Mu‘ādh ibn Xhebeli dhe Abdullah ibn Amri - dy sahabë të shquar të Profetit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Hazret Mu‘ādh ibn Xhebeli dhe Hazret Abdullah ibn Amri – dy sahabë të shquar

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Hazret Mu‘ādh ibn Xhebeli r.a.

Në hutben e fundit, është folur mbi jetën e Hazret Mu‘ādh ibn Xhebelit r.a., temë kjo që vijon edhe sot.

Rëndimi nga borxhet dhe zgjidhja e Profetit a.s.

Hazret Mu‘ādhi shquhej për bujarinë dhe zemërgjerësinë e tij, dhe nganjëherë për shkak të qenit bujar dhe dorëlirë, ai detyrohej për të marrë hua. Njëherë ai ishte rënduar aq shumë në borxhe, saqë huadhënësit i kërkuan me ngulm shlyerjen e tyre, dhe ai për t’iu shmangur huadhënësve, ngujoi veten në shtëpi. Kur Hazret Mu‘ādhi nuk doli nga shtëpia për disa ditë radhazi, huadhënësit iu drejtuan të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe i kërkuan të ndërhynte në këtë çështje. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e thirri menjëherë Hazret Mu‘ādhin. Pasi vlera e huas tejkalonte gjithë pasuria e tij, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha huadhënësve: Nëse dikush fal huan e dhënë, ai do të fitojë mëshirën e Allahut. Pas thirrjes së Profetit s.a.v.s., disa falën borxhin e dhënë, por të tjerët këmbëngulën për të marrë paratë e tyre. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. shpërndau pasurinë e Mu‘ādhit midis huadhënësve, por borxhi i Mu‘ādhit nuk u shlye ende. Kur Mu‘ādhi mundi të lante vetëm pjesërisht borxhin e tyre, ata insistuan për të marrë pjesën e mbetur. Në këtë rast, i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  porositi ata që të mos i kërkonin Mu‘ādhit hëpërhë paratë e tyre, pasi ai vetë nuk kishte asgjë për të dhënë.

Tani, meqë Hazret Mu‘ādhi kishte mbetur duarbosh, i Dërguar i Allahut s.a.v.s. e dërgoi si emisar në Jemen dhe e siguroi që së shpejti Zoti do t’ia rikthente pasurinë e humbur dhe do t’i mundësonte shlyerjen e krejt borxhit. Në këtë rast, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha:  “O Mu‘ādh! Je rënduar nga borxhi, andaj unë të jap leje, që nëse dikush të sjell diçka si dhuratë, mund ta pranosh atë për veten tënde”.

Ndonëse këmbimi i dhuratave është një veprim i pëlqyer në Islam, dhe kjo veti promovon dashurinë, por meqë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte caktuar Hazret Mu‘ādh ibn Xhebelin si emisar, ai i dha atij leje të posaçme për të shfrytëzuar dhuratat për përdorimin personal. Profeti s.a.v.s. i bëri një përjashtim, pasi të gjitha dhuratat ishin për “Bejtul Malin” (thesarin qendror) apo për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s..

Njerëzit më të mirë janë ata që i druajnë Allahut

Hazret Mu‘ādh ibn Xhebeli transmeton se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e emëroi atë si përfaqësues të tij, ai kaloi pak kohë me të, duke i dhënë porosi të rëndësishme. Hazret Mu‘ādhi ishte hipur në kalë, ndërsa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ecte këmbas bashkë me të. Pas dhënies së porosive, Profeti s.a.v.s. i tha atij: “O Mu‘ādh! Ndoshta ne nuk do të shihemi vitin tjetër, dhe ka të ngjarë që të kalosh pranë varrit tim”. Kur dëgjoi këto fjalë të dhimbshme, Hazret Mu‘ādhi nuk u përmbajt dot dhe nisi të qante me dënesë. Pastaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu drejtua qytetit të Medinës dhe tha: “Ata që i druajnë Allahut (mutekinj), janë ajka e njerëzve, pa marrë parasysh cilët janë ata dhe në cilin jetojnë”.

Porositë e Profetit a.s. për t’u bërë thirrje popujve të tjerë ndaj Islamit

Sipas një transmetimi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu drejtua Mu‘ādhit dhe i tha: “Së shpejti, do të takosh një popull, i cili u përket ithtarëve të Librit. Kur t’i takosh ata, bëju thirrje që të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, dhe që Muhammedi është i Dërguari i Allahut. Nëse ata e pranojnë këtë thirrje, lajmëroji se Allahu u ka obliguar faljen e namazeve gjatë pesë kohërave të ndryshme në dite. Nëse ata të binden ty edhe për këtë, thuaju që Allahu ka porositur për të dhënë sadaka, e cila grumbullohet prej njerëzve të kamur dhe u jepet njerëzve të skamur. Nëse ata i binden edhe kësaj porosie, atëherë mos u kërko pasurinë më të mirë, por kërkoje atë që është mesatare. Ruhu nga përgjërimi i të shtypurve, sepse nuk ka asnjë pengesë midis Allahut dhe lutjes së të shtypurve”.

Kur Hazret Mu‘ādh ibn Xhebeli mbërritit në Jemen si emisar i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ai ua mësonte Kuranin dhe fenë dhe zgjidhte çështjet e tyre. Mbledhësit e zekatit në Jemen, pas grumbullimit të tij, ia dorëzonin atë Hazret Mu‘ādhit. Sipas një transmetimi tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishe ndarë detyrën e mbledhjes së Zekatit në Jemen, midis pesë personave, të cilët ishin:

  1.     Hazret Khalid bin Sa’id
  2.     Hazret Muhaxhir ibn Umeje
  3.     Hazret Zejd ibn Lubejd
  4.     Hazret Mu‘ādh ibn Xhebel
  5.     Hazret Ebu Musa Esh’eri

Hazret Mu‘ādh ibn Xhebeli r.a. transmeton se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më nisi drejt Jemenit, ai më porositi që të kërkoja si zekat viçin një vjeçar për çdo 30 krerë lopësh, dhe të kërkoja një viç dy vjeçar për çdo 60 krerë lopësh. Po ashtu, duhet të pranoja Mevafire (d.m.th. një mantel të pradhuar nga fisi Mevafiri të Jemenit). Këtë transmetim e ka shënuar Imam Ahmed ibn Hanbeli.

Shembulli i bukur i ndjekjes së Imamit dhe porosia e Hazret Mu’ādhit

Alama Ibn Is’haku ka transmetuar që Hazret Mu‘ādh ibn Xhebeli çalonte nga një këmbë. Kur ai mbërriti në Jemen dhe udhëhoqi njerëzit në namaz, ai pas përfundimit të namazit shtroi këmbën përpara. Njerëzit që e ndiqnin nga pas, gjithashtu shtruan këmbën e tyre përpara. Kur përfundoi dhikrin, Hazret Mu‘ādhi iu drejtua xhematit dhe tha: “Më vjen mirë që më keni ndjekur në namaz hap pas hapi, por unë kisha shtruar këmbën për shkak të dhimbjes, ndërsa ju nuk duhet të veproni në këtë mënyrë”. Në një anë, ai vlerësoi shkallën e bindjes së tyre ndaj prijësit, por në të njëjtën kohë, ai qartësoi që nxjerrja e këmbës në namaz nuk ishte praktika profetike. Ai e bënte këtë për shkak të problemit në këmbë, dhe çdo njeri i cili kishte mundësi, duhet t’i përmbahej formës që ka praktikuar i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

Hazret Mu‘ādhi bëri tregti me paratë e grumbulluara të zekatit, dhe nga fitimi i tregtisë, ai i shlyente borxhet. Ai ishte personi i parë, i cili bëri tregti me paratë që ishin grumbulluar për hir të Allahut, si dhe pranoi dhurata me lejen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Në këtë mënyrë, ai kishte arritur 30 krerë dhish.

Nga leja e posaçme e të Dërguari të Allahut s.a.v.s., Hazret Mu‘ādh ibn Xhebeli arriti t’i shlyente të gjitha borxhet, meqë kjo përbënte dhe arsyen themelore për dhënien e kësaj leje. Ndoshta, ai shfrytëzonte vetëm pjesën e fitimit nga paratë e investuara në tregti dhe kjo gjithashtu me lejen e posaçme të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Hazret Mu‘ādh ibn Xhebeli shkoi në Mekë për haxh, dhe aty e takoi Hazret Omerin, të cilin Hazret Ebu Bekri e kishte caktuar përgjegjës për organizimin e haxhit. Ata u përqafuan dhe shprehën ngushëllime për vdekjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Në librin e historisë “El-Isti’ab” Hazret Mu‘ādhi është përshkruar si një njeri bujar dhe shpirtmirë. Për shkak të kësaj bujarie dhe zemërgjerësie, ai përfundoi në borxhe, dhe humbi gjithë pasurinë në shlyerjen e borxheve. Duke gjetur veten në ngushtësi ekonomike, ai iu drejtua të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe iu lut për të porositur huadhënësit që t’ia falnin borxhin. Por ata refuzuan të bënin një gjë të tillë. Nëse dikush do t’ia kishte falur borxhin dikujt për hir të dikujt tjetër, sigurisht ata do ta kishin bërë këtë gjest për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., megjithatë disa prej tyre nuk pranuan të falnin borxhin. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. urdhëroi që të shiteshit pronat e Mu‘ādhit. Shitja e pronave, e la Mu‘ādhin duarbosh. Andaj, në vitin e fitores së Mekës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e caktoi atë si guvernator të një rajoni të Jemenit. Ky transmetim e kthjellon akoma transmetime të përmendura më lartë. Pra, derisa ishte emëruar kryetari i Jemenit, njerëzit i sillnin lloj-lloj dhuratash, të cilat parimisht destinoheshin për thesarin qëndror.

Gjykimi i Hazret Ebu Bekrit r.a. dhe ëndrra e Hazret Mu’ādhit r.a.

Gjatë kësaj periudhe ai nxori mjaft fitime në tregti dhe u bë i pasur. Duke parë këtë, Hazret Omeri iu lut Hazret Ebu Bekrit për të thirrur Mu’ādhin sërish në Medinë dhe për të marrë në dorëzim krejt pasurinë e tij, duke i lënë vetëm mjetet jetike. Hazret Omeri mendonte që sipas lejes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, Hazret Mu’ādhi tashmë kishte shlyer borxhin, andaj ai nuk kishte më të drejtë për të tregtuar me të ardhurat e zekatit. Pra, i duhet të ruante për veten vetëm aq sa i mjaftoheshin, e jo të pasurohej me anë të saj. Kjo çështje u paraqit para Hazret Ebu Bekrit për shqyrtim e gjykim. Për shkak të dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe nga dëshira për të mos vendosur diçka që i kundërvihej vendimit të Profetit s.a.v.s., Hazret Ebu Bekri vendosi për t’i mos kërkuar asgjë Hazret Mu’ādhit. Madje, ai i çoi një mesazh Hazret Mu’ādhit që ai (d.m.th. Hazret Mu’ādhi) mund të vazhdonte të bënte tregtinë me të ardhurat e zekatit.

Derisa Hazret Mu’ādhi kishte shkuar në Jemen me porosinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe nëse pranonte dhurata apo përdorte të ardhurat e zekatit në tregti, ai e bënte këtë me lejen e Profetit, prandaj Hazret Ebu Bekri nuk pëlqeu t’i thoshte atij diçka, madje pëlqeu po të donte Hazret Mu’ādhi për të dhënë diçka, ai mund të bënte në mënyrë vullnetare por nuk qe i obliguar për të dorëzuar diçka.

Hazret Omeri dëgjoi vendimin e Hazret Ebu Bekrit, por duke qenë njeri parimor, ai shkoi te Hazret Mu’ādhi dhe bisedoi me të. Hazret Mu’ādhi i tha që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte dërguar në Jemen me qëllim që t’i plotësonte nevojat e tij, dhe që ai nuk do të pranonte të jepte diçka nga pasuria e tij.

Nëse e zëmë që ai me të vërtetë ishte bërë i pasur, sipas transmetimeve kjo periudhë duhet të ketë qenë jo shumë e gjatë, pasi Hazret Mu’ādhi ndihmonte të tjerët me bujari. Ka edhe disa transmetime, që do t’ju rrëfej në vijim, të cilat tregojnë si u shpërndante para njerëzve në nevojë.

Pas kësaj ngjarjeje, Hazret Mu’ādhi shkoi te Hazret Omeri dhe i tha: Unë pajtohem plotësisht me atë që më keni thënë dhe ju bindem plotësisht. Do të veproj ashtu siç më keni thënë, sepse kam parë një ëndërr. Kam parë veten duke u zhytur, ndërsa ju më keni shpëtuar. Pastaj Hazret Mu’ādhi shkoi te Hazret Ebu Bekri dhe ia rrëfeu gjithçka. Pastaj tha: “Betohem në Allah, unë nuk do të fsheh asgjë nga ju. Çdo gjë që kam marrë apo kam fituar është para meje”. Hazret Ebu Bekri e dëgjoi me vëmendje dhe i tha: Bëre mirë që më rrëfeve çdo gjë, megjithatë unë nuk do të marr asgjë prej teje, madje ta jap atë si dhuratë.

Hazret Omeri i cili e shoqëronte Hazret Mu’ādhin, vlerësoi gjykimin e Hazret Ebu Bekrit, si një zgjidhje e shkëlqyer. Për derisa Kalifi i kohës e kishte lejuar Hazret Mu’ādhin për të mbajtur të ardhurat nga tregtia, ai u pajtua me këtë gjykim me besnikëri të plotë. Sigurisht, Hazret Omeri nuk kishte asnjë interes personal se përse Hazret Mu’ādhi vazhdonte të bënte tregti me të ardhurat e zekatit, përkundrazi qëllimi i tij ishte që pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., kjo çështje duhej të rigjykohej nga Kalifi i kohës, pra a kishte të drejtë Hazret Mu’adhi për të shfrytëzuar të ardhurat e zekatit për tregti apo jo. Fillimisht, ai këmbëngulej që pasuria e Hazret Mu’ādhit të konfiskohej, por pas shpalljes së vendimit nga Hazret Ebu Bekri, ai u pajtua plotësisht dhe nuk shprehu asnjë kundërshtim.

Kjo ngjarje gjithashtu tregon që Allahu ia tërhoqi vëmendjen Hazret Omerit drejt kësaj çështje, vetëm atëherë, kur Hazret Mu’ādhi kishte plotësuar nevojat e tij. Ndërsa, më vonë, pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., kur problemet financiare i ishin zgjidhur dhe ai kishte arritur njëfarë mirëqenie, Allahu përmes një ëndrre, e nxiti Hazret Mu’ādhin për të jetuar vetëm me të ardhurat e pronave. Pra, ai nuk mund të përdorte dhuratat për nevojat personale, që i jepeshin në cilësinë e kryetarit të Jemenit e as të përdorte të ardhurat e thesarit për çështjet e tij tregtare.

Sipas transmetimeve, Hazret Mu’ādhi nuk kishte jetuar shumë pas kësaj ngjarjeje.

Si duhet të shqyrtojë besimtari çështjet e tij sipas metodës profetike?

Hazret Mu’ādhi transmeton se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e dërgoi si emisar në Jemen, ai e pyeti sesi do të vepronte, nëse përballej me ndonjë situatë? Ai i tha: Unë do të gjykoj në bazë të Librit të Allahut. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pyeti: Si do të veprosh, nëse nuk gjen asnjë udhëzim për të në librin e Allahut? Hazret Mu’ādhi iu përgjigj: Unë do të veproj sipas praktikës së Profetit (s.a.v.s.). Profeti a.s. e pyeti: Por, si do të veprosh, nëse nuk gjen ndonjë udhëzim, as në praktikën e Profetit? Hazret Mu’ādhi iu përgjigj: Do të veproj në bazë të ixhtihadit (pra përmes procesit të arsyetimit dhe interpretimit), dhe nuk do të gaboj në gjykimin tim. Pasi e dëgjoi me vëmendje, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e përkëdheli në gjoks dhe tha: Lavdërimi është i Allahut, i Cili e mundësoi emisarin e të Dërguarit të Tij, të veprojë në një mënyrë, që i ngjall kënaqësi”.

Porosia e Profetit s.a.v.s. për thjeshtësi e mirësjellje

Hazret Mu’ādhi transmeton: Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më dërgoi në Jemen, ai gjithashtu më porositi për t’iu shmangur luksit dhe jetës me salltanet e shkëlqim të tepruar, sepse një jetë e tillë nuk u përshtatet robërve të Allahut. Ky hadith gjithashtu qartëson që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dinte se Hazret Mu’ādhi është bujar, zemërgjerë dhe ndihmon të varfrit, prandaj ai do të harxhonte të ardhurat e tij për këtë qëllim. Prandaj, ai e porositi Hazret Mu’ādhin që lehtësitë që i kishte krijuar i Dërguari i Allahut s.a.v.s., nuk ishin për të jetuar me luks e rehati, por vetëm për t’i plotësuar nevojat. Ai vijon: Kur vura këmbën në yzengji, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më dha porosinë e fundit që të sillesha mirë me njerëz.

Duhet t’u hedhim një vështrim edhe muslimanëve të sotëm, a me vërtetë shfaqin mirësjellje dhe morale të larta. Këto ditë, po kremtohet ditëlindja e Profetit s.a.v.s. ndërsa ajo që na nevojitet më së shumti është të ndjekim gjurmët e tij dhe të zbatojmë këshillat e tij.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e dërgoi Harzet Mu’ādhin në Jemen si guvernator, ai e i shpjegoi detyrën me këto fjalë: لَکُم خَیْرَ أَھلِی اِنی بَعَثتُ Unë ju kam dërguar njeriun më të mirë.

Ibn Ebu Nexhiu transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dërgoi Hazret Mu’ādhin si guvernator mbi popullin e Jemenit. Përmes një letre, ai iu drejtua banorëve të Jemenit dhe u shpreh: “Unë kam caktuar njeriun më të mirë, pishtarin e dijes dhe të fesë si guvernator mbi ju”.

Dhjetë porositë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Sipas një hadithi të cilin e ka shënuar Imam Muslimi dhe Imam Ahmed ibn Hanbeli, Hazret Mu’ādhi transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte bërë dhjetë porosi:

  1.     Nuk duhet t’i bësh shok Allahut, edhe nëse të mbysin apo të hedhin në zjarr.
  2.     Mos i kundërshto prindërit, edhe nëse ata të përzënë nga shtëpia apo të mohojnë të drejtën e trashëgimisë në pronat a pasuritë e tyre.
  3.     Mos e lër kurrë namazin e detyrueshëm qëllimisht, sepse ai që e lë namazin farz me dashje, del nga mbrojtja e Allahut.
  4.     Mos pi kurrë alkoolin, sepse ai është rrënja e çdo imoraliteti.
  5.     Ruhu nga mëkatet dhe mosbesimi, sepse njeriu tërheq zemërimin e Zotit për shkak të mëkateve.
  6.     Kur të ballafaqohesh me armikun, mos ia trego kurrë shpinën. Më mirë të japësh jetë trimërisht, se sa të marrësh rrugën e arratisë.
  7.     Nëse shpërthehet murtaja te një popull, ndërkohë ti gjendesh midis tyre, kufizoje veten në atë vend, dhe mos dil jashtë.
  8.     Shpenzo mbi bashkëshorten dhe fëmijët e tu, sipas fuqisë dhe mundësisë sate.
  9.     Përmbush të drejtat e tyre dhe mos e neglizho edukimin dhe disiplinimin e tyre. Nëse duhet, trego dhe pak rreptësi për edukimin e tyre.
  10. Këshillo ata që t’i frikësohet Zotit.

Këshilla të arta profetike për Hazret Mu’ādhin

Hazret Ibn Omeri transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu drejtua Hazret Mu’ādhit dhe i tha: “O Mu’ādh! Unë të këshilloj ashtu si një vëlla i madh i jep këshillë vëllait të vogël. Unë të porosis për t’iu druajtur Allahut, për të vizituar të sëmurin, për t’u lehtësuar hallet vejushave e të moshuarve. O Mu’ādh! Mos lejo që qortimi i ndonjë qortuesi të pengojë ty nga shoqërimi me të vobektë e të mjerë, apo nga dhënia e drejtësisë njerëzve të përvuajtur, apo nga shprehja e së vërtetës apo në përmbushjen e të drejtave të Zotit”.

Dëshira fisnike e Hazret Omerit r.a.

Njëherë Hazret Omeri iu drejtua shokëve të tij dhe u tha: Shprehni ndonjë dëshirë. Dikush tha “Unë kam dëshirë që kjo shtëpi të mbushet me flori, dhe unë ta dhurojë atë si sadaka në rrugën e Allahut”. Dikush tjetër u shpreh: “Unë kam dëshirë që kjo shtëpi të mbushet me xhevahire e diamante dhe unë t’i shpenzoj të gjitha ato në rrugën e Allahut”.

Këto ishin dëshira fisnike të sahabëve. Hazret Omeri i inkurajoi për të shprehur ndonjë dëshirë tjetër. Të pranishmit i thanë: “O Prijësi i besimtarëve! Ne nuk dimë çfarë të dëshirojmë”. Atëherë, Hazret Omeri tha: “Unë kam dëshirë që kjo shtëpi të mbushet me njerëz si Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu, Hazret Mu’ādh ibn Xhebeli, Hazret Salim Maula Ebu Hudhjefe dhe Hazret Hudhejfe ibn Jeman”.

Hazret Mu’ādhi kishte jetuar për 2 vjet në Jemen, nga 9 deri në 11 hixhri.

Çfarë bënë dy sahabë me 400 dinarë?

Njëherë Hazret Omer ibn el-Hattabi futi 400 dinarë në një çantë dhe e porositi shërbëtorin për t’i dorëzuar çantën Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahut. Ai gjithashtu e porositi për të qëndruar atje dhe për të dëshmuar se si do të vepronte Hazret Ebu Ubejda me ato para. Ndonëse këtë ngjarje, ju kam rrëfyer edhe në hutben e fundit mbi jetën e Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahut, por sot do ta trajtoj më gjerësisht. Kështu, shërbëtori ia dorëzoi çantën Hazret Ebu Ubejdes dhe tregoi se që ajo ishte një dhuratë nga prijësi i besimtarëve, i cili ka porositur që ai (Ebu Ubejda) mund ta përdorte atë për nevojat e tij personale. Hazret Ebu Ubejda e falënderoi atë duke thënë: Allahu e mëshiroftë! Pastaj, ai thirri shërbëtoren e tij dhe i dha porosi si do të vepronte me ato para, duke i treguar se t’i jepte 7 dinarë filanit e 5 dinarë filanit, derisa mbaruan krejt dinarët e çantës. Shërbëtori u kthye te Hazret Omeri dhe ia tregoi krejt ngjarjen sesi kishte vepruar Hazret Ebu Ubejda me ato para.

Hazret Omeri kishte bërë gati edhe 400 dinarë të tjerë për Harezt Mu’ādhin. Ai e porositi shërbëtorin e tij, për t’i dorëzuar çantën Hazret Mu’ādhit dhe për të ndjekur se si do të vepronte ai me ato para. Shërbëtori mbërriti në shtëpinë e Hazret Mu’ādhit dhe i përcolli porosinë e Hazret Omerit që ajo ishte një dhuratë nga prijësi i besimtarëve, dhe të cilat ai mund të shfrytëzonte për nevojat e tij personale. Hazret Mu’ādh ibn Xhebeli gjithashtu e porositi shërbëtoren e tij, për të shpërndarë ato para midis njerëzve të varfër të qytetit. Teka po ndante paratë, erdhi bashkëshortja e tij, e cila i tha për të mbajtur diçka për nevojat e shtëpisë, pasi nuk kishin asgjë për të ngrënë. Deri atëherë, kishin mbetur vetme dy dinarë në çantë, të cilat ai i dha shoqes së tij.

Shërbëtori i cili ndiqte veprimin e Hazret Mu’ādh ibn Xhebelit, shkoi te Hazret Omeri dhe ia rrëfeu krejt ndodhinë. Hazret Omeri shprehu gëzim dhe kënaqësi dhe tha: Ashtu siç janë vëllezër në fe, ata janë vëllezër edhe në bamirësi”.

Statusi i Hazret Hazret Mu’ādhit në sy të Hazret Omerit r.a.

Shurejh ibn Ubejdi dhe Rashib ibn Sa’adi etj. transmetojnë se kur Hazet Omer ibn Hattabi mbërriti në vendin Surg, i cili ndodhej në luginën e Tubkut, ai u njoftua që në Siri është përhapur pandemia. Hazret Omeri u shpreh që nëse i vjen vdekja, dhe është i gjallë Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu, ai me siguri do ta emëronte pasardhësin e tij, e nëse Allahu do të pyeste për arsyen, unë do t’i kisha thënë që kam dëgjuar të Dërguarin Tënd s.a.v.s., që çdo profet ka një njeri të besueshëm, dhe besniku im është Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu. Njerëzve nuk u erdhi mirë kjo gjë, dhe ata pyetën se çfarë do të bëhet me parinë e kurejshëve, p.sh. me Benu Fehrin.

Hazret Omeri tha: Nëse më vjen vdekja dhe Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu gjithashtu ka ndërruar jetë, do të emëroj Hazret Mu’ādh ibn Xhebelin Kalifin pas meje. Nëse Zoti do të më pyeste arsyen pse e kisha emëruar kalifin pas meje, do t’i isha përgjigjur se kam dëgjuar të Dërguarin Tënd s.a.v.s. duke thënë se në ditën e Gjykimit, Hazret Mu’ādh ibn Xhebeli do t’u paraprijë dijetarëve.

Rrëfimi i sipërm vërteton shkallën e lartë të dijes së tij.

Trimëria e Hazret Mu’ādhit në luftën e Jermukut

Në luftën e Jermukut, e cila ishte zhvilluar në vitin 15 hixhri, Hazret Mu’ādh ibn Xhebeli dhe Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu ishin emëruar komandantë të njësisë “Memena”, e cila zhvillon veprimtarinë luftarake, duke qëndruar në krah të djathtë të ushtrisë. Sulmi i të krishterëve ishte aq i rrufeshëm dhe i papritur, saqë kjo njësi u nda pjesa tjetër e ushtrisë dhe ushtarët u shpërndanë në drejtime të ndryshme.

Duke parë këtë gjendje, Hazret Mu’ādhi menjëherë zbriti nga kali dhe shfaqi një trimëri dhe qëndresë të pashembullt. Ai deklaroi se do të luftonte si ushtar këmbësor dhe që kali i tij ishte i disponueshëm për çdokënd që mund të luftonte trimërisht si kalorës. Djali i tij, i cili gjendej pranë tij, iu përgjigj thirrjes së babait dhe tregoi se ishte një kalorës i stërvitur dhe mund t’i përgjigjej sfidës ashtu siç duhej.

Në këtë mënyrë, babë e bir hyjnë në zemër të ushtrisë romake dhe luftuan trimërisht. Shembulli i tyre u ngjalli kurajë ushtarëve muslimanëve dhe ata që po zmbrapseshin në luftë, u bënë dominues. Ata ishin kapluar nga kaosi dhe frika, por muslimanët rifituan vetëbesimin e tyre dhe e mposhtën armikun.

Allahu e ka obliguar veten për të dashur këta njerëz…

Ebu Idriz Kholani ka shkruar: “Kur hyra në xhaminë e Damaskut, pashë një burrë, të cilit i shkëlqenin dhëmbët. Njerëzit ishin ulur rreth e përqark tij, kurse ai ua zgjidhte mosmarrëveshje dhe i pajtonte ata. Ata nderonin fjalën e tij dhe i kushtonin respekt të veçantë. Unë nuk e njihja atë, prandaj pyeta se kush ishte. Ata më thanë se ai ishte Hazret Mu’ādh ibn Xhebeli.

Të nesërmen në drekë shkova në xhami, dhe e gjeta atë duke u falur në xhami. Unë prita derisa të mbaronte namazin, dhe e përshëndeta dhe i thashë: “Pasha Allahun! Unë ju dua për hir të Allahut!”. Hazret Mu’ādhi më pyeti “A betohesh në Allah?” Pastaj ai më tërhoqi duke kapur një anë të veshjes sime, dhe më tha: “Gëzohu, sepse kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. se Allahu aze ve xhel  ka thënë se Unë e kam obliguar veten ta dua atë që e do tjetrin, ose shoqëron tjetrin, takon tjetrin dhe që harxhon paratë e tij mbi dikë për hirin Tim. Pra, Allahu ia obliguar vetes dashurinë ndaj tyre”.

Sjellja e drejtë e Hazret Mu’ādhit me dy bashkëshortet e tij

Sipas një transmetimi, Hazret Mu’ādh ibn Xhebeli kishte dy bashkëshorte. Nëse sipas radhës, ai jetonte me njërën, nuk pranonte të pijë as ujë nga bashkëshortja tjetër. Pra, ai vepronte me kaq shumë drejtësi në raport me to. Ato dy kishin ndërruar jetë nga pandemia dhe ishin varrosur në të njëjtin varr. Që të vepronte me drejtësi deri në momentin e fundit, ai kishte hedhur short se cila prej tyre do të hynte e para në varr.

Sipas përshkrimit në veprën “Sirus Sahaba”, Hazret Mu’ādh ibn Xhebeli kishte dy bashkëshorte dhe ato kishin ndërruar jetë nga murtaja. Në histori, përmendet një djali i tij, i cili quhej Abdurrahmani dhe që kishte marrë pjesë në luftën e Jermukut. Ky djalë gjithashtu ishte ndarë nga jeta, për shkak të murtajës. Kur Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu ndërroi jetë nga murtaja e Emvasit, Hazret Omeri e caktoi Hazret Mu’ādhin zëvendësin e tij.

Emvasi ishte një qytezë që ndodhej 7 milje larg Jermelasë dhe ndodhet në rrugën për në Bejtul Mukadesit. Atë vit, Hazret Mu’ādhi gjithashtu ndërroi jetë nga kjo murtajë.

Kethir ibn Murrah ka transmetuar se gjatë kohës së sëmundjes, Hazret Mu’ādh ibn Xhebeli u kishte treguar që ai kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë diçka, por ato fjalë ai i kishte thënë askujt. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë që nëse dikush ndërron jetë dhe fjalët e tij të fundit janë La ilahe il-lallah, atëherë ai me siguri do të hyrë në xhenet. Sipas një transmetimi tjetër, Hazret Mu’ādhi gjithashtu kishte thënë që e vetmja gjë që e kishte penguar t’ua përcillte këtë hadith të tjerëve ishte që njerëzit duke besuar këtë hadith të mos heqin dorë nga veprat.

Kur u përhap murtaja në Siri, Hazret Mu’ādhi gjithashtu u prek nga sëmundja. Në këtë gjendje e rëndë, atij i binte shpesh të fikët. Një herë kur mori pak veten, ai bëri lutje me këto fjalë: “O Allah! Më mundëso të pikëllohem vetëm për ty! Pasha nderit Tënd! Ti e di që unë Të dua vetëm ty”. Pastaj i ra të fikët prapë. Kur i erdhi çasti i vdekjes Hazret Mu’ādhit, ai pyeti “A ka zbardhur dita?” Njerëzit iu përgjigjën se akoma nuk kishte aguar dita. Pastaj, kur u zbardh dita, ata e lajmëruan atë. Hazret Mu’ādhi tha: Unë kërkoj mbrojtje prej asaj nate, mëngjesi i së cilës prin në xhehenem. Unë e mirëpres vdekjen dhe kënaqem duke parë të Dashurin tim, i cili po vjen pas një kohe të gjatë. O Allah! Ti e di që unë kam jetuar gjithmonë me druajtje ndaj Teje, ndërsa sot jam mbushur me shpresë e besim. Unë nuk e dua këtë dynja dhe jetën e kësaj që të hap lumenj apo të mbjell pemë. Unë e kam dashur vetëm që të duroj etjen e mesditës, të kaloj vuajtjet dhe vështirësitë e kohës dhe të ulem në kuvendin e atyre dijetarëve që përmendin emrin Tënd.

Sipas një transmetimi, kur i afrua çasti i fundit, ai nisi të qante. Njerëzit e ngushëlluan dhe i thanë: Përse po qani? Ju jeni sahab i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.”. Ai u përgjigj: Nuk po qaj se po brengosem për këtë dynja e as që po lë këtë botë, por pikëllohem se do të jenë dy lloj njerëzish: banorët e xhenetit dhe banorët e xhehenemit. Unë nuk di se me cilin grup do të bashkohem.

Imam Ahmed ibn Hanbeli ka shënuar një transmetim të Hazret Mu’ādh ibn Xhebelit, në të cilin ai e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë: “O Mu’ādh! Së shpejti do të mërgosh drejt Sirisë dhe ajo do të triumfohet përmes teje. Por, aty do të prekesh nga një sëmundje që shkakton nyjat limfatike dhe puçrra në trup, dhe ajo sëmundje do të përhapet kaq shpejt që askush nuk mund t’i shpëtojë asaj. Allahu do të dhurojë njerëzit gradën e dëshmorëve dhe përmes saj do t’ua pastrojë veprat. O Allah! Nëse Ti e di që Mu’ādh ibn Xhebeli ka dëgjuar këto fjalë vetë nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s., atëherë jepja atij dhe familjes së tij pjesën më të madhe të shpërblimeve.

Më vonë, u prekën njëri pas tjetrit të gjithë anëtarët e familjes së tij, dhe asnjëri nuk shpëtoi dot. Kur iu shfaq gjëndra e murtajës në gishtin e tij tregues, Hazret Mu’ādhi u shpreh: Unë jam kaq i lumtur, saqë nuk do të kisha pranuar as një deve të kuqe në këmbim.

Në Tarikh Teberi përmendet që kur u shfaq një nyje limfatike në lëkurën e pëllëmbës, Hazret Mu’ādhi e shikonte me ëndje dhe e puthte atë dhe thoshte se nuk donte të pranonte asgjë nga kjo botë në këmbim të saj.

Hazret Mu’ādh ibn Xhebeli ndërroi jetë në 18 hixhri. Lidhur me moshën e tij, ka disa mendime dhe sipas tyre ai ishte 33, 34 ose 38 vjeç kur kishte ndërruar jetë. Hazret Mu’ādhi ka përcjellë 157 hadithe, dhe janë dy hadithe për të cilat Imam Buhariu dhe Imam Muslimi kanë shprehur konsensus për të.

Hazret Abdullah ibn Amri r.a.

Sahabiu tjetër, të cilin dua ta përmend, është Hazret Abdullah ibn Amri. Hazret Abdullahu i përkiste degës Benu Selma të fisit Hazrexh. Babai i tij quhej Amr ibn Haram ndërsa nëna quhej Rebab bint Kajs. Hazret Abdullah ibn Amru ishte lindur 40 vjet para ngjarjes së hixhretit.

Hazret Abdullah ibn Amru ishte babai i një prej sahabëve të shquar Hazret Xhabir ibn Abdullahut. Hazret Abdullah ibn Amru ishte kunati i Hazret Amr ibn Xhemuhut.

Hazret Abdullah ibn Amru r.a. kishte marrë pjesë në besëlidhjen e dytë të Akabasë, dhe ishte një prej 12 nekibëve (përgjegjësve) të cilët i kishte caktuar i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Ai kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe kishte rënë dëshmor në luftën e Uhudit.

Sipas disa burimeve, Hazret Abdullah ibn Amru ishte muslimani i parë që ishte martirizuar në luftën e Uhudit.

Hazret Ka’ab ibn Maliku ka përshkruar ngjarjen e tij të pranimit të Islamit. Ai rrëfen: Ne i premtuam të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për t’u takuar në  fushën e Akabasë në natën e mesme të tri ditëve të teshrikut, pra nga 11 deri në 13 Dhilhixha. Akaba ndodhet midis Mekës dhe Minas. Ne kishin kryer ritet e haxhit dhe përfundimisht erdhi ajo natë, për të cilën i kishim premtuar të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ne e kishim mbajtur të fshehur këtë gjë prej njerëzve tanë idhujtarë. Prandaj, e shoqëruam Abdullah ibn Amrun, i cili qe një figurë e shquar dhe një prej kryetarëve tanë. Ne iu drejtuam atij dhe thamë: O Ebu Xhabir! Ju jeni ndër krerët tanë dhe prej njerëzve tanë të nderuar. Ne nuk duam që ju të përfundoni si lëndë djegëse e xhenemit. Kështu ne i bëmë thirrje drejt Islamit dhe e ftuam për takimin tonë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në vendin Ekva’. Ai iu përgjigje thirrjes sonë dhe përqafoi Islamin. Ai gjithashtu mori pjesë në besëlidhjen e Akabasë dhe u caktua një prej 12 përgjegjësve.

Hazret Xhabir ibn Abdullahu gjithashtu ka transmetuar se ai, babai i tij dhe dy dajat e tij ishin pjesëmarrës në besëlidhjen e Akabasë.

Dua t’ju rrëfej një pjesë nga faqet e librit “Siret Khatemun Nebijjin”, në të cilën Hazret Mirza Bashir Ahmed sahibi ka përshkruar me hollësi ngjarjen e besëlidhjes së Akabasë. Meqë këtë pjesë ju kam cituar hollësisht në të kaluarën, prandaj do t’ju citoj vetëm atë pjesë që lidhet me Hazret Abdullah ibn Amrun.

Në muajin Dhil Hixha, të vitit 13 nga shpallja e profetësisë, disa qindra njerëz nga fiset Eus dhe Hazrexh mbërritën në  Mekë për të kryer ritet e Haxhit. 70 prej këtyre ishin të tillë, të cilët ose e kishin pranuar Islamin ose donin të bëheshin muslimanë tani. Ata kishin dëshirë të takonin të Dërguarin e Allahut s.a.v.s..

Kjo kërkonte një takim kolektiv por edhe të fshehur, prandaj u caktua data që përkonte me mesin e muajit Dhil Hixha. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi që ky takim të zhvillohej në të njëjtën luginë, ku ishte mbajtur takimi vitin e fundit, dhe ai të të bisedonte me ta me qetësi dhe vëmendje. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. I kishte porositur ensarët që të mos vinin të gjithë bashkë, por të mbërrinim tek apo çift në vendin e caktuar. Ai gjithasthu kishte thënë që nëse dikush kishte rënë në gjumë, tjetri nuk duhet ta zgjonte atë, e as të priste për të munguarin.

Kur erdhi data e caktuar dhe kisthe kaluar një e treta e natës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithasthu doli nga shtëpia dhe rrugës ai mori xhaxhain e tij Abas, i cili ende nuk e kishte pranuar Islamin dhe i ndiqte traditat idhujtare. Abasi e donte të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe ishte prijës i familjes Benu Hashim. Kështu këta dy mbërritën në luginën e Akabasë. Nuk kaloi shumë që edhe ensarët filluan të mbërrinin një e nga një. Ata ishin plotë shtatëdhjetë veta dhe u përkisnin fiseve Eus dhe Hazrexh.

Në fillim Abasi e mori fjalën dhe tha: “O fisi Hazrexh! Muhammedi gëzon respekt dhe dashuri në familjen e tij. Kjo familje ka qenë garante për mbrojtjen e tij dhe i është kundërpërgjigjur çdo rreziku me trimëri. Por, tani ai ka vendosur të largohet nga vendlindja dhe të mërgojë në qytetin tuaj. Nëse edhe ju dëshironi ta prisni atë në Medinë, të dini se do të jeni përgjegjës për mbrojtjen e tij dhe duhet t’i kundërpërgjigjeni çdo armiku. Nëse jeni të gatshëm për ta marrë këtë përgjegjësi, përgjigjuni qartë e shkoqur, sepse fjala e drejtë dhe e qartë është më mirë”.

Pas Abasit, fjalën e mori Bera ibn Ma’ruri. Ai ishte një plak i vjetër dhe i urtë i ensarëve. Ai tha: “O Abas! Ne kemi dëgjuar fjalën tuaj, por kemi dëshirë ta dëgojmë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. që të na tregojë vetë për detyrat që ai dëshiron të na ngarkojë”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u ngrit dhe recitoi disa ajete nga Kurani i Madhërishëm. Pastaj mbajti një fjalim të shkurtër dhe përshkroi mësimet e Islamit. Duke shtjelluar detyrat hyjnore dhe ato njerëzore, ai tha: “Për veten time, dua vetëm që ashtu sikur mbroni familjen dhe farefisnin tuaj, kur të ketë nevojë, të silleni njësoj dhe me mua”.

Kur përfundoi fjalën, Elbera ibn Ma’ruti, e mori dorën e të Dërgaurit të Allahut s.a.v.s. sipas traditës arabe dhe deklaroi: “O i Dërguar i Allahut! Betohemi në Allah, i Cili ju ka dërguar me të vërtetën, ne do t’ju mbrojmë njësoj sikur mbrojmë veten tonë. Ne jemi rritur nën hijen e shpatëve…” Pa e mbaruar fjalën, ndërhyri Ebul Hejshem ibn Tejhani dhe tha: “O i Dërguar i Allahut! Në Medinë, kemi marrëdhënie të moçme me hebrenj. Nëse hyjmë në besëlidhje me ju, do të prishen këto marrëdhënie të vjetra. Druhem se kur Allahu do t’ju triumfojë kundër Kurejshve, do të na braktisni dhe do të ktheheni sërish në vendlindjen tuaj. Kështu do të mbetemi plotësisht të izoluar e të braktisur”.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. buzëqeshi dhe tha: “Jo, kjo nuk do të ndodhë kurrësesi. Gjaku juaj do të jetë gjaku im. Aleatët tuaj do të jenë aleatët e mi dhe armiqtë tuaj do të jenë armiq të mi”.

Abas ibn ‘Ubade el-Ensariu r.a. hodhi një vështrim shokëve të tij dhe pyeti: “O njerëz! A kuptoni se çfarë do të thotë kjo besëlidhje? Kjo nënkupton se tani duhet të jeni të gatshëm për të ballafaquar çdo popull e çdo komb. Duhet të jeni të gatshëm për çdolloj sakrifice”. Të gjithë iu përgjigjën njëzëri: “Ne jemi të vetëdijshëm për rrjedhojën e kësaj besëlidhje. Por o i Dërguar i Allahut! Me çfarë do të shpërblehemi në këmbim të këtyre sakrificave?” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu përgjigj: “Ju do të fitoni xhenetin e Allahut, e cila është dhuntia më e madhe ndër të gjitha dhuntitë e Allahut”. Të gjithë e pranuan këtë marrëveshje dhe thanë: “O i Dërguar i Allahut! Zgjatni dorën tuaj!” Profeti s.a.v.s. zgjati dorën dhe ky grup i 70 besnikëve iu nënshtruan atij përmes kësaj marrëveshje mbrojtëse. Kjo ngjarje njihet si “Besëlidhje e dytë e akabasë”.

Pas përfundimit të bejtit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha të pranishmëve: “Musai a.s. kishte zgjedhur 12 nekibë në popullin e tij, të cilët shërbenin si mbikëqyrës dhe mbrojtës mbi ta si përfaqësues të Musait a.s.. Unë gjithashtu dua të caktoj 12 nekib mbi ju, që do t’u ngjajnë 12 dishepujve të Isait a.s., dhe do të japin llogari para meje lidhur me përgjegjësi ndaj popullit të tyre. Prandaj, më sugjeroni emra për njerëz që mund t’i përgjigjen kësaj detyre”. Kështu u sugjeruan 12 emra, të cilët Profeti s.a.v.s. i pranoi. Ai caktoi një nekib për çdo fis, ndërsa për disa fise ai caktoi dy persona, dhe në fund u sqaroi detyrat. Një ndër këta nekibë ishte dhe Hazret Abdullah ibn Amru r.a.

Sipas një transmetimi, kur kreu i hipokritëve Abdullah ibn Ubej ibn Seluli tregoi tradhëti ndaj muslimanëve, Hazret Abdullah ibn Amru u mendua t’i këshillonte njerëzit. Hazret Xhabir ibn Abdullahu transmeton se babai dhe daja im u martirizuan në luftën e Uhudit. Nëna ime (në një transmetim gjendet fjala e hallës) e cila ishte motra e Hazuret Amru ibn Xhemuhut, ngarkoi trupat e tyre në deve dhe iu drejtua Medinës. Dikush shpalli njoftimin e Dërguarit të Allahut s.a.v.s. se të vrarët duhet të varroseshin në vendin ku kishin rënë në luftë. Pas thirrjes së Profetit, ajo u kthye drejt Uhudit dhe ata u varrosën në vendin ku kishin rënë dëshmorë.

Sipas një transmetimi, që përcillet nga Hazret Enes ibn Maliku, në luftën e Uhudit ishte përhapur lajmi që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte martirizuar gjatë luftës. I gjithë qyteti i Medinës ishte kapluar nga zia. Një grua ensare ishte nisur drejt Uhudit dhe rrugës ajo ndeshi trupat e pajetë të babait, vëllait dhe bashkëshortit të saj. Transmetuesi rrëfen: Unë nuk di kë e kishte parë ajo përpara. Megjithatë, kur kalonte pranë trupit, ajo pyeste, se kush qe ai. Njerëzit i tregonin se ishte babai, vëllai, bashkëshorti apo djali i saj. Megjithatë, ajo shtronte vetëm një pyetje: “Si është i Dërguari i Allahut s.a.v.s.?” Kur i thuhej se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. qëndronte pranë saj, mirë e shëndoshë, ajo i afrohej atij dhe i drejtohej atij duke thënë: Ju flijofshin prindërit e mi, derisa ju jeni gjallë, nuk kam pse të brengosem për vdekjen e dikujt tjetër.

Hazret Kalifi IV r.a. para se të zgjidhej në detyrën e kalifatit, mbante fjalim mbi jetën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Dua t’ju rrëfej diçka që ai ka përmendur mbi betejat e luftërat, në lidhje me Hazret Abdullah ibn Amrun. Ai rrëfen: Motra e Hazret Abdullah ibn Amrut dhe njëkohësisht bashkëshortja e Hazret Amru ibn Xhemuhut, ishte kredhur në dashurinë e të Të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., njësoj si vëllai i saj. Bashkëshorti i saj, vëllai i saj dhe djali i saj kishin rënë dëshmorë në luftën e Uhudit, por ngazëllimi që përjetoi ajo, pasi mësoi që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte mirë dhe shëndoshë, tejkaloi çdo emocion tjetër.

Hazret Aisheja r.a. ka rrëfyer se ajo gjithashtu po shkonte drejt fushëbetejës, për të mësuar se çfarë kishte ndodhur në luftë, dhe rrugës ishte takuar me bashkëshorten e Amru ibn Xhemuhut, e cila po ngiste një deve drejt Medinës. Unë e pyeta se si kishte përfunduar lufta dhe çfarë kishte ndodhur. Ajo iu përgjigj: Elhamdulilah. Gjithçka është në rregull, dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është mirë e shëndoshë. Ndërkohë Hazret Aisheja vuri re mbi ngarkesën e devesë dhe pyeti çfarë kishte sjellë ajo. Ajo u përgjigj: Këta janë trupat e bashkëshortit tim Amru ibn Xhuruh, të vëllait tim Abdullah ibn Amru dhe të djalit tim Hallad. Me të thënë këtë, ajo mati të vazhdonte rrugën për në Medinë, por deveja nuk donte të ngrihej. Pas shumë mundimeve, kur u ngrit ajo, prapë nuk pranonte të ecte drejt Medinës. Atëherë, ajo tërhoqi frenat për ta ngarë në drejtim të Uhudit, dhe deveja nisi të rendte me galop.

Kjo ngjarje në një anë shpalos dashurinë dhe besnikërinë e kësaj zonje ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., në anën tjetër shfaq dhimbjen e Profetit, i cili kishte porositur të gjenden trupat e Amru ibn Xhumuhut dhe Abdullah ibn Amrut dhe të varroseshin bashkë, pasi ata e donin njëri-tjetrin në këtë jetë.

Në një transmetim përmendet se kur Hazret Abdullah ibn Amru u bë gati për të dalë në luftën e Uhudit, ai thirri djalin e tij Xhabir dhe i tha: O djali im! Unë po shoh se do të jem i pari ndër dëshmorët. Pasha Allahun! Unë nuk po lë askënd pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe pas jush, të cilët i dua me gjithë shpirt. Unë kam pak borxh, ju lutem, shlyeni atë prej meje. Unë po të lë amanet që të sillesh me motrat e tua me mirësi.

Hazret Xhabir ibn Abdullahu transmeton se të nesërmen, babai im ishte i pari që ra dëshmor në këtë betejë. Armiku ia kishte prerë hundën dhe veshët. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti për varrimin e dëshmorëve, ai porositi që ata të qefinoseshin me plagët e tyre. Ai tha: Unë dëshmoj që çdo musliman i cili merr plaga në rrugën e Allahut, do të vijë në ditën e Kiametit, në një gjendje, që i rrjedh gjak në ngjyrë shafrani dhe që mban erë myshku. Këta janë njerëz më të mirë që i paraqiten Zotit. Ata nuk kanë nevojë për larje e qefinosje, pasi qefini i tyre është veshja e tyre.

Hazret Xhabiri rrëfen se babai i tij ishte qefinosur me një çarçaf. Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. pyeti se cili prej tyre dinte më shumë Kuranin, dhe i tregohej për dikë, ai porosiste që ai të zbritej i pari në varr.

Njerëzit thoshin që Hazret Abdullah ibn Amru ishte dëshmori i parë në Uhud., ndërsa disa thoshin se ai ishte dëshmori i parë që kishte rënë duke luftuar.

Sufjan ibn Abd Shemsi e kishte martirizuar dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia kishte udhëhequr xhenazen, para se të nisej agresioni i mosbesimtarëve. Ai gjithashtu porositi që Abdullah ibn Amru dhe Amru ibn Xhmeuhu të varroseshin bashkë në një varr, sepse ata ushqenin dashurinë dhe besnikërinë për njëri-tjetrin. Abdullah ibn Amru kishte ngjyrë gështenje dhe i mungonin flokët në pjesën ballore. Ai kishte gjatësi mesatare, ndërsa Amru ibn Xhemuhu qe shtatlartë. Tiparet e tyre trupore gjithashtu ndihmuan në identifikimin e tyre.

Kjo temë vazhdon edhe në hutbet e ardhshme.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp