Kush ishin As'habus-suffa ose shokët e hajatit?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
xhamia drita darul-arkam

Në librin e tij të titulluar “Sirat Khatamun-Nebijjin”, Hazret Mirza Bashir Ahmed r.a. shkruan rreth shokëve të hajatit:

“Në një cep të xhamisë së Profetit s.a.v.s., ishte ndërtuar një hajat, që i thoshin “suffa”, për ata muhaxhirë të varfër, që nuk kishin asnjë shtëpi në Medinë. Ata u quajtën As’habus-suffa, banorët ose shokët e hajatit. Puna e tyre ishte që natë e ditë të rrinin pranë Profetit Muhammed s.a.v.s., të adhuronin Zotin e Madhërishëm dhe të recitonin Kuranin Famëlartë.

Shokët e hajatit nuk kishin asnjë mundësi të sigurt të ardhurash. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kujdesej për ta dhe sa herë që dikush i dërgonte ndonjë ushqim ose nëse ai vetë kishte diçka në shtëpi, një pjesë ua dërgonte edhe atyre. Madje, disa herë Profeti s.a.v.s. vetë rrinte pa bukë dhe ushqimin e shtëpisë ua dërgonte shokëve të hajatit. Edhe ensarët, sa të mundeshin, i ndihmonin. Nganjëherë sillnin bistakë hurmash dhe i varnin në xhami për ta.[1] Megjithatë, shpesh ata ishin të ngushtë. Disa herë kalonin ditë pa bukë.

Kështu vijoi për disa vjet, derisa disave u doli mundësi punësimi për shkak të popullimit gradual të Medinës, kurse disave të tjerë, arka e shtetit (Bejtul-Mal) u siguroi ndihmë ekonomike.”[2]

Më vonë po këta sahabët e Profetit s.a.v.s., morën përgjegjësi të mëdha në historinë Islame. Pra, këta nuk mbetën vetëm te hajati, por disa prej tyre drejtuan shtete. Hazret Ebu Hurejrah r.a., për shembull, gjatë periudhës së Kalifatit të Hazret Omerit r.a., u caktua Guvernator i Bahrainit dhe më pas gjatë periudhës së Hazret Muavijes ishte edhe Guvernator i Medinës.

Hazret Sa’d bin Ebi Vakasi r.a. u caktua Guvernator i Basrasë dhe ishte pikërisht ai që themeloi qytetin e Kufës. Hazret Selam Farsiu r.a. u caktua Guvernator i Medainit. Hazret ‘Amar bin Jasiri r.a. u caktua Guvernator i Kufës. Të gjithë këta ishin shokët e hajatit.

Po kështu, Hazret A’badah bin Xherahu u caktua Guvernator i Palestinës. Hazret Enes bin Maliku gjatë kohës së Hazret Omer bin ‘Abdul ‘Azizit shërbeu si Guvernator i Medinës.

Po prej shokëve të hajatit ishte edhe Hazret Zejd bin Thabiti r.a., që më vonë jo vetëm që do të bëhej kryekomandant i shkëlqyer në disa beteja kryesore, madje gjatë periudhës së Kalifatit të Hazret Omerit r.a., do të caktohej edhe Kryegjyqtar në umetin e muslimanëve.


[1] Xhami‘u et-Tirmidhi, kitab “Et-Tefsir”, bab “Ve min suretul-bekare”, hadithi nr. 2987.
[2] Marrë nga libri “Siret Khatamun-Nebijjin s.a.v.s.”, vëll. 1, f. 270.

Related Questions by Topics
Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp