Ç’është xhihadi dhe pse Islami pati nevojë për të?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Ç’është xhihadi dhe pse Islami pati nevojë për të?

Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu a.s.
lufta dhe paqja

Hazret Mesihu i Premtuar, themeluesi i Xhematit Mysliman Ahmadia a.s., duke shpjeguar çështjen e xhihadit, thotë:

“Shumë njerëz të kësaj epoke dhe të kohës së mesjetës nuk e kuptuan filozofinë e çështjes së xhihadit e realitetin e tij, dhe bënë shumë gabime, pasi ajo është një çështje shume delikate. Dhe na vjen turp për të pranuar faktin se për shkak të gabimeve të tyre fatale, armiqtë e Islamit gjetën rast për të sulmuar pandershmërisht një fe të tillë kaq të pastër e të shenjtë si Islami, që është vetëm pasqyra e ligjit të natyrës dhe që shfaq madhështinë e Zotit të Gjallë. Duhet të dini se fjala “xhihad” është e prejardhur nga fjala “xhuhd”, që do të thotë “me u përpjek”. Kjo fjalë me kuptim figurativ u përdor për luftërat fetare…

Këtu do t’i përgjigjemi pyetjes se ç’është xhihadi dhe pse Islami pati nevojë për të? Duhet bërë e qartë se feja Islame, që nga fillimi i saj hasi shumë probleme, dhe të gjitha grupet e tjera ishin bërë armiqtë e saj. Është e zakonshme që kur vjen ndonjë profet apo pejgamber nga Zoti i Madhërishëm, ai krijon një grup njerëzish, që jobesimtarëve u duket, i drejtë, përparimtar dhe me vullnet shumë të fortë. Atëherë, grupe të tjera jobesimtarësh fillojnë ta shikojnë me lakmi dhe sigurisht që lind në zemrat e tyre njëfarë armiqësie ndaj grupit të profetit. Sidomos, dijetarë të feve të ndryshme dhe ata që ruajnë karriget e tyre, inatosen ashpër me të… dhe duke iu nënshtruar plotësisht nefsit që urdhëron për të keqen, bëjnë komplote për të krijuar sherr. Madje disa prej tyre e kuptojnë që ata kot po i sjellin dëm një robi zemërmirë të Zotit dhe kështu do të jenë nën zemërimin e Zotit, edhe veprat e tyre që bëjnë vazhdimisht kundër tij, i dëshmojnë qartë vetes gjendjen mëkatare të zemrës së tyre.

Por, megjithëkëtë, zjarri i fortë i lakmisë i merr dhe i çon ata në poshtërsi të thella armiqësore. Pikërisht këto kanë qenë shkaqet edhe në kohën e Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s. të cilat jo vetëm që i ndaluan dijetarë të krishterë, hebrenj dhe idhujtarë të Mekës nga pranimi i së vërtetës, por i nxitën në armiqësi të thellë. Atëherë, ata mendonin të bënin çdo gjë për ta çrrënjosur Islamin nga faqja e dheut. Ngaqë në numër myslimanët ishin pak në fillim, andaj këto grupe kundërshtare, të cilat për shkak të mendjemadhësisë që u rrënjosej në zemrat e në trutë e tyre, gjithnjë i jepnin epërsi vetes qoftë në pasuri, qoftë në nder qoftë në numrin e tyre të bollshëm. Madje, filluan një armiqësi të hidhur kundër myslimanëve, domethënë es’ha-bëve të Profetit Muhammed s.a.v.s., pasi kundërshtarët mizorë nuk e donin që ky filiz i ri që ishte mbjellë nga qielli të rrënjosej. Ata u përpoqën deri në fund për t’i zhdukur myslimanët e drejtë, duke u bërë atyre tortura më të rënda, sepse kishin frikë se forcimi dhe përparimi i myslimanëve do t’ia ndillte vdekjen fesë e popullit të tyre. Për shkak të kësaj frike, ata i vranë barbarisht shumë myslimanë. Për një kohë shumë të gjatë që përfshihet gjatë trembëdhjetë viteve, robërit besnikë të Zotit dhe krenaria e njerëzimit, vazhduan të copëtoheshin pa mëshirë nga shpatat e jomyslimanëve. Pastaj edhe fëmijët e tyre jetimë, gratë e tyre të paafta e të shkreta vriteshin nëpër rrugicat e Mekës. Edhe atëherë urdhri i Zotit për ta, në mënyrë të prerë, ishte se nuk duhej t’i përgjigjeshin së keqes me të keqen. Kështu që, të nderurit e të devotshmit e Zotit e zbatuan porosinë e Tij fjalë për fjalë. Qoshet dhe skutat janë lyer me gjakun e tyre, por ata nuk e kundërshtuan. Ata u flijuan si kurban por nuk u ankuan. Profetin e shenjtë të Zotit, mbi të cilin shumë selame qofshin nga qielli e nga toka, shpesh e qëlluan me gurë dhe trupin e tij të bekuar e bënë gjak, por ai njeri, si një mal i së vërtetës dhe këmbënguljes, i priti zemërhapur të gjitha ato lëndime. Armiqtë ua shtonin vazhdimisht torturat, vetëm duke parë durimin dhe modestinë e tyre të pashembullt. Si të thuash, ata në të vërtetë i kishin bërë gjah myslimanët. Atëherë Zoti që nuk donte që armiqtë t’i kalonin të gjitha kufijtë e dhunës dhe as nuk mund t’i linte robërit e Tij të shtypur e të shkretë, nëpërmjet fjalëve të Tij të bekuara që janë në Kuranin e Madhërishëm, i njoftoi se Zoti e vrojtonte çdo gjë që u bëhej dhe tani u jep leje për t’iu përgjigjur sulmeve të armikut dhe se Ai është Zoti i Plotfuqishëm që nuk i lë mizorët pa marrë hakun. Ky urdhër u quajt Xhihad. Fjalët origjinale të kësaj shpalljeje ende janë ruajtur në Kuranin e Madhërishëm, ku thuhet:

“Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi. Në të vërtetë Allahu është i Fuqishëm që t’i ndihmojë ata, që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre padrejtësisht,” (El-Hexh 22:40-41)

(“Government angrezi aur xhihad”, “Ruhani Khazain”, vëll. 17, f. 1-4)

“Betejat e Profetit të shenjtë s.a.v.s. dhe të es-habëve të tij kanë pasur qëllim që të mbroheshin nga sulmet e mosbesimtarëve, ose për të vendosur paqe apo për t’i mposhtur me shpatë ata që donin ta pengonin fenë me shpatë. Mirëpo, sot cili prej armiqve e nxjerr shpatën për të penguar fenë? Kush e pengon dikë që të bëhet mysliman, dhe kush pengon që të thirret ezani në xhami?”

(“Tirjakul Kulub” f. 16, “Ruhani Khazain”, vëll. 15, f. 158-159)

“Ata që edhe duke e quajtur veten myslimanë, kujtojnë se fenë Islame duhet ta përhapim me shpatë e nuk i dinë fare të mirat dhe dobitë e kësaj feje ndërsa veprimtaria e tyre ngjan me atë të egërsirave.”

(“Tirjakul Kulub” f. 16, “Ruhani Khazain”, vëll. 15, f. 167)

“Mesihu i Premtuar erdhi në këtë botë që ta hedhë poshtë mendimin për të përdorur shpatën në emrin e fesë. … Tani Zoti dëshiron dhe ka vendosur që t’i largojë të gjitha akuzat që i janë vënë trupit të pastër të fesë Islame nga njerëz të pandershëm.”

(“Malfuzat”, vëll. 3, f. 176)

“Kjo mënyrë e xhihadit, të cilën e ndjekin shumë njerëz të egër të kësaj kohe, nuk është aspak islamike. Madje kjo mënyrë barbare, që është përhapur te disa myslimanë, vjen si rezultat i nefsit të tyre që urdhëron për të keqen ose ajo është e shkaktuar nga lakmia e tyre e kotë për ta arritur xhenetin.”

(“Government angrezi aur xhihad”, “Ruhani Khazain”, vëll. 17, f. 9-10)

“Unë e di shumë mirë se kush jemi ne e kush është Xhemati ynë. Ndihma e përkrahja e Allahut të Madhërishëm do të manifestohet për ne, atëherë kur do të ecim rrugës së drejtë dhe do ta ndjekim plotësisht e sinqerisht Profetin e shenjtë s.a.v.s.; kur mësimin e pastër të Kuranit do ta bëjmë modus operandi (metodë pune) për vete, dhe t’i verifikojmë këto mësime me anë të veprave e gjendjeve tona, jo thjesht me fjalë boshe. Nëse ne do ta zgjedhim këtë qëndrim, atëherë, me bindje të plotë mbani në mend se nëse të gjithë njerëzit së bashku do të dëshirojnë të na shkatërrojnë, ne nuk do të shkatërrohemi, sepse Allahu i Madhërishëm është me ne. Inshallah.”

(Gazeta “El-Hakam”, 24 shtator, 1904, f. 4)

“… Mbani mend se Allahu i Madhërishëm e do shumë bamirësinë. Dhe Ai dëshiron që të keni simpati ndaj krijesave të Tij. Sepse nëse Atij do t’i pëlqente keqbërësja, Ai do të na urdhëronte për këtë, mirëpo Allahu është i Madhëruar dhe është larg kësaj të mete. … Pra, ju të gjithë që keni krijuar një lidhshmëri me mua, mbani mend se duhet të silleni mirë ndaj çdo njeriu, pa marrë parasysh se cilës fe i takon ai, dhe duhet të bëni bamirësi ndaj çdo njeriu, sepse ky është mësimi i Kuranit të Shenjtë:

“Ata, për hir të dashurisë së Zotit, i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të robëruarit.” (Ed-Dahrr 76:9)

Ata skllevër dhe robër (në kohën e Profetit të shenjtë s.a.v.s.) që vinin, më shumë ishin mosbesimtarë. Tani, ju mund të shihni se sa e madhe dhe e përkushtuar në Islam është simpatia ndaj njerëzve. Sipas mendimit tim, mësimi i përsosur moral nuk është askund përveç në Islam. Kur unë të shërohem e të përmirësohet shëndeti im, unë Inshallah do të shkruaj një traktat rreth mësimeve morale, sepse dëshiroj t’i sqaroj qartazi qëllimet e mia, ndërkohë ky traktat do të jetë një mësim e udhëzim i kuptueshëm për Xhematin tim, dhe t’i paraqes e t’i nënvizoj rrugët e pëlqimeve të Allahut të Lartësuar. Unë pikëllohem thellë kur shikoj ose dëgjoj se filani bën këtë apo atë punë që nuk u përshtatet mësimeve të Islamit. Unë nuk kënaqem me këto gjëra. Unë akoma e shoh Xhematin tim si një foshnjë që bën dy hapa e rrëzohet katër herë. Mirëpo, unë kam besim të plotë se Allahu i Lartësuar  këtë Xhemat do ta bëjë të përsosur. Prandaj, duhet që edhe ju të bëni përpjekje, të mundoheni e të rrini të angazhuar në lutje që Allahu xh.sh. të tregojë mëshirën  e Vet, sepse asgjë nuk është e mundur pa mëshirën e Tij. Kur Ai mëshiron, hapen të gjitha rrugët.”

(“Malfuzat”, vëll. 4, f. 218-219, Indi, 2003)

“Mbani mend se janë dy urdhra të Allahut të Madhërishëm. Së pari, mos i vini Allahut ndonjë partner, as në qenien e Tij e as në atributet e Tij. Së dyti, silluni mirë e me dashamirësi ndaj krijesave të Zotit. Të jesh mirënjohës, nuk do të thotë që ti të sillesh mirë e me mirënjohje vetëm ndaj vëllezërve e ndaj pjesëtarëve të farefisit tënd, por të sillesh me mirënjohje ndaj çdokujt prej krijesave të Allahut të Madhërishëm. Mos mendoni se ai është hindu apo i  krishterë. Unë me të vërtetë ju them se Allahu i Madhërishëm e mori përsipër vetes përgjegjësinë që t’ju sigurojë drejtësinë; Ai nuk dëshiron që ju ta mbani atë. Sa më butë të silleni e sa më shumë  të shfaqni përulësi, aq më shumë do të gëzohet Zoti me ju. Armiqtë tuaj ia dorëzoni Allahut xh.sh. Dita e Kiametit është afër. Ju nuk duhet të brengoseni për shkak të atyre dhimbjeve e vuajtjeve që ju sjellin armiqtë tuaj. Unë shoh dhe perceptoj se ju do të ballafaqoheni më shumë me vështirësi e me vuajtje nga duart e tyre, sepse gjuha e atyre që del jashtë rrethit të civilizimit e të edukimit punon aq egërsisht, mu ashtu sikurse çahet ndonjë digë nga ku rrjedh ujë furishëm. Njeriu i dëlirë dhe i pastër duhet t’i kontrollojë fjalët e tij.”

(“Malfuzat”, vëll. 9, f. 164-165, Angli, 1984)

“Pra, simpatia ndaj krijesave të Zotit është një gjë e tillë, të cilën nëse njeriu e braktis dhe largohet prej saj, atëherë ai dalëngadalë bëhet shtazë e egër. Njerëzimi kërkon që njeriu mund të quhet njeri derisa sillet mirë, me simpati e me mirënjohje ndaj vëllait të vet, duke mos bërë dallim me askënd. Siç ka thënë Sadiu:

“Qeniet njerëzore janë si organe të një trupi”.

Mbani mend, rrethi i simpatisë, sipas meje, është një rreth shumë i madh. Njeriu nuk duhet të përjashtojë asnjë popull e asnjë individ nga ky rreth. Unë nuk dëshiroj të them, siç thonë të paditurit e kësaj kohe, që ju ta veçoni e ta kufizoni simpatinë tuaj vetëm për myslimanët. Jo, por unë ju them që të silleni mirë e me simpati ndaj të gjithë njerëzve të Zotit, edhe në qoftë se ai është hindu ose mysliman apo i takon ndonjë feje tjetër. Unë nuk e vlerësoj fjalën e atyre njerëzve që dëshirojnë ta kufizojnë simpatinë e tyre vetëm për popullin e vet.”

(“Malfuzat”, vëll. 4, f. 216-217, Indi, 2003)

“Myslimanëve u është bërë mizori (në kohën e Muhammedit s.a.v.s.) me anë të luftërave. Ata u vriten kot dhe u dëbuan nga vatrat e tyre, vetëm sepse thanë: “Allahu është Zoti ynë”. Pra, kjo ishte arsyeja që ata përdorën shpatën, përndryshe Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. kurrë nuk do ta përdorte atë. Por, në kohën tonë, pena është ngritur kundër nesh. Nëpërmjet penës na kanë shqetësuar dhe lënduar jashtë mase shumë. Prandaj, po pena është arma jonë kundër saj.”

(“Malfuzat”, vëll. 1, f. 44, botuar në 1984)

“Unë ju kam sjellë një porosi, që xhihadi me shpatë ka marrë fund. Por, xhihadi i pastrimit të shpirtit duhet të vazhdojë. Këtë nuk e them prej vetes, por kështu është dëshira e Allahut. Lexojeni hadithin që është në Buhari, ku është shkruar se Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar do t’i japë fund luftës fetare. Prandaj, unë i urdhëroj të gjithë ata, që janë në ushtrinë time: hiqni dorë nga mendimet e gabuara! Pastrojini zemrat tuaja, ushqejeni veten tuaj me mëshirën njerëzore dhe bëhuni të dhembshur ndaj atyre që kanë dhimbje, përhapni paqe në botë, sepse këto do ta përhapin fenë tuaj!”

(“Ruhani Khazain”, vëll. 17, “Governament angrezi aur xhihad”, f. 15)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp