Pse ndodhi vrasja e Hazret Omerit r.a., Kalifit të Dytë të Islamit?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Pse ndodhi vrasja e Hazret Omerit r.a., Kalifit të Dytë të Islamit?

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

أَشْھَدُ أَنْ لَّا إِلٰہَ اِلَّا اللّٰہُ وَحْدَہٗ لَا شَرِیْکَ لَہٗ وَأَشْھَدُ أَنَّ مُحَمَّدًا عَبْدُہٗ وَ رَسُوْلُہٗ۔أَمَّا بَعْدُ فَأَعُوْذُ بِاللّٰہِ مِنَ الشَّیْطٰنِ الرَّجِیْمِ۔

بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ (١)  ٱلۡحَمۡدُ لِلَّهِ رَبِّ ٱلۡعَٰلَمِينَ(٢) ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ (٣) مَٰلِكِ يَوۡمِ ٱلدِّينِ (٤) إِيَّاكَ نَعۡبُدُ وَإِيَّاكَ نَسۡتَعِينُ (٥) ٱهۡدِنَا ٱلصِّرَٰطَ ٱلۡمُسۡتَقِيمَ (٦) صِرَٰطَ ٱلَّذِينَ أَنۡعَمۡتَ عَلَيۡهِمۡ غَيۡرِ ٱلۡمَغۡضُوبِ عَلَيۡهِمۡ وَلَا ٱلضَّآلِّينَ (٧)

Çfarë ndodhi menjëherë pas vrasjes së Hazret Omerit r.a. në xhami?

Në xhumanë e kaluar ju tregova ngjarjen e rënies dëshmor të Hazret Omerit r.a.. Ka disa detaje në lidhje me këtë ngjarje, që dëshiroj t’ju tregoj sot. Sipas rrëfimit të Sahihut të Buhariut, në momentin kur Hazret Omeri r.a. u sulmua, menjëherë pas asaj, muslimanët e pranishëm e falën namazin e sabahut, ndërkohë Hazret Omeri r.a. ishte në xhami.

Kurse sipas një rrëfimi tjetër, Hazret Omeri r.a. menjëherë u soll në shtëpi dhe namazi u fal më vonë. Edhe shpjeguesi i Sahihut të Buhariut, ‘Alame Ibn Haxher el-‘Askalani, poshtë rrëfimit në fjalë, e sjell edhe rrëfimin e dytë dhe pohon:

Hazret Ibni ‘Abasi r.a. thotë: Kur Hazret Omeri r.a. pati gjakderdhje të madhe dhe ai u alivanos, unë e kapa bashkë me të tjerët dhe e çova në shtëpi. Deri në mëngjes, ai qe pandjenja. Kur u përmend, na pa dhe na tha:

– A kanë falur namazin njerëzit?

– Po, iu përgjigja.

– Nuk i vlen Islami atij që e lë namazin pa falur, na tha ai.

Më pas ai mori abdes dhe fali namazin.[1]

Po kështu përmendet edhe në “Et-Tabakat el-Kubra”, që Hazret Omeri r.a. u soll në shtëpi dhe Hazret ‘Abdurrahman bin Aufi e drejtoi namazin. Gjithashtu, aty thuhet se ai kishte recituar dy suret më të vogla të Kuranit, El-‘Asrin dhe “In-na a’atejna kel-keuther-in”, e sipas një rrëfimi tjetër, El-‘Asrin dhe “Kul ja ejjuhel-kafirun-in”.[2]

Kush ishet vrasësi i Hazret Omerit r.a.?

Në lidhje me vrasësin e Hazret Omerit, në “Et-Tabakat el-Kubra” është e shkruar: Kur Hazret Omeri r.a. u sulmua, ai i tha Hazret Abdullah bin ‘Abasit r.a.:

– Shko dhe shiko se kush tentoi të më vriste?

Hazret Abdullah bin Abasi r.a. pohon:

– Unë u çova dhe sa hapa derën e shtëpisë, pashë njerëzit që ishin mbledhur përjashta, por që nuk e dinin gjendjen e Hazret Omerit r.a..

– Kush e sulmoi Emirin e Besimtarëve me hanxhar? I pyeta.

– Armiku i Allahut, Ebu Lu’lu’, që është skllav i Mugire bin Shu’be, m’u përgjigjën ata, – ai plagosi edhe të tjerë, por kur u kap, vrau veten me të njëjtin hanxhar.

Vrasja e Hazret Omerit r.a. a ishte një komplot politik apo thjesht një hakmarrje personale?

Vrasja e Hazret Omerit r.a. a ishte ndonjë komplot apo hakmarrje personale? Në lidhje me këtë, historianët e mëvonshëm pohojnë që ajo nuk ishte thjesht një hakmarrje personale, por një komplot. Për vrasjen e një njeriu kaq guximtar siç ishte Kalifi Omer r.a., historianët pasi e përmenden ngjarjen me detajet e saj, vetëm heshtin, duke lënë një përshtypje që Ebu Lu’lua e vrau atë për shkak të një zemërimi personal që kishte me të.

Megjithatë, historianët e mëvonshëm e trajtojnë gjerësisht këtë çështje dhe pohojnë që ajo nuk mund të ishte thjesht një hakmarrje individuale, por një strategji e mirëmenduar. Sipas tyre, në këtë komplot ishte i përfshirë edhe komandanti i njohur iranian, Hurmuzani, i cili në atë kohë gjendej pikërisht në Medinë.

Historianët e kohës sonë shprehin ankesën e tyre ndaj historianëve të mëparshëm se pse nuk e diskutuan me hollësi ngjarjen tepër të rëndësishme të vrasjes së Hazret Omerit r.a., duke e parë atë edhe në pistën e komplotit [politik].

Historianët që pohojnë se vrasja e Hazret Omerit ishte një komplot politik

Megjithatë, në “El-Bidaje ven-Nihaje”, që është një nga librat e famshëm të historisë islame, shumë shkurt pohohet:

“Dyshohet që në vrasjen e Hazret Omerit r.a. kishin dorë Hurmuzani dhe Xhufejne.”[3]

Ndër historianët që e mbajnë këtë qëndrim është edhe Muhammed Radau, i cili, në librin e tij “Siret Omer Faruk r.a.” shkruan:

Hazret Omeri r.a. nuk lejonte ndonjë të burgosur të fortë fizikisht të qëndronte në Medinë. Një herë Hazret Mugire bin Shu’be, guvernatori i Kufës, i shkroi atij që ai ka një skllav që është shumë i aftë dhe i kërkoi që ta pranonte në Medinë. Në letrën e tij ai tha:

– Ky skllav di shumë zanate dhe mund të jetë shumë i dobishëm për njerëzit. Ai është mjeshtër në farkëtari, në ndërtim dhe në zdrukthëtari.

Hazret Omeri duke iu përgjigjur Hazret Mugires e lejoi ta dërgonte skllavin e tij në Medinë. Hazret Mugire r.a. i caktoi skllavit në fjalë 100 dirhemë si taksë mujore. Skllavi një ditë shkoi te Hazret Omeri r.a. dhe iu ankua për taksën e lartë.

– Cilat punë i bën mirë ti?, e pyeti Hazret Omeri

Ai i tregoi çfarë punësh mund t’i bënte ai me mjeshtëri.

– Për aftësinë tënde në kaq shumë punë, kjo taksë nuk është aspak e lartë, i tha Hazret Omeri r.a.

Skllavi [Ebu Lu’lua] u largua i zemëruar. Hazret Omeri r.a. priti disa ditë. Një ditë i njëjti skllav kaloi pranë tij. Hazret Omeri e pyeti:

– Kam dëgjuar që je mjeshtër për të përgatitur mulli ere. A është e vërtetë kjo?

Skllavi i zemëruar duke i kthyer përgjigje Hazret Omerit, tha:

– Do të të bëj një mulli, që gjithë njerëzit do ta kujtojnë.

Tek po largohej skllavi, Hazret Omeri r.a. iu drejtua shokëve që e shoqëronin duke thënë:

– Ky skllav [Ebu Lu’lua] sapo më kërcënoi.

Nuk kaloi shumë kohë që Ebu Lu’lua një ditë e sulmoi Hazret Omerin me një hanxhar që kishte dy tehe dhe që dorezën e kishte në mes. Ai kishte arritur pranë tij duke e fshehur hanxharin në një çarçaf me të cilin e kishte mbuluar edhe veten. Siç ju kam treguar në ngjarjen e kësaj vrasjeje, ai e kishte sulmuar Hazret Omerin poshtë kërthizës.

Ebu Lu’lua kishte urrejtje për Hazret Omerin, sepse arabët kishin pushtuar vendin e tij, e kishin burgosur atë, kurse mbretin e kishin detyruar të largohej nga vendi në gjendje të poshtëruar. Sa herë që shikonte ndonjë të burgosur të moshës së vogël, ai i afrohej dhe fërkonte kokën dhe thoshte – Arabët ma lënduan zemrën!

Kur Ebu Lu’lua vendosi ta vriste përfundimisht Hazret Omerin r.a., ai përgatiti me mjeshtëri një hanxhar me dy tehe, e mprehu dhe më pas e leu me helm. Pastaj takoi Hurmuzanin dhe duke ia treguar hanxharin e pyeti:

– Çfarë mendimi ke për këtë?

– Këdo që do ta sulmosh me këtë, do ta vrasësh, iu përgjigj Hurmuzani.

Hurmuzani ishte një ndër komandantët iranianë. Muslimanët atë e kishin burgosur në vendin e quajtur Tustur, më pas e kishin dërguar në Medinë. Kur e pa Hazret Omerin r.a., ai i kishte pyetur musilmanët:

– Ku janë rojat e tij?

Siç ju kam treguar edhe më herët, sahabët i qenë përgjigjur:

– Emiri i Besimtarëve nuk ka as rojë e as sekretar.

– Atëherë ky duhet të jetë profet, u kishte thënë Hurmuzani.

Sidoqoftë, pas kësaj ngjarjeje ai u bë musliman dhe Hazret Omeri r.a. caktoi dy mijë dirhemë [shpërblimin mujor] për të dhe e lejoi të qëndronte në Medinë.

Abdurrahmani r.a. e pa hanxharin me të cilin u sulmua Hazret Omeri r.a.

Duke iu referuar Nafeut, në “Tabakat ibni Sa’d” përmendet një rrëfim:

Hazret Abdurrahmani r.a. e pa hanxharin me të cilin u sulmua Hazret Omeri r.a. Ai tha:

“Dje e kisha parë këtë hanxhar te Hurmuzani dhe Xhufejne. I pyeta – Çfarë do të bëni me këtë hanxhar?

– Ne presim mish me këtë, m’u përgjigjën ata, sepse ne nuk e prekim mishin me dorë.”

Hakmarrja e të birit të Hazret Omerit r.a. ndaj vrasësve të babait

Atëherë Hazret Ubejdullah bin Omeri [i biri i Hazret Omerit] r.a. e pyeti Hazret Abdurrahmanin r.a. për të konfirmuar

– A e ke parë këtë hanxhar te ta?

– Po, iu përgjigij ai.

Atëherë, Hazret Ubejdullah bin Omeri mori shpatën, shkoi te ta dhe i vrau që të dy.

Hazret Uthmani r.a. e thirri Ubejdullahun dhe e pyeti:

– Çfarë të shtyu që t’i vrisje këta dy persona, ndërkohë ata ishin në sigurinë tonë?

Me të dëgjuar pyetjen, Hazret Ubejdullahu e kapi Hazret Uthmanin dhe e rrëzoi përtokë. Njerëzit menjëherë dolën përpara dhe i ndanë, duke e shpëtuar Hazret Uthmanin prej Hazret Ubejdullahut.

Kur Hazreti Uthmani r.a. e thirri Hazret Ubejdullahun, ai kishte me vete shpatën e tij, edhe pse në këllëf, megjithatë, Hazret Abdurrahmani r.a. i kërkoi rreptësishtë ta hiqte shpatën fare, gjë që ai e bëri.

Vetëm Allahu e di më mirë se sa e vërtetë është ngjarja e Hazret Uthmanit r.a. në këtë mes. Por ka edhe një rrëfim tjetër që unë jua kam treguar edhe më përpara. Se’id bin Musejjibi rrëfen:

Kur Hazret Omeri ra dëshmor, Hazret Abdurrahman bin Ebi Bekri r.a. tha:

– Para pak kohe po kaloja pranë Ebu Lu’lu’ues (vrasësit të Hazret Omerit), ndërkohë me të ishin edhe Hurmuzani dhe Xhufejne. Ata po i pëshpërisnin njëri-tjetrit. Duke më parë mua papritmas, u ngritën nxitimthi dhe zunë të vraponin. Tek po largoheshin, atyre u ra një hanxhar. Ai kishte dy tehe dhe dorezën e kishte në mes. Andaj, shikojeni se me cilin hanxhar u sulmua Emiri i Besimtarëve!

Ata e kontrolluan dhe hanxhari ishte pikërisht ai që kishte përshkruar Hazret Abdurrahman bin Ebi Bekri r.a.

Kur Ubejdullahu, i biri i Hazret Omerit r.a. e dëgjoi Abdurrahman bin Ebi Bekrin, mori shpatën dhe shkoi te Hurmuzani. E thirri. Kur Hurmuzani doli përjashta, Ubejdullahu i tha – Hajde pak me mua që të shikosh kalin tim. Tek po ecnin, Ubejdullahu bëri pak hapa mbrapa dhe e sulmoi Hurmuzanin me shpatën e tij. Kur ai e ndjeu tehun e shpatës brenda trupit, tha – La ilahe il-lall-llah!

Hazret Ubejdullahu r.a. rrëfen vet:

– Pas kësaj e thirra Xhufejnen. Ai ishte një nga të krishterët e Hirës. Ishte edhe ndihmës i Sa’d bin Ebi Vekkasit, i cili e kishte dërguar në Medinë për shkak të pajtimit që ishte bërë mes atyre të dyve. Ai u mësonte njerëzve shkrimin në Medinë. Kur e sulmova me shpatë, ai bëri kryq te sytë e tij.

Pas kësaj, Ubejdullahu shkoi edhe më tej dhe vrau edhe bijën e Ebu Lu’lu’ues, e cila kishte deklaruar të ishte muslimane. Ubejdullahu atë ditë donte të vriste të gjithë të burgosurit e Medinës. Muhaxhirët u ngritën përballë tij duke e kërcënuar. Por ai u thoshte:

– Pasha Allahun! Unë do t’i vras ata!

Ai nuk po i merrte në konsideratë as muhaxhirët. Hazret ‘Amri bin el-‘Asi r.a. vazhdimisht po negocionte me të dhe më në fund ai ia dorëzoi shpatën ‘Amrit. Më pas, Hazret Sa’d bin Ebi Vekkasi r.a. erdhi tek ai. Të dy kapën balluket e njëri-tjetrit.

Kështu që, Ubejdullahu vrau Hurmuzanin, Xhufejnen dhe bijën e Ebu Lu’lu’ues.

Kush ishte ai që e nxiti Ebu Lu’lu’uen për ta vrarë Hazret Omerin r.a.?

Tani, bëhet diskutimi që kush ishte ai që e nxiti Ebu Lu’lu’uen për ta vrarë Hazret Omerin r.a.. Historianët thonë se sipas rrëfimeve që disponohen në histori, rezulton që kjo vrasje ka qenë një komplot i planifikuar, i realizuar nga Hurmuzani. Ai e nxiti Ebu Lu’lu’uen duke i fryrë zjarrit të urrejtjes, kundër Hazret Omerit. Hurmuzani dhe Ebu Lu’lua ishin joarabë. Përveç kësaj, Hurmuzani ishte kapur rob nga muslimanët dhe ishte dërguar në Medinë, ku nga frika se Kalifi do ta vriste atë, u bë musliman.

Në “Tabakat Ibni Sa’d” përmendet një rrëfim i Nafeut që Abdurrahman bin Aufi r.a. e kishte parë hanxharin që përdori autori i vrasjes, kurse sipas Se’id bin Musejjibit, ishte Abdurrahman bin Ebi Bekri r.a. ai që e kishte parë hanxharin, në momentin kur ra përtokë nga Ebu Lu’Lu, Xhufejne dhe Hurmuzani. Pra, kur ai kishte shkuar papritmas te ta dhe ata ishin çuar nxitimthi.

Hazret Ubejdullah bin Omeri r.a. kur e dëgjoi këtë fakt nga Abdurrahman bin Ebi Bekri, menjëherë shkoi te ta dhe i vrau dhe jo vetëm. I pushtuar nga ndjenja e hakmarrjes, vrau edhe bijen e Ebu Lu’lu’ues. Hanxhari që përshrkoi Hazret Abdurrahman bin Ebi Bekri ishte identik me atë që ishte përdorur për vrasjen e Hazret Omerit r.a..

Nëse Ubejdullah bin Omeri r.a. nuk do të nxitohej për të vrarë Hurmuzanin e Xhufejnen, kishte mundësi që të bëheshin hetime të plota duke i thirrur ata të dy, dhe kështu edhe mund të zbardhej i gjithë komploti. Pra, nëse i shohim pikërisht këto elemente të ngjarjes, na rezulton që vrasja e Hazret Omerit r.a. patjetër ishte diçka e planifikuar, të cilën e realizoi me mjeshtëri Ebu Lu’lua. Këto janë argumente që paraqesin historianët, të cilët e shohin këtë ngjarje në pistën e një komploti.[4]

Po kështu, një tjetër historian, Dr. Muhammed Husejn Hejkeli në librin e tij shkruan:

Kur muslimanët i mposhtën iranianët dhe të krishterët, pra, që kur muslimanët ua morën frenat e pushtetit, duke e mundur fuqishëm Mbretin iranian që ai të kishte vetëm rrugën e arratisë për të shpëtuar, që nga ajo kohë, iranianët, hebrenjtë dhe të krishterët filluan të ushqenin urrejtje për arabët në përgjithësi, dhe për Hazret Omerin r.a. në veçanti. Në kohën kur ndodhi vrasja e Hazret Omerit r.a., njerëzit e kujtuan këtë urrejtje. Madje, historia e mbajti si dëshmi edhe porosinë e Hazret Omerit r.a. të cilën ai ua rikujtoi muslimanëve menjëherë pas kësaj ngjarjeje duke thënë:

– A nuk ju ndaloja të sillnit në Medinë njerëzit e pafe të botës, por ju nuk më dëgjuat!

Në Medinë joarabët e tillë që ishin edhe të pabindur, ishin pak, por ata kishin arritur të krijonin një grup të tyren, zemrat e të cilëve ishin të pushtuara nga zemërimi dhe hakmarrja dhe në gjoks ata kishin zjarrin e urrejtjes. Kush mund ta dinte se vrasja e Hazret Omerit ishte pikërisht një plan i paramenduar i armiqve të Islamit dhe se Ebu Lu’lua do të ishte një marionetë e këtij plani. Ishin armiqtë e Islamit që e thurën këtë plan për të shuar etjen e tyre të hakmarrjes, dhe ata mendonin se me realizimin e tij, do t’ua prisnin krahët muslimanëve.

Bijtë e Hazret Omerit r.a. ishin më të shqetësuar se kushdo tjetër për t’u njohur me të vërtetën e ngjarjes. Po të mos kishte bërë vetëvrasje Ebu Lu’lua, ata mund t’i zbulonin autorët kryesorë të kësaj ngjarjeje. Por duke bërë vetëvrasjen, ai e mori me vete këtë sekret në varrin e tij. Por, vallë, a nuk kishte mbetur asnjë mundësi tjetër për zbardhjen e sekretit? Caktimi i Zotit bëri që një nga prijësit arabë të mësonte një fshehtësi të ngjarjes në fjalë.

Hazret Abdurrahman bin Aufi kur e pa hanxharin me të cilin u sulmua Hazret Omeri r.a., tha:

– Këtë hanxhar e kam parë dje te Hurmuzani dhe Xhufena.

I pyeta se çfarë bënin me të.

– Ne presim mish me këtë, sepse ne nuk e prekim mishin me dorë kur presim, m’u përgjigjën ata.

Kurse Hazret Abdurrahman bin Ebi Bekri r.a. tha:

– Unë kalova pranë vrasësit të Hazret Omerit, Ebu Lu’lues, kur Xhufejne dhe Hurmuzani ishin me të dhe po pëshpëritnin me njëri-tjetrin. U dola papritmas, andaj ata tentuan të largoheshim me nxitim. Në ecje e sipër, atyre u ra një hanxhar që kishte dy tehe dhe dorezën e kishte në mes. Kontrollojeni hanxharin me të cilin u sulmua Hazret Omeri.

Kur njerëzit e kontrolluan, ishte pikërisht ai hanxhar që po përshkruante Abdurrahman bin Ebi Bekri.

Pas këtyre rrëfimeve, nuk mbetet më asnjë dyshim që ky ishte një komplot vrasjeje, sepse të dy dëshmitarët ishin ndër më të besueshmit në mesin e muslimanëve. Njëri prej tyre thotë se ai i pa të dyshuarit me të njëjtin hanxhar tek po i pëshpëritnin njëri-tjetrit. Po kështu, të dy dëshmitarët pohojnë se kjo ndodhi një natë para atij sabahu, kur Hazret Omeri r.a. u sulmua. A mund ketë më ndonjë dyshim që Emiri i Besimtarëve u bë pre e një komploti, autorët kryesorë të të cilit ishin këta tre, por mundet që me ta bashkëpunuan edhe iranianë ose bashkëfetarë të tjerë të tyre, të cilët muslimanët i kishin pushtuar para disa vitesh.

Dy dëshmi kyçe që tregojnë se vrasja e Hazret Omerit r.a. ishte një komplot

Hazret Ubejdullah bin Omeri r.a. kur e dëgjoi dëshminë e Hazret Abdurrahman bin Aufit r.a. dhe atë të Abdurrahman bin Ebi Bekrit r.a., ai kishte rënë në armiqësi me të gjithë botën. Ai u bind që të gjithë të huajt që jetonin në Medinë, ishin pjesë e këtij komploti. Sipas tij, të gjithë i kishin duart me gjak. Menjëherë mori shpatën dhe më së pari vrau Hurmuzanin dhe më pas Xhufejnen.

Sipas rrëfimit, fillimisht ai e thirri Hurmuzanin që të dilte nga shtëpia. Kur doli jashtë, i tha – Eja me mua që të shohim pak kalin tim. Duke ecur, ai e lejoi Hurmuzanin të ecte përpara. Më pas, e vrau me shpatën e tij duke e sulmuar nga mbrapa. Iraniani kur e ndjeu shpatën brenda trupit, tha – La ilahe il-lall-llah! Dhe më pas ra përtokë.

Hazret Ubejdullah bin Omeri, pra i biri i Hazret Omerit pohon:

– Më pas e thirra Xhufejnen, i cili ishte një nga të krishterët e Hirës dhe vëlla qumështi i Sa’d bin Ebi Vekkasi. Për shkak të kësaj lidhjeje të tij, Sa’di e kishte sjellë në Medinë, ku ai u mësonte njerëzve ato që dinte. Kur e godita me shpatë, ai bëri kryq përpara syve.

Vëllai tjetër i Hazret Ubejdullahut nuk ishte më pak i zemëruar nga vrasja e babit të tij. Mbi të gjitha, zemërimi e kishte pushtuar edhe Nënën e besimtarëve, Hazret Hafsanë, [bijën e Hazret Omerit r.a.].

Askush nuk ka të drejtë të bëjë vetëgjyqësi

Megjithatë, ajo që bëri Ubejdullah bin Omeri, ishte tërësisht kundër ligjit. Askush nuk ka të drejtë të hakmerret duke bërë vetëgjyqësi, ose t’i marrë hakun prej atij që i ka bërë padrejtësi. Në Medinë, pas Profetit Muhammed s.a.v.s. çështjet i gjykonin Kalifët e tij të Drejtë r.a., të cilët gjykonin me drejtësi mes njerëzve dhe vendosnin në bazë të ligjit të hakmarrjes kundër fajtorit.

Andaj, Hazret Ubejdullahu r.a., pasi mësoi se kishte edhe autorë të tjerë në këtë komplot, e kishte për detyrë ta kërkonte gjykimin nga Emiri i Besimtarëve, pra nga Kalifi i ri që do të zgjidhej. Nëse do të provohej se ata ishin pjesëtarë në këtë komplot, Emiri i Besimtarëve do ta lëshonte vendimin e hakmarrjes. Dhe nëse do të shikonte se provat nuk janë tërësisht bindëse, ai do të lëshonte një vendim ndryshe, duke thënë se vetëm Ebu Lu’lua qe fajtor.[5] Sidoqoftë, ajo që bëri Ubejdullahu, ligji në asnjë mënyrë nuk e lejonte.

Shkurt, ka shumë faktorë që tregojnë se kjo vrasje të ishte një komplot i planifikuar, megjithatë, rrethanat nuk e lejuan Hazret Uthmanin r.a. [Kalifin e Tretë] të bënte hetime të menjëhershme. Ose çfarëdo të kenë qenë shkaqet, historianët e parë nuk janë shprehur për këtë çështje, kurse historianët e kohës sonë hedhin dritë mbi të, bazuar në disa të dhëna të ngjarjes në fjalë.

Realisht, argumentet e tyre kanë peshë. Sepse ky grup komplotistësh nuk ndalet deri këtu, por edhe Hazret Uthmani r.a. do të bëhej pre e pikërisht këtij komploti. Ngjarjet që ndodhën me Hazret Uthmanin e forcojnë edhe më shumë tezën që faktorët e jashtëm bënë një strategji për ta vrarë Hazret Omerin r.a. që ta ndalnin vrullëzimin e Islamit dhe që ta shuanin kështu edhe zjarrin e tyre të hakmarrjes. Allahu e di më së miri.

Hazret Omeri r.a. vetë nuk caktoi dikë Kalif pas tij

Në Sahihun e Muslimit është e shkruar që Hazret Ibni Omeri r.a. rrëfen:

Kur babai im u sulmua, unë isha pranë tij. Njerëzit e lavdëruan dhe i thanë – XhezakAllahu Khejr (Allahu të shpërbleftë me të mira!)

– Jam edhe i kënaqur, por edhe i frikësuar, u tha Hazret Omeri.

– Caktoni dikë Kalif, i kërkuan ata.

– Pse duhet ta ngre barrën tuaj edhe në këtë jetë, edhe pas vdekjes? Dua që unë të kem pjesë të barabartë; pra, të mos kem asnjë qortim, e as ndonjë shpërblim. Mund të caktoj dikë mëkëmbës mes jush, nuk ka problem, pasi paraardhësi im, Ebu Bekri r.a. që qe më i mirë se unë, e caktoi mëkëmbësin. Po kështu, nëse largohem pa ju caktuar një mëkëmbës, atëherë ai që ishte më i mirë se të gjithë, gjithashtu ju ishte larguar pa lënë një mëkëmbës mes jush, pra, i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

Hazret Abdullahu r.a. thotë – Kur ai përmendi shembullin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., e kuptova që ai nuk do të caktonte Kalif dikë.[6]

Një tjetër rrëfim i Sahihut të Muslimit vjen nga Hazret Abdullah bin Omeri r.a., i cili thotë:

– Unë shkova te Hafsa r.a., e cila më tha – A e di ti që babai yt nuk do të caktojë një mëkëmbës?

– Jo ai nuk do të veprojë kështu, i thashë. Por aty u betova se do ta pyes Hazret Omerin edhe një herë për këtë çështje. Nuk i fola gjë deri në mëngjes. Ndërkohë gjendja ime ishte e tillë që për shkak të betimit, isha gati ta ngrija një mal. Përfundimisht shkova tek ai, pra tek Hazret Omeri r.a.. Ai më pyeti për gjendjen e njerëzve dhe ia thashë se çfarë po thoshin njerëzit. Pastaj i thashë:

– Kam dëgjuar që njerëzit po flisnin kështu, dhe unë u betova që do ta diskutoja me ju këtë çështje. Ata mendojnë se ju nuk do të caktoni Kalif dikë. Nëse dikush kullot devetë ose delet tuaja dhe më pas vjen te ju, duke jua braktisur bagëtinë, ju do të shikoni që ai jua ka prishur bagëtitë. Kujdesi i njerëzve është edhe më i rëndësishëm.

Hazret Omeri r.a. u pajtua me mendimin tim. Për pak çaste mbajti kokën të ulur, më pas e ngriti dhe më tha:

– Allahu i Madhërishëm do ta ruajë fenë e Tij. Nëse unë nuk caktoj dikë Kalif, atëherë edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk kishte caktuar ndonjë Kalif. Dhe nëse e caktoj, atëherë Hazret Ebu Bekri r.a. kështu kishte vepruar.

I biri i Omerit r.a. tha:

– Pasha Zotin! Kur Hazret Omeri përmendi edhe shembullin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., edhe të Ebu Bekrit r.a., e kuptova që ai do ta zgjidhte shembullin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe nuk do të caktonte dikë Kalif.[7]

Hazret Omeri r.a. nuk kishte aspak frikë të vdiste si dëshmor

Hazret Misver bin Mehremaja rrëfen:

Hazret Omeri kur u plagos, po përpëlitej nga dhimbjet. Hazret Ibni ‘Abbasi r.a. duke i dhënë kurajë i tha:

– O Emir i Besimtarëve! Ju keni jetuar me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., dhe keni jetuar në mënyrë të shkëlqyeshme me të. Kur ai u nda prej jush, ai ishte i kënaqur nga ju. Më pas, keni jetuar me Hazret Ebu Bekrin r.a. dhe e keni ndihmuar edhe atë në mënyrë të shkëlqyeshme. Edhe ai u nda prej jush në gjendje që ai ishte i kënaqur nga ju. Po kështu, keni jetuar në mënyrë të shkëlqyeshme edhe me sahabët. E tani nëse ju ndaheni prej tyre, do të ndaheni, pa dyshim, në gjendje që ata janë të kënaqur prej jush.

Hazret Omeri r.a. tha:

– Për sa i përket shoqërimit me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe kënaqësisë së tij ndaj meje që përmendët, kjo ishte vetëm mirësia e Allahut të Madhërishëm që Ai më bëri ndaj meje. Edhe shoqërimi me Hazret Ebu Bekrin r.a. dhe se edhe ai ishte i kënaqur me mua, edhe kjo ishte vetëm falë mirësisë së Allahut të Madhërishëm. Për sa më përket mua që jeni të shqetësuar, shqetësimi juaj le të jetë për ju dhe për shokët tuaj. Unë nuk shqetësohem për veten time, por për ju dhe për shokët tuaj. Pasha Allahun! Po të kisha flori sa e gjithë toka, unë patjetër do ta jepja si shpagim për të shpëtuar nga ndëshkimi i Allahut![8]

“Më mundëso të vdes si një dëshmor në Medinë!”, lutje e Hazret Omerit r.a.

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a., duke shpjeguar ajetin “Ai do t’ua shndërrojë frikën në siguri”[9], thotë:

“Asnjë vështirësi nuk i frikësoi dot Kalifët. Dhe nëse u erdhi ndonjë vështirësi, Allahu ua ktheu në siguri. Nuk ka dyshim që Hazret Omeri r.a. ra dëshmor. Por kur i analizon ngjarjet me hollësi, kupton që ai vetë nuk kishte fare frikë të vdiste si një dëshmor. Përkundrazi, ai shpesh lutej:

– O Allah! Më mundëso të vdes si një dëshmor, dhe edhe kjo vdekje të më vijë në Medinë!

Pra, ai që gjithë kohën ia ka lypur Zotit një gjë të tillë, nëse me të vërtetë bie dëshmor, si mund të themi që ai pati një kohë të frikshme, të cilën Allahu i Madhërishëm t’ia kishte shndërruar në siguri?! Po, nëse Hazret Omeri kishte frikë nga martirizimi e më pas, martirizohej, atëherë dikush edhe mund të thoshte se Allahu i Madhërishëm nuk ia ktheu frikën në siguri.

Por përderisa ai vetë lutej – O Zot, më jep vdekjen e dëshmorit në Medinë!, si mund të thotë njeri që ai të kishte frikë nga një vdekje e tillë?! Për sa kohë që ai nuk i frikësohej martirizimit, përkundrazi, i kërkonte Zotit pikërisht një gjë të tillë, dhe se Zoti edhe ia pranoi lutjen, atëherë ai nuk ndjeu ndonjë frikë për të cilën flet ajeti në fjalë.

Në këtë ajet, siç ju kam thënë më sipër, thuhet se, frikët që mund të kenë Kalifët, kurrë nuk do të ndodhin, sepse Allahu i Madhërishëm u premton se çdo frikë të tyre do t’u shndërrojë në siguri. Por diçka së cilës ata nuk kanë pasur frikë fare, madje e quanin nder dhe lartësim për veten e tyre, ne nuk mund ta cilësojmë frikë atë dhe nuk mund të nxjerrim përfundimin se ishte pikërisht ajo frikë që Allahu ua ktheu në siguri.”

Është me rëndësi kjo pikë, të cilën duhet ta kuptojmë.

Më tej, Hazret Kalifi i Dytë r.a. vijon:

“Madje, kur unë e kam lexuar këtë lutje të Hazret Omerit r.a., thashë me vete që kjo lutje aludon një situatë kaq të rëndë saqë armiku ta sulmonte fuqishëm Medinën, të vriteshin gjithë muslimanët nga ai, dhe ai të arrinte deri te Kalifi i Kohës dhe ta vriste edhe atë. Por, Allahu i Madhërishëm Hazret Omerit r.a. edhe ia plotësoi lutjen, edhe bëri që Islamit të mos i prishej nderi. Pra, në vend që ta sulmonte Medinën ndonjë ushtri e huaj, lejoi që një keqbërës të ngrihej brenda Medinës dhe ta martirizonte Hazret Omerin r.a. me hanxharin e tij.”[10]

Skllavi që martirizoi Hazret Omerin r.a. kishte bërë “mukatibe”

Duke diskutuar për mësimet islame që janë në lidhje me lirimin e skllevërve, Hazret Kalifi i Dytë (Musleh Ma’udi) r.a. përmend edhe ngjarjen e martirizimit të Hazret Omerit r.a. dhe shkruan:

“Islami ju porosit të lironi skllavin me mirësi, pra pa i kërkuar ndonjë shpagim atij. Por nëse nuk e bëni dot këtë, kërkojini shpagimin dhe lirojeni. Sërish, nëse mbetet ndonjë skllav i tillë që nuk ka fuqi ta paguajë shpagimin, dhe as shteti nga i cili ai vjen, nuk interesohet për lirimin e tij, as të afërmit e tij nuk interesohen për të, në Islam, ai gëzon të drejtën që të bëjë marrëveshje me ju me shkrim dhe të përcaktojë këstet e shpagimit të tij. Në këtë rast, duke e hequr këstin, gjithë rroga e tij që ai do ta marrë gjatë punës, do të quhej e atij dhe praktikisht, ai punonte si një njeri i lirë. Kjo në fenë islame u quajt “mukatibe”.

Skllavi që e vrau Hazret Omerin r.a. ishte pikërisht një që kishte bërë “mukatibe”. Ai bëri marrëveshje me muslimanin, të cilit kishte për t’i shërbyer, duke përcaktuar një shumë të caktuar të hollash, si dhe këstin mujor për ta shlyer shumën në një periudhë të caktuar. Kësti ishte mjaft i lehtë, të cilin ai kishte filluar ta paguante.

Një ditë, ky skllav iu ankua Hazret Omerit r.a. duke thënë se pronari i tij i kishte caktuar këst që, sipas tij, ishte i papërballueshëm për të. Hazret Omeri r.a. pasi e hetoi rastin iu përgjigj:

– Nisur nga të ardhurat që merr, kësti yt është fare minimal. Më pak se kaq nuk mundet.

Skllavi u zemërua shumë nga vendimi dhe mendoi që kjo sjellje ndaj tij është për shkak se ishte iranian kurse padroni ishte arab. Për shkak të këtij zemërimi, që të nesërmen ai e sulmoi Hazret Omerin me një hanxhar, dhe Hazret Omeri r.a. nuk u mbijetoi dot plagëve dhe ra dëshmor.”[11]

Ka dy gjëra që e devijojnë njeriun nga rruga e drejtë

Përveç kësaj, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

“Në botë ka dy gjëra që e devijojnë njeriun nga rruga e drejtë: urrejtja e tepërt ose dashuria e tepërt. Urrejtja e tepërt merr flakë, nganjëherë, edhe për një motiv shumë të dobët. Shikoni se çfarë ndodhi në kohën e Hazret Omerit. Sa e vogël ishte në dukje ngjarja që i shtoi urrejtjen një personi, i cili shkaktoi humbje kaq të madhe botës Islame siç ishte vrasja e Hazret Omerit r.a.! Mendoj se ndikimi i asaj ngjarjeje ndihet deri më sot.

Në kohën e Hazret Omerit r.a. i sollën një çështje për gjykim. Skllavi i njërit prej muslimanëve fitonte shumë, por paguante shumë pak taksat. Hazret Omeri r.a. e thirri skllavin dhe i tha – Duhet t’i paguash më shumë pronarit!

Në atë kohë kishte pak njerëz që ishin zanatçinj, andaj, kovaçi, zdrukthëtari etj., vlerësoheshin shumë. Skllavi në fjalë ndërtonte mulli dhe me këtë zanat fitonte shumë. Hazret Omeri r.a. vendosi që ai t’i paguante pronarit 3.5 ane [njësi monedhe e përdorur më parë në nënkontinentin indian]. Ishte një taksë e papërfillshme, por megjithatë, skllavi mendonte që Hazret Omeri i kishte bërë padrejtësi me këtë vendim. Dhe ky mendim i tij i shtoi urrejtjen për Hazret Omerin r.a..

Një ditë Hazret Omeri r.a. i tha – Më bëj edhe mua një mulli!

– Do t’ju përgatis një mulli që do të rrotullojë shumë, iu përgjigj ai.

Menjëherë dikush i tha Hazret Omerit – Ky po ju kërcënon!”

Rrëfime të ndryshme e tregojnë këtë ngjarje me disa detaje të ndryshme. Sipas rrëfimit të parë del që këtë konstatim e kishte bërë vetë Hazret Omeri r.a., kurse sipas një tjetri, një shoqërues i tij e kishte bërë. Sidoqoftë, Hazret Omeri iu përgjigj:

“– Fjalët e tij nuk tregojnë një gjë të tillë?!

– Po, por mënyra e të folurit të tij e shfaq kërcënimin, iu përgjigj shoqëruesi i Hazret Omerit r.a..

Përfundimisht, një ditë Hazret Omeri r.a. kur po drejtonte namazin, skllavi në fjalë e sulmoi me hanxhar.”

Hazret Musleh Ma’udi r.a. shkruan:

“Ai Omer që ishte mbreti i miliona njerëzve, sundimtari i një shteti jashtëzakonisht të madh dhe udhëheqësi i denjë i muslimanëve, u vra për shkak të disa qindarkave. Sepse ata që ushqejnë mëri dhe urrejtje, nuk e shohin vlerën, por kërkojnë vetëm ta shuajnë etjen e tyre. Karakteri i tyre i përkushtohet vetëm urrejtjes. Ata nuk shohin se cili do të jetë rezultati i veprimeve të tyre për veten e tyre dhe për të tjerët. Kur u pyet vrasësi i Hazret Omerit se pse e kishte vrarë atë, ai u përgjigj – “sepse ai kishte vendosur kundër meje, dhe unë u hakmora!”

Mundet që gjatë ikjes, dhe përpara se të vriste veten, dikush edhe mund ta ketë pyetur se çfarë bëre e pse e bëre dhe ai t’ia ketë dhënë këtë përgjigje. Hazret Musleh Mau’di r.a. vijon:

“Duke e përmendur këtë ngjarje të dhimbshme kam thënë që ndikimi i saj ndihet deri më sot. Në fakt, vdekja mund t’i vijë njeriut në çdo moment. Por ndryshe është efekti i saj kur i vjen në një moment të papritur kur njeriu është i fuqishëm, dhe ndryshe kur ai është i dobësuar.

Njerëzit kur janë në gjendje dobësie, mendojnë për përgatitjet për të ardhmen. Nuk u duhet që dikush as t’i kujtojë për planifikime. Vetvetiu fillojnë të bëhen plane për të nesërmen. Kështu që, kur lideri ose Imami vdes në një kohë të tillë, ndjekësit e tij janë të përgatitur.

Por Hazret Omeri r.a. ndërroi jetë në kohën kur ai ishte shëndoshë, në moshën 63-vjeçare, dhe sahabët as nuk kishin imagjinuar që ai do t’u ndahej kaq shpejt. Prandaj, ata ishin tërësisht të pavëmendshëm për përgatitjet për nesër. Në këtë gjendje, papritmas u ra fatkeqësia e vrasjes së Hazret Omerit r.a.. Ishte koha kur xhemati i muslimanëve nuk ishte gati të pranonte ndonjë Imam tjetër. Kjo mospërgatitje shkaktoi që disa njerëz nuk ishin aq shumë të lidhur shpirtërisht me Hazret Uthmanin r.a.. Situata u përkeqësua me kalimin e kohës dhe, kur erdhi koha e Hazret Aliut r.a., ishte bërë tepër e brishtë.”[12]

Pra, edhe kjo ngjarje ishte njëra prej shkaqeve për trazirat që ndodhën më vonë.

Në kohën e trazirave, disa burra duhet të qëndrojnë rojë gjatë namazit

Duke këshilluar që në kohën e trazirave, disa burra duhet të qëndrojnë rojë edhe gjatë namazit, Hazret Musleh Mau’di r.a. thotë:

“Kurani i Shenjtë na porosit shprehimisht që në kohë lufte, gjysma e muslimanëve të qëndrojnë duke bërë roje, dhe gjysma tjetër të falen. Natyrisht, kjo është në kohë lufte, siç e thashë, por me këtë nxjerrim argumentin që edhe në kohën kur nuk ka luftë, por dyshime të vogla, mund të caktojmë disa burra që të qëndrojnë rojë. Kjo jo vetëm që nuk është kundër mësimeve të Kuranit, por domosdoshmëri.”

Si mund ta bëjmë këtë? Ai vijon:

“Në kohë lufte, nga një mijë veta, nëse pesëqind mund të caktohen për ruajtje, atëherë në kohë rreziqesh relativisht të vogla, nga një mijë, a nuk mund të caktohen 5 ose 10 veta për ruajtje?! Të thuash se rreziku është jashtë dyshimit, është naivitet.

Çfarë ndodhi me Hazret Omerin r.a.?! Ai po falte namaz. Edhe muslimanët ishin të zënë në falje. Një keqbërës e gjeti momentin më të përshtatshëm, doli përpara dhe e sulmoi me hanxhar Kalifin e kohës.

Edhe pas kësaj ngjarjeje, nëse dikush thotë se të caktosh njerëz për ruajtje gjatë namazit qenka kundër parimeve islame, ai nuk shpreh asgjë tjetër përveç budallallëkut. Shembulli i tij është si i atij, i cili mori pjesë në luftë, dhe kur u sulmua nga armiku, filloi t’ia mbathte duke fshirë gjakun nga koka dhe duke thënë – O Zot, qofsha në ëndërr dhe ky gjaku im të mos qoftë prej vërteti!

… Historia dëshmon që një herë kur sahabët nuk kishin marrë masat e duhura për mbrojtjen e tyre, u përballën me vështirësi shumë të mëdha. Kështu që, kur Hazret ‘Amr bin el-‘Asi pasi kishte zotëruar një vend të Egjiptit, nuk caktonte më rojë gjatë faljes së namazit.

Kundërshtarët e panë që muslimanët ishin tërësisht të pavëmendshëm nga armiku gjatë kohës së faljes. Ata dërguan një grup ushtarësh të armatosur pikërisht në kohën e faljes. Sapo muslimanët ranë në sexhde, ata iu vërsulën dhe filluan t’ua prisnin kokat. Historia dëshmon që qindra sahabë ranë ose plagosën atë ditë. Muslimanët njëri pas tjetrit po binin në tokë, duke mos kuptuar asgjë se nga kishte ardhur armiku. Patën humbje të madhe.

Kur Hazret Omeri r.a. u njoftua për këtë ngjarje, i qortoi fort duke i marrë në pyetje – A nuk e dinit se duhet t’i kishit marrë masat mbrojtëse gjatë faljes?! Por ku ta dinte Hazret Omeri r.a. që e njëjta gjë do të ngjante edhe në Medinë! Pas kësaj ngjarjeje, sahabët gjithmonë caktonin rojë edhe gjatë faljes.”[13]

Borxhi i Hazret Omerit për para vdekjes dhe shlyerja e tij

Ju kam treguar edhe më përpara për borxhin e Hazret Omerit r.a.. Ai e pyeti të birin:

– O Abdullah (bin Omer), shiko se sa borxh kam unë? Pas llogaritjeve, ai tha – 86,000 dirhemë. E Hazret Omeri r.a. i tha:

– O Abdullah! Nëse pasuria e familjes së Omerit mund ta shlyejë borxhin tim borxhin, paguaje. Nëse nuk mjafton, kërkoji Beni ‘Adi bin Ka’bit. Nëse prapë nuk del, kërkoju kurejshëve dhe mos i kërko ndokujt tjetër.[14]

Sahabët e dinin që Udhëheqësi i tyre tepër i thjeshtë nuk do të pranojë që të shpenzohet gjithë kjo shumë për të nga thesari, pavarësisht se ai u fut në këtë borxh vetëm duke u plotësuar nevojat të varfërve e hallexhinjve, për këtë arsye, Abdurrahman bin Aufi r.a. i tha Hazret Omerit r.a.:

– Pse nuk merrni borxh nga Bejtul-Mali (Thesari) për ta larë borxhin tuaj?

– Me’adhaAllah, i tha Hazret Omeri, – A doni që ju dhe shokët tuaj më vonë të thonë “pjesën tonë i kemi lënë Omerit!”? Këshilla jote mund të më qetësojë tani përkohësisht, por më vonë kjo do të kthehet në një vështirësi të pazgjidhshme ndaj meje.

Më pas, Hazret Omeri iu drejtua të birit, Abdullah bin Omerit, dhe tha:

– Merr përgjegjësinë për larjen e borxhit tim.

Dhe ai e mori përsipër këtë përgjegjësi. Hazret Omeri r.a. ende nuk ishte varrosur që i biri i tij caktoi dëshmitarë disa nga anëtarët e Këshillit dhe disa ensarë të tjerë, si garantë për marrjen e përgjegjësisë. Dhe nuk kishte kaluar akoma e xhumaja e parë pas varrimit të Hazret Omerit, që Hazret Abdullah bin Omeri r.a. shkoi te Hazret Uthmani r.a. dhe, përpara disa dëshmitarëve, u lirua edhe nga larja e borxhit.[15]

Në lidhje me larjen e borxhit të Hazret Omerit r.a. ka edhe një rrëfim tjetër në librin “Vefaul-vefa”. Hazret Ibni Omeri rrëfen: Kur iu afrua koha e vdekjes Hazret Omerit r.a., ai kishte borxh. Ai thirri Hazret Abdullahun dhe Hazret Hafsanë dhe tha:

– Kam pak borxh nga pasuria e Allahut dhe dua që unë ta takoj Allahun në gjendje që të mos kem borxhe. Andaj, për ta larë borxhin, shitni këtë shtëpi në të cilën kam jetuar. Nëse nuk del, kërkojini Beni ‘Adiut. Nëse sërish nuk plotësohet, kërkojuni kurejshëve, dhe jo dikujt tjetër.

Pas vdekjes së tij, Hazret Abdullah bin Omeri r.a. shkoi te Hazret Muavije, i cili ia bleu shtëpinë Hazret Omerit, të cilën e quanin “Darul-Kada”. Nga shitja e shtëpisë së tij, u la edhe borxhi i Hazret Omerit r.a.. Prandaj, pas kësaj, kjo shtëpi filloi të quhej:

دَارُ قَضَاءِ دَیۡنِ عُمَر

“Daru kadai dejni ‘Umer”,

dmth. shtëpia me të cilën është larë borxhi i Hazret Omerit r.a..[16]

Kjo temë do të vijojë, inshaAllah.

(Gazeta “Al-Fazl International”, 5 nëntor 2021, fq. 5-10.)

Referencat

[1] Ibn Haxher el-‘Askalani, “Fet’hul-Bari sherh Sahihul-Bukhari”, vëllimi VII, shtëpia botuese: “El’Ma’rifeh”, Bejrut (pa vit botimi), fq. 64, komentimi i hadithit nr. 3700. Muhammed ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-Kubra”, vëllimi III, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 1990, fq. 263.
[2] Muhammed ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-Kubra”, vëllimi III, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 1990, fq. 266.
[3] Ibn Kethir, “El-Bidaje ven-Nihaje”, vëllimi IV, shtëpia botuese: “El-Hixhr”, Kajro 1997, fq. 144.
[4] Muhammed Rida, “Siret ‘Umer Faruk r.a.”, përkthyes: Muhammed Serur Gohar Sahib, botues: “Mektebe Islamijje”, Lahore 2010, fq. 340-344.
[5] Muhammed Husejn Hejkel, “‘Umer El-Faruk”, përkthyes: Habib Esh’ar, botues: “Islami kutubhane”, Lahore, (pa vit botimi), fq. 869-872.
[6] Muslim, “Sahih”, kitab: “El-Imareh”, bab: “El-Istikhlaf ve terkuhu”, hadithi nr. 4713.
[7] Muslim, “Sahih”, kitab: “El-Imareh”, bab: “El-Istikhlaf ve terkuhu”, hadithi nr. 4714.
[8] Bukhari, “Sahih”, kitab: “Fadailu As’habun-Nebij s.a.v.s.”, bab: “Menakibu ‘Umer ibni el-Khattab radijall-llahu ‘anhu”, hadithi nr. 3692.
[9] Kurani Famëlartë 24:56.
[10] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Tefsir-e-Kebir”, vëllimi VI, fq. 378.
[11] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Islam ka iktisadi nizam”, “Envarul-‘ulum”, vëllimi XVIII, fq. 28-29.
[12] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Khutubat-e-Mahmud”, vëllimi XI, fq. 240-241.
[13] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Khutubat-e-Mahmud”, vëllimi XVI, fq. 68-39.
[14] Muhammed ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-Kubra”, vëllimi III, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 1990, fq. 257.
[15] Muhammed ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-Kubra”, vëllimi III, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 1990, fq. 273.
[16] ‘Al-lame Nuruddin Es-Semhudi, “Vefaul-vefa bi-akhbari daril-Mustafa s.a.v.s.”, vëllimi I, pjesa e dytë, botues: “Mektebe el-Hakkanije”, Mahal-la Xhengi, Peshavar (pa vit botimi), fq. 222.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp