Jeta e Suhejb ibn Sinanit r.a. dhe S'ad ibn er-Rab'iut r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Suhejb ibn Sinanit r.a. dhe S’ad ibn er-Rab’iut r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pas recitimit të shehadit dhe Fatihasë, Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar (Allahu e ndihmoftë fuqimsht) tha:

Suhejb ibn Sinan r.a. | صُهَيْب بن سِنَان

Sot do të flas sërish lidhur me jetën e sahabëve të Bedrit. Sot do t’ju rrëfej jetën e Hazret Suhejb ibn Sinanit r.a.. Babai i tij quhej Sinan ibn Malik dhe nëna Selma bint Kaid. Vendlindja e Suhejbit ishte Musel. Babai apo xhaxhai i Suhejbit shërbente në administratën e Kisrasë në qytetin Ebullah, i cili ndodhej pranë lumit Dexhla dhe më vonë u bë i famshëm me emrin Besra. Kur romakët pushtuan këtë vend, Suhejbi ndonëse i vogël në moshë, u zë si rob lufte.

Sipas mendimit të Ebul Kasim el-Megribiut, emri i tij i vërtetë ishte Umejra, por romakët ia ngjitën emrin Suhejb. Ai kishte ngjyrë të kuqe, një gjatësi mesatare as e gjatë e as e shkurtër dhe flokë të dendur. Suhejbi u rrit në mjedisin romak. Ai kishte belbëzim të lehtë në të folur. Një person me emrin Kalb e bleu Suhejbin nga romakët dhe e solli në Mekë. Më vonë, Abdullah ibn Xudani e bleu prej Kalbit dhe e liroi atë. Suhejbi jetoi në Mekë me Abdullah ibn Xhudanin deri sa të ndërronte jetë dhe në anën tjetër i Dërguari i Allahut s.a.v.s. deklaronte për profetësinë e tij. Sipas një transmetimi, kur Hazret Suhjebi r.a. arriti moshën e pubertetit, ai u arratis nga Roma dhe strehoi në Mekë. Ai lidhi miqësinë me Abdullah ibn Xhudanin dhe qëndroi me të deri në vdekjen e tij.

Hazret Kalifi II r.a. ka shkruar: “Suhejbi ishte një skllav, të cilin e kishin sjellë nga Roma. Abdullah ibn Xhuadani e kishte blerë e pastaj i kishte dhënë liri. Suhejbi gjithashtu kishte pranuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe si rrjedhojë duroi vuajtje të ndryshme”.

Hazret Kalifi II r.a. gjithashtu ka shtjelluar një çështje lidhur me Kuranin Famëlartë. Ai shkruan: “Mosbesimtarët akuzonin se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka përpiluar Kuranin duke bashkëpunuar me skllevërit apo të tjerët. Një ndër përgjigjet e kësaj akuze të pabazë është që këta skllevër u vunë në shënjestër të dhunës dhe shtypjes, andaj a kishin ndihmuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. vetëm për ta ndjellë këtë vuajtje mizore. Mirëpo, në vend që ta ndihmonin fshehurazi, ata e mbështetën Profetin publikisht, madje duruan dhe çdo mjerim e përndjekje me një qëndrueshmëri heroike.

Kalifi II r.a. ka hedhur poshtë këtë akuzë duke e cilësuar të ulët e të pabazë. Në të vërtetë, ishte forca e besimit në Zotin e Madhërishëm dhe në të Dërguarin e Tij, e cila u dha një qëndrueshmëri të lartë.

Amar ibn Jasiri r.a. ka rrëfyer se njëherë e takova Suhejbin te dera e Dari Erkemit, ndërsa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjendej brenda. Unë e pyeta: “Përse ke ardhur këtu?” Suhejbi më bëri pyetje retorike “Më thuaj, me çfarë qëllimi ke ardhur ti këtu?” Unë i thashë “Unë kam ardhur të dëgjoj të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.”. Suhejbi tha “Edhe unë kam ardhur për të njëjtin qëllim”. Amari thotë se ne të dy takuam të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., dhe ai në mësoi rreth Islamit, dhe ne e përqafuam atë. Atë ditë, qëndruam gjithë ditën në praninë e Profetit s.a.v.s. derisa na zuri nata dhe dolëm fshehurazi se mos na shikonte dikush. Kur Amari dhe Suhejbi pranuan Islamin, përpara tyre pothuaj tridhjetë njerëz ishin bërë muslimanë.

Enesi r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë që 4 persona gëzojnë epërsinë në pranimin e Islamit. Ndër arabët jam unë. Suhejbi gëzon epërsi mbi romakët, Selman mbi persianët dhe Bilali ndër njerëzit me ngjyrë.

Abdullah ibn Masudi r.a. ka thënë që të parët të cilët deklaruan haptazi për Islamin e tyre, ishin i Dërguari i Allahut s.a.v.s., pasi i ishte shpallur sheriati, Ebu Bekri r.a., Amari dhe nëna e tij Sumeja, Suhejbi, Bilali dhe Mikdadi. Allahu e kishte mbrojtur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. me anë të xhaxhait të tij Ebu Talib dhe Ebu Bekrin përmes popullit të tij. Unë e kam sqaruar këtë çështje në hytben e fundit se ky është vetëm mendimi i transmetuesit, sepse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe Ebu Bekri r.a. ndonëse në fillim i shpëtuan persekutimit, por më vonë ata gjithashtu duruan mizoritë e kundërshtarëve. Transmetuesi i këtij hadithi shton që idhujtarët i bënë zap të tjerët, ua veshën parzmore të rënda dhe i detyruan të qëndronin në diellin përvëlues. Bilali i ishte nënshtruar plotësisht vullnetit të Zotit, por meqë ai ishte i papërkrahur në Mekë, idhujtarët ua dorëzonin atë djemve rrugaçë, të cilët e sillnin në luginat e Mekës, ndërsa Bilali recitonte Ahad, Ahad një një.

Ndonëse të gjithë hoqën vuajtje të rënda dhe u treguan të palëkundshëm në besimin e tyre, megjithatë Bilali duroi mundime më të rënda se çdokush tjetër.

Sipas transmetimeve, Hazret Suhejbi konsiderohej prej atyre sahabëve, të cilët konsideroheshin të pafuqishëm, dhe si pasojë duruan mundime më sfilitëse në rrugë të Allahut. Sipas një transmetimi, Mekasit ushtronin aq shumë dhunë mbi Amar ibn Jasirin saqë i turbullohej mendja dhe nuk e mbante mend atë që bënte. Suhejbi, Ebu Faidi dhe Amir ibn Fuhejra gjithashtu përjetuan të njëjtën përndjekje dhe Allahu shpalli një ajet për këta sahabë:

ثُمَّ إِنَّ رَبَّكَ لِلَّذِينَ هَاجَرُوا مِن بَعْدِ مَا فُتِنُوا ثُمَّ جَاهَدُوا وَصَبَرُوا إِنَّ رَبَّكَ مِن بَعْدِهَا لَغَفُورٌ رَّحِيمٌ ﴿١١٠﴾

Zoti yt për ata që mërguan pasi u vunë në sprovë,  më pas bënë xhihad dhe duruan, sigurisht se Zoti yt pas këtyre është shumë Falës, shumë Mëshirëbërës. (en-Nahl 16:111)

Sipas një transmetimi, të fundit që ndërmorën rrugën e mërgimit ishin Hazret Ali dhe Hazret Suhejb ibn Sinani r.a. të cilët mbërritën në Medinë në mesin e muajit Rabiul Evel. Në atë kohë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte në Kuba dhe akoma nuk ishte nisur për në Medinë. Në një rrëfim përmendet se kur Hazret Suhejbi nisi rrugën e mërgimit drejt Medinës, një grup idhujtarësh i Mekës e ndoqi atë. Suhejbi zbriti nga kali dhe i nxori shigjetat. Ai iu drejta atyre dhe tha: “O mekasit! Ju dini mirë që jam një shigjetar i zot. Betohem në Allah! Ju nuk mund të më arrini derisa të mos zbrazë të gjitha shigjetat e mia, e pastaj do t’ju vërsulem me shpatën time dhe do të luftoj derisa të mos më mbetet asgjë. Tani bëni çfarë të dëshironi. Nëse doni të më plaçkitni pasurinë, unë jam dakord t’ju tregoj për të, me kusht që të më lironi rrugën. Ata u pajtuan me ofertën e Suhejbit dhe ai u tregoi ku e kishte fshehur pasurinë.

Më vonë kur mbërriti në Medinë dhe takoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., Profeti shprehu kënaqësinë për marrëveshjen e Suhejbjit. Ai e vlerësoi duke thënë që Ebu Jahjai (d.m.th. Suhejbi) ka bërë një tregti fitimprurëse. Sipas transmetuesit, pas kësaj ngjarjeje zbriti ky ajet kuranor:

وَمِنَ النَّاسِ مَن يَشْرِي نَفْسَهُ ابْتِغَاءَ مَرْضَاتِ اللَّـهِ ۗ وَاللَّـهُ رَءُوفٌ بِالْعِبَادِ ﴿٢٠٧﴾

Prej njerëzve, ka edhe një të tillë që shet jetën e tij duke kërkuar pëlqimet e Allahut. Allahu është i Dhembshur ndaj robërve.   (el-Bekare 2:208)

Sipas një transmetimi, Hazret Suhejbi takoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. pas mërgimit të tij nga Meka në Medinë. Në atë kohë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndodhej në Kuba dhe ishte ndenjur me Ebu Bekrin r.a. dhe Omerin r.a.. Hazret Kulthum ibn Hadem sapo i kishte sjellë hurma të freskëta. Atëherë Hazret Suhejbi vuante nga sëmundja e konjunktivitit, dhe sytë i ishin skuqur, me sekrecione dhe lotim të shtuar. Por, ngaqë ishte i lodhur nga rruga e gjatë, dhe kishte uri, ai zgjati dorën për të marrë hurmat. Omeri i tha Profetit, o i Dërguar i Allahut! Shikoni pak Suhejbin, ai ka konjunktivit dhe po ha hurmat. Profeti s.a.v.s. e pyeti me shaka “Suhejb! Përse po ha hurmat, ndërkohë ke konjunktivit. Sytë të janë skuqur dhe rrjedh ujë prej tyre”. Ai u përgjigj: “O i Dërguar i Allahut! Unë po ha nga ajo anë që është e mirë”. Profeti buzëqeshi pak. Pastaj Suhejbi e pyeti Ebu Bekin se ai e kishte premtuar se do ta shoqëronte atë në mërgim, por përse ishte nisur duke e lënë vetëm. Pastaj, Suhejbi i tha Profetit: O i Dërguari i Allahut! Ju gjithashtu më kishit dhënë fjalë se do të më shoqëroni mua, por ju gjithashtu u nisët duke më lënë në Mekë. Kurejshët më kishin kapur dhe më kishin prangosur. Më duhet të fitoja lirinë time dhe të familjes sime në këmbim të pasurisë sime. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: Ke bërë një tregti të leverdishme.

Në këtë moment zbriti ky ajet:

وَمِنَ النَّاسِ مَن يَشْرِي نَفْسَهُ ابْتِغَاءَ مَرْضَاتِ اللَّـهِ ۗ وَاللَّـهُ رَءُوفٌ بِالْعِبَادِ ﴿٢٠٧﴾

Prej njerëzve, ka edhe një të tillë që shet jetën e tij duke kërkuar pëlqimet e Allahut. Allahu është i Dhembshur ndaj robërve.   (el-Bekare 2:208)

Suhejbi r.a. iu dretjtua Profetit dhe tha: “O i Dërguar i Allahut! Unë kisha marrë me vete një mud brumë për rrugë, të cilën e kisha gatuar në Ebvah dhe ajo më mjaftoi derisa kam mbërritur këtu pranë jush”.

Lidhur me Suhejbin r.a. Hazret Kalifi II r.a. ka shkruar që:

“Suhejbi ishte një tregtar i pasur, dhe konsiderohej prej njerëzve të shquar të Mekës. Por, pavarësisht se ishte i pasur dhe i lirë, dhe nuk ishte më skllav, kurejshët e dhunonin aq shumë, saqë ai humbte vetëdije dhe i binte të fikët. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mërgoi në Medinë, Suhejbi gjithashtu vendosi t’i bashkohej Profetit dhe shpërngulej në Medinë. Por, Mekasit nuk e lanë të largohej me pretekstin se pasurinë e tij e kishte bërë në Mekë, andaj nuk kishte të drejtë ta merrte atë me vete jashtë Mekës. Suhejbi i pyeti që nëse do të linte gjithë pasurinë e tij në Mekë, a kishte të drejtë të largohej. Ata u pajtuan me mendimin e Suhejbit, dhe në këtë mënyrë ai la gjithçka në Mekë dhe erdhi me duar bosh para të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Profeti ia vlerësoi marrëveshjen dhe i tha Suhejbit që kjo tregti i kishte dalë më e leverdishëm dhe më fitimprurëse se çdo punë tjetër. Përpara, ai fitonte para në këmbim të sendeve, ndërsa tani e kishte arritur besimin në këmbim të parave. Pas mbërritjes së tij në Medinë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi lidhjet vëllazërore midis tij dhe Harith ibn Simait. Hazret Suhejbi kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit, Uhudit, Hendekut si dhe në beteja të tjera të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

‘Aaiz ibn Amru transmeton se një herë Hazret Selmani, Hazret Suhejbi dhe Hazret Bilali ishin ndenjur në një kuvend me të tjerët dhe Ebu Sufjan ibn Harbi kaloi pranë tyre. Të pranishmit thanë që shpata e Allahut akoma nuk i kanë goditur armiqtë. Ebu Bekri r.a. i pyeti: A po flisni për prijësin dhe kreun e kurjeshëve? Më vonë kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi për këtë bisedë, ai i tha Ebu Bekrit se ndoshta ai i kishte zemëruar ata dhe duke i zemëruar ata, ai e kishte zemëruar Zotin e Madhërishëm. Ebu Bekri r.a. u kthye te këta njerëz dhe u tha: O vëllezër! Ndoshta ju kam inatosur me fjalët e mia. Ata thanë: Jo, përkundrazi! Allahu ju mëshiroftë!

Hazret Suhejbi r.a. rrëfen: Unë kam qenë në çdo operacion ushtarak me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe kam marrë pjesë në çdo besëlidhje. Kam qenë pjesëmarrës në çdo ekspeditë ushtarake të nisur prej tij dhe në çdo betejë që drejtohej vetë nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Unë i qëndroja gjithmonë pranë ose nga e djathta ose nga e majta. Kur nuhasnim frikë nga përpara, unë dilja përpara, dhe kur rreziku na kanosej prapa, unë rrija prapa ushtrisë. Unë kurrë nuk e lashë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. të gjendej midis meje dhe armikut, derisa ai ndërroi jetë. Në pleqëri, Suhejbi r.a. kënaqej duke u rrëfyer njerëzve bëmat e trimërisë në fushën e betejës. Gjuha e tij dallohej, pasi nuk e fliste të pastër si arabët autoktonë.

Zejd ibn Eslemi transmeton nga babai i tij që njëherë shkova bashkë me Hazret Omerin në kopshtin e Suhejbit r.a. i cili ndodhej në Alije. Me të parë atë, Suhejbi r.a. thirri “Jenas, Jenas”. Omeri kujtoi se ai po thotë “en-Nas” (njerëz) dhe u habit se përse po thërriste njerëzit. Transmetuesi tregon se ai i tha Omerit r.a. se Suhejbi po thërriste shërbëtorin e tij Johnes, por për shkak të vështirësisë në artikulim, ai e shqiptonte Jenas. Pasi që biseduan për një farë kohe, Omeri r.a. i tha: O Suhejb! Unë nuk të shoh asnjë të metë përveç tri gjërave. Po të të mungonin ato, nuk do t’i jepja epërsi askujt tjetër mbi ty. Unë shoh që veten e quan arab, ndërsa flet si joarab. Tregon epitetin tënd si Ebu Jahja, ndërsa ai është emri i një profeti. Po ashtu, prish paratë e tua dorëlëshuar. Hazret Suhejbi iu përgjigj: Për sa i përket harxhimit të parasë, unë e shpenzoj aty ku duhet, dhe jo si dorëshpuar. Për sa i përket epitetit tim, këtë më ka dhënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe unë nuk do ta heq në asnjë mënyrë. Unë e quaj veten si arab sepse i përkas fisit Nemer ibn Kasid dhe romakët kishin robëruar qysh në vogëli, andaj kam mësuar gjuhën e tyre.

Hazret Omeri r.a. e donte shumë Suhejbin r.a. dhe kishte konsiderata të larta për të. Ai e vlerësonte aq shumë saqë, kur ishte plagosur, ai la amanet që Suhejbi do t’ia udhëhiqte namazin e xhenazes. Madje, Suhejbi r.a. do t‘u printe muslimanëve në namaz për tri ditë, derisa anëtarët e këshillit arrijnë të zgjedhin Kalifin e ardhshëm.

Suhejbi r.a. ndërroi jetë në muajin shevval të vitit 38 të hixhretit, ndërsa sipas disave, kjo ngjarje kishte ndodhur në vitin 39 të hixhretit. Suhejbi r.a. ishte 73 vjeç, kur ndërroi jetë, dhe u varros në Medinë.

Sa’d ibn-i er-Rabi’ r.a. | سعد بن الربيع الأنصاري

Tani do të flas rreth sahabiut tjetër Hazret Sa’d ibn er-Rabi’. Ai ishte pjesëtar i familjes Benu Harith të fisit Hazrexh të Ensarëve. Babai i tij quhej Rabi’ ibn Amru dhe nëna quhej Huzejle bint Anba. Hazret Sa’di r.a. kishte dy bashkëshorte. Ato quheshin Umra bint Hazm dhe Habibe bint Zejd. Sa’d ibn er-Rabi’ kishte dy vajza. Njëra quhej Xhamile, e cila është përmendur gjithashtu me epitet Umi Sa’d dhe Umi Sa’id.

Hazret Sa’di r.a. kishte mësuar shkrim e lexim qysh në kohën e injorancës, edhe pse shumë pak e dinin këtë. Hazret Sa’di r.a. ishte prijës i fisit Benu Harith bashkë me Abdullah ibn Revāha r.a.. Sa’d ibn er-Rabi’ kishte marrë pjesë në besëlidhjen e parë dhe të dytë.

Pas hixhretit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishe vendosur marrëdhëniet vëllazërore midis Sa’d ibn er-Rabi’ut r.a. dhe Abdurrahman ibn Aufit r.a.. Sipas një transmetimi, në Sahihun e Imam Buhariut, Hazret Abdurrahman ibn Aufi r.a. rrëfen: “Kur mbërritëm në Medinë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më bëri mua dhe Sa’din vëllezër. Sa’d ibn er-Rabi’u më tha “Meqë unë kam më shumë pasuri, andaj e ndaj në dy pjesë, që të mbash gjysmën e saj. Po ashtu, kam dy gra. Mund të zgjidhni njërën prej tyre, dhe unë ndahem prej saj. Kur të kalojë kohën e pritjes, ju mund të martoheni me të”. Unë i thashë Sa’dit se nuk kisha nevojë për këto. A ka ndonjë treg këtu ku njeriu mund të bëjë pazar?. Sa’di më tregoi për tregun Kejnka. Të nesërmen, qysh në mëngjes, shkova në treg dhe bleva djathë dhe gjalpë. Kështu, ia nisa mirë kësaj pune duke shkuar çdo mëngjes në treg”.

Pas disa ditësh, erdhi Abdurrhman ibn Aufi dhe kishte gjurmët e kënasë në trup. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pyeti: “A je martuar?” Ai iu përgjigj: Po. Profeti e pyeti: Me kë? Ai iu përgjigj: Me një grua të ensarëve. Ai e pyeti: Sa mehr i ke dhënë asaj? Ai tregoi se i kishte dhënë flori të barabartë me masën e bërthamës së hurmës. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e porositi për të shtruar një banket sipas mundësisë së tij, qoftë me një dele. (Sahihu i Buhariut, #2048)

Hazret Sa’d ibn er-Rabi’u r.a. kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit, ndërsa ra dëshmor në Uhud. Në ditën e Uhudit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Kush do të më njoftojnë për gjendjen e Sa’dit? Dikush iu përgjigj thirrjes dhe nisi të kontrollonte trupat e pajetë në fushën e betejës. Kur Sa’di r.a. e pa atë, e pyeti se kë po kërkonte. Ai iu përgjigj se e kishte porositur i Dërguar i Allahut s.a.v.s. për të marrë informacionin rreth tij. Hazret S’adi i tha: Thuaji të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. selamin tim dhe njoftoje se kam marrë 12 plagë të shtizës dhe që kundërshtarët e mi i kam dërguar në xhehenem. Të lutem, thuaji popullit tim që Allahu i Madhërishëm nuk do t’i pranojë asnjë justifikim nëse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bie dëshmor, ndërsa atyre u mbetet qoftë edhe një person i gjallë”.

Sipas transmetimeve, ky njeri, i cili kishte dalë për të kërkuar S’ad ibn er-Rab’iun r.a. ishte Ubejj ibn K’abi r.a.. S’ad ibn er-Rabi’u r.a. i tha Ubej ibn K’abit “Njofto popullin tim se S’ad ibn er-Rabi’u u thotë: Frikësojuni Allahut dhe kujtojeni besën që i keni dhënë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në natën e Akabasë. Betohem në Allah, nuk do t’ju pranohet asnjë arsye, nëse mosbesimtarët arrijnë t’i afrohen të Dërguarit të Allahut dhe juve ju mbetet qoftë një njeri i gjallë. Ubej ibn K’abi r.a. ka thënë që isha akoma pranë S’ad ibn er-Rabi’ut r.a. kur ai ndërroi jetë. Trupi i ishte këputur nga plagë të rënda. K’abi r.a. u kthye te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe ia tregoi gjendjen e tij dhe që kishte rënë dëshmor. Ai tha: Allahu e mëshiroftë! Ai mbeti mirëdashës ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij si në këtë jetë po ashtu pas vdekjes.

Hazret S’ad ibn er-Rab’iu r.a. dhe Harzet Kharixhe ibn Zejdi r.a. ishin varrosur në të njëjtin varr.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. ka përshkruar ngjarjen e martirizimit të S’ad ibn er-Rab’iut r.a. me këto fjalë. Ai shkruan:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte zbritur në fushë dhe po rregulloheshin trupat e dëshmorëve. Ajo pamje e rëndë u ngjallte muslimanëve dhembje të padurueshme. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte lënduar në luftë, por ai bashkë me sahabët po kujdesej për trupat e dëshmorëve dhe për t’u sjellë ndihmën e parë të plagosurve. 70 trupa të gjakosur e të pluhurosur të dëshmorëve muslimanë shtriheshin në fushë dhe shfaqnin një pamje të zymtë të traditës barbare të arabëve që quhej “Muthle”. U ishin prerë gjymtyrët dhe u ishin shformuar fytyrat. Ndër të vrarit, vetëm gjashtë ishin muhaxhirë dhe të tjerët u përkisnin ensarëve. Numri i të vrarëve në radhën e  kurejshëve ishte 23. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu afrua trupit të xhaxhait të tij Hamza ibn Abd el-Mutalib, ai mbeti i shtangur, sepse Hind, gruaja e Ebu Sufjanit e kishte cenuar mizorisht. Për disa çaste, Profeti mbeti i heshtur. Ndjenjat e hidhërimit dhe zemërimit i dukeshin qartë në fytyrë. Për një çast, ai mendoi se këta njerëz mizorë të Mekës, nuk do të kuptojnë derisa nuk hakmerren në të njëjtën mënyrë. Megjithatë, ai jo vetëm që u përmbajt dhe i duroi dhembjet, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndaloi përgjithmonë në Islam këtë traditë të shëmtuar të Muthles, në të cilën praktikohej shformimi i fytyrës dhe prerja e gjymtyrëve. Ai deklaroi që pavarësisht çfarë vepron armiku, muslimanët duhet t’i shmangen në mënyrë absolute kësaj sjellje barbare e mizore dhe të veprojnë me mirësi dhe dinjitet.

Safije bint Abdil Mutalib kishte një dashuri të thellë me vëllain e saj Hamza. Duke dëgjuar për gjëmën e madhe që u kishte rënë muslimanëve, ajo gjithashtu kishte dalë nga Medina. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e porositi djalin e saj Zubejr ibn el-Avam t’i mos tregonte asaj trupin e dajës së tij, por dashuria e motrës nuk gjente karar. Djali refuzonte sepse fytyra e Hamzait r.a. ishte shformuar keq, por ajo ngulmonte për të parë trupin e vëllait. Ajo i dha fjalën se do ta përmbante veten, nuk do t’i shprehte ndjenjat dhe që nuk do të nxirrte asnjë fjalë vajtuese. Përfundimisht ajo shkoi dhe duke parë trupin e vëllait, tha vetëm kaq: إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّـا إِلَيْهِ رَاجِعونَ

Kurejshët kishin vepruar këtë mizori edhe me trupat e sahabëve të tjerë. Trupi i kushëririt të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Hazret Abdullah ibn Xhahsh ishte gjithashtu deformuar keq. Sa largohej i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nga një trup dhe i afrohej trupit tjetër, i shtoheshin ndjenjat e dhimbjes dhe pikëllimit në fytyrë. Ndoshta, në këto çaste ai porositi që dikush ta lajmëronte për gjendjen e S’ad ibn er-Rab’iut prijësit të ensarëve, se a ishte i gjallë apo kishte rënë dëshmor, sepse Ai e kishte parë në luftë të rrethuar nga shtizat e armiqve.

Pas porosisë së tij, Ubej ibn K’abi r.a. një sahab ensar, zbriti në fushën e betejës. Ai e kërkoi në çdo vend, por nuk gjeti asnjë gjurmë të S’adit. Në fund, ai nisi të thërriste me zë të lartë emrin e S’adit, por sërish nuk mori asnjë përgjigje. Në dëshpërim, ai u mat të kthehej, por sakaq mendoi të thërriste me emrin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ai lëshoi thirrje të fortë për S’ad ibn er-Rabi’un dhe tha që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më ka dërguar ta gjej atë. Kjo thirrje sikur mbushi trupin e dërrmuar të S’adit me një valë të fuqishme. Ai lëngonte pandjenja në mesin e një pirgu me kufomat, por emri i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. i kishte ngjallur një fuqi të menjëhershme në trup. Ai iu përgjigj sakaq kësaj thirrje me një zë të mekur që mezi dëgjohej. “Kush është? Unë jam këtu”. Ubej ibn K’ab vështroi andej e këtej, dhe në fund e gjeti pak metra larg, mes të vrarëve. Ai përpëlitej në çastet e agonisë. Ubej ibn K’abi r.a. i tha: Më ka dërguar i Dërguari i Allahut s.a.v.s. që ta lajmëroj atë për gjendjen tuaj. S’adi iu përgjigj: Bëni selam të Dërguarit të Allahut dhe thuajini që Allahu ta shpërblejë atë më shumë se çdo profet tjetër për shkak të sakrificave dhe devotshmërisë së pasuesve dhe t’i dhurojë atij qetësi prej nesh. Thuaju vëllezërve të mi muslimanë dhe popullit tim që Allahu nuk do t’u pranojë asnjë arsye për derisa janë të gjallë dhe lëndohet i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Sapo i tha këto fjalë, S’adi dha frymën e fundit dhe ndërroi jetë.

Hazret Kalifi II r.a. gjithashtu ka përshkruar këtë ngjarje. Ai shkruan:

“Pas luftës së Uhudit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e porositi Ubej ibn K’abin r.a. të shkonte dhe të kujdesej për të plagosurit. Në këtë kërkim, ai mbërriti te S’ad ibn Rabi’u r.a., i cili ishte në gjendje të rëndë, madje në grahmat e fundit. Ai e pyeti se nëse dëshironte t’i përcillte ndonjë mesazh të afërmve të tij. S’adi r.a. iu përgjigj duke buzëqeshur “Po, isha në pritje të vinte ndonjë musliman, që t’i jepja një mesazh. Më jepni dorë dhe më premtoni se ju do të përcillni patjetër mesazhin tim”. Pastaj i tha: “Dua që t’u përcillni selamin tim vëllezërve muslimanë dhe thuajuni popullit dhe të afërmve të mi se Zoti i Madhërishëm na ka lënë amanetin më të shtrenjtë si i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Ne e kemi mbrojtur duke mos kursyer as jetën. Por, tani që largohemi nga kjo botë, po ju dorëzojmë këtë amanet, me shpresë se do ta mbroni atë, dhe nuk do të ngurroni për të dhënë jetën për mbrojtjen e tij”.

Kalifi II r.a. komenton më tej: “Shikoni pak, kur njeriu përpëlitej në grahmat e fundit, i dalin lloj-lloj mendimesh. Ai mendon për bashkëshorten e tij apo për fëmijët se kush do të kujdeset për ta. Por ky sahab nuk la asnjë mesazh për ta. Ai tha vetëm kaq se po japim jetë duke mbrojtur të Dërguarin e Allahut, tani ndiqni dhe ju këtë rrugë. Rruga më e lavdishme është mbrojtja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ata kishin një fuqi të jashtëzakonshme të besimit, përmes saj, ata arritën të përmbysnin rendin e botës dhe të mposhtnin perandoritë e Çezarit dhe Kisrasë. Perandori romak po habitej se cilët ishin këta njerëz? Ata nuk kishin as për të ngrënë, por vërsuleshin vrullshëm mbi shpatat dhe shtizat me një besim të pathyeshëm.

Njëherë vajza e S’ad ibn Rab’iut r.a. Umi S’ad shkoi te Hazret Ebu Bekri r.a., dhe ai shtroi çarçafin e tij për të. Pak më vonë, kur erdhi Omeri r.a. ai e pyeti se kush ishte ajo. Ebu Bekri i tha: Ajo është vajza e atij, i cili ishte më i mirë se ne. Omeri e pyeti: O Kalif i të Dërguarit të Allahut! Kush është ai? Ebu Bekri iu përgjigj: Kjo është vajza e atij, i cili ra dëshmor në jetën e Profetit s.a.v.s. dhe hyri në xhenet, ndërsa unë dhe ti mbetëm këtu.

Xhabir ibn Abdullahu r.a. tregon se njëherë e veja e S’ad ibn Rabi’ut r.a. bashkë me dy vajzat e saj shkoi te Pejgabmeri s.a.v.s. dhe i tha: O i Dërguar i Allahut! Këto janë vajzat e S’ad ibn Rabi’ut, i cili kishte rënë dëshmor duke luftuar me ju në Uhud. Gjithë pasurinë e tij, e ka trashëguar vëllai i tij dhe ato nuk kanë marrë asgjë prej saj. Në këtë gjendje unë as nuk mund t’i martoj ato, sepse edhe për martesë duhen para. Ai u tha se Allahu do të gjykojë çështjen e tyre. Pastaj, iu shpallën ajetet e ndarjes së trashëgimisë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. thirri xhaxhain e tyre dhe e porositi për t’u dhënë vajzave të S’adit një të tretë dhe bashkëshortes së tij një të tetë prej trashëgimisë së S’adit, ndërsa të mbante pjesën e mbetur prej saj.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. ka një shënim në Siret Khatemun Nebijjin, i cili shtjellon këtë ngjarje. Ai shkruan:

“Hazret S’adi ishte në gjendje të mirë ekonomike dhe shquhej në fisin e tij. Ai nuk kishte lënë ndonjë djalë pas dhe kishte vetëm dy vajza e një bashkëshorte. Meqenëse, akoma nuk i kishin zbritur urdhrat e reja lidhur me ndarjen e trashëgimisë, sahabët vepronin sipas traditave të moçme arabe. Nëse i vdekuri nuk linte ndonjë fëmijë mashkullor pas, trashëgimia e të vdekurit kalonte në pronësinë e farefisit të tij, në varësi të lidhjes sa më të afërt, ndërsa e veja dhe vajzat e të vdekurit mbeteshin me duar boshë. Andaj, pas martirizimit të S’ad ibn er-Rabi’ut, vëllai i tij përvetësoi krejt trashëgiminë e tij duke lënë bashkëshorten dhe vajzat e tij pambrojtje dhe pambështetje.

Shtrëngesa e madhe ekonomike, e shtyri të venë e S’adit dhe dy vajzat e tij, që t’i drejtoheshin të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe t’i rrëfenin hallin e tyre. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u prek thellë nga historia e tyre, por meqë ai akoma nuk kishte marrë asnjë urdhër lidhur me këtë çështje, ai i porositi për të pritur, dhe i siguroi që çështje e tyre do të zgjidhej në bazë të urdhrave që do t’i shpallen prej Allahut. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nisi të lutej me mallëngjim për këtë çështje. Nuk kaloi shumë që i zbritën urdhëresat lidhur me ndarjen e trashëgimisë, që gjenden në suren en-Nisa të Kuranit Famëlartë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. thirri vëllain e S’adit dhe e porositi që dy të tretat e pasurisë do të trashëgonin vajzat e S’adit ndërsa bashkëshortes së tij do të takonte një e teta e trashëgimisë, dhe ajo që do të mbetej nga pasuria i takonte atij.

Që prej asaj kohe, nisi zbatimi i rregullave të reja për ndarjen e trashëgimisë. Sipas këtyre rregullave, bashkëshortes i takon një e teta e trashëgimisë nga ajo që ka lënë bashkëshorti i saj, nëse ka fëmijë, dhe i takon një e katërta e trashëgimisë, nëse ai nuk ka fëmijë. Vajzat trashëgojnë nga pasuria e babait të tyre sa gjysma e asaj që i takon vëllait të tyre, dhe kur ato nuk kanë ndonjë vëlla, atëherë atyre u takon në varësi të situatave dy e tretat, gjysma apo tre e katërtat e pasurisë. Nëse i vdekuri ka lënë fëmijë, nënës së tij bie një e gjashta dhe nëse nuk ka fëmijë, asaj i takon një e treta e pasurisë. Kështu u përcaktuan pjesë për trashëgimtarë të tjerë dhe femrës iu kthye e drejta elementare që i ishte mohuar prej kohësh.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. i ka shtuar një shënim të shkurtër kësaj teme, në të cilën ai shpjegon se:

“Këtu nuk duket zgjatje e pavend, nëse themi që një prej tipareve dalluese të mësimeve të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. është që ai ka mbështetur dhe mbrojtur të gjitha të drejtat themelore të grave. Madje, asnjëri as para e as mbrapa nuk i ka mbrojtur të drejtat e gruas, siç ka bërë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka njohur të gjithë të drejtat legjitime të gruas në ndarjen e trashëgimisë, në shfrytëzimin e pronave të saj, në arsim, në kujdestarinë dhe edukimin e fëmijëve, në pjesëmarrje në çështjet kombëtare dhe shtetërore, në lirinë individuale, në detyrat dhe përgjegjësitë fetare si dhe në çdo fushë të jetës shoqërore a fetare në të cilën ajo mund të luajë një rol aktiv. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka cilësuar mbrojtjen e të drejtave të gruas si një amanet dhe detyrë të shenjtë për umetin e tij. Kjo është arsyeja, përse gruaja arabe e konsideronte ardhjen e tij si një myzhde për lirinë e saj”.

Ai shkruan: “Për të shtjelluar akoma më hollësisht të drejtat e gruas në Islam, do të më duhej t’i shmangem temës aktuale. Megjithatë, mësimet e tij për të drejtat e gruas gëzojnë një pozitë kaq të lartë, saqë asnjë fe apo qytetërim botëror akoma nuk i afrohet asaj. Sigurisht, fjalët e tij të mëposhtme bazohen në një të vërtetë absolute:

حُبّبَ إِلَيَّ مِنْ دنياكُمُ النّساءُ والطيبُ وجُعِلَتْ قرةُ عينِي في الصّلاةِ

Më të pëlqyerat për mua në botën tuaj është grua dhe aromë, por prehja e syve të mi gjendet në namaz (në adhurim).

Bota sot flet për të drejtat e gruas duke ngritur çështjet që nuk kanë aspak lidhje me liri. Ata kritikojnë kufizimet e Islamit, ndërsa ato synojnë të mbrojnë nderin e saj dhe të sigurojnë harmoninë familjare dhe edukimin e brezave të ardhshëm. Në të vërtetë, vetëm mësimet e Islamit e mbrojnë lirinë dhe të drejtat e gruas. Allahu e mundësoftë botën ta kuptojë këtë realitet dhe të ruhet nga të këqijat dhe gjendja e rrëmujshme. Allahu i mundësoftë dhe gratë tona që në vend të magjepsen nga shkëlqimi i botës, të njohin e të kuptojnë lirinë e vërtetë. Pozitën e lartë që Islami i ka dhënë gruas, nuk i ka dhënë as ndonjë fe apo organizatat e ashtuquajtura të emancipuara apo lëvizjet përparimtare. Allahu i mundësoftë meshkujt që t’u japin grave të drejtat e tyre në përputhje me mësimet islame dhe të arrijnë të ndërtojnë një shoqëri paqësore e të begatshme!

Një thirrje për lutje

Në fund, dua t’ju bëj thirrje për t’u lutur për gjendjen aktuale. Lutuni që Allahu i Madhërishëm të ruajë botën nga pandemia e Koronavirusit, dhe të mundësojë njerëzit për të njohur që ekzistenca dhe qëndrueshmëria e tyre janë kushtëzuar me kthimin te një Zot, në përmbushjen e detyrave ndaj njëri-tjetrit dhe në zhdukjen e ideve përplasëse dhe sjelljeve përçarëse duke sakrifikuar interesat tona. Allahu i mundësoftë shtetet për të udhëhequr një sistem që bazohet në drejtësi.

Allahu e ruajttë çdo musliman ahmedian në Amerikë nga pasojat e trazirave dhe rrëmujave në vend! Allahu e mundësoftë dhe popullin që të paraqesë kërkesat dhe të kërkojë të drejtat e tij në mënyrë të denjë e legjitime! Nëse afroamerikanët sabotojnë pronat e tyre, ata vetë do të faturohen për këto pasojë. Disa nga liderët afrikanë gjithashtu u kanë tërhequr vërejtje për t’iu shmangur çdolloj sabotimi dhe prishje pronash. Ata le të kërkojnë të drejtat e tyre dhe të fitojnë ato në mënyrë legjitime. Ata gjithashtu le të protestojnë, derisa i lejon shteti, por në asnjë mënyrë nuk duhet të sabotojnë pronat private apo publike. Kjo nuk do t’u sjellë asnjë rezultat, madje vetëm shkatërrim e humbje.

Administrata shtetërore gjithashtu duhet të dijë që përdorimi i forcës ndaj protestuesve në rrethana të tilla, nuk mund të zgjidhë problemet. Shtetet funksionojnë duke mbrojtur dhe duke siguruar të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët dhe vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet paqe dhe stabilitet në vend. Nëse njerëzit janë të xhindosur, asnjë qeveri sado e fuqishme të jetë, nuk mund të qëndrojë përpara valës së indinjatës popullore.

Allahu i dhëntë fund kësaj situate me trazira dhe protesta të dhunshme! Allahu e mundësoftë shtetin të respektojë të drejtat e popullit dhe popullin të kërkojë të drejtat e tij përmes mjeteve të drejta e legjitime!

Shteti pakistanez gjithashtu nuk duhet të dorëzohet para presionit të klerikëve dhe të ndalojë agresionin e tyre ndaj ahmedianëve i cili po shtohet dita ditës. Shteti duhet të funksionojë në parimin e drejtësisë dhe të mësojë nga historia. Çdo qeveri e cila ka përdorur çështjen e ahmediatit për interesat e saj dhe ka vepruar me padrejtësi, nuk ka arritur të qëndrojë në pushtet. Prandaj, le ta heqin këtë iluzion sa më parë nga mendja e tyre. Ata nuk mund të zgjasin pushtetin në bazë të këtyre çështjeve. Mirëpo, si rrjedhojë e kësaj politike mizore dhe e padrejtë, ahmediati ka arritur të përparojë katërçipërisht dhe kjo rritje do të vijojë edhe në të ardhmen. Kjo është puna e Zotit dhe askush nuk mund ta pengojë atë.

Ne lutemi që Allahu të largojë mizori, çrregullim dhe anarki nga çdo cep i botës. Allahu e mundësoftë njeriun të nxjerrë mësimin e duhur nga gjendja e pandemisë për të përvetësuar ndryshime të nevojshme në jetën e tij! Allahu na mundësoftë ne ahmedianë t’i afrohemi Krijuesit tanë si kurrë më parë si dhe të përmbushim detyrat ndaj njerëzve që të tërheqim mëshirën dhe dashurinë e Zotit dhe të bëhemi dëshmitarë sa më shpejtë për arritje dhe fitore!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp