9 muslimanë ahmedianë të Burkina Faso ranë dëshmorë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

9 muslimanë ahmedianë të Burkina Faso ranë dëshmorë

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Disa pjesë nga hutbja. Për të hutben e plotë, ju  lutem ndiqeni videon)

Dhe mos i quani të vdekur ata që vriten në rrugën e Allahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë, por ju nuk e ndieni (këtë). Ne patjetër që do t’ju sprovojmë duke ju përballur me pak frikë, me pak uri, me pak humbje të pasurisë, të njerëzve e të vjelave. Jepu lajm të gëzueshëm durimtarëve. Të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi, thonë: “Sigurisht, jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi”.[1]

Kjo është fjala e Allahut për ata që japin jetën në rrugën e Tij. Ai thotë se ata nuk janë të vdekur, por janë të gjallë. Xhemati Musliman Ahmedia prej më shumë 100 vitesh vijon ta japë sakrficën e jetës! Vallë, a nuk i sollën sukses Xhematit këto sakrifica?! Patjetër që po. Madje, në çdo vend Allahu i Madhërishëm jo vetëm që u dha nder këtyre dëshmorëve, sipas premtimit të Tij, edhe Xhematin e mundësoi të zhvillohej dhe të lulëzonte.

Këta dëshmorë gëzuan një status ekskluziv në botën tjetër. Zoti vazhdimisht do t’i lartësojë në grada. Por nga ana tjetër, edhe në këtë botë, emrat e tyre do të jenë të ndritur dhe sakrifica e tyre duke dhënë edhe jetën, po u sjell jetë jo vetëm atyre, por edhe Xhematit. Janë pikërisht këta dëshmorë që bëhen shkak i jetës së atyre që mbesin, duke u dhënë zhvillim. Ja pra, nuk mund të quhen të vdekur këta dëshmorë!

Rënia dëshmor që në Xhematin tonë filloi me Hazret Sahibzada Abdul Letifin, ishte pjesë e ahmedianëve vetëm të Afganistanit dhe e subkontinetit indian. Edhe në kontinentin afrikan, një ahmedian i sinqertë i Kongos në vitin 2005 kishte dhënë jetën për hir të Xhematit.

Por, ditët e fundit po në Afrikë, në Burkina Faso shembullin e besimit, të qëndresës dhe të sinqeritet që rrëfyen ahmedianët, është i habitshëm. Kanë ngritur standard të tyren dhe që është shumë i lartë. Armiku atyre ua dha mundësinë ta refuzonin Mesihun e Premtuar, të pranonin se Hazret Isai a.s. është ende i gjallë dhe ai do të zbresë prej qiellit, që të mos vriteshin, por ata ishin porsi male në besim dhe në qëndresë. – Jetën do ta humbim një ditë, o sot o nesër, – iu përgjigjën armikut, – por nuk e humbim dot besimin për hir të jetës tokësore. Ata i thanë armikut – Të vërtetën që kemi parë ne dhe që kemi përqafuar, nuk mund ta mohojmë dot. Pas kësaj, këta ahemdianë, njëri pas tjetrit me radhë vijuan të binin dëshmorë. Ndërkohë, gratë dhe fëmijët e tyre po e shikonin këtë pamje. As ata nuk u lëkundën.

Këta janë ata që në Afrikë, madje në të gjithë botën ahmediane, lanë pas një histori me një standard të ri, pas ngjarjes së famshme të rënies dëshmor të Hazret Sahibzada Abdul Letifit në kohën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Duke dhënë jetën në rrugë të Zotit, këta fituan përjetësinë. Këta janë ata që kur bënin betimin që do të sakrifikonin pasurinë, kohën dhe jetën, e përmbushën fjalë për fjalë betimin e tyre. Këta janë ata që erdhën shumë vonë në Xhemat, por i parakaluan të hershmit. Allahu i Madhërishëm secilin prej tyre e bëftë të trashëgojë bekimet dhe lajmet e mira që Ai ua ka ruajtur dëshmorëve.

Ngjarja e martirizimit

Në vijim, shkurtimisht do të përmend biografitë e këtyre dëshmorëve, që të kuptoni se çfarë besimi të paluhatshëm kishin. Vendndodhja është një fshat që quhet Mehdiabad, në afërsi të qytetit Dori. Këtu më 11 janar, në kohën e namazit të jacisë, në oborrin e xhamisë, ranë dëshmorë njëri pas tjetrit, 9 ahmedianë, për shkak se nuk u distancuan nga Islam Ahmedia. Inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun. (Ne jemi të Allahut, dhe te Allahu do të kthehemi).

Sipas të dhënave, 8 persona të armatosur me 4 motorë erdhën në xhaminë tonë atje. Fillimisht këta njerëz të armatosur vizituan xhaminë tjetër që i përket sektit vehabi dhe që ndodhet aty afër, ku qëndruan nga akshami deri në kohën e jacisë, por aty nuk dëmtuan kënd, sepse targeti i tyre ishin ahmedianët.

Terroristët kur u futën në xhami, po thirrej ezani i jacisë. Disa besimtarë ishin mbledhur për falje, kurse të tjerët ishin duke ardhur. Pasi mbaroi ezani, terroristët e detyruan myezinin të njoftonte në mikrofon që besimtarët të grumbullohen sa më parë në xhami.

– Kush është imami i xhamisë? I pyetën pasi u mblodhën të gjithë.

Haxhi Boureima Bidiga sahibi iu përgjigj se ai është imami i xhamisë. – Po zëvendësimami kush është? E pyetën ata. – Unë jam zëvendësimami, u tha pavonesë AG Adramane Agouma sahibi. Kur erdhi koha e faljes, imami u tha – Na lejo të falim namazin! Por terroristët nuk i lejuan. Ata i bënë shumë pyetje imamit në lidhje me bindjet e Xhematit Musliman Ahmedia, për të cilat imami me shumë guxim u dha përgjigje të kënaqshme. Imami u tha se jemi muslimanë dhe besojmë në Profetin Muhammed s.a.v.s..

Ata e pyetën – Cilit sekt i përkisni ju? – Ne i përkasim Xhematit Musliman Ahmedia, iu përgjigj imami. Më pas e pyetën – Çfarë besoni për Hazret Isain? Është i gjallë apo ka vdekur? – Ne besojmë se ai ka vdekur, iu përgjigj imami. – Jo, thanë ata, – Isai është i gjallë, ndodhet në qiell, do të kthehet dhe do të vrasë Dexhallin dhe do t’ua zgjidhë hallet muslimanëve. Ja me këtë shpresë kanë ngelur këta. Më pas e pyetën – Kush është Imam Mehdiu? Imami i xhamisë iu përgjigj – Hazret Mirza Ghulam Ahmed i Kadianit është Imam Mehdi dhe Mesih i Premtuar. Me të dëgjuar këtë, terroristët thanë – Ju ahmedianët jo vetëm që nuk jeni muslimanë, por qenkeni qafirë të mirëfilltë.

Pas kësaj, terroristët e morën imamin në godinën ngjitur me xhaminë, në qendrën rrobaqepëse të ngritur nga Xhemati. Aty në mur ishin fotografi të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe të Kalifëve të tij. Imami ua tregoi emrat e tyre një nga një. Terroristët i bënë pyetje të ndryshme në lidhje me fotot. Imam sahibi u tha se i njëjti person ka ardhur me misionin e Imam Mehdiut dhe të Mesihut të Premtuar. Atëherë terroristët thanë – Mirza Ghulam Ahmedi është gënjeshtar në deklaratën e tij, ma’adhallah!

Pas kësaj, terroristët sërish erdhën në xhami dhe i ndanë të gjithë njerëzit në grupe sipas gjinisë dhe moshës, pra, fëmijët, gratë, të rinjtë dhe të moshuarit. Ishin 60 – 70 veta gjithsej. Gratë që ishin 10 – 12 ishin në pjesën tjetër të xhamisë, të ndarë me një perde në mes. Pasi i ndanë në grupe, terroristët u thanë të moshuarve të rreshtohen në oborrin e xhamisë. Këta ishin 10 veta gjithsej, të cilët në Xhemat quhen ensarë (grupi i të moshuarve meshkuj nga 40 vjeç e sipër). Njëri prej tyre ishte me aftësi ndryshe. Kur edhe ai po çohej për t’u rreshtuar me shokët e tij, terroristët i thanë – Ti rri aty sepse nuk qenke për asnjë punë! Kështu, nëntë veta i morën dhe i sollën në oborrin e xhamisë.

Së pari iu drejtuan imamit të xhamisë, haxhi Boureima Bidiga – Nëse e do jetën, distancohu nga Xhemati Ahmedia!

– Edhe kokën të ma prisni, unë nuk e mohoj Xhematin Musliman Ahmedia, sepse kjo është e vërteta që ka ardhur dhe unë nuk e lëshoj dot.

Imami gjithashtu u tha – Nuk e marr jetën në këmbim të besimit.

Terroristët e shtrinë imamin dhe vunë një thikë të madhe mbi qafën e tij dhe ishin gati ta thernin. Imami i pengoi dhe tha – Më shumë do të preferoja të vdisja në këmbë sesa i shtrirë. Atëherë terroristët e qëlluan me disa plumba, duka ia marrë jetën. Kështu që, i pari që ra dëshmor ishte pikërisht imami, haxhi Boureima Bidiga sahibi.

Pasi e vranë barbarisht imamin, terroristët ndoshta menduan se të tjerët duhet të ishin të frikësuar. E pyetën tjetrin që ishte në radhë – A do që të vdesësh kështu si imami yt, apo do të heqësh dorë nga Xhemati? – Nuk mund ta mohoj Xhematin Ahmedia, përkundrazi, edhe unë do ta ndjek rrugën që ka ndjekur imami im. Atëherë edhe atë e qëlluan me disa plumba në kokë, duke ia marrë jetën.

Pas këtyre të dyve, edhe të tjerëve me radhë ua bënë të njëjtën pyetje dhe u kërkuan – ta mohonin Imam Mehdiun, të hiqnin dorë nga Xhemati Musliman Ahmedia, që të shpëtonin jetën. Por secili prej tyre porsi mal tregoi qëndresë të fuqishme dhe me trimëri të madhe pranuan të binte dëshmor, pa u lëkundur në besim. Secili prej tyre rrëfeu trimërinë e tij më shumë se tjetri, duke e mbajtur lart flamurin e besimit, u paraqitën përpara Allahut. Terroristët secilin prej tyre e qëlluan me të paktën tre plumba. Ndër këta 9 dëshmorë, 2 prej tyre ishin vëllezër binjakë.

po vdes si nje deshmor

Kur 8 prej tyre kishin rënë dëshmorë, i fundit ishte AG Adramane Agouma sahibi, i cili ishte 44-vjeç. Më i riu prej të gjithë dëshmorëve. – Ti je i ri –, i thanë terroristët – distancohu nga Xhemati Musliman Ahmedia dhe shpëtoje veten. Por edhe ai me burrëri të madhe iu përgjigj: Rruga që kanë ndjekur këta që ishin më të moshuar se unë, është rruga e së vërtetës, kështu që, edhe unë jam gati ta ndjek rrugën e imamit dhe të shokëve të mi, qoftë duke dhënë edhe jetën. E vranë edhe atë me barbari të pamëshirshme.

Duke përmendur ngjarjen e rënies dëshmor të Hazret Sahibzada Abdul Latif sahibit, në librin e tij “Tadhkiretush-Shehadetejn”, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tregoi një ëndërr të tij dhe tha:

“Zoti i Madhërishëm do të na dhurojë shumë të tjerë që do jenë mëkëmbës të këtij dëshmori.”

Kështu Hazret Mesihu i Premtuar a.s. interpretoi ëndrrën e tij që përmendi në atë libër. Dhe ne jemi dëshmitarë të faktit që sot ahmedianët e Afrikës në mënyrë kolektive treguan shembullin e tij, duke e përmbushur denjësisht ëndrrën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s..

E gjithë kohëzgjatja që nga ardhja e terroristëve në xhami deri në daljen e tyre, duke përfshirë debatet mes tyre dhe imamit, ishte rreth 2 orë. Çfarë vuajtje mund të kenë hequr gjatë kësaj kohe edhe fëmijët, gratë dhe besimtarët e tjerë në xhami, mjafton ta dini faktin se dëshmorët janë vrarë mu para syve të tyre. Pasi e mbaruan këtë masakër, terroristët nuk u larguan menjëherë, por u futën përsëri brenda xhamisë dhe qëndruan gjatë atje duke i kërcënuar gjithë të tjerët se kështu do të vriten edhe ata nëse nuk do të distancohen nga Xhemati sa më parë dhe thanë – do të vijmë sërish dhe kushdo prej jush që do të mbetet me këtë besim dhe do të tentojë ta hapë xhaminë, do ta vrasim.

Do t’ju tregoj disa të dhëna edhe për këtë fshat se kur u themelua Xhemati këtu, pra në Mehdiabad. Sipas të dhënave, në fund të vitit 1998 u ngrit misioni i Xhematit. Xhemati përparoi me shpejtësi këtu. Në 1999, shumica e një fshati të quajtur Touka Vel e pranoi Xhematin. Kështu, u ngrit një xhemat i devotshëm në këtë zonë. Imami i xhamisë haxhi Boureima Bidiga sahibi, përpara se të pranonte Xhematin, ishte një imam mjaft i njohur i sektit vehabi, pra ehli hadith).

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Mos mendoni se Zoti do t’ju lërë të prisheni. Ju jeni një farë që është mbjellë nga dora e Zotit në tokë. Zoti thotë se kjo farë do të shtohet, do të lulëzojë dhe nga çdo anë do të dalin degët e saj dhe do të bëhet një pemë e madhe. I bekuar është ai që beson fjalën e Zotit dhe nuk frikësohet nga sprovat që has në mes. Sepse edhe sprovat janë të domosdoshme, në mënyrë që Zoti t’ju sprovojë”.


[1] Kurani i Shenjtë 2:155-157.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem