Fitorja e Jerusalemit dhe strategjia ushtarake e Hazret Omerit r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Fitorja e Jerusalemit dhe strategjia ushtarake e Hazret Omerit r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Fitorja e Jerusalemit

Po vijon përmendja e periudhës së Hazret Omerit r.a. dhe sot në vazhdim të kësaj teme, do të diskutohet fitorja e Jerusalemit, e cila u shënua në vitin 15 pas hixhretit. Ushtria muslimane, e cila drejtohej nga Hazret Amr ibn Asi r.a. kishte rrethuar Jerusalemin dhe më pas iu bashkua ushtria e Hazret Ebu Ubejdes. Të detyruar nga rrethimi i qytetit dhe mbyllja brenda mureve, të krishterët ofruan marrëveshjen e paqes, por me kushtin që këtë marrëveshje ta lidhte vetë Hazret Omeri r.a.. Kur Hazret Ebu Ubejda njoftoi Hazret Omerin për këtë kusht, ai kuvendoi me sahabët dhe u kërkoi mendimin për këtë çështje. Hazret Aliu sugjeroi që Hazret Omeri r.a. duhet të shkonte në Jerusalem për këtë marrëveshje, dhe Hazret Omeri e vlerësoi dhe pëlqeu këtë mendim dhe e caktoi Hazret Aliun zëvendësin e tij.

Sipas një transmetimi tjetër, Hazret Omeri kishte caktuar Hazret Osmanin si kryetar të Medinës dhe u nis drejt Jerusalemit. Ky udhëtim nuk qe diçka e zakonshme, por përmes tij, Hazret Omeri r.a. synonte t’u kallte kundërshtarëve frikë dhe mbizotërim të muslimanëve. Megjithatë, sipas rrëfimeve, kur u nis karvani i Hazret Omerit, ai nuk shoqërohej as me ritmin e tambureve dhe as me madhështinë e trupave ushtarake, madje ai nuk kishte as ndonjë tendë të thjeshtë. Hazret Omeri ishte hipur në një kalë, dhe shoqërohej nga disa muhaxhirë dhe ensarë. Sipas një rrëfimi, Hazret Omeri r.a. shoqërohej vetëm nga një shërbëtor, dhe si ushqim kishte marrë miellin e bluar nga çicrrat, një tas druri, dhe ishte hipur në deve. Megjithatë, kudo që përhapej lajmi i udhëtimit të tij nga Medina drejt Jerusalemit, të gjithë ishin të frikësuar. Këtu është dhënë një përshkrim i shkurtër i këtij udhëtimi, por atij i mungon hollësi.

Kush e kishte rrethuar Ilijen dhe kush e ftoi Hazret Omerin në Jerusalem?

Në lidhje me pyetjet se kush e kishte rrethuar Ilijen, në të cilin ndodhej Jerusalemi dhe kush e kishte ftuar Hazret Omerin r.a. për të ardhur në Jerusalem, ne kemi shpjegim nga Teberiu, i cili ka shkruar që Hazret Amr ibn Asi r.a. i shkroi një letër Hazret Omerit dhe i shtroi kërkesën për të dërguar më shumë forcë ushtarake. Hazret Amri i kishte shkruar: Unë jam i përfshirë në luftëra më të përgjakshme, dhe ka një sërë qytetesh, të cilat akoma nuk janë pushtuar. Prandaj, jam në pritje të urdhrit tuaj”. Me të mbërritur këtë letër, Hazret Omeri kuptoi se Hazret Amri duhet të kishte shkruar këtë letër pas hulumtimit të plotë. Pastaj, ai i njoftoi njerëzit se po nisej në udhëtim, dhe kështu u nis për të.

Teberiu gjithashtu ka shkruar se ardhja e Hazret Omerit r.a. kishte një arsye. Pra, kur Hazret Ebu Ubejda kishte mbërritur në Jerusalem, banorët e vendit shprehën dëshirë për të lidhur marrëveshjen e paqes, por me kushtin që Hazret Omeri r.a. në cilësinë e kryetarit të muslimanëve, gjithashtu të merrte pjesë në ceremoninë e lidhjes së paqes. Kur Hazret Ebu Ubejda e njoftoi Hazret Omerin për këtë kusht, ai menjëherë u nis nga Medina.

Megjithatë, ka disa historianë, të cilët nuk pajtohen me mendimin se Hazret Ebu Ubejda ishte iniciatori i ardhjes së Hazret Omerit r.a.. Muhammed Husejn Hejkeli shkruan: “Është e rëndësishme që të theksohet se ky rrëfim të konsiderohet i pavërtetë”. Pra mendimi që Hazret Halit ibn Velidi dhe Hazret Ebu Ubejda bashkërisht ose veçmas kishin rrethuar Jerusalemin, ashtu siç kanë cituar komentuesit e mëvonshëm Teberiu, Ibn Esiri dhe Ibn Kethiri.

Sipas transmetimit të Teberiut, arsyeja përse Hazret Omeri kishte ardhur në Levant, ishte se kur Hazret Ebu Ubejda i vuri rrethim Jerusalemit, banorët e qytetit kërkuan marrëveshjen e paqes, mbi të njëjtat kushtet, në të cilat muslimanët kishin nënshkruar marrëveshjet në vendet e tjera të Levantit. Megjithatë, përpos atyre kushteve, ata shtuan dhe kërkesën që Hazret Omer ibn Hattabi r.a. të vinte personalisht për ta mbyllur këtë marrëveshje. Hazret Ebu Ubejda çoi këtë njoftim në oborrin e Kalifatit dhe Hazret Omeri u nis nga Medina. Teberiu nuk konsideron të vlefshëm këtë transmetim, duke argumentuar se në kohën e rrethimit të Jerusalemit, Hazret Ebu Ubejda dhe Hazret Haliti ishin të angazhuar në fitoret e Halepit, Homsit, Antakias dhe të qyteteve të tjera të përafërta, ndërsa Herakleliusi gjithashtu po mobilizonte ushtri nga kampi i Rohës, me qëllim që të detyronte zmbrapsjen e muslimanëve. Të gjitha këto ngjarje, kanë ndodhur në vitin 15 pas hixhretit përgjiegjësisht në 636.

Është fakti i njohur që rrethimi i Jerusalemit kishte zgjatur për disa muaj, dhe në të njëjtën kohë këta dy kryekomandantë po pushtonin vrullshëm tokën siriane, madje ata e kishin detyruar Herakliusin të strehohej në kryeqytetin Ruha (Edessa). Pra, ky mendim që njëri ose këta të dy udhëheqës kishin rrethuar Jerusalemin, ndërsa ata ishin të zënë në fushatën ushtarake të Levantit, është diçka që nuk përputhet me provat. Pra, jemi të detyruar të përjashtojmë këtë transmetim.

Rrethimi i Jerusalemit ishte bërë nga Hazret Amr ibn Asi r.a.

Tani mbetet transmetimi tjetër, sipas të cilit rrethimi i Jerusalemit ishte bërë nga Hazret Amr ibn Asi dhe ky rrethim kishte zgjatur për disa muaj. Sipas Teberiut, banorët e qytetit Jerusalem, iu përgjigjën sulmit të Muslimanëve me trimëri e vendosmëri të madhe. Sipas nesh, ky mendim është i drejtë, pasi ky përshkrim përputhet me qëndrimin e banorëve të Jerusalemit, që ata kishin shfaqur ndaj të gjithë sulmuesve të jashtëm.

Muhammed Husejn Hejkeli gjithashtu shkruan: “Është e çuditshme që Hazret Omeri shkon me ushtrinë e tij vetëm për të mbyllur marrëveshjen e paqes dhe për ekzekutimin e saj. Po ashtu, është e çuditshme gjithashtu se përse banorët e Jerusalemit kërkojnë ardhjen e Hazret Omerit vetëm për të nënshkruar marrëveshjen e paqes, edhe pse ata dinin se çdo karvan që do të udhëtonte nga Medina drejt Jerusalemit pa asnjë pushim e ndalim, atij do të duheshin plotë tri javë. Prandaj, për mendimin tim, periudha e gjatë e rrethimit dhe letrat e Hazret Amr ibn Asit, në të cilët ai kishte përshkruar fuqinë e kundërshtarit dhe i kishte kërkuar mbështetje ushtarake, të gjitha këto kishin kontribuar që Hazret Omeri nuk mund të duronte më. Prandaj, kur Hazret Amr ibn Asi sërish i kërkoi më shumë forcim ushtarak, Hazret Omeri gjithashtu u nis me ushtrinë. Gjatë udhëtimit, ai u vendos në Xhabije, e cila ndodhej midis shkretëtirës së Levantit dhe territorit të Jordanisë.

Ndërkohë, Hazret Ebu Ubejda dhe Hazret Haliti, pas fitores së Levantit, gjithashtu ishin liruar nga luftërat. Hazret Omeri u dërgoi porosinë atyre që ta takonin në Xhabije, me qëllim që ai të konsultonte me ta dhe me oficerët e tjerë të ushtrisë dhe pas këtij diskutimi të arrinte plan-veprimin më të mirë për të shënuar fitoren e Jerusalemit.

Arratisja e Etrebunit nga Jerusalemit dhe oferta e paqes nga Sofronejusi

Etrebuni dhe Sofronejusi gjithashtu mësuan për ardhjen e Hazret Omerit r.a..

Ka një mosmarrëveshje në lidhje me këta emra. Në librat arabë ky emër është shkruar si “Ertebun”, por Hejkeli e konsideron të pasaktë. Sipas kërkimit të tij, ky emër është “Etrebun” e jo “Ertebun”. Po ashtu, emri “Sofronejus” është përmendur në librat arabë si “Sofronius”. Pastaj, duke biseduar me Hazret Ebu Ubejden dhe Hazret Halitin, ai kishte mësuar se çfarë kishte ndodhur në Siri. Pra. Hazret Omeri r.a. i kishte ftuar që të hartonte ndonjë strategji. Ai gjithashtu dinte kryekomandant kundërshtarë (Etrebuni dhe Sofronejusi) nuk mund të ruajnë gjendjen aktuale në Jerusalem për një kohë të gjatë, pasi situata në të ardhmen do të ishte më e vështirë.

Sidoqoftë, Etrebuni mori pak ushtri me vete dhe fshehurazi shkoi në Egjipt, ndërkohë një prift i moshuar, i cili po mendonte për sigurinë e tij, nisi bisedat me muslimanët për të arritur një marrëveshje paqeje. Ai gjithashtu dinte se Prijësi i Besimtarëve ndodhet pikërisht në Xhabije, prandaj ai shtoi si kusht që për të nënshkruar këtë marrëveshje, ai duhet të vinte personalisht. Meqë distanca midis Xhabijes dhe Jerusalemit nuk ishte aq e madhe, prandaj një kërkesë e tillë, nuk mund të refuzohej. Pra, Hejkeli beson se mendimi i tij në lidhje me sulmet në Siri dhe Palestinë përputhet me kronologjinë historike të ngjarjeve.

Në lidhje me bisedimet që u zhvilluan me Hazret Omerin r.a. pas marrjes së këtyre letrave, është shënuar se ai i mblodhi të gjithë sahabët e nderuar dhe u konsultua me ta. Hazret Osmani ishte i mendimit se të krishterët janë frikësuar dhe kanë humbur çdo shpresë, prandaj nëse edhe ju ua refuzoni kërkesën, kjo do të jetë një poshtërim për ta, dhe duke ditur që edhe muslimanët i kanë shpërfillur, ata do të dorëzojnë pakusht armët e tyre. Por, mendimi i Hazret Aliut ishte ndryshe nga Hazret Osmani. Ai e këshilloi Hazret Omerin që të shkonte deri në Ilja. Ai i tha se “muslimanët kanë duruar dimrin, luftën dhe vështirësitë e një qëndrimi kaq të gjatë, andaj nëse ju do t’i vizitoni ata, kjo vizitë do të sigurojë paqen, stabilitetin dhe mbarësinë si për ju, po ashtu për muslimanët në përgjithësi. Por, nëse ju do t’i zhgënjeni ata nga vetja si dhe nga mundësia e një marrëveshjeje, kjo nuk do të ishte një veprim i dobishëm. Në anën tjetër, armiku do të mbetet i sigurt brenda mureve të fortesës dhe shumë shpejt do t’i mbërrijë forcimet dhe ndihmë ushtarake nga vendi si dhe nga perandori bizantin, pasi Jerusalemi gëzon një status të veçantë për ta dhe është vend pelegrinazhi për ta”. Hazret Omeri r.a. pëlqeu dhe pranoi mendimin e Hazret Aliut.

Udhëtimi i Hazret Omerit r.a. nga Medina në Jeruslaem

Në këtë udhëtim, përveç muhaxhirëve dhe ensarëve, Hazret Omerin e shoqëronte dhe Hazret Abas ibn Abdil Mutelibi. Në lidhje me këtë udhëtim, ka një transmetim nga Ebu Sa’id Mekburi. Ai tregon se gjatë këtij udhëtimi, Hazret Omeri r.a. pas namazit të sabahut, qëndronte me shokët e tij dhe u drejtohej me këto fjalë: “Lavdërimi është i Allahut, i Cili na nderoi përmes Islamit dhe besimit. Ai na lartësoi përmes të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., na udhëzoi nga errësira dhe na bashkoi ndërkohë ishim të përçarë në grupe. Allahu na mbushi me dashuri dhe përmes Profetit s.a.v.s. na caktoi në qytete të ndryshme dhe na bëri vëllezër me njëri-tjetrin. Andaj, falënderoni Allahun e Madhërishëm për këto mirësi dhe kërkojini Atij më shumë. Lutuni Allahut që Ai t’ju bëjë falënderues për këto dhunti dhe t’ju plotësojë, sepse Ai kërkon përkushtimin tuaj ndaj Tij dhe plotëson dhuntitë e Tij mbi njerëz falënderues”.

Gjatë këtij udhëtimi, nga fillimi deri në fund, Hazret Omeri r.a. e përsërite këtë fjalë çdo mëngjes, dhe nuk e ndërpreu këtë mesazh dhe e përcolli atë çdo ditë.

Takimi i Kalifit me komandantë muslimanë në Siri

Udhëheqësit muslimanë tashmë ishin njoftuar se ata duhet të takoheshin me Hazret Omerin r.a. në Xhabije. Sipas të dhënave, Jezid ibn Ebu Sufjani dhe Halit ibn Velidi kishin mirëpritur Hazret Omerin r.a.. Meqë ata jetonin në Siri, tashmë nuk e kishin më atë thjeshtësi arabe. Kur ata dolën para Hazret Omerit, ata kishin veshur mëndafshin, jelekun, veshjet ceremoniale dhe luksoze. Nga veshjet e stolisura dhe paraqitja e jashtme, ata po dukeshin si jo-arabë. Kjo gjë i ngjalli pakënaqësi dhe zemërim Hazret Omerit. Ai u hodh nga kali dhe qëlloi ata me ca guralecë dhe tha: “Kaq shpejt i keni përvetësuar zakonet dhe traditat jo-arabe”. Ata i thanë: “Poshtë këtyre veshjeve, ne i mbajmë armët”. D.m.th. nuk kishin harruar artin e luftimit. Hazret Omeri ua pranoi këtë arsyetim nëse me të vërtetë këtë veshje e mbanin vetëm për paraqitjen e jashtme, ndërkohë poshtë tyre, i kishin ruajtur traditat arabe.

Sipas një transmetimi, Jezid ibn Ebu Sufjani kishte thënë: O Prijës i Besimtarëve! Ne kemi veshje dhe kuaj të mjaftueshëm. Kemi kushtet më të mira të jetesës dhe sendet kushtojnë më lirë këtu, megjithatë muslimanët janë në të njëjtën gjendje, që ju pëlqen juve. Nëse ata vishen në të bardha dhe hipin në kuaj të fuqishëm, dhe i ushqejnë muslimanët nga drithërat dhe të lashtat e bollshme, kjo do t’ua përforcojë popullarizimin dhe do të kontribuojë në mirëqeverisjen tuaj dhe mirëqenien popullore. Politika e tillë, do t’ju shtojë madhështinë në sy të popullsisë jo-arabe”. Hazret Omeri iu përgjigj: “O Jezid! Kurrsesi jo. Pasha Allahun! Unë nuk do të ndryshoj këtë gjendje dhe këtë paraqitje, në të cilën kam lënë dy miq të mi (d.m.th,. të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe Hazret Ebu Bekrin). Unë nuk do të përvetësoj stolinë dhe shkëlqimin e jashtëm për hir të njerëzve. Unë frikësohem se një sjellje e tillë, do të më njollosë dhe poshtërojë para Zotit. Unë nuk dua që pozita ime të ngrihet në sy të njerëzve, ndërkohë ajo të zvogëlohet para Zotit”. Kështu, Hazret Omeri vijoi sjelljen e tij, ashtu siç ishte në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe në periudhën e Hazret Ebu Bekrit r.a., derisa ai u nda nga kjo jetë.

Si u arritën marrëveshjet midis muslimanëve dhe të krishterëve në Ilije?

Në lidhje me vendin ku ishte arritur kjo marrëveshje, shumica e historianëve kanë shkruar që marrëveshja midis muslimanëve dhe të krishterëve ishte nënshkruar në Xhabije. Sipas një transmetimit, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Hazret Omeri r.a. ishte ndenjur në mes të rrethit të ushtarëve. Sakaq, u shfaqën në horizont disa kalorës, të cilët po vinin me shpejtësi dhe shpatat po u vringëllinin nga larg. Muslimanët menjëherë siguruan pozicionet e tyre. Kur Hazret Omeri r.a. vërejti këtë zhurmë dhe lëvizjen e ushtarëve, ai pyeti se çfarë kishte ndodhur. Njerëzit e njoftuan për kalorësit të cilët po i afroheshin kampit musliman. Ai siguroi sahabët dhe tha: “Mos u shqetësoni! Ata kanë ardhur vetëm për të kërkuar paqe”. Këta ishin banorët e Ilijes dhe Hazret Omeri u dorëzoi traktatin e paqes.

Sipas një burimi tjetër, Alama Buladhari dhe Muhammed Husejn Hejkeli kanë shkruar që marrëveshja e paqes në vend të Xhabijes, ishte nënshkruar në Ilije. Megjithatë, Muhammed Husejn Hejkeli në veprën e tij ka shkruar gjithashtu që marrëveshja ishte nënshkruar në Xhabije.

Fjalët e këtij traktat paqeje, nënshkruar midis muslimanëve dhe banorëve të Ilijes, sipas Teberiut, janë si në vijim:

“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit. Këtë traktat u ka dhënë robi i Allahut dhe prijësi i besimtarëve Omeri banorëve të Ilijes. U sigurohet mbrojtje për nderin, pasurinë, kishat dhe kryqet e tyre. Po ashtu i garantohet mbrojtje mbarë popullit pavarësisht nëse dikush është i sëmurë apo i shëndoshë. Asnjëri nuk mund të strehohet nëpër kishat e tyre dhe nuk do të lejohet shembja e tyre. Nuk do të zvogëlohet asgjë nga sipërfaqja e kishave, nuk do të lejohet cenimi i kryqeve të tyre dhe as nuk do të preket pasuria e tyre. Në çështjen e fesë, nuk do të bëhet asnjë shtrëngim e imponim dhe nuk do t’u nxirret asnjë telashe. Në Ilije nuk mund të banojë ndonjë hebre dhe banorët e Ilijes duhet të paguajnë Xhizjhen sikur banorët e qyteteve të tjera. Ata duhet të dëbojnë nga Ilija bizantinët si dhe ata që nxisin trazira në vend. Çdokush që vullnetarisht largohet nga qyteti, i jepet mbrojtje për jetën dhe pasurinë, derisa të mbërrijë në destinacionin e tij. Ndërsa ata që duan të jetojnë në Ilije, janë të mbrojtur, por ata duhet të paguajnë xhizjen. Nëse dikush nga banorët e Ilijes dëshiron të bashkohet me bizantinët duke lënë vendin, le të dijë se kishat dhe kryqet e ikonat etj janë të mbrojtura. Edhe nëse ata shpërngulen nge Ilija, pronat, faltoret dhe ikonat e tyre nuk do të cenohen. Nga banorët e Ilijes, ata që janë marrë me punë bujqësore, nëse nuk largohen nga tokat e tyre, ata gjithashtu duhet të paguajnë xhizjen si qytetarë të tjerë. Kushdo që dëshiron të ndjekë bizantinët dhe të shpërngulet nga Ilija bashkë me ta, ai nuk do të pengohet, ndërsa ai që dëshiron të kthehet në shtëpinë e tij, atij nuk do të kërkohet xhizje, derisa të korren të lashtat. Pra, do t’u kërkohet xhizje, vetëm atëherë kur ata kanë arritur të ardhurat. Të gjitha pikat e përmendura në këtë marrëveshje, gëzojnë besëlidhjen e Allahut, të të Dërguarit të Tij s.a.v.s., të kalifëve dhe të besimtarëve, derisa edhe qytetarët e Ilijes vijojnë të paguajnë xhizjen, që është përgjegjësia e tyre”.

Tri fakte rreth marrëveshjes së Ilijes

Kjo marrëveshje mbante dëshminë e Hazret Halid ibn Velidit, Hazret Amr ibn Asit, Hazret Abdurrahman ibn Aufit dhe Hazret Muavija ibn Ebu Sufjanit. Në veprën “Tarikh Ibn Haldun” janë përmendur disa çështje që vërtetohen nga kjo marrëveshje.

  1. Muslimanët nuk kanë përhapur fenë e tyre me anë të shpatës.
  2. Gjatë sundimit të tyre, fetë e tjera gëzonin lirinë e plotë.
  3. Popujt e tjerë nuk detyroheshin për të paguar xhizjen. Ata kishin mundësinë për të zgjedhur qëndrimin e tyre dhe për të paguar xhizjen, dhe në të dyja situatat atyre u ishte garantuar mbrojtje.

Kur lajmi i një traktati të tillë mbërriti në Ramala, banorët e këtij vendi gjithashtu dëshironin të lidhnin një marrëveshje të tillë me Prijësin e Besimtarëve. E njëjta ishte aspirata e popullit të Palestinës. Hazret Omeri r.a. gjithashtu shkroi një letër banorëve të Ludit, dhe më vonë në juridiksionin e tij u shtuan edhe qytete të tjera, të cilat kishin pranuar autoritetin e muslimanëve. Në këtë letër, Hazret Omeri r.a. u kishte premtuar banorëve të Ludit, sigurinë e jetës, pasurisë, vendeve të adhurimit, si dhe kishte garantuar mbrojtjen e çdo njeriu qoftë i shëndoshë apo i sëmurë si dhe të gjitha feve që praktikoheshin atje. Ai gjithashtu u tha që nëse do të paguanin xhizjen si qytetet e tjera të Sirisë, atyre nuk do të bëhet shtrëngim në çështjen e fesë, madje nuk do të krijohen probleme për dikë, vetëm për shkak të mosmarrëveshje në besim.

Kur Hazret Omeri r.a. përfundoi këto detyra, ai caktoi dy administratorë për Palestinë dhe ndau territorin e vendit në dy pjesë. Kështu Ramala u bë kryeqyteti i Alkama ibn Hakimit dhe Ilija u zgjodh qendra për territorin e Alkama ibn Muxhezizit.

Mbërritja e Hazret Omerit në Jerusalem

Pastaj, Hazret Omeri r.a. mbërriti në Jerusalem. Kjo ngjarje është përshkruar në histori në këtë mënyrë: Hazret Omeri lidhi një traktat me banorët e Ilijes dhe u garantoi mbrojtje e paqe. Pastaj ai vendosi ushtrinë në Ilije dhe nga Xhabije u nis për në Jerusalem. Sipas përshkrimit në histori, kur Hazret Omeri hipi në kalë, ai ndjeu që për shkak të dhimbjes në këmbë, kali i tij çalonte pak. Pastaj, i sollën një kalë të racës turke, por ai nisi të ngrihej qirithi, dhe Hazret Omeri zbriti prej tij. Pas disa ditësh, Hazret Omeri kërkoi kalin e tij i cili po trajtohej. Hazret Omeri vazhdoi të kalërojë derisa të mbërrinte në Jerusalem. Kur iu afrua qyteti Hazret Ebu Ubejda dhe komandantët ushtarakë erdhën për ta pritur. Veshja e Hazret Omerit r.a. ishte shumë e thjeshtë dhe muslimanët duke menduar për reagimin e të krishterëve, i ofruan një veshje të stolisur e të shtrenjtë, por ai e refuzoi atë dhe tha: “Zoti na ka nderuar përmes Islamit dhe na mjafton ky nderim”.

Priftërinjtë e krishterë i dorëzuan çelësat e qytetit Hazret Omerit r.a.. Në fillim, ai shkoi në xhaminë Aksa, pastaj erdhi dhe vizitoi faltoren e të krishterëve. Kur përfundoi shëtitjen e kishës, kishte vajtur koha e namazit. Të krishterët i dhanë leje për të falur namazin, por Hazret Omeri mendoi që nëse ai do të falte në kishë, atëherë ndoshta brezat e ardhshëm muslimanë duke u bazuar në këtë veprim, do të bënin ndërhyrje në faltoret e të krishtera, prandaj ai fali namazin jashtë objektit.

Një ngjarje emocionuese e Hazret Ebu Ubejdes r.a.

Gjatë qëndrimit të tij në Ilije, udhëheqësit e ushtrisë muslimane nisën të ftonin Hazret Omerin në gosti. Ata përgatisnin ushqimin dhe pastaj e ftonin Hazret Omerin në çadrën e tyre. Hazret Omeri i nderonte ata duke ua pranuar ftesën. Megjithatë, Hazret Ebu Ubejda nuk e ftoi Hazret Omerin kurrë për gosti.  Atëherë njëherë Hazret Omeri e pyeti: “Përveç jush, nuk ka mbetur ndonjë udhëheqës, të mos të më ketë ftuar për gosti”. Hazret Ebu Ubejda iu përgjigj: “O prijës i besimtarëve! Druhem që nëse pranuat ftesën time, ju nuk do të jeni gjendje të kontrolloni sytë tuaj”. D.m.th. do të emocionoheni. Hazret Omeri hyri në tendën e tij dhe çfarë sheh brenda? Aty brenda nuk kishte asgjë përveç shalës së kalit të Hazret Ebu Ubejdes. Ajo i shërbente gjithashtu si dyshek dhe jastëk. Ndërsa në një qoshe të tendës, kishte bukë të thatë. Hazret Ebu Ubejda e mori atë, dhe shtroi para Hazret Omerit mbi tokë. Ai gjithashtu i solli një poçe balte me ujë si dhe kripë.

Kur Hazret Omeri e pa këtë gjendje, ai nuk u përmbajt dot dhe i përlotur e përqafoi Ebu Ubejden. Hazret Omeri i tha: Je vëllai im. Nuk ka asnjëri nga shokët e mi, që të mos ketë marrë një pjesë nga kjo dynja dhe bota të ketë marrë pjesë prej tij. përveç teje. Hazret Ebu Ubejda i tha: “A nuk ju kisha njoftuar që herët se në tendën time, ju nuk do të përmbani dot sytë”.

Pastaj, Hazret Omeri doli jashtë. Ai madhëroi dhe shenjtëroi Allahun e Madhërishëm, ashtu siç i takon dhe i dërgoi selavate të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe pastaj tha: O muslimanë! Sigurisht, Allahu ka përmbushur fjalën e tij, ju ka mbështetur kundër armiqve dhe ju ka bërë trashëgimtarë të atyre vendeve dhe ju ka dhënë autoritet dhe pushtet në tokë. Prandaj, duhet të falënderoni Zotin tuaj. Shmangni çështje të ndaluara, sepse veprime të ndaluara burojnë nga mosmirënjohja e dhuntive. Shpesh ndodh që nëse një popull, të cilit Allahu i ka dhënë dhuntitë, tregohet mosmirënjohës dhe nuk nxiton në kërkim falje, Allahu gjithashtu e poshtëron atë, u merr të gjitha nderimet dhe dhuntitë dhe i mbizotëron armiqtë mbi ta”.

Meqë, mjaft udhëheqës ushtarakë dhe oficerë ishin mbledhur në Ilije, prandaj Hazret Omeri qëndroi disa ditë atje dhe lëshoi disa udhëzime të rëndësishme.

Drejtësia dhe dhembshuria e Hazret Omerit për ushtarët muslimanë

Një ditë Hazret Bilali iu ankua Hazret Omerit dhe tha: O prijës i besimtarëve! Oficerët tanë ushqehen me mish zogjsh dhe me bukë prej miellit të imët, ndërkohë muslimanë të thjeshtë nuk gëzojnë as ushqimin më të thjeshtë. Hazret Omeri u kërkoi sqarimin oficerëve, të cilët i thanë se të gjitha produktet janë të lirë këtu. Në të njëjtin çmim, që ata paguanin për bukë dhe hurma në Hixhaz, ata mund të blinin mish zogu apo bukë të butë. Atëherë Hazret Omeri nuk i ndaloi oficerët nga ushqimi i tyre, por u dha porosi që përveç pagës dhe pjesë në plaçkat, duhet t’i caktonin dietën çdo ushtari.

Kjo ngjarje është përmendur më hollësisht në një vend tjetër. Hazret Jezid ibn Ebu Sufjani i tha Hazret Omerit r.a.: Çmimet në këto qytete nuk janë të larta dhe me të njëjtën pagë, ata mund të kalonin një periudhë të gjatë. Këto që i ka përmendur Hazret Bilali, mund të blihen më lirë këtu. Hazret Omer Faruku u tha: Po qe ashtu, atëherë gëzoni këto ushqime dhe hani derisa të ngopeni. Por, unë nuk do të largohem nga këtu, derisa nuk më dorëzoni listën e produkteve si dhe çmimet e tyre të ndërsjella. Unë ju miratoj buxhetin për muslimanët e dobët që jetojnë në qytete apo fshatra. Ju duhet t’i furnizoni ata me drithërat, mjaltin dhe vaj ullirin sipas nevojave të tyre”. Pastaj ai iu drejtua muslimanëve të skamur apo e të papërkrahur dhe u tha: “Unë kam miratuar një listë për ju, nga e cila udhëheqësit tuaj do t’ju furnizojnë. Megjithatë, ky furnizim do të jetë përpos asaj që unë do t’ju dërgoj nga Bejtul Mali (drejtoria e financës). Nëse ndonjë administrator nuk ju furnizon me ushqime, duhet të më dërgoni ankesë dhe unë do ta shkarkoj menjëherë nga detyra”.

Ezani i Hazret Bilalit r.a.

Gjatë qëndrimit të tij në Ilje, një ditë ishte koha e namazit dhe njerëzit iu lutën Hazret Omerit r.a. me këmbëngulje që të porosiste Hazret Bilalin për të thirrur ezan. Hazret Bilali iu përgjigj: “Isha zotuar se pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. nuk do të thirrja kurrë ezanin për dikë, megjithatë unë do t’ju zbatoj urdhrin”. Kur sipas porosisë së Hazret Omerit r.a., Hazret Bilali nisi ezanin, të gjithë sahabëve u kujtua koha e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Kjo i kishte përmallur aq shumë, saqë ata qanin me dënesë. Hazret Omeri ishte përmalluar aq shumë saqë, e kishte zënë lemza dhe kjo gjendje i mbeti për një kohë të gjatë.

Pas kthimit nga Jerusalemi, Hazret Omeri bëri një turne.  Ai udhëtoi gjithë territorin e vendit, kontrolloi kufijtë dhe organizoi sigurinë e vendit. U arrit dhe misioni i tij me vizitën në Jerusalem. Ai ndoqi të njëjtën rrugë për t’u kthyer në Medinë, që kishte përdorur për të shkuar. Kur mbërriti në Xhabije, Faruku i Madh Hazret Omeri bëri ndalesë disa ditore dhe pastaj nisi rrugën e kthimit në kalin e tij.

Kthimi në Medinë dhe mirëpritja nga sahabët

Hazret Aliu dhe muslimanët e tjerë në Medinë kishin mësuar të gjitha punët dhe ngjarjet e prijësit të besimtarëve gjatë udhëtimit të tij në Palestinë. Ata e pritën jashtë Medinës në një organizim madhështor. Hazret Omeri hyri në xhaminë e Profetit s.a.v.s. dhe fali dy rekate namaz pranë foltores. Pastaj ai ngjiti në minber, kurse njerëzit ishin mbledhur rreth tij. Ai falënderoi dhe madhëroi Allahun e Madhërishëm dhe pasi dërgoi selavate të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. tha: “O njerëz! Allahu ka bërë shumë dhunti mbi këtë umet, me qëllim që ata të lavdërojnë dhe ta falënderojë Atë. Allahu i ka dhënë nderim të veçantë mesazhit të këtij umeti dhe e ka bërë të bashkuar. Allahu u ka dhënë atyre fitore madhështore, përballë kundërshtarëve u ka dhënë përkrahje të madhe, u ka dhënë nderim e pozitë, u ka dhuruar pushtet dhe autoritet në tokë, dhe i bërë trashëgimtarë të territorit, banesave dhe të pasurisë së idhujtarëve. Prandaj, gjithmonë shprehni falënderim ndaj Allahut të Madhërishëm, sepse Ai do t’ju dhurojë më shumë. Lavdëroni Allahun për dhuntitë që Ai ju ka falur. Ai gjithmonë do t’ju bekojë me dhunti. Allahu na bëftë ne dhe ju prej robërve falënderues!” Pastaj, Hazret Omeri zbriti nga minberi.

Thjeshtësia e Hazret Omerit r.a.

Hazret Kalifi I r.a. ka thënë që në rrethin e Jerusalemit, priftërinjtë do të lejonin vetëm kalifin e muslimanëve të hynte brenda. Atëherë Hazret Omeri u nis bashkë me shërbëtorin e tij në plot thjeshtësi. Ata i hipnin devesë me radhë, njëri pas tjetrit. Ebu Ubejda i tha për të ndërruar veshjet dhe që të hipte në kalë. Ai në fillim pranoi këtë kërkesë, por pak më vonë, ai zbriti nga kali dhe tha: “Më sillni rrobat e mia dhe më ktheni devenë time”. Kur Hazret Omeri mbërriti në Jerusalem, Betriku etj. u impresionuan nga prania e tij dhe dorëzuan çelësat e qytetit. Ata thanë se nuk kishin mundësinë të ndesheshin me një komandant të tillë.

Hazret Kalifi II r.a. ka përshkruar këtë ngjarje me këto fjalë: Në Jerusalem ka një xhami dhe ai vend është po aq i shenjtë dhe i nderuar për hebrenjtë siç është Qabeja për ne muslimanët. Gjatë kohës së muslimanëve, kur Jerusalemi u pushtua prej tyre, të krishterët kishin dëshirë që Hazret Omeri të falte namazin brenda në kishë, por ua refuzoi kërkesën duke thënë se druhej që nëse do të falte namazin brenda në kishë, muslimanët do ta kthenin atë në një faltore. Kështu ai bëri adhurim jashtë këtij objekti.

Hazret Kalifi II r.a. gjithashtu ka shkruar se muslimanët pushtuan Palestinën në kohën e Hazret Omerit r.a.. Në atë moment, priftërinjtë dolën jashtë dhe i dorëzuan çelësat e qytetit. Ata gjithashtu i thanë: “Ju jeni sunduesi ynë. Falni dy rekate namaz brenda në kishë, që të jeni i kënaqur se keni adhuruar në vendin që është i shenjtë si për ne, po ashtu për ju.” Hazret Omeri r.a. u tha: “Unë nuk mund të falem në faltoren tuaj, pasi jam prijësi i këtyre muslimanëve dhe ka të ngjarë që nesër ata ta pushtojnë këtë faltore, dhe arsyetojnë veprimin e tyre me logjikën se ky është i shenjtë për ta. Prandaj, unë do të falem jashtë këtij objekti, me qëllim që të mos cenohet faltorja juaj”.

Përpjekja e fundit e bizantinëve për të rimarrë Sirinë

Në vitin 17 pas hixhretit, bizantinët bënë përpjekjen e fundit për të rifituar Jerusalemin, dhe kjo përpjekje shënoi përfundimisht pushtimin e plotë të muslimanëve në Siri. Meqë, fitoret e muslimanëve po shtoheshin gjithnjë e më shumë dhe kufijtë e shtetit musliman po zgjeroheshin vazhdimisht, shtetet fqinje u frikësuan se edhe ato janë në shënjestër të këtij zgjerimi. Kështu që banorët e Xhezires, të cilët jetonin në territorin midis Irakut dhe Sirisë, dhe kishin humbur çdolloj shprese nga Jezdgirdi, pas ikjes së tij në Rej, i shkruan një letër Herakliusit që nëse ai do të dërgonte ushtrinë e tij përmes rrugës detare për të luftuar me muslimanët dhe për t’i dëbuar ata nga vendet e pushtuara, atëherë ata gjithashtu do të ofrojnë ndihmën e tyre. Herakliusi shqyrtoi këtë kërkesë dhe arriti në përfundimin se ky veprim nuk kanosej nga ndonjë frikë e madhe. Ndërkohë, banorët e Xhezires i shkruan sërish Herakliusit që e bindi akoma më shumë se ata nuk po bënin ndonjë dallavere në këtë plan. Ai gjithashtu kishte parë që shumica e arabëve të krishterë i përgjigjeshin besnikërisht lidhjes fetare dhe vdekja në këtë kauzë e quanin të shenjtë.

Letrat nga banorët e Xhezires dhe plani i Herakliusit

Herakliusi kishte më shumë se një vit që ai kishte pësuar disfatë në Siri, prandaj nuk kishte më edhe frikën që kishte pasur përpara. Ai gjithashtu kishte mësuar që disa vendet kufitare gjithashtu tashmë ishin stabilizuar dhe ishin në gjendje t’i bënin ballë sulmit të muslimanëve. Përveç kësaj, flota e tij ushtarake ishte plotësisht e mbrojtur si dhe ai dinte se muslimanët i frikësoheshin ujit dhe gjithçka që vjen nga uji. Kjo ia forcoi akoma më shumë vendosmërinë dhe ai pranoi kërkesën e banorëve të Xhezires. Përmes letrave, ai nxiti fiset kundër muslimanëve dhe i njoftoi se flota e tij ushtarake ka marrë urdhra që të mbërrijë sa më shpejtë nga Aleksandria në Antakia me ushtrinë dhe mjetet luftarake.

Me marrjen e kësaj letre nga Herakliusi, këto fise ngritën një ushtri prej 30 mijë ushtarësh dhe nga Xhezira u nisën drejt Homsit. Hazret Ebu Ubejda kishte marrë të gjitha këto lajme dhe ai thirri Hazret Halit ibn Velidin nga Kinasrini. Të dy komandantë pas konsultimit, arritën në përfundimin që të gjitha ushtritë muslimane të bashkoheshin në Sirinë e Veriut. Sipas këtij plani, çetat e të gjitha reparteve ushtarake në Antakia, Hama, Alepo apo vende të përafërta u mblodhën në Homs. Në anën tjetër, lajmi që ushtritë e Herakliusit po vijnë nga rruga detare, ndërkohë fiset e Xhezires po marshojnë drejt Homsit për një sulm të fuqishëm. Kjo situatë kishte alarmuar muslimanët dhe ata nga kureshtja pyesnin njëri-tjetrin se mund të zmbrapsej ky sulm i ri. Kur flota e Herakliusit mbërritën në portin e Antakias, populli iu bashkua atyre dhe ata hapën menjëherë portat e qytetit për ushtarët bizantinë. Populli kishte bërë kryengritje dhe flakët e anarkisë ishin përhapur në mbarë Sirinë Veriore.

Rrethimi i muslimanëve në Homs nga kryengritësit

Hazret Ebu Ubejda e gjeti veten të rrethuar në Homs, pasi kryengritësit e kishin rrethuar nga të gjitha drejtimet. Ata po shikonin ushtrinë armike se si po përparonte kundër tyre nga deti dhe shkretëtira. Ai mblodhi shokët e tij për kuvend dhe u tregoi se kishte shkruar një letër prijësit të besimtarëve dhe i kam kërkuar ndihmë në këtë çast vendimtar. Pastaj, ai i pyeti se a duhet të luftonin me armikun jashtë në fushë, apo të presin ndihmën ushtarake nga Medina dhe deri atëherë të luftonin duke u mbyllur në fortesë.

Përveç Halit ibn Velidit, të gjithë komandantë ushtarakë këshilluan për të luftuar brenda fortesës dhe për të kërkuar menjëherë ndihmën ushtarake nga Medina. Hazret Ebu Ubejda pranoi mendimin e tyre, pra për të luftuar brenda fortesës, dhe iu kundërvu këshillës së Hazret Halit ibn Velidit, pra për të luftuar jashtë fortesës. Në këtë mënyrë, Hazret Ebu Ubejda i forcoi pikat kufitare dhe i shkroi mendimet e komandantëve ushtarakë në oborrin e kalifatit.

Hazret Omeri nuk donte të injoronte faktin që nëse ushtritë muslimanë në Siri dhe Irak përballeshin me një situatë të tillë të rrezikshme, do të vihen në rrezik edhe fitoret e muslimanëve dhe ata do të kthehen në gjendjen e tyre të mëparshme siç ishte në fillim të kalifatit të tij. Kjo qe arsyeja, Hazret Omeri qysh në fillim kishte urdhëruar për të themeluar qytetet si Kufa dhe Basra. Në këto qytete nuk jetonte asnjë jo-musliman dhe ato po shërbenin si reparte ushtarake. Përveç kësaj, ai kishte vendosur në secilin prej 7 qyteteve të tjera, nga 4 mijë kalorës, të cilët ishin gjithmonë në gjendje gatishmërie për të përballuar çdolloj situate.

Plani i Hazret Omerit për mbrojtjen e Homsit

Kur letra e Hazret Ebu Ubejdes mbërriti në oborrin e Hazret Omerit, r.a., ai menjëherë kuptoi se ky kryekomandant i madh musliman gjendet në një rrezik të madh. Ai menjëherë dërgoi një kalorës drejt Hazret Sa‘d ibn Ebi Vekasit me porosinë që ditën ai merrte këtë mesazh, të dërgonte menjëherë Kaka ibn Amru me ushtrinë e tij si forcim drejt Homsit, pasi Ebu Ubejda ishte i rrethuar dhe ndihma të mbërrinte sa më shpejtë.

Në zbatimin e këtij urdhri, Hazret Sa’d ibn Ebi Vekasi nisi një kalorësi prej 4000 ushtarë të kalitur nën udhëheqjen e Kaka ibn Amrut nga Kufa drejt Homsit. Gjendja ishte kaq alarmante dhe e brishtë, saqë marshimi i 4 mijë kalorësve nën drejtimin e Kakait,, nuk ishte i mjaftueshëm, pasi numri i ushtarëve, të cilët kishin ardhur nga Xhezira në Homs ishte 30 mijë, ndërkohë ushtria që Herakliusi kishte dërguar përmes flotës ushtarake në Antakije ishte përveç tyre.

Strategjia largpamëse e Kalifit që detyroi tërheqjen e ushtrisë nga Homsi

Hazret Omeri dinte se ushtarët e tij po përballeshin me banorët e vendit pothuaj në çdo qytet. Nëse ata do të largoheshin nga këtë qytete dhe të mobilizoheshin në Homs, atëherë ky veprim do të shkaktonte përmbysjen e krejt administrimit në Siri. Prandaj, pas dërgimit të çetës së Ka’kait nga Kufa, ai dha gjithashtu urdhrat që pasqyrojnë largpamësinë, dhe urtësinë e tij.

Fiset e ndryshme nga Xhezira kishin guxuar të sulmonin Homsin, pasi ishin të bindur se vendbanimet e tyre ishin jashtë sulmeve të muslimanëve. Nëse do të sulmoheshin këto vendbanime, ata me siguri do të tërhiqeshin dhe rrjedhimisht do të hiqej presioni ndaj Ebu Ubejdes dhe ushtrisë së tij, Për këtë qëllim, Hazret Omeri shkroi S’ad ibn Vekasit që të dërgonte një çetë nën udhëheqjen e Suhejl ibn Adit në qytetin Reka të Xhezires. Ishin pikërisht banorët e Xhezires, të cilën kishin nxitur bizantinët për të sulmuar Homsin, dhe të njëjtin veprim kishin bërë banorët e Kerkisijes. Ai gjithashtu e porositi S’adin për të dërguar çetën tjetër nën komandën e Abdullah ibn Itbanit për të mësyer Nesibejnin. Banorët e Kerkisijes kishin nxitur banorët e këtij qyteti për kryengritje, Pastaj t’i drejtohen Haranit, kryeqytetit të Xhezires si dhe Rohës dhe të dëbojnë kryengritësit prej andej. Ai gjithashtu e porositi Hazret Sa’din për të dërguar çetën e tretë nën udhëheqjen e Velid ibn Akabasë drejt fiseve të krishtera Rabi’a dhe Tenukh të Xhezires. Ai gjithashtu dha urdhër për të dërguar edhe ‘Ijaz ibn Ghenem në këtë front. Nëse plaset lufta, të gjitha çetat do të veprojnë nën udhëheqjen e ‘Ijaz ibn Ghenemit.

Në këtë mënyrë, kur marshuan të gjithë komandantë me çetat e tyre drejt Xhezires, ushtria e tyre e cila kishte rrethuar Homsin, hoqën rrethimin dhe u tërhoqën menjëherë për të mbrojtur Xheziren.

Kjo ishte strategjia dhe taktika e Hazret Omerit r.a. se në vend të grumbullohej e gjithë ushtria muslimane në një vend, ai dërgoi çetat pikërisht në qytetet dhe vendbanimet, nga të cilat kishin ardhur kryengritësit. Rrjedhimisht, duke parë që muslimanët po mësynin qytetet, ishujt dhe territoret e tyre, ata menjëherë hoqën rrethimin e Homsit dhe u kthyen, nga kishin ardhur.

Hazret Omeri nuk u ndal me kaq, përkundrazi ai kishte kuptuar se pavarësisht humbjeve të njëpasnjëshme, Herakleliusi kishte dërguar ushtritë përmes rrugës detare, pasi kishte besim në fuqinë e tij dhe ishte bindur se ai vetëm mund të mposhtte muslimanët. Prova e këtij vetëbesimi ishte fakti që ai kishte caktuar djalin e tij Konstantin kryekomandantin e ushtrive që kishin ardhur nga Aleksandria përmes flotës detare. Sipas planit të Hazret Omerit Ka’kai u nis bashkë me 4 mijë kalorës drejt Homsit. Suhejl ibn Adi, Abdullah ibn ‘Itbani, Velid ibn Ukaba dhe ‘Ijaz ibn Ghanami u nisën për të mposhtur kryengritjen e banorëve të Xhezires. Ndërkohë, Hazret Omeri u nis nga Medina për të shkuar në Homs dhe rrugës ai ndaloi në Xhabije. Banorët e Homsit kishin mbështetur bizantinët në rrethimin e Homsit. Ata kishin mësuar për ardhjen e ushtrisë muslimane nga Iraku, por ata nuk dinin se kjo ushtri a do të sulmonte qytetin e tyre Xhezire apo Homsin. Prandaj, ata ndërmorën masat për mbrojtjen e qytetit dhe popullit të tyre dhe u ndanë nga bizantinët.

Lufta vendimtare midis muslimanëve dhe ushtrisë së Herakliusit

Një mëngjes, kur u zgjua Ebu Ubejda, ai mësoi se fiset e Xhezires ishin kthyer në vendin e tyre dhe përballë muslimanëve kishte mbetur vetëm ushtria e Herakliusit. Ai thirri kuvendin e komandantëve dhe i njoftoi se kishte ndërmend të dilte në fushëbetejë për të luftuar me ushtrinë bizantine. Ky njoftim e gëzoi pamasë Hazret Halit ibn Velidin dhe shtoi: “Para se organizohen bizantinët për situatën e re, ne duhet të hidhemi menjëherë në sulm”. Hazret Ebu Ubejda iu drejtua ushtarëve dhe mbajti një fjalim të zjarrtë dhe u tha: “O muslimanë! Ai që tregon qëndresë të guximshme sot, nëse kthehet i gjallë nga lufta, do të fitojë pozitën dhe pasurinë dhe nëse vdes, do të vdesë si dëshmor. Unë dëshmoj se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë çdokush që vdes duke mos qenë idhujtar, me siguri do të hyjë në xhenet”.

Ushtria ishte gatshme dhe mezi priste për t’u hedhur në sulm. Fjalimi i Ebu Ubejdes ua ngrohu zemrat dhe ushtarët menjëherë i ngritën armët. Hazret Ebu Ubejda marshoi përpara me pjesën qendrore të ushtrisë, ndërkohë Hazret Halit ibn Velidi drejtonte krahun e djathtë dhe Hazret Abasi krahun e majtë të ushtrisë. Plasi lufta midis dy palëve, dhe përpara muslimanëve bizantinët nuk dhanë ndonjë qëndresë dhe pësuan një humbje të thellë.

Kur Ka’ka ibn Amru mbërriti në Homs me çetën e tij, kishin kaluar tashmë tri ditë nga përfundimi i luftës. Në anën tjetër, Hazret Omeri mbërriti në Xhabije që binte në rrugën e Sirisë. Aty e takoi lajmëtarin e Hazret Eub Ubejdes i cili e njoftoi se tri ditë para se të mbërrinte Ka’kai në Homs, Allahu i Madhërishëm u ka dhënë muslimanëve një fitore madhështore ndaj bizantinëve. Ai gjithashtu kërkoi udhëzimin e Hazret Omerit, nëse duhet Ka’kai dhe ushtria e tij do të merrnin pjesë nga plaçkat e luftës apo jo. Ky lajm e qetësoi Hazret Omerin dhe ai ndjeu se nuk kishte më nevojë për të vazhduar udhëtimin. Ai prej andej, shkroi një letër kujdestarit të popullit Ebu Ubejdes dhe e porositi për të përfshirë banorët e Kufes në shpërndarjen e plaçkës, sepse vetëm lajmi i ardhjes së tyre e kishte tmerruar armikun dhe kjo ishte arsyeja e humbjes së tyre. Ai tha: Allahu i shpërbleftë banorët e Kufës se ata mbrojnë territorin e tyre dhe mbështesin qytetet e tjera!”

Pastaj, Hazret Omeri u nis për në Medinë. Në anën tjetër, pas kësaj humbjeje, Herakliusit i ishin prerë të gjitha shpresat dhe ai kurrë nuk guxoi t’i drejtohej Sirisë. Ndërkohë, kur rebelët mësuan se ushtritë bizantine janë hipur në anije dhe kanë ikur, kryengritja u zhduk vetë. Kjo ngjarje kishte ndodhur në vitin 17 pas hixhretit dhe tre vjet më vonë në vitin 20 hixhri ose 641, Herakliusi vdiq.

Kjo histori do të trajtohet edhe në vijim në hutbet e ardhshme.

Lajmërime për namazin e xhenazes

Në fund, Huzuri (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) përmendi shkurtimisht disa anëtarë, të cilët kishin ndërruar jetë, dhe pas namazit të xhumasë, fali namazin e tyre të xhenezes.

  1. Çaudri Se’id Ahmed Lakan sahib, 86 vjeç, në Kanada
  2. Muhammed Shehabudin sahib, zv. Kryetar i Xhematit në Bangladesh, 75 vjeç
  3. Raul Abdulla sahib, nga Argjentina
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp