Vrasja barbare e 70 hafizëve të Kuranit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Vrasja barbare e 70 hafizëve të Kuranit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në të kaluarën është trajtuar

Historia e sahabëve të Bedrit

dhe kam folur në lidhje me disa të dhëna për jetën e tyre, të cilat nuk ishin rrëfyer më parë. Sot do të merrem pikërisht me këtë temë dhe kështu do të përfundojë cikli i jetës së sahabëve të Bedrit.

Hazret Âmir ibn Rebia el-Muhaxhiri r.a.

Babai i tij quhej Rebia ibn Ka’ab ibn Malik ibn Rebia. Hazret Amiri na ka përcjellë gjithashtu disa hadithe. P.sh Abdullah ibn Amir ibn Rebia ka përcjellë nga nëna e tij Hazret Umi Abdillah Lejla bint Ebu Hasima se ajo ka thënë: “Kur kishim marrë të gjitha masat për t’u nisur drejt Abisinisë dhe Amir ibn Rebia kishte dalë diku për ndonjë punë, na erdhi Omeri, dhe qëndroi mu përballë meje. Ai në atë kohë nuk kishte pranuar Islamin dhe ende besonte në idhujtari. Kishim hequr shumë vuajtje e mjerim prej tij. Ai më pyeti: O nëna e Abdullahut! A po niseni? Unë i thashë: Po, pasha Allahun! Po shpërngulemi në tokën e Zotit derisa të gjejmë liri e rehati. Ju na keni sjellë shumë fatkeqësi e mjerime’. Omeri iu përgjigj: Zoti qoftë me ju!’. Umi Abdillah vijon: Atë ditë, ndjeva një mallëngjim të tillë në zërin e Omeri, që deri tani nuk kisha parë kurrë. Pastaj Omeri u largua dhe ndoshta vendimi ynë për t’u larguar e kishte trishtuar. Megjithatë, Hazret Amir ibn Rebia gjithashtu u kthye nga puna e tij, dhe unë i thashë: O babai i Abdullahut! A e keni parë Omerin? Kam ndjerë mallëngjim e keqardhje tek ai’. Hazret Amiri i tha: “A po shpreson se ai do të pranojë Islamin?’ Unë i thashë se vërtetë, unë kam shpresë. Por ai më tha: ‘Ndoshta gomari i Hattabit mund të pranojë Islamin, ndërsa njeriu që sapo ke parë, kurrë nuk do të pranojë Islamin’. Hazret Lejla shton se Hazret Amiri ishte shprehur kështu sepse kundërshtimi dhe mizoria e Omerit i kishin ngjallur vetëm dëshpërim”.

Hazret Abdullahu ibn Amir ibn Rebia ka përcjellë nga babai i tij se: “I Dërguari i Allahut s.a.v.s. na nisi në sirjen (misionin ushtarak) Nahla, e cila njihet ndryshe me emrin “Sirja e Abdullah ibn Xhehshit”. Ky mision ishte nisur para luftës së Bedrit. Hazret Amr ibn Suraka ishte shtatlartë dhe me një trup të hajthëm. Gjatë rrugës, e mori uria dhe kishte dhimbje të madhe në bark. Ai kishte kaq shumë uri, saqë nuk ecte dot, dhe i vumë një copë gur në bark dhe e shtrënguam fort me mesin e tij. Kështu ai arriti të ecte me ne. Gjatë udhëtimit tonë, ne bëmë një ndalesë në një fis arab, i cili na priti mirë dhe na dha për të ngrënë. Ne vijuam të ecnim përpara, kur dikush nga ne tha: “Unë gjithmonë kam menduar se njeriun e mbajnë këmbët, por në të vërtetë barku i mban këmbët. Kur njeriu është i uritur dhe i dobët, ai nuk mund të hedhë asnjë hap”.

Hazret Ebu Hamama tregon se njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nisi Hazret Amir ibn Rebian dhe Hazre Sehl ibn Hunejfin për një shërbim të fshehtë në lidhje me marrjen e informacionit. Hazret Amir ibn Rebia kishte marrë pjesë edhe në luftën “Dhatus-Selasil” e cila ishte zhvilluar në vitin 8 hixhri. Hazret Amiri kishte mbetur i plagosur në këtë luftë, pasi e kishte goditur një shigjetë.

Hazret Abdullah ibn Amiri ka përcjellë nga babai i tij Hazret Amir ibn Rebia se njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kaloi pranë një varri të ri, dhe pyeti se kujt i përkiste ai. Sahabët i treguan se aty ishte varrosur një grua. Profeti pyeti se përse sahabët nuk e kishin njoftuar për vdekjen e saj. Ata i thanë se meqë mbrëmë Profeti s.a.v.s. kishte rënë në gjumë, prandaj ata nuk donin ta shqetësonin atë. I Dërguar i Allahut s.a.v.s. shprehu pakënaqësinë për sjelljen e sahabëve dhe tha të mos e përsërisnin më këtë praktikë në të ardhmen. Madje i porositi që ta njoftojnë gjithmonë për xhenazet e tyre. Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. renditi të pranishmit në reshte dhe udhëhoqi namazin e xhenazes për të.

Hazret Abdullah ibn Amiri ka përcjellë se njëherë babai i tij Hazret Amir ibn Rebia e njoftoi se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. na përcillte për ndonjë ekspeditë ushtarake, ne në përgjithësi merrnim vetëm çantën e hurmës si ushqim gjatë rrugës. Kryetari i ushtrisë i jepte secilit nga një grusht hurmë dhe dalëngadalë racioni pakësohej deri në një kokërr hurmë për një vakt. Por me kalimin e ditëve, u vendos që secili ushtar të merrte vetëm një kokërr hurmë në ditë. Hazret Abdullahu e pyeti Hazret Amirin: “O babë! Si ngopeshit ju me një kokërr hurmë? A vërtetë ju mjaftonte një kokërr hurmë për gjithë ditën?” Hazret Amiri iu përgjigj: djali im i dashur! Mos thuaj kështu. Do t’ia dinim vlerën, kur nuk do ta kishim as atë. Vetëm ai që ka përjetuar këtë gjendje mund të kuptojë vlerën e një kokërr hurme”.

Kur Hazret Omeri r.a. gjatë kohës së kalifatit të tij, shpalli urdhër për dëbimin e hebrenjve nga toka e Hajberit, Hazret Amir ibn Rebia ishte gjithashtu prej atyre që përfituan tokë. Kur Hazret Omeri r.a. udhëtoi drejt qytetin Xhabije, në periferinë e Damaskut, ishte Hazret Amir ibn Rebia i cili e shoqëronte. Sipas një rrëfimi, ai mbante flamurin e Hazret Omerit r.a.. Gjatë periudhës së Hazret Osmanit, kur ai shkoi në Mekë për të kryer Haxhin, e caktoi Hazret Amirin si zëvendës i tij në Medinë.

Në lidhje me vitin e vdekjes së Hazret Amir ibn Rebia, ekziston një mosmarrëveshje midis historianëve. Sipas disave, Hazret Amir ibn Rebia kishte ndërruar jetë në kohën e Hazret Osmanit r.a., ndërsa të tjerët mendojnë se ai duhet të ketë ndërruar jetë në vitet 32, 33, 36 ose në 37 pas hixhretit. Sipas dijetarit Ibn Asakiri mendimi që ai kishte vdekur në vitin 32, është më i besueshëm. Në lidhje me vdekjen e tij, është përmendur në një rrëfim se pas martirizimit të Hazret Osmanit r.a., Hazret Amir ibn Rebia rrinte vetëm në shtëpi dhe nuk dilte jashtë. Njerëzit nuk dinin asgjë për të, derisa mësuan se ai kishte ndërruar jetë dhe doli xhenazja nga shtëpia e tij.

Abdullah ibn Amiri ka përcjellë nga babai i tij Amir ibn Rebia se në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. një njeri lidhi martesën me një grua nga fisi Benu Fezara në këmbim të dy këpucëve si mehër. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e quajti të vlefshme këtë martesë. Kjo ngjarje tregon që edhe nëse caktohet mehri me një vlerë kaq të vogël, ai konsiderohet i vlefshëm.

Abdullah ibn Amiri gjithashtu ka përcjellë nga babai i tij Amir ibn Rebia se ky i fundit e kishte parë një herë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. gjatë natës duke falur nafile mbi shpinën e devesë. Profeti s.a.v.s. drejtohej në të njëjtin drejtim nga i cili lëvizte deveja. Ky rrëfim tregon se nëse njeriu falet gjatë udhëtimit, i lejohet të kthehet nga ajo anë drejt së cilës po lëviz kafsha.

Hazret Amir ibn Rebia transmeton se një herë në një natë të errët ai po shoqëronte të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në udhëtim. Ne ndaluam në një vend dhe njëri prej nesh mblodhi gurë dhe rrethoi vendin. Pastaj, ne falëm namazin dhe pushuam. Kur u zgjuam të nesërmen, kuptuam se ishim falur në drejtim të kundërt. Ne e pyetëm të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., se kishim falur namazin në drejtim të kundërt dhe atëherë zbriti ky ajet:

وَلِلَّهِ ٱلْمَشْرِقُ وَٱلْمَغْرِبُ ۚ فَأَيْنَمَا تُوَلُّوا۟ فَثَمَّ وَجْهُ ٱللَّهِ ۚ

Të Allahut janë edhe lindja, edhe perëndimi. Ndaj, ngado që të ktheheni, do të gjeni shfaqjen e Allahut. (Kurani Famëlartë 2:116). Kjo tregon se nëse kjo ndodh nga padijenia apo ngatërresa, namazi prapëseprapë quhet i vlefshëm. Kjo nuk do të thotë se ky ajet ishte zbritur atypëraty. Mundet që Profeti t’u ketë recituar këtë ajet për sqarim.

Hazret Amir ibn Rebia r.a. gjithashtu ka përcjellë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë se ai që më dërgon selavate njëherë, Allahu i dërgon paqe 10 herë. Tani është dëshira juaj të më dërgoni më shumë apo më pak selavate. Sipas një transmetimi tjetër, Hazret Amir ibn Rebia r.a. ka thënë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë “Nëse dikush më dërgon selavate, engjëjt gjithashtu luten për të për paqen, për aq kohë sa ai më dërgon selavate. Tani le të zgjedhë njeriu vet, a dëshiron të më dërgojë më shumë selavate apo më pak”.

Hazret Harâm ibn Milhani r.a.

Në lidhje me Hazret Haram ibn Milhani përmendet se ai nuk la pasardhës. Hazret Abdullah ibn Ebi Talhai transmeton se Hazret Enesi i tregoi se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte dërguar dajën e tij Hazret Haram ibn Milhanin, i cili ishte vëllai i Umi Sulejmit, së bashku me 70 kalorës drejt Benu Amirëve. Amir ibn Tufejli i cili ishte prijësi i idhujtarëve, e kishte ofruar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. për të zgjedhur njërën prej tri çështjeve. Ai i kishte thënë: “Ju do të sundoni banorët e qyteteve dhe qytezave, ndërsa unë do to pushtoj mbi fshatarët, ose pas vdekjes suaj, unë do të jem zëvendësi juaj. Për ndryshe, do t’ju sulmoj bashkë me dy mijë ushtarë të fisit Ghutfan”. Megjithatë, këtë Amir bin Tufejlin e zuri murtaja. Ai nuk i dha shumë vëmendje sëmundjes së tij, madje tha se ajo nuk ishte veçse sëmundja e gungave, që kishte zënë devenë e filan gruaje të fisit Ali Sulul. Ai kërkoi kalin dhe hipi në të, dhe pastaj vdiq mbi të. Kështu përfundoi kreu i idhujtarëve në fisin Benu Amir.

Në lidhje me këtë fis, është përmendur në rrëfim se vëllai i Hazret Umi Sulejmit, Hazret Haram ibn Milhani mori një njeri të çalë dhe një tjetër nga një fis dhe shkoi drejt Benu Amirëve. Hazret Harami u tha dy shokëve të tij për të pritur e tha: “Nëse ata më japin paqe, ju mund të vini pas meje, por nëse ata më vrasin, duhet të ktheheni e të lajmëroni shokët tuaj”. Pastaj Hazret Harami shkoi te Amiri dhe tha: “Unë jam lajmëtari i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe ju kam përcjellë mesazhin e tij. A më garantoni mbrojtje?” Ndërkohë ai po bisedonte me ta, njerëzit i bënë me shenjë një njeriu, i cili qëndronte mbrapa Hazret Haramit, dhe ky i fundit e goditi me shtizë, e cila e përshkoi tejendanë. Hazret Harami mori gjakun nga plaga dhe me të e leu fytyrën dhe tha: الله أكبر فزت و رب الكعبة ِ”Allahu është më i Madhi. Pasha Zotin e Qabesë! Ia dola”. Pastaj, ata ndoqën të tjerët dhe i vranë ata. Pastaj, ata sulmuan edhe hafizët e tjerë dhe i vranë që të gjithë, përveç atij njeriu të çalë, i cili ishte njgitur përpjetë në kodër. Ne iu lutëm Allahut që të njoftonte njerëzit tanë për fatin tonë se ishim kthyer te Zoti ynë. Ai është kënaqur prej nesh, dhe ne ishim kënaqur prej Tij. I Dërguari i Allahut ishte lutur çdo mëngjes për 30 net rresht kundër fiseve Ra’l رعل, Dhekvan دكوان, Benu Lehja dhe Isja, të cilët kishin shpallur luftë kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij s.a.v.s.. Ky rrëfim është marrë nga Buhariu.

Një transmetim i ngjashëm është përcjellë nga Hazret Enesi në Buhari, sipas të cilit Hazret Haram ibn Milhani ishte qëlluar me heshtë e jo me shtizë. Sipas një transmetimi tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte lutur për një muaj rresht çdo ditë në namazin e sabahut kundër dy fiseve të Beni Sulejmit, Ra’l dhe Dhekvan. Sipas Hazret Enesit, ky ishte fillimi i Kunutit, dhe nuk kishim ditur për të më parë.

Hazret Kalifi i Dytë r.a. ka përmendur ngjarjen e martirizimit të hafizëve dhe në lidhje me sakrificën e sahabëve ka thënë:

“Kur lexojmë historinë e Islamit, ne mësojmë se sahabët shkonin në luftë me kaq entuziazëm saqë duket sikur martirizimi në luftë ishte kulmi i lumturisë dhe rehatisë. Çdo dhimbje që gjenin në luftë, ishte një kënaqësi dhe gëzim për ta. Historia përmend dhjetëra kësisoj ngjarjesh, që tregojnë se të rënit dëshmorë në rrugën e Allahut ishte rehatia më e madhe për ta. P.sh. i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte dërguar hafizë te një fisi nga arabia e mesme për thirrje dhe Haram ibn Milhani i kishte përcjellë mesazin e Islamit Amir ibn Tufejlit, kreut të fisit Benu Amir. Në fillim Amir ibn Tufejli dhe shokët e tij e pritën Hazret Haramin në mënyrë tinëzare. Kur Hazret Harami u bind se ata nuk do t’i sillnin ndonjë dëm, ata e qëlluan me shtizë. Hazret Harami u rrëzua në tokë dhe lëshoi thirrjen Allahu është më i madhi. Pasha Zotin e Qabesë! Kam triumfuar. Pastaj, ata i rrethuan edhe sahabët e tjerë dhje i sulmuan nga të gjitha anët. Ne gjejmë në lidhje me Hazret Amir ibn Fehiren, skllavi i liruar nga Hazret Ebu Bekri r.a. i cili e kishte shoqëruar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në rrugën e hixhretit, se vrasësi i tij, i cili më vonë kishte pranuar Islamin, kur e martirzoi Hazret Amir ibn Fehiren r.a., ai lëshoi këtë thirrje “Pasha Allahun! U triumfova dhe ia dola. Të gjitha këto ngjarje vërtetojnë se vdekja u sillte sahabëve gëzim në vend të trishtimit.

Hazret Mirza Bashir Ahmed sahibi ka përshkruar këtë ngjarje pak më hollësisht. Ai shkruan:

Njëherë Ebu Bera Amiriu, i cili qe kreu i fisit Benu Amir nga Arabia e Mesme, takoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., i cili i përcolli me shumë dashamirësi e dhembshuri thirrjen e Islamit, ndërsa Ebu Berau gjithashtu tregoi interes dhe dëgjoi fjalët e Profetit s.a.v.s. me vëmendje, por nuk pranoi Islamin. Megjithatë, ai i kërkoi Profetit s.a.v.s. për të shoqëruar disa sahabë me të që të përhapnin mesazhin e Islamit ndër banorët e Nexhedit. Ai gjithashtu i tha se populli i Nexhedit nuk do të refuzojë mesazhin e Islamit. Por, Profeti s.a.v.s. i tha: “Unë nuk kam besim te populli i Nexhedit”. Ebu Berau i tha: “Mos u shqetësoni. Unë mbaj përgjegjësi për ta”. Meqë Ebu Berau ishte kryetari i një fisi dhe një njeri me ndikim, pas ndërhyrjes së tij, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e besoi atë dhe nisi një grup sehabësh në drejtim të Nexhedit.

Është një transmetim nga Buhariu i cili hedh dritë mbi këtë ngjarje nga aspekti historik. Njëherë disa njerëz nga fiset Ra’l dhe Dhekvan, të cilat ishin degët e fisit Benu Sulejm, erdhën në Medinë për ta takuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Ata shprehën bindjen e tyre në Islam dhe kërkuan ndihmë kundër armiqve të Islamit. (Për nuk përshkruhet se çfarë lloji ndihme kishin kërkuar ata, fetare apo ushtarake). Kështu ata kërkuan të shoqëroheshin me një grup muslimanësh. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. pranoi kërkesën e tyre dhe nisi këtë ekspeditë.

Për të gjetur përputhje midis dy transmetimeve, mund të themi që fiset Ra’l dhe Dhekvani kishin ardhur bashkë me Ebu Berain, dhe kjo i kishte ngjallur Profetit disa shqetësime. Allahu e di më së miri. Sido që të jetë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte nisur një grup sahabësh nën drejtimin e Hazret Mundhir ibn Amr el-Ensariut r.a. në muajin Safr të 4 hixhri. Shumica prej këtyre sahabëve vinin nga radhët e ensarëve dhe ata ishin 70 gjithsej. Pothuaj të gjithë ishin hafizë të Kuranit, të cilët gjatë ditës grumbullonin drutë nga pyjet dhe i shisnin pas dite. Ata siguronin të ardhurat e tyre nga shitja e drurit, dhe kalonin pjesën kryesore të natës në adhurim e lutje.

Kur ky grup sahabësh mbërriti në vendin, i cili për shkak të një pusi, quhej Be’ri Ma’una, njëri prej tyre Hazret Haram ibn Milhani, i cili ishte daja e Hazret Enes ibn Malikut, takoi kryetarin e fisit Amir Amir ibn Tufejlin, i cili ishte gjithashtu nipi i Ebu Bera Amiriut, dhe i përcolli mesazhih e të Dërguarit e Allahut s.a.v.s.. Kur Hazret Haram ibn Milhani r.a. takoi Amir ibn Tufejlin dhe shokët e tij, si lajmëtar i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe nisi t’u bënte thirrje drejt Islamit, ata në fillim e pritën me shumë dashamirësi. Kur Hazret Haramit iu hoq brenga dhe ai u qetësua, e nisi bisedën rreth Islamit, dikush nga fisi Benu Amir, e sulmoi tinëzisht këtë lajmëtar të pafajshëm nga mbrapa dhe ai u rrëzua për tokë. Në momentin e vdekjes Hazret Haram ibn Milhani lëshoi këto fjalë: الله أكبر فزت و رب الكعبة d.m.th. Allahu është më i madhi. Pasha Allahun! Kam triumfuar.

Më vonë, Amir ibn Tufejli nuk u ndal vetëm me vrasjen e lajmëtarit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., por ai i nxiti bashkëkombësit për të sulmuar pjesën tjetër të muslimanëve. Në fillim nuk iu bindën dhe shpjeguan se derisa Ebu Berau kishte marrë përsipër mbrojtjen e tyre, ata nuk mund të dëmtonin muslimanët e tjerë. Atëherë, Amiri u bëri thirrje njerëzve të fiseve Benu Ra’l, Dhekvan dhe ‘isja, të cilët e kishin shoqëruar atë te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. si pjesëtarë të delegacionit. Ata iu përgjigjën thirrjes së tij, dhe menjëherë u hodhën në sulm kundër grupit të vogël e të pafuqishëm të muslimanëve. Në fillim, kur i panë bandat e tyre gjakatare duke iu afruar, muslimanët i thanë se nuk kishin asnjë mosmarrëveshje me ta, dhe se kishin ardhur vetëm për të përmbushur detyrën që u kishte dhënë Profeti s.a.v.s., dhe që nuk kishin ndërmend të grindeshin me ta. Por, fjalët e muslimanëve nuk u hyrën në vesh dhe hordhitë jomuslimane masakraun njërin pas tjetrin të gjithë muslimanët. Nga sahabët e pranishëm, vetëm njëri arriti të shpëtonte, i cili ishte i çalë dhe që ishte ngjitur përpjetë në kodër. Ky sahab quhej Ka’ab ibn Zejd. Sipas disa rrëfimeve, mosbesimtarët e kishin sulmuar edhe atë, dhe ai kishte mbetur i gjakosur në fushë. Ata e kishin marrë si të vdekur, por ai akoma qe i gjallë, dhe kështu shpëtoi nga vdekja.

Përveç tij, dy muslimanë të tjerë Amr ibn Umeja Zemeriu dhe Mundhir ibn Muhammedi gjithashtu i kishin shpëtuar masakrës, pasi ata i shoqëronin devetë e tyre që i kishin nxjerrë për kullotje, dhe ishin larg nga grupi tjetër i muslimanëve. Kur hodhën një shikim drejt kampit të tyre, ata vunë re se tufat e shpendëve grabitqarë po fluturonin mbi atë vend. Ata e dinin këto fenomene dhe kuptuan menjëherë se aty është bërë një gjakderdhje. Kur u kthyen në kampin e tyre, ata e gjetën si një kasaphanë e tmerrshme nga hordhitë e jomuslimanëve. Ata ishin ende larg, prandaj u këshilluan me njëri-tjetrin se çfarë duhet të bënin tani. Njëri prej tyre sugjeroi për t’u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, por tjetri e kundërshtoi dhe tha nuk mund të ikte nga vendi, ku kryetari i tij Mundhir ibn Amri kishte rënë dëshmor. Ai gjithashtu shkoi përpara dhe e përqafoi vdekjen. Jobesimtarët e ndaluan edhe personin tjetër Amr ibn Umeje Zemeriun, dhe ata gati e kishin vrarë kur mësuan se i përkiste fisit Mudir. Amir ibn Tufejli e liroi sipas traditës arabe, duke i prerë pak flokë nga balli. Arsyen pse e kishte lënë të lirë ishte që nëna e tij ishte betuar se do të ilronte ndonjë skllav nga fisi Mudir dhe kështu Amiri ia fali jetën. Kështu nga 70 sahabë që ishin, vetëm 2 kishin shpëtuar. Njëri ishte ky Amr ibn Umeje Zemeriu, ndërsa tjetër Ka’b ibn Zejdi, të cilin mosbesimtarët e kishin pandehur të vdekur.

Hazret Âmir ibn Fuhejra r.a.

Ndër martirët e B’iri Ma’unes ishte gjithashtu muslimani besnik Hazret Amir ibn Fuhejra, i cili njihej si skllavi i liruar nga Hazret Ebu Bekri r.a.. Atë e kishte martirizuar Xhebar ibn Selmai, i cili e kishte përqafuar Islamin më vonë dhe e konsideronte ngjarjen e martirizimit të Hazret Amirit si shkak që e nxiti drejt pranimit të Islamit. Ai rrëfen se kur e martirizoi Hazret Amir ibn Fuhejren, ai lëshoi thirrjen فزت والله Pasha Allahun! Ia dola. Xhebari tregon: “Unë u çudita se e kam vrarë, ndërsa ai po thotë se ia kishte dalë qëllimit. Çfarë ishte ky?” Më vonë kur i pyeta shokët e mi, ata më treguan se për muslimanët vdekja në rrugën e Zotit ishte arritja më e madhe. Kjo përgjigje më la mbresa të thella, derisa u bëra musliman.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe sahabët e tij kishin mësuar rreth tragjedisë së B’iri Maunës, në të njëjtën kohë. Kjo ngjarje i kishte ngjallur Profetit trishtim të thellë. Vrasja mizore e pabesë e gati 80 sahabëve, shumica prej të cilëve ishin hafizë të Kuranit dhe i përkisnin shtresës së thjeshtë të shoqërisë, edhe nëse krahasohej me traditat dhe ritet barbare dhe çnjerëzore arabe, nuk ishte një ngjarje e rëndomtë. Për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., ky lajm ishte kaq i rëndë, sikur i ishin vrarë 80 djem, madje më i hidhur se kaq. Për një figurë shpirtërore, lidhjet shpirtërore janë më të dashura e më të rëndësishme, se sa lidhjet e gjakut për një njeri jofetar. Ndonëse, kjo ngjarje e rëndë e kishte brengosur thellë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., megjithatë, ai në përputhje me mësimet islame në rrethana të tilla, reagoi me shprehjen  إِنَّا لِلَّهِ وَإِنَّآ إِلَيْهِ رَٰجِعُونَ ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi. Ai heshti dhe nuk tha asgjë përveç se kjo ishte pasoja e Ebu Beraut, për ndryshe, nuk kisha pëlqyer t’i dërgoja njerëzit drejt popullit të Nexhedit.

Hazret Sa’d ibn Haula r.a.

Hazret Sa’d ibn Haula kishte prejardhje nga fisi Benu Malik bin Hasel ibn Amir ibn Loi. Sipas disa rrëfimeve Hazret Sa’di kishte lidhur aleancë me Benu Amirët. Hazret Sa’di kishte prejardhje iraniane, dhe paradhësit e tij ishin shpërngulur në Jemen. Amir ibn Sa’di ka përcjellë nga babai i tij Sa’d ibn Vekasi se ky i fundit i kishte thënë: “Në haxhin e Lamtumirës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. erdhi për më vizituar, teksa ishte i sëmurë dhe kisha humbur shpresën për të jetuar. Unë i thashë: ‘O i Dërguar i Allahut! Ju po shikoni gjendjen time, se sëmundja më është katandisur. Unë jam i pasur dhe përveç një vajze, nuk kam lënë asnjë pasardhës. A mund të jap si sadaka ⅔ e pasurisë sime? Profeti s.a.v.s. nuk më lejoi. Unë i thashë: ‘A më lejoni të dhuroj vetëm gjysmën e pasurisë si sadaka?’ Profeti s.a.v.s. përsëri nuk pëlqeu kërkesën time dhe tha: ‘Jo. Nëse dëshiron, mund të japësh ⅓ si sadaka, por edhe ajo është e tepruar’. Pastaj tha: ‘Është më mirë të lësh trashëgimtarët në gjendje të mirë, se sa në gjendej të mjeruar e ata të shtrijnë duar para të tjerëve duke lypur ndihmë. Do të shpërblehesh, për çdo gjë që shpenzon në rrugën e Allahut, duke shpresuar pëlqimin e Tij, madje edhe për atë kafshatë buke që çon në gojën e gruas sate”. Ai e pyeti: ‘O i Dërguar i Allahut! A do të ndahem nga shokët e mi dhe do të vdes këtu?’ Profeti iu përgjigj: ‘Jo nuk do të mbetesh mbrapa. Për çdo vepër që bën për hir të pëlqimit të Allahut, do të të rriten gradat dhe do të shtohen shkallët shpirtërore. Madje, nuk ka të ngjarë të mbetesh mbrapa. Do të gëzosh jetë të gjatë, derisa popuj të mëvonshëm do të përfitojnë prej teje, ndërsa disa do të pësojnë dëme’. Pastaj Profeti s.a.v.s. bëri këtë lutje: ‘O Allah! Përfundo hixhretin e sahabëve të mi dhe mos bëjë që ata të kthehen mbrapsht’.

Megjithatë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shprehu keqardhje për Hazret Sa’d ibn Haulen r.a., sepse ai kishte ndërruar jetë në Mekë. Profeti s.a.v.s. shprehte keqardhje për Hazret Sa’din, sepse ai kishte vdekur në Mekë, ndërkohë Profetit s.a.v.s. nuk i pëlqente që dikush të kthehet në Mekë pas hixhretit, apo të qëndrojë më shumë se ditët e haxhit apo Umrasë.

Hazret Ismail ibn Muhammed ibn Sa’d ka përcjellë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte porositur Saib ibn Umejrin që nëse Hazret Sa’d ibn Haula do të ndërronte jetë në Mekë, ai të mos varrosej atje. Kur Hazret Sa’d ibn Haula ndërroi jetë në kohën e Haxhit të Lamtumirës, bashkëshortja e tij ishte shtatzënë. Vetëm pak ditë pas vdekjes, ajo lindi fëmijë. Sipas rrëfimeve, ajo kishte lindur fëmijë vetëm 25 net pas vdekjes së Hazret Sa’dit r.a., ose edhe më pak. Kur ajo kaloi ditët e lehonisë, nisi të zbukurohej për ata që i lypnin dorë. Këtë e kishte parë edhe Ebu Senabil ibn Bukakini i fisit Abdidar. Ai e kundërshtoi sjelljen e të vesë së Hazret Sa’dit që të stolisej e të zbukurohej. Ai e pyeti: “Përse po stolisesh? A mos ke ndërmend të martohesh prapë? Pasha Allahun! Nuk mund të martohesh, derisa të kesh kaluar 4 muaj e 10 ditë, si periudha e pritjes pas vdekjes së bashkëshortit”. E veja e Sa’dit Sebia thotë: “Kur dëgjova fjalët e tij, unë shkova menjëherë te i Dërguari i Allahut dhe e pyeta rreth kësaj çështjeje”. Ai më shpjegoi se pasi që kisha lindur fëmijë, kisha fituar të drejtën për t’u martuar përsëri”. Ky hadith hedh dritë gjithashtu mbi çështje të tilla.

Hazret Ebul-Haithem ibn et-Tahjan r.a.

Hazret Ebul Haithem ibn et-Tahjani r.a. kishte një vëlla, emri i të cilit përmendet në histori si Ubejd ibn Ubejd ose Atik ibn et-Tahjan, i cili kishte marrë pjesë edhe në luftën e Uhudit. Hazret Ebul-Haithemi i kishte bërë një kërkesë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. duke e pyetur se në cilat kushte, duhet të lidhnin besëlidhje (betim) me të. Profeti s.a.v.s. i tha: “Lidhni bejatin me mua, në të njëjtat kushte, të cilëve u ishin bindur bijtë e Izraelit.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte caktuar Hazret Ebul-Haithemin dhe Hazret Usejd ibn Hudejrin si mbikëqyrës për fisin Beni Abdul Ash’al. Hazret Ebul-Haithemi gjithmonë mbante dy shpata me vete, prandaj e quanin ذو السيفين mbartësi i dy shpatave. Hazret Mirza Bashir Ahmed sahibi ka shkruar se në luftën e Sifinit, ai kishte luftuar si përkrahës i Hazret Aliut r.a. dhe kishte rënë martir.

Hazret Asim ibn Thabiti r.a.

Hazret Asim ibn Thabiti r.a. kishte një djalë nga martesa me Hind bint Malik. Hazret Imam Raziu në shpjegimin e një ajeti kuranor, ka përmendur për 14 burra, të cilët kishin qëndruar rreth të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në luftën e Uhudit dhe nuk e kishin lënë atë vetëm në asnjë rrethanë. Ndër këta burra, emrat e muhaxhirëve janë në vijim:

  1. Hazret Ebu Bekri
  2. Hazret Aliu
  3. Hazret Abdurrahman ibn Aufi
  4. Hazret Sa’d ibn Ebi Vekasi
  5. Hazret Talha ibn Ubejdullahu
  6. Hazret Ebu Ubejda ibn el-Xherrahu
  7. Hazret Zubejr ibn Avami

Shiitët pretendojnë se vetëm Hazret Aliu r.a. kishte mbetur me Profetin s.a.v.s, por kjo nuk përputhet me faktet historike. Ndër sahabët ensarë, përmenden këta emra:

  1. Hazret Hababi ibn Mundhiri
  2. Hazret Ebu Duxhana
  3. Hazret Asim ibn Thabiti
  4. Hazret Harith ibn Sema
  5. Hazret Sehl ibn Hunejfi
  6. Hazret Usejd ibn Hadiri
  7. Hazret Sa’d ibn Mu’adhi

Është përmendur në disa burime, se 8 nga këta sahabët ishin betuar se nuk do të linin Profetin s.a.v.s., derisa të jepnin jetë. 3 nga këta ishin muhaxhirë dhe 5 ishin ensarë dhe çuditërisht asnjëri prej këtyre 8 sahabëve nuk kishte pësuar asgjë. Ky ishte shembulli i jashtëzakonshëm i mbrojtjes së Allahut.

Hazret Sehl ibn Hunejfi el-Ensariu r.a.

Hazret ibn Abasi ka përcjellë se në luftën e Bedrit, në anën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., kishin 100 deve dhe 2 kuaj. Hazret Mikdad ibn Esvedi, Hazret Mus’ab ibn Umejri dhe Hazret Sehl ibn Hunejfi ishin hipur në këta kuaj. Sahabët e tjerë hipnin në deve njëri pas tjetrit sipas radhës në rrugën drejt Bedrit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s., Hazret Aliu, Hazret Mursid ibn Ebi Mursidi (Aleati i Hazret Hamzait) hipnin në një deve me radhë. Emri i Hazret Sehl ibn Hunejfit është përmendur edhe ndër ata burra, të cilët kishin shoqëruar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në luftën e Uhudit deri në fund.

Jusejr ibn Amri ka përcjellë se njëherë ai takoi Hazret Sehl ibn Hunejfin dhe pyeti: “A mund të më tregoni ndonjë hadith në lidhje me sektin Hururije d.m.th. për havarixhët, të cilin e keni dëgjuar direkt nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s”. Ai i tha: “Mund të të tregoj vetëm aq sa kam dëgjuar, dhe më tepër nuk mund të bëjë. Unë kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke folur për një popull, i cili do të shfaqet në këtë drejtim”. (Ai bëri me dorë nga Iraku) “Ata do të lexojnë Kuranin, por nuk ta kapërcejnë atë (d.m.th. nuk do të kuptojnë apo zbatojnë atë). Ata do të dalin nga feja, njësoj sikur shigjeta del nga preja”. Transmetuesi thotë: unë e pyeta atë: A ka treguar i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndonjë veçori tjetër për t’i dalluar ata? Ai më tha: “Unë vetëm këtë e kam dëgjuar nga Profeti s.a.v.s. dhe më shumë nuk mund të tregoj. Tani mendoni vetë”.

Hazret Umejr ibn Sa’idi ka përcjellë se Hazret Aliu kishte drejtuar namazin e xhenazes së Hazret Sehl ibn Hunejfit dhe kishte thirrur 5 tekbira. Disa thanë: Çfarë lloj namazi është ky? Hazret Aliu u tha: Ky është Sehl ibn Hunejfi , njëri prej sahabëve të Bedrit, dhe sahabët e Bedrit kanë epërsi ndaj atyre që nuk kanë qenë në Bedër. Përmes një tekbir shtesë, kam dashur t’ju tregoj epërsinë e tyre”.

Hazret Xhebbar ibn Sahri r.a.

Në lidhje me Hazret Xhebbarin, është shkruar se në Sirjen e Hazret Aliut drejt Benu Tejit, e cila ndodhi në vitin 9 hixhri, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte dërguar Hazret Aliun bashkë me 150 muslimanë drejt fisit Benu Tej për të rrëzuar idhullin Fuls të tyre. Rajoni i Benu Tejit ndodhej në veri-perëndim të Medinës. Për këtë qëllim, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte besuar Hazret Aliut një flamur të madh me ngjyrë të zezë dhe një flamur të vogël në ngjyrë të bardhë. Hazret Aliu nisi sulmin mbi popullin e Hatimit në mëngjes dhe gremisi idhullin e tyre Fuls. Hazret Aliu u kthye në Medinë duke marrë me vete plaçkat e mëdha dhe disa rob lufte. Në këtë sirje, Hazret Xhebar ibn Sahri mbante flamurin e muslimanëve.

Kur Hazret Aliu u kërkoi mendimin ushtarëve të tij për strategjinë e luftës, Hazret Xhebbar ibn Sahri u tha: “Le të lëvizim tërë natën me kuajt tanë dhe t’i vërsulemi armikut qysh në agim. Hazret Aliu e pëlqeu këtë mendim.

Hazret Xhabir ibn Abdullahu ka përcjellë: “Njëherë gjatë namazit, unë qëndroja ngjitur me Profetin s.a.v.s. në të majtë dhe ai më shtrëngoi me dorë dhe më kaloi në krah të djathtë. Pak më vonë, na u bashkua Hazret Xhebbar ibn Sahri r.a., dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. na bëri të qëndronim pas tij.

Hazret Umejr ibn Ebi Vekasi r.a.

Në lidhje me Hazret Umejr ibn Ebi Vekasit, nuk ishte cituar këto rrëfime për vdekjen e tji. Sipas një transmetimi, Amr ibn Abd Vudi kishte martirizuar Hazret Umejr ibn Ebi Vekasin, ndërsa në rrëfimin tjetër atë e kishte martirizuar Ahsan ibn Sa’idi.

Hazret Ukba ibn Amiri r.a.

Sipas një trasnsmetimi në muajin Safer 9 hixhri, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., dërgoi një ekspeditë me 20 ushtarë nën drejtimin e Hazret Kutbes drejt një dege të fisit Hasm, i cili ndodhej në afërsi të Tebales. Profeti s.a.v.s. i kishte porositur për t’i sulmuar në befasi. Këta 20 muslimanë kishin vetëm 10 deve, prandaj ata u hipnin radhazi. Rrugës, ata ndeshën me një kalimtar, dhe për t’i marrë informacion, i bënë disa pyetje. Ky njeri u shtir sikur të ishte memec, por sa gjeti mundësinë, nisi të njoftonte banorët me zë të lartë për sulmin e muslimanëve. Ushtarët muslimanë menjëherë e vranë atë në vend. Hazret Kutba dhe shokët e tij pritën pak dhe kur anëtarët e fisit ranë për të fjetur, muslimanët e sulmuan armikun me guxim. Lufta ishte e ashpër dhe të dyja palët pësuan lëndime. Hazret Kutba vrau disa armiq dhe mori bagëtinë dhe gratë e tyre dhe i solli në Medinë. Pas heqjes së ⅕ nga pasuria e plotë, secili njeri mori 4 deve. Atëherë 1 deve barazohej me vlerën e 10 dhive. Imam Bagavi ka thënë se Hazret Ukba ibn Amiri nuk na ka përcjellë asnjë hadith.

Këtu përfundoi dhe tema e sahabëve që kisha zgjedhur për hutben.

Thirrje për lutje

Unë gjithashtu dua t’ju bëj thirrje për dua për ahmedianët e Pakistanit. Lutuni që Allahu t’u lehtësojë rrethanat dhe t’i udhëzojë organet e drejtësisë, ligjvënësit si dhe ata që po bëjnë mizori në emër të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij. Nëse ata nuk e meritojnë udhëzimin, atëherë shfaqi masat ndëshkuese. Së dyti, bëni lutje për Burkina Fason. Aty gjithashtu po përballemi me kundërshtime, dhe sjellja e terroristëve dhe ekstermistëve është pothuaj e njëjtë. Pastaj, lutuni edhe për popullin e Algjerisë. Disa zyrtarë dhe gjykata vazhdojnë të kenë trajtim të ashpër ndaj ahmedianëve. Allahu i ruajttë që gjithë! Në këtë situatë, kushtohuni në mënyrë të veçantë lutjes dhe sadakasë. Allahu ruajttë çdo njeri nga dëmi e kundërshtarëve.

Namazi i xhenazes

Në fund Huzuri (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) përmendi shkurtimisht rreth jetës së disa anëtarëve të cilët kishin ndërruar jetë kohën e fundit:

  1. Muhammed Rashid, 73 vjeç (u martirizua në Guxhrat, Pakistan më 19 shkurt)
  2. Amani Basam Axhlavai, 23 vjeç (ndërroi jetë në tërmet në Turqi më 6 shkurt)
  3. Salah Abdul Moin Kutejsh, djalë 3 vjeç (ndërroi jetë bashkë me nënën e tij)
  4. Maksud Ahmed Munibi, 53 vjeç, misionar në Kueta, Pakistan, më 15 shkurt
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp