Jeta e Hazret Ebu Bekrit (r.a.)
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
ebu bekri r.a.

 Pozita e lartë e sahabëve të Profetit të shenjtë savs:

“Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, dhe gjithë atyre që i pasuan me vendosmëri e përkushtim; Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu ka përgatitur për ata kopshte të tilla nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ata do të jetojnë përgjithmonë në to. Kjo është fitore madhështore.” [Et-Teubah 9:101]

“Muhamedi i Dërguar i Allahut dhe ata që janë me të, janë shumë të fortë ndaj jobesimtarëve ndërsa të mëshirshëm midis tyre. I sheh ata si përkulen dhe bien në sexhde, duke kërkuar dhuntinë dhe kënaqësinë e Allahut.” [El-Fet’h 48:30]

I Dërguari i Allahut savs ka thënë:

“Periudha më e mirë e umetit tim është ajo në të cilën kam ardhur unë.”[1]

Hazret Mesihu i Premtuar alehiselam thotë:

“Sigurisht të gjithë sahabët janë si gjymtyrë për të Dërguarin e Allahut savs. Nëse disa prej tyre ishin si sy, të tjerët ishin si veshë disa ishin si duar, të tjerët si këmbë. Të gjitha veprimet dhe përpjekjet e tyre u shfaqën në përputhje me ato gjymtyrë dhe kështu ata u munduan të fitonin pëlqimin e Zotit të botëve dhe Krijuesit të gjithësisë.”[2]

Hazret Ebdullahu bin Masu’d ra thotë:

“Ata ishin njerëz më të shquar të këtij umeti. Zemrat e tyre ishin të pastra ndërsa dituria ishte shumë e thellë. Ata ishin të pastër nga çdo lloj formaliteti. Kombi, i cili Allahu e zgjodhi për shoqërimin e të Dërguarit të Tij dhe për themelimin e fesë së Tij, e njohën lartësinë e asaj feje, ndoqën gjurmët e tij dhe qëndruan fort te moralet e tij, sigurisht ata ishin mbi dijen e vërtetë.”[3]

Jeta e Hazret Ebu Bekrit ra

I pari nga kalifët e drejtë pas Profetit të shenjtë savs quhej Ebdullah ibni Uthman, apo si njihet gjerësisht Hazret Abu Bekri ra. Ai lindi 2 vjet pas lindjes së të Dërguarit të Allahut savs. Para ardhjes së Islamit, ai  dallohej ndër krerët e fisit kurejsh për shkak të moraleve dhe virtyteve të larta. Në kohën para Islamit, kur poezia dhe pirja e alkoolit konsideroheshin cilësitë e burrërisë dhe madhështisë, Hazret Ebu-Bekri ra gjithmonë i shmangej dhe kaloi një jetë të pastër edhe para Islamit.

Hazret Ebu Bekri ra gëzon nderin e madh se ishte i pari prej meshkujve që pranoi thirrjen e të Dërguarit të Allahutsavs. Veç këtij ai kishte krenari se ishte i pari që shoqëroi Profetin e shenjtë savs në falje (namaz).

Një herë i Dërguari i Allahut savs përmendi se si Hazret Ebu Bekri ra kishte pranuar Islamin. Ai tha: “Kujtdo që i përcolla mesazhin e Islamit, ngurroi në pranimin e tij, përveç Ebu Bekrit, që u bë mysliman pa asnjë druajtje.”

Aisheja ra rrëfen se kur u mblodhën 38 sahabët (shokët) e Profetit të shenjtë savs, Ebu Bekri ra propozoi që tani ata duhet të përhapin mesazhin e Islamit në mënyrë të hapur. Profeti i shenjtë savs iu përgjigj: “O Ebu Bekr! Jemi akoma shumë pak veta.” Por Hazret Ebu Bekri ra nguli këmbë derisa Profeti i shenjtë savs pranoi këtë propozim. Të gjithë myslimanët shkuan në Qabe. Ebu Bekri ra u ngrit nga vendi dhe zuri të fliste, teksa i Dërguari i Allahut savs ishte ulur dhe e dëgjonte. Për pak çaste idhujtarët mekasë i mësynë myslimanët e paktë dhe personi i parë që u bë pre i persekutimit ishte po ai që guxoi që shpallte mesazhin e Islamit në mënyrë të hapur. Ebu Bekrin ra e plagosur e shpurën në shtëpi. Pas pak, kur e mori veten, fjalët e para që nxori nga goja ishin: “Si është i Dërguari i Allahut savs?” Ai u qetësua vetëm kur iu tha se Profeti savs ishte mirë e shëndoshë. Me vështirësi mbërriti në shtëpi ku qëndronte Profeti i Shenjtë savs. I Dërguari i Allahut savs e puthi dhe e përqafoi. Ebu Bekri ra tha me shumë përulësi: “O i Dërguari i Allahut! Mos u shqetësoni fare për mua. Ata nuk më kanë bërë kurrgjë. Vetëm më kanë plagosur fytyrën.” Atë ditë edhe nëna e Ebu Bekrit përqafoi Islamin.

Hazret Ebu Bekri ra ishte shumë i ndjeshëm. Dashuria e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij savs ishte ngulitur në zemrën e tij. Ai mezi përmbante ndjenjat.  Shpeshherë kur ai ishte zhytur në kujtimin e Zotit, ato emocione shfaqeshin në formën e lotëve që rridhnin përmes syve. Kur ai udhëhiqte namazin, nga hidhërimi qante me dënesë derisa i mbytej zëri dhe i Dërguari i Allahut savs i thoshte për ta ngritur atë.

Vajza e tij, nëna e besimtarëve, Aisheja ra transmeton se në një natë të ndritur me dritë hëne, i Dërguari i Allahut savs ishte shtrirë duke u mbështetur në prehrin tim. Unë e pyeta duke i treguar qiellin “O i Dërguari i Allahut! A ka dikush që ka kryer aq vepra të mira sa janë yje në qiell.” Ai u përgjigj: “Po, Umeri”. (Domethënë Hazret Umeri ibn Hat-taab ra Kalifi i dytë). Unë e pyeta se si vlerësohen veprat e Ebu Bekrit në krahasim me veprat e Umerit. I Dërguari i Allahut savs u përgjigj: “Të gjitha veprat e mira të Umerit janë barabartë me një vepër të Ebu Bekrit.”

Gjatë kohës së kalifatit të Umerit ra, kur një herë para tij u përmend emri i Ebu Bekrit ra, kujtimet e shokut të dashur ia përlotën sytë. Shtjella e fuqishme e kujtimeve e kaploi trimin, kalifin Umer ra, dhe imagjinata e tij e çoi midis ngjarjeve të kaluara, mes shkretëtirës, brenda një shpelle të errët dhe të kobshme. I mallëngjyer nga emocionet dhe i ngërthyer nga ndjenjat, Umeri ra tha me zë të mbytur, se nëse do të ishte e mundur do të kisha vetëm një dëshirë, që të merreshin të gjitha veprat e mia nga llogaria ime dhe të më jepej vetëm një ditë e veçantë dhe një natë e veçantë nga jeta e Ebu Bekrit ra.

Nata duhet të jetë ajo kur Ebu-Bekri ra hyri në shpellën e Thorrit bashkë me të Dërguarin e Allahut savs gjatë emigrimit nga Meka për në Medinë. Kur ata mbërritën te hyrja e shpellës, Ebu Bekri ra i tha Profetit të Shenjtë savs “Pasha Allahun! Ju nuk do të hyjni brenda, para se të hyj unë. Nëse dikush është fshehur brenda, le të më sulmojë mua.” Me të thënë këto fjalë ai hyri në shpellë dhe e pastroi mirë pjesën e brendshme. E grisi çarçafin e tij copa-copa dhe mbylli të gjitha vrimat që gjendeshin në shpellë. Çarçafi përfundoi, po akoma mbetën dy vrima. Ebu Bekri ra vuri këmbët mbi ato vrima dhe i tha Profetit të shenjtë savs që të hynte brenda. I Dërguari i Allahut savs hyri brenda dhe pas pak u shtri në prehrin e Ebu Bekrit ra dhe atë e zuri gjumi. Teksa pushonte i Dërguari i Allahut savs, një gjarpër kafshoi këmbën e Ebu Bekrit ra. Dhimbja ishte therëse dhe e papërballueshme, por Ebu Bekri ra kishte frikë se nëse do të lëshonte ndonjë rënkim, kjo mund të shqetësonte Profetin e shenjtë savs. Ebu Bekri ra ishte në një sprovë midis forcës së dashurisë dhe aftësisë së durimit. Por përsëri dashuria ia doli mbanë. Ebu Bekri ra tregoi shembullin e durimit dhe qëndrueshmërisë që vështirë gjendet në histori.

Dhimbja po rritej në çdo çast. Një lot u derdh nga syri dhe dalëngadalë ra mbi faqen e të Dërguarit të Allahut savs. Profeti savs u zgjua. Ai e pyeti “O Ebu Bekr! Çfarë ndodhi?”. Ai iu përgjigj: “Më ka kafshuar gjarpri.” I Dërguari i Allahut savs e leu këmbën me pështymë dhe dhimbja u zhduk shpejt. Thuhet se ndikimi i helmit u shfaq shumë vonë dhe pikërisht ky helmim u bë shkaku i vdekjes së tij.

Umeri ra vazhdoi fjalën duke thënë: “Dhe dita duhet të jetë ajo kur pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut savs arabët menjëherë u rebeluan dhe refuzuan të paguanin zeqatin. Ebu Bekri i butë dhe i dhembshur, sytë e të cilit gjithmonë rrinin të përlotur në dashurinë e Zotit dhe të Profetit të tij savs, kur u vendos në pozitën e kalifit, shpalli me vendosmëri, “Nëse këto fise arabe do të më refuzojnë në të (zeqatin), qoftë edhe mbi litarin e devesë, unë edhe për atë do të luftoj me ta.” Umeri ra tha: “Unë i thashë ‘O Kalifi i Profetit! Ki mëshirë dhe fali.’ Por Ebu Bekri ra m’u përgjigj me zotërim: “O Umer! Ti që ishe trim dhe i fortë tani u bëre i dobët në Islam? Kur mesazhi i Zotit mbërriti në pikën më të lartë përmes Profetit të shenjtë savs dhe feja u përsos, si mund të lejoj unë që ajo fe të dobësohet gjatës jetës sime.”

Çdo fjalë dhe çdo veprim i Ebu Bekrit ra ishte hija e modelit të të Dërguarit të Allahut savs? Ishte aq i zhytur në dashurinë e Profetit savs sa mund të zbërthente edhe shenja të mprehta të Profetit, të cilët nuk mund të kuptonin sahabët e tjerë. Hazret Sa’id El-Khudrri ra transmeton se një herë të Dërguari i Allahut savs erdhi te mimberi për të mbajtur hytben dhe tha: “Allahu ia parashtroi bekimet e kësaj bote dhe ato që kishte në dorën e Tij një robi të Tij dhe i dha të drejtën për të zgjedhur atë që pëlqente prej tyre. Atëherë robi e zgjodhi atë që kishte Zoti e Tij.” Hazret Ebu-Bekri ra gjithashtu ishte i pranishëm në atë mbledhje. Lotët i rridhnin nga sytë dhe në këtë gjendje ai iu drejtua Profetit të shenjtë savs “O i Dërguari i Allahut! Prindërit e mi sakrifikofshin për ty.” Hazret Sa’idi thotë: “Ne u habitëm se pse Ebu-Bekri u mallëngjye ndërsa sahabët i thoshin njëri-tjetrit: Nuk dimë, Çfarë i ndodhi Ebu Bekrit? I Dërguari i Allahut savs na tregonte për një rob, të cilit Allahu i dha të drejtën, ndërkohë ky po thotë: “Prindërit e mi sakrifikofshin për ty.” Por në fakt Ebu Bekri ra ishte më i dituri prej nesh, sepse ai kishte kuptuar se ai robi nuk ishte tjetër përpos të Dërguarit të Allahut savs që së shpejti do të bashkohej me Zotin e tij përgjithmonë.”[4]

Kur Profeti i shenjtë savs ndërroi jetë, Hazret Umeri ra, që nuk ishte përgatitur për të përballuar këtë fatkeqësi, nxori shpatën dhe deklaroi se i Dërguari i Allahut savs nuk ka ndërruar jetë dhe se është i gjallë. Kur Ebu Bekri ra erdhi, ai pa fytyrën e Profetit të shenjtë savs, e puthi dhe tha: “Prindërit e mi sakrifikofshin për ty. Pasha Zotin, në dorën e të Cilit është shpirti i Ebu Bekrit, Allahu kurrsesi nuk do t’ju japë nga dy vdekje.” Me të thënë këto fjalë ai doli jashtë dhe deklaroi këtë shpallje me plotë zotërim: “Nëse dikush adhuronte Muhamedin, le të dijë që Muhamedi savs ka ndërruar jetë. Ndërsa ai që i besonte Zotit të Madhërishëm, le të mësojë se Ai është i Gjallë dhe i Përhershëm, që nuk ka asnjë fund.” Pastaj recitoi këtë ajet:

“Muhamedi është vetëm i Dërguar, të gjithë profetët para tij kanë ndërruar jetë. Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa, nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.” [Ale-Imran 3:145]

Fjalët e Hazret Ebu Bekrit ra u ngulën si gozhdët në zemrat e besimtarëve dhe Hazret Umeri ra heshti dhe u ul. Hazret Ibne Ab-baas ra tha: “Neve na u duk sikurse ai ajet kishte zbritur po në atë ditë, pavarësisht se ne kishin recituar atë shumë herë.”

Çfarë ishte ajo që paraqiti të dobët dhe të butë Hazret Ebu Bekrin në momentin më delikat të historisë së Islamit, si njeri më i fortë dhe më trim? Çfarë ishte ajo fuqi, që shndërroi një të përulur dhe të prekshëm në burimin e forcës, bashkimit dhe fuqisë për të gjithë myslimanët?

Ajo forcë ishte ndihma hyjnore e Zotit të Plotfuqishëm që e vendosi në pozitën e kalifatit dhe u bë vetë forca dhe fuqia e tij. Kur Hazret Ebu Bekri ra zuri pozitën e kalifit, ishte një moment delikat për Islamin. Islami përballonte kryengritjen e brendshme në formën e braktisjes së fesë dhe shumëkush kishte refuzuar të paguante zeqatin. Në disa vende numri i ushtrisë kryengritëse tejkalonte 100 mijë veta, ndërkohë ushtria myslimane nën flamurin e Hazret Ebu Bekrit ra ishte vetëm 10 mijë ushtarë, të cilën i Dërguari i Allahut savs kishte porositur të nisej drejt Sirisë nën komandën e Hazret Usama bin Zejdit raSahabët menduan se nëse edhe këta ushtarë do të niseshin në këtë ekspeditë, atëherë nuk do të mbetet asnjë siguri për Medinën gjatë kryengritjes. Hazret Umeri ra dhe Hazret Aliu ra dhe disa nga sahabët formuan një delegacion dhe u takuan me Kalifin për ta ndaluar nisjen e kësaj ushtrie. Por Kalifi i Profetit, Hazret Ebu Bekri ra nuk pranoi asnjë këshillë dhe tha: “A pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut savs, veprimin e parë që do të bëjë i biri i Kahafës të jetë për të ndaluar ushtrinë, nisjen e të cilit kishte porositur vetë Profeti i shenjtë savs? Jo, unë kurrsesi nuk mund ta ndaloj këtë ushtri. Nëse gjithë Arabia përfshihet në kryengritje, le të përfshihet, dhe nëse nuk mbetet asnjë masë sigurie për Medinë, le të mos mbetet. Pasha Zotin, nëse ushtria e armikut hyn në Medinë dhe qentë zvarritin kufomat e grave myslimane, unë akoma do të përcjell këtë ushtri, për të cilin kishte porositur vetë I Dërguari i Allahut savs. Ky guxim dhe kjo burrëri, ky besim dhe kjo bindje sigurisht i ishte dhuruar prej Zotit, të cilën e vërtetoi vetë rrjedha  e ngjarjeve e mëvonshme.

Hazret Ebu Bekri sakrifikoi gjithçka për hir të Allahut dhe Profetit të Tij savs. Në moshën 61 vjeçare, pas një sëmundjeje që zgjati afërsisht gjysmë muaj, Hazret Ebu Bekri ra u nda nga jeta. Hazret Mesihu i Premtuar alehiselam përshkruan morale të larta të Hazret Ebu Bekrit ra duke thënë:

“Hazret Ebu Bekri ra përvetësoi veshjen e përulësisë dhe varfërisë. Ai kishte një lidhje të fortë me prijësin e tij Profetin e shenjtë savs dhe shpirti i tij ishte rrënjosur në shpirtin e të Dërguarit të Allahut savs.”

Image Courtesy: Petermaleh; Wikimedia Commons


[1] Muslim 4/1963-1964
[2] Hazret Mirza Ghulam Ahmad, Sirrul KhilafaRruhani Khezain, vëll. 8, f. 341.
[3] Sherrehus-suneh lilbaghvi, vëll I, f. 214-215.
[4] Buhariu, Libri i epërsive të sahabëve.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp