuk do të shpëtojë asnjë musliman. Duke u frikësuar nga rrjedhojat e një konflikti të mundshëm, ata iu shmangën thirrjes së Profetit s.a.v.s..

Sidoqoftë, në fillim të muajit Dhu Ka‘dah 6 hixhri, në mëngjes të një ditë hëne, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. së bashku me pak më shumë se 1400 sahabë, u nis nga Medina. Në këtë udhëtim, Profetin s.a.v.s. e shoqëronte bashkëshortja e tij Hazret Umi Selma. Profeti s.a.v.s. kishte caktuar Numejle ibn Abdullahun si kryetar të Medinës dhe Abdullah ibn Um Mektumin, i cili qe njeri i verbër, si imam për të drejtuar namaze në xhami.

Ndalesa në Dhul Hulejfe

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti në vendin Dhul Hulejfe, i cili ndodhej 6 milje larg Medinës në drejtim të Mekës, ai porositi për të bërë pushim të shkurtër. Pas faljes së namazit të drekës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i porositi sahabët për të shënuar 70 devetë e kurbanit.  Ai gjithashtu i urdhëroi ata për të vënë veshjen e ihramit, si dhe e veshi vetë.

Për t’u informuar nga gjendja e Mekës, se mos po kurdisin ndonjë skenë të rrezikshme, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nisi një gjurmues Buser ibn Sufjanin, të fisit Khuza’a i cili ndodhej pranë Mekës. Si një masë të shtuar mbrojtëse, Profeti s.a.v.s. formoi një çetë prej 20 kalorësish, nën udhëheqjen e Abad ibn Bishrit, dhe i porositi për të lëvizur para grupit kryesor të muslimanëve.

Pas një udhëtimi që zgjati disa ditë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti afër Esfanit, një vend që ndodhej vetëm dy menzil (ose ndalesa) larg Mekës. Sipas arabëve, një menzil tregon një distancë prej 9 miljesh. Këtu, ai u informua nga gjurmuesi i tij se kurejshët janë mjaft të turbulluar dhe janë betuar se nuk do të lejonin në asnjë kusht hyrjen e muslimanëve në Mekë. Për të treguar qëndrimin e tyre, dhe për të kallur frikë, disa prej tyre kanë veshur lëkurat e gepardit. Ata janë betuar për të ndaluar muslimanët në çdo kusht.

Muslimanët gjithashtu zbuluan që kurejshët kanë nisur një çetë luftëtarësh nën komandën e Halid ibn Velidit, i cili ende nuk kishte pranuar Islamin. Në këtë çetë bënte pjesë edhe Ikrama ibn Ebu Xhehli dhe ata gjenden fare pranë muslimanëve.

Pas marrjes së këtyre informacioneve, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi t’i evitohej çdolloj konflikti, prandaj ai urdhëroi sahabët për ta shmangur rrugën kryesore të Mekës dhe për të përparuar nga krahu i djathtë. Muslimanët ndoqën një rrugë të keqe e të mundimshme dhe vazhduan të lëviznin nga ana e detit.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti në Hudejbije përmes kësaj rruge të re. Hudejbija ndodhet vetëm një ndalesë ose 9 milje larg Mekës dhe nga luginat e saj fillon krahina e Mekës. Deveja e Profetit s.a.v.s., që njihej me emrin el-Kusva, dhe e kishte shoqëruar në disa beteja, menjëherë u ndalua dhe shtriu këmbët në tokë. Sahabët u munduan mjaft, por ajo nuk donte të lëvizte nga vendi. Sahabët sugjeruan se ndoshta ajo është lodhur, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk e pranoi këtë dhe tha: “Jo, ajo nuk është lodhur, dhe nuk ka zakon të ndalohej kështu nga lodhja. Me të vërtetë, Ai i Lartësuari, i Cili kishte ndaluar lëvizjen e elefantëve drejt Mekës, e ka ndaluar dhe këtë. Betohem në Allah! Për të nderuar shenjtërinë e Haremit, do të pranoj çfarëdo kërkese që të do bëjnë kurejshët”. Tani kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e shtyju për të lëvizur, ajo menjëherë u ngrit për të ecur prapë. Profeti s.a.v.s. e ngau atë në një anë të luginës së Hudejbijes dhe ndaloi pranë një përrua, dhe sipas porosisë së tij, sahabët gjithashtu vendosën çadrat e tyre në atë vend.

Fillimi i bisedimeve me kurejshët

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u vendos në luginën e Hudejbijes, dhe ngriti kampin pranë përroit, dhe sahabët gjithashtu vendosën pushimore, erdhi Budejl ibn Verka, një ndër krerët e shquar të fisit Khuza’a bashkë me shokët e tij, për të takuar Profetin s.a.v.s.. Ai e njoftoi Profetin s.a.v.s. se udhëheqësit e Mekës tashmë janë betuar për të luftuar, dhe ata në asnjë mënyrë, nuk do ta lejojnë atë të hyjë në Mekë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha: “Por ne nuk kemi ardhur për ndonjë qëllim luftarak. Qëllimi ynë i vetëm është që të bëjmë Umre. Vaj për kurejshët e Mekës se i kanë shkrumbuar flakët e luftës, por ata akoma nuk po heqin dorë nga dhuna. Unë jam i gatshëm për të hyrë në marrëveshje me ta, që të ndërpresin luftën kundër meje dhe të më lirojnë për njerëzit e tjerë. Unë nuk do të kem asnjë armiqësi ndaj tyre dhe as nuk do të ruaj lidhje me ta, madje do t’u përcjell mesazhin e Islamit popujve të tjerë. Por nëse ata e hedhin poshtë mendimin tim, dhe nuk e marrin në konsideratë dhe vazhdojnë t’i japin hov flakës së luftës, atëherë betohem në Atë, që zotëron jetën time, as unë nuk do të tërhiqem nga përballja e tyre. Do të vazhdoj të luftoj me ta, derisa të jap jetë në këtë rrugë, ose Zoti të më triumfojë kundër tyre. Nëse vdes në ballafaqimin e tyre, atëherë do të marrë fund kjo histori. Por, nëse Zoti më jep fitore, dhe triumfon feja ima, atëherë banorëve të Mekës nuk t’u mbetet asnjë arsye për të shmangur bindjen ndaj meje”.

Fjalët e sinqerta dhe të dhimbshme të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ndikuan thellë Budejl ibn Verkan dhe ai i kërkoi pak afat, që t’ua përcillte këtë mesazh banorëve të Mekës dhe të përpiqej për ndonjë marrëveshje. Pas lejes së Profetit s.a.v.s., ai bashkë me disa persona të fisit të tij, u nis menjëherë drejt Mekës.

Kur mbërriti në Mekë, Budejl ibn Verka mblodhi parinë e kurejshëve dhe u tha: “Unë po vij nga ky njeri (d.m.th. nga Muhammedi s.a.v.s.). Ai më ka ofruar një propozim, të cilin nëse lejoni, dua ta paraqes para jush”. Disa persona të papërgjegjshëm që flisnin si të ndërkryer, shprehën kundërshtimin e tyre dhe thanë se nuk duan të dëgjojnë asnjë fjalë prej tij. Megjithatë, paria e tyre dhe disa mendje të zgjuara u shprehën se donin të dëgjonin çfarëdo propozimi që kishte sjellë ai.

Biseda e Urve ibn Mesudit dhe dëshmia e tij

Budejli u përsëriti mendimin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Pas dëgjimit të këtij mendimi, u ngrit Urve ibn Mesudi, i cili gjithashtu qe i pranishëm në këtë kunved, dhe konsiderohej kreu i fuqishëm i fisit Thekif. Ai iu drejtua kurejshëve sipas zakonit të moçëm arab dhe tha: “O njerëz! A nuk ju jam si baba?” Ata i thanë “po”. “A nuk jeni ju si bijtë e mi?” pyeti ai. Ata prapë iu përgjigjën “po”. “A keni ndonjë dyshim apo mosbesim ndaj meje?” pyeti ai. Kurejshët i thanë “jo, në asnjë mënyrë”. Ai u tha “Atëherë, në mendimin tim, ky njeri (d.m.th. Muhammedi s.a.v.s.) ju ka çuar një fjalë të mirë. Ju duhet ta pranoni këtë mendim, dhe nëse doni, mund të shkoj te Muhammedi dhe të bisedoj më gjerë”. Kurejshët i dhanë pëlqimin e tyre për të zhvilluar bisedime të mëtejshme.

Kur ai mbërriti në kuvendin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dëshmoi një pamje të tillë shpirtërore që i la përshtypje të thellë. Urva u paraqit para Profetit s.a.v.s. dhe nisi bisedën me të. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia përsëriti të njëjtat fjalë që i kishte thënë pak më parë Budejl ibn Verkait. Urva pajtohej parimisht me mendimin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., por për të përmbushur detyrën e tij si përfaqësues i kurejshëve, donte të siguronte më shumë kushtet që i favorizonin interesat e tyre. Kur përfundoi biseda, Urva u kthye drejt Kurejshëve. Fjalën e parë që ai u tha atyre ishte: “O njerëz! Kam udhëtuar mjaft në botë. Kam marrë pjesë në oborret mbretërore dhe kam qenë si i deleguar para Çezarit, Kisrasë dhe Nexhashit. Betohem në Zot, nuk kam parë në asnjë vend të botës, ashtu siç i kam parë shokët e Muhammedit (s.a.v.s.) se si e nderojnë atë dhe i kushtojnë një  respekt të papërshkrueshëm”. Pastaj, ai u rrëfeu gjithçka që kishte parë dhe dëshmuar dhe u tha: “Unë prapë ju këshilloj që mendimi i Muhammedit (s.a.v.s.) është një mendim i drejtë, që duhet pranuar”.

Biseda me Hulejs ibn Alkamas

Pas dëgjimit të fjalëve të Urves, u ngrit Hulejs ibn Alkama, kreu i fisit Benu Kenana dhe tha: “Nëse ju jepni pëlqimin tuaj, dua të shkoj te Muhamedi (s.a.v.s.)”. Ata i dhanë atij lejen për të shkuar dhe biseduar me Profetin a.s.. Ai mbërriti në Hudejbije dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e dalloi nga larg dhe u tha sahabëve: “Ky njeri që po na vjen, i përket fisit që admiron sakrificat. Prandaj, grumbulloni kafshët tuaja për kurban, që ai të kuptojë dhe të dijë përse kemi ardhur këtu”. Sahabët menjëherë shtyjnë devetë e tyre për kurban dhe u mblodhën rreth tij duke ngritur thirrjen e tekbirit. Duke parë një pamje kaq mbresëlënëse, ai u shpreh “SubhanAllah, SubhanAllah (I Shenjtë është Allahu, i Shenjtë është Allahu) këta janë haxhinj. Si mund të pengohen këta nga tevafi i shtëpisë së Allahut?”

Ai u kthye me nxitim drejt kurjeshëve dhe u tha: “Unë kam parë se muslimanët kanë vënë kurorat nëpër qafët e kurbaneve të tyre dhe i kanë shënuar për flijim. Andaj, nuk është e drejtë në asnjë mënyrë që ata të ndalohen nga tevafi i Qabes”.

Në atë moment, një mospajtim i thellë po shfaqej ndër kurejshët, dhe njerëzit ishin ndarë në dy grupe. Një grup nuk lëshonte asnjë pe, në qëndrimin e tyre këmbëngulës që muslimanët  duhet të kthehen. Ata me kokëfortësi kërkonin ballafaqimin me muslimanët. Në anën tjetër, grupi i dytë po kërkonte një marrëveshje të ndershme, pasi kishte frikë që refuzimi u kundërvihej dukshëm traditave të tyre të moçme. Në këtë gjendje, po shtyhej zgjidhja dhe nuk po arrihej asgjë.

Biseda me Mikraz ibn Hafsit

Atëherë, një krye arab Mikraz ibn Hafsi propozoi që të shkonte te Profeti s.a.v.s. dhe t’i gjente një rrugëdalje këtij ngërçi. Kurejshët i dhanë pëlqimin e tyre, për të vazhduar bisedat. Kështu që, ai erdhi tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Profeti s.a.v.s. e dalloi nga larg dhe u shpreh “Allahu na ruajttë! Ky nuk është njeri i mirë”.

Përfshirja e Suhejl ibn Amrut në negociatë

Sidoqoftë, Mikrazi i erdhi dhe filloi bisedën. Ndërsa po vazhdonte negociatën, erdhi një tjetër krye i shquar kurejsh Suhejl ibn Amru. Ndoshta Kurejshët nën trysninë e gjetjes së një zgjidhje, e kishin dërguar Suhejlin, kur Mikrazi akoma nuk u ishte kthyer. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pa atë, ai tha menjëherë “Ja po vjen Suhejli. Në dashtë Allahu, kjo çështje do të lehtësohet”.

Dërgimi i Hazret Khirash ibn Umejes si përfaqësues i muslimanëve

Bisedat po vijonin pandërprerë, dhe negociatorët po vinin te Profeti s.a.v.s. njëri pas tjetrit. Atëherë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mendoi se ai gjithashtu duhet të dërgonte ndonjë person të urtë, i cili duhet të takonte kurejshët dhe t’ua sqaronte atyre pikëpamjen e muslimanëve me dashamirësi e urtësi. Për këtë qëllim, ai e zgjodhi Khirash ibn Umejen, i cili përkonte fisin Khuza’a, të njëjtin fis, të cilit i përkiste edhe Budejl ibn Verkai, përfaqësuesi i parë i kurejshëve. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i dha Khirashit një ndër devetë e tij, dhe ai mbërriti në Mekë dhe takoi kurejshët.

Por, meqë ishte akoma faza e parë e bisedimeve, dhe të rinjtë kurejshët ishin mbushur me ndjenjat armiqësore. Ikrama ibn Ebu Xhehli sulmoi mbi devenë e Khirashit dhe ajo mbeti e plagosur. Sipas traditave arabe, kjo nënkuptonte se ne ndalojmë lëvizjen tuaj me forcë. Përveç kësaj, ky grup armiqësor i kurjeshëve, donte t’i vërsulej vetë Khirashit, por pleqtë dhe të mëdhenjtë e tyre ndërhyjnë dhe ia shpëtuan jetë, dhe ai u kthye prapë në kampin musliman.

Kurejshët nuk u qetësuan me kaq, madje të marrosur nga urrejtja e tyre, ata tentuan të sulmonin të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe sahabët e tij dhe t’u shkaktonin dëme të mëdha, pasi muslimanët kishin ardhur kaq pranë Mekës, dhe ndodheshin aq larg Medinës. Për të realizuar planin e tyre, ata nisën një çetë prej 40-50 luftëtarësh drejt Hudejbijes, dhe kishin ndërmend që t’u hidhnin hi muslimanëve, dhe të përdornin bisedat dypalëshe vetëm si perde, për të ngritur pritë rreth e përqark kampit musliman. Sipas disa burimeve, ata ishin 80 luftëtarë, të cilët silleshin fshehurazi, për t’u shkaktuar dëm muslimanëve. Ata gjithashtu kishin kurdisur planin për vrasjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., megjithatë muslimanët ishin vigjilent dhe të vëmendshëm. Ata zbuluan këtë plan të rrezikshëm dhe arrestuan të gjithë luftëtarët kurejsh.

Muslimanët ishin shumë të zemëruar nga ky veprim i banorëve të Mekës, që çnderonte shenjtërinë e atyre muajve dhe ishte realizuar brenda kufijve të Haremit. Megjithatë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i fali ata, që kjo të mos bëhej ndonjë pengesë në bisedat e marrëveshjes.

Kurani Famëlartë gjithashtu ka përmendur këtë veprim tinëzar të banorëve të Mekës me këto fjalë. Ai thotë:

وَهُوَ الَّذِي كَفَّ أَيْدِيَهُمْ عَنكُمْ وَأَيْدِيَكُمْ عَنْهُم بِبَطْنِ مَكَّةَ مِن بَعْدِ أَنْ أَظْفَرَكُمْ عَلَيْهِمْ ۚ وَكَانَ اللَّـهُ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرًا۝

Është Ai i Cili ka penguar duart e mosbesimtarëve prej jush në luginën e Mekës, dhe ju mbrojti prej tyre. Pastaj, kur ju i mbizotëruat dhe i nënshtruat ata, Ai ju pengoi duart tuaja ndaj tyre. Allahu i sheh të gjitha çfarë bëni ju. (el-Fat’h 48:25)

Durimi i Profetit s.a.v.s. dhe përpjekjet e tij për paqen

Në këto ngjarje, me një prapaskenë kaq të zymtë, shfaqen kuraja dhe durimi i palëkundshëm i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. si dhe përpjekjet e tij të pareshtura për arritjen e paqes. Vetia e durimit dhe përpjekjet e tij për paqen, janë kaq të skajshme, saqë nuk mund të gjendet asnjë shembull i ngjashëm me to në mbarë botën.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. zbuloi komplotin e kurejshve, dhe në të njëjtën kohë dëgjoi rrëfimin e Khirash ibn Umejes mbi zemërimin dhe ndjenjat armiqësore të banorëve të Mekës, ai vendosi t’i qetësonte gjakrat dhe t’i udhëzonte ata. Ai vendosi të dërgonte ndonjë person, i cili kishte ndikim në Mekë, i cili jo vetëm që ishte banor i Mekës, por t’i përkiste ndonjë fisi të shquar të kurejshëve.

Kjo tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., pavarësisht të gjitha veprimeve, nuk hoqi dorë nga përpjekjet e tij dhe e vuri veten në rrezik të madh, duke vendosur të dërgonte sërish dikë për bisedat. Në fillim Profeti a.s. zgjodhi Hazret Omer ibn Hattabin që të shkonte në Mekë dhe të bisedonte me ta, si përfaqësues i muslimanëve. Hazret Omeri i tha: O i Dërguar i Allahut! Ju e dini se banorët e Mekës më janë bërë armiq të përbetuar, dhe tani atje nuk ndodhet asnjë person nga fisi im që të ketë ndonjë pozitë apo ndikim në shoqëri. Në mendimin tim, për të lehtësuar suksesin në plan, kjo detyrë t’i jepet Uthman ibn Afanit. Fisi i tij Benu Umeje, tashmë është mjaft i fuqishëm dhe banorët e Mekës, kurrë nuk do të guxojnë të bëjnë ndonjë dredhi kundër tij.

Caktimi i Hazret Uthmanit si përfaqësues i muslimanëve në Mekë

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. vlerësoi mendimin e Hazret Omerit dhe e porositi Hazret Uthmanin për t’u nisur drejt Mekës dhe për t’i informuar kurejshët për qëllimet paqësore të muslimanëve dhe për dëshirën e tyre për të bërë umre. I Dërguari i Allahut i dorëzoi gjithashtu një letër, me të cilën, ai u ishte drejtuar krerëve të Mekës. Në këtë letër, ai i kishte shpjeguar qëllimin e ardhjes tij, dhe i kishte siguruar kurejshët se qëllimi i tyre i vetëm është adhurimi, dhe pas kryerjes së umres në mënyrë paqësore, ata do të largohen nga Meka. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu porositi Uthmanin që të orvatej, për t’u takuar me muslimanët e dobët të Mekës dhe për t’i ngushëlluar ata. Ai t’u jepte zemër dhe kurajë dhe t’i porosiste që të vepronin me durim. Në dashtë Allahu, së shpejti do t’u çelet dera e fitores.

Hazret Uthmani shkoi në Mekë me këtë mesazh. Ai e takoi Ebu Sufjanin, i cili në atë kohë, qe kryetari i mbarë Mekës dhe qe një i afërm i Hazret Uthmanit, dhe doli para kuvendit të kurjeshëve.

Në këtë mbledhje, Hazret Uthmani u lexoi shkrimin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., të cilin e kontrolluan krerët e Mekës një e nga një. Megjithatë, ata po vijonin të ngulmonin se muslimanët nuk mund të hynin në Mekë atë vit.

Kur Hazret Uthmani gjithashtu u këmbëngul për kërkesën e tij, kurejshët i thanë që nëse me të vërtetë kishte kaq shumë dëshirë për të bërë tevafin e Qabes, atëherë ata i jepnin leje të veçantë për të bërë tevaf në mënyrë individuale, por mund të ofronin asgjë më shumë se kaq. Hazret Uthmani nuk e përfilli këtë ofertë dhe tha: “Si mund të ndodhë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të ndalohet jashtë Mekës, ndërsa unë bëkam tevaf?” Megjithatë Kurejshët nuk pranuan absolutisht kërkesën e tij, dhe përfundimisht Hazret Uthmani u bë gati për t’u kthyer.

Në atë çast, disa njerëz të lig të Mekës, të cilët ishin shtyrë nga ideja se ndoshta mund të fitonin kushtet më të favorshme në marrëveshje, ndaluan kthimin e Hazret Uthmanin dhe shokëve të tij nga Meka. Në anën tjetër, u përhap një lajm i rremë në kampin musliman se banorët e Mekës kanë vrarë Hazret Uthmanin. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori këtë lajm, ai shprehu zemërim dhe trishtim të thellë. Ai gjithashtu u kërkoi muslimanëve besëlidhjen e ridvanit.

Besëlidhja e Pemës

Ky lajm u ngjalli muslimanëve zemërim të madh. Hazret Uthmani ishte dhëndri dhe një prej eshabëve më të shquar të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, dhe kishte shkuar në Mekë, në cilësinë e përfaqësuesit të muslimanëve. Përveç kësaj, ajo kohë përkonte me katër muaj të shenjtë dhe vetë Meka ndodhej brenda kufijve të Haremit.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. menjëherë njoftoi sahabët dhe i mblodhi nën një pemë akacie. Kur erdhën të gjithë sahabët, ai ndau këtë lajmë me ta dhe tha: “Nëse ky lajmë qenka i vërtetë, atëherë pasha Zotin, ne nuk do të lëvizim nga ky vend, derisa nuk jemi hakmarrë për gjakun e Uthmanit”. Pastaj ai u bëri thirrje për t’u afruar dhe sipas metodës së besëlidhjes islame, të vinin duart e tyre mbi dorën e tij dhe të betoheshin se asnjëri prej tyre nuk do të kthejë shpinën. Le të japë edhe jetën, por nuk do të lëkundet nga vendi. Pas këtij njoftimi, sahabët i afroheshin sikur po binin mbi njëri-tjetrin.

E gjithë pasuria e Islamit ishin ata 1400 muslimanë, të cilët i dorëzuan veten Profetit të tyre të dashur. Gjatë kohës së besëlidhjes, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vuri dorën e tij të majtë, mbi dorën e tij të djathtë dhe tha: Kjo është dora e Uthmanit, sepse po të ndodhej këtu, ai kurrë nuk do të rrinte mbrapa të tjerëve, në këtë marrëveshje të shenjtë, por sot ai është i zënë në detyrën e Zotit dhe të të Dërguarit të Tij.

Në historinë islame, kjo ngjarje njihet si Bejti Ridvan d.m.th. ajo besëlidhje, përmes së cilës muslimanët fituan dhuratën e kënaqësisë dhe pëlqimit të plotë të Allahut.

Kurani Famëlartë gjithashtu ka përshkruar këtë besëlidhje. Ai thotë:

لَّقَدْ رَضِيَ اللَّـهُ عَنِ الْمُؤْمِنِينَ إِذْ يُبَايِعُونَكَ تَحْتَ الشَّجَرَةِ فَعَلِمَ مَا فِي قُلُوبِهِمْ فَأَنزَلَ السَّكِينَةَ عَلَيْهِمْ وَأَثَابَهُمْ فَتْحًا قَرِيبًا۝

O Profet! Allahu është i kënaqur me besimtarët, kur ata po të betoheshin për besnikëri nën hijen e një peme. Kjo besëlidhje, ia tregoi atë çfarë kishin në zemrat e tyre, prandaj Ai u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt. (el-Fet’h 48:19)

Sahabët gjithashtu e kujtonin dhe e përmendnin këtë besëlidhje me krenari dhe përmallim. Shumë prej tyre, u thoshin muslimanëve të mëvonshëm “Ju e quani fitoren e Mekës si fitore, ndërsa ne e konsiderojmë besëlidhjen e Ridvanit si fitore”. Nuk ka asnjë mëdyshje, që bashkë me rrethanat e saj, kjo besëlidhje përbënte një fitore madhështore. Ajo jo vetëm që çeli derën e fitoreve të mëvonshme, por shfaqi shpirtin flijues të Islamit, që përbën pikën qendrore të fesë së Muhammedit. Besnikët e Islamit, përmes sjelljes së tyre, dëshmuan se për hir të Profetit të tyre dhe të vërtetës që ai ka sjellë, ata janë të gatshëm për të dhënë dhe jetën në çdo fushë e në çdo hap.

Sahabët e përshkruanin besëlidhjen e Ridvanit si besëlidhje për vdekje. Kjo qe besëlidhja e betimit që muslimani do të sakrifikojë dhe jetën për hir të Islamit dhe nderit të tij, por kurrë nuk do të tërhiqet.

Një aspekt i veçantë i kësaj besëlidhje ishte që ajo nuk qe vetëm një dëshmi gojore e betimit apo besëlidhjes, e cila ishte bërë nën ndikimin e forcës së ndjenjave të përkohshme.  Përkundrazi, ajo ishte zëri i thellësive shpirtërore, mbrapa të cilit ishte bashkuar krejt fuqia e muslimanëve në një pikë të vetme.

Kur kurejshët mësuan për këtë besëlidhje, ata u frikësuan, dhe menjëherë liruan Hazret Uthmanin dhe shokët e tij. Madje, ata porositën përfaqësuesit e tyre që të lidhnin patjetër marrëveshjen e paqes me muslimanët. Kushti i tyre i vetëm duhet të ishte që muslimanët nuk do të bënin umre atë vit dhe të ktheheshin në Medinë. Por ata mund të vinin vitin tjetër për umre. Në anën tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. qysh në fillim, ishte betuar, se në çfarëdo situate, ai nuk do të bëjë asnjë veprim, që i kundërvihet shenjtërisë së Haremit të shenjtë dhe shtëpisë së Allahut.

Meqë Allahu i kishte zbritur shpallje të Dërguarit të Tij se marrëveshja me kurejshët në atë kohë, do të bëhej gur themeli i fitoreve të mëdha, prandaj sipas të dyja palëve, atmosfera ishte tejet optimale për lidhjen e marrëveshjes.

Në këto kushte, kur Suhejl ibn Amru i erdhi të Dërguarit të Allahut, Profeti s.a.v.s. menjëherë u shpreh se po duket se kjo çështje tani do të lehtësohet. Filluan bisedimet e marrëveshjes. Erdhi Suhejli, dhe sa iu afrua Profetit s.a.v.s., ai i tha “Ejani, të lëmë debate të gjata. Ne jemi të gatshëm për marrëveshje. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: “Edhe ne jemi të gatshëm për marrëveshje”.

Pastaj, i Dërguar i Allahut s.a.v.s. thirri sekretarin e tij Hazret Ali. Kushtet e kësaj marrëveshje janë si më poshtë:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe shokët e tij të kthehen këtë vit në Mekë. Por, vitin tjetër ata mund të vinin për të kryer ritet e umres. Ata nuk do të kenë të drejtë, për të sjellë me vete, ndonjë armë, përveç shpatës së futur në këllëf. Ata nuk do të qëndrojnë në Mekë për më shumë se tri ditë.

Nëse ndonjë mashkull shkon nga Meka në Medinë, edhe pse të jetë musliman, i Dërguar i Allahut s.a.v.s. nuk do ta strehojë në Medinë dhe do ta kthejë në Mekë. Por nëse, ndonjë musliman lë Medinën dhe kthehet në Mekë, ai nuk do të lejohet t’u kthehet muslimanëve.

Sipas një transmetimi, nëse dikush nga mekasit, vjen në Medinë pa lejen apo pëlqimin e kujdestarit të tij, ai gjithashtu duhet të kthehet në Mekë.

Të gjitha fiset arabe janë të lirë, për të bërë marrëveshje me muslimanët apo me mekasit. Periudha e afatit të kësaj marrëveshje zgjatet 10 vjet, gjatë së cilës, nuk do të zhvillohet asnjë konflikt luftarak.

Kjo marrëveshja u përpilua në dy kope dhe si dëshmitarë u nënshkrua nga disa persona të shquar. Firmëtarët e marrëveshjes nga pala muslimane ishin:

  • Hazret Ebu Bekri
  • Hazret Uthmani (i cili tashmë qe kthyer)
  • Hazret Abdurrahman ibn Aufi
  • Hazret Sa’ad ibn Ebi Vekasi
  • Hazret Ebu Ubejda

Pas përfundimit të marrëveshjes, Suhejl ibn Amru u kthye në Mekë me një kopje, dhe kopja tjetër mbeti me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s..

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. ka përshkruar këtë ngjarje në këtë mënyrë. Ai shkruan:

“Disa njerëz, që ishin nga fiset e afërta të Mekës, u kërkuan mekasve që t’i lejonin për të bërë tevafin e Qabes, sepse sipas tyre, nuk kishte arsye t’i ndalonin. Mirëpo mekasit nuk hoqën dorë nga ngulmimi i tyre, për shkak të të cilit fiset që jetonin jashtë Mekës, u ftohën me ta dhe deshën të distancoheshin duke u thënë që insistimi i tyre tregonte se ata donin vetëm sherr dhe nuk ishin paqedashës. Mekasit u trembën nga kjo dhe i siguruan se ata do të përpiqeshin të bënin marrëveshje me muslimanët. Kur Profeti s.a.v.s. e mori vesh këtë, ai dërgoi Osmanin r.a., që më vonë do të bëhej Kalifi i Tretë i tij, për të negociuar me mekasit. Osmani r.a. hyri në Mekë, ku kishte shumë njerëz të afërm, të cilët e rrethuan me gëzim. Ata i thanë që të bëjë tevafin e Qabes, ndërsa Profeti s.a.v.s. le të bënte vitin tjetër. Por, ai i refuzoi duke thënë:

“Nuk mund të bëj tevaf pa udhëheqësin tim”.

Negociatat midis tij dhe mekasve u zgjatën paksa, ndërkohë në Mekë, dikush me keqdashje përhapi lajmin që mekasit e vranë atë, lajm i cili erdhi deri te Profeti s.a.v.s.. Ai i mblodhi sahabët r.a. dhe tha:

“Jeta e përfaqësuesit mbrohet në çdo popull, por kemi dëgjuar që mekasit na e vranë Osmanin r.a.. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ne do të hyjmë forcërisht në Mekë”.

(Profeti fillimisht kishte vendosur të hynte paqësisht, por nga ndryshimi i situatës, ai e ndryshoi edhe vendimin):

“Le të bëjnë besëlidhje (bejt) me mua ata që dëshirojnë: nëse do të na duhet të marshojmë më tutje, ose ta triumfojmë Mekën, ose të vritet secili prej nesh në fushëbetejë”.

Me të lëshuar këtë njoftim Profeti s.a.v.s., që të gjithë një mijë e pesëqind pelegrinët, u kthyen në një mijë e pesëqind ushtarë. Ata hidheshin marrëzisht, njëri mbi tjetrin, për të bërë besëlidhjen sa më parë në dorën e Profetit s.a.v.s.. Kjo besëlidhje shënohet si një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme në historinë e Islamit dhe njihet si Besëlidhja e pemës. Kjo sepse në kohën kur u realizua ajo, Profeti Muhammed s.a.v.s. ishte ulur nën një pemë. Më vonë, edhe pjesëmarrësi i fundit i kësaj besëlidhjeje që mbeti gjallë, rrëfente me krenari pjesëmarrjen e tij. Prej një mijë e pesëqind personave asnjëri nuk e kishte refuzuar besëlidhjen, në të cilën ishin zotuar se nëse armiku ua kishte vrarë përfaqësuesin e Islamit, ata patjetër do të gëzonin njërën prej dy alternativave: ta triumfonin Mekën para se të binte muzgu, ose të vriteshin duke luftuar. Por, muslimanët ende nuk ishin liruar nga betimi, kur Osmani r.a. u kthye te ta. Ai ua tregoi mesazhin e mekasve që thoshin:

“Umranë nuk do t’ju lejojmë ta bëni sivjet, por vitin e ardhshëm po”.

Ai gjithashtu raportoi që mekasit kishin caktuar edhe përfaqësuesit e tyre për të bërë marrëveshje me muslimanët. Pak kohë pas ardhjes së Osmanit r.a. Suhejli, një ndër krerët e Mekës, erdhi te Profeti s.a.v.s. për ta sjellë në jetë marrëveshjen, e cila u shkrua si në vijim.”

Kjo temë vijon edhe në hutben e ardhshme. Insha-Allah

Thirrje për lutje

Unë sërish dua t’ju tërheq vëmendje për lutje. Bëni lutje në mënyrë të veçantë për situatën në Pakistan. Tani as rrethimet e shtëpisë nuk janë të sigurta. Ata nuk janë të mbrojtur as në tokat e tyre. Kudo që thonë hoxhallarët, shkon policia. Disa efektive të ndershëm tregojnë se ata po mbështesin xhematin dhe shprehin keqardhje, pasi duhet t’u përkulen përpara presionit që ushtrohet nga eprorët. Allahu na shpëtoftë ne dhe vendin nga zyrtarë të tillë të korruptuar! Allahu i mundësoftë çdo ahmediani të jetojë lirisht dhe sigurt në atdheun e tij!

Kushtojuni vëmendje të veçanta këtyre lutjeve. Nëse ne vazhdojmë të bëjmë rregullisht këto lutje, në dashtë Allahu, do të dëshmojmë shumë shpejt përfundimin shembullor të kundërshtarëve. Allahu i Madhërishëm na mundësoftë lutje të tilla dhe na i pranoftë ato! Amin

LEXONI:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp