Synoni përfundim të mirë me adhurim, lutje dhe vepra të mira
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Synoni përfundim të mirë me adhurim, lutje dhe vepra të mira

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pas recitimit të shehadetit dhe el-Fatihasë Huzuri tha:

Në radhë të parë dua të falënderoj të gjithë ata ahmedianë, të cilët më kanë shprehur fjalët ngushëlluese dhe janë lutur për mua, pas rrëzimit tim dhe lëndimit trupor. Allahu ju shpërbleftë me të mirat dhe ju shtoftë në dashuri e besnikëri!

Dashuri midis anëtarëve të Xhematit dhe Kalifit të Kohës

Një lidhje e tillë dashurie dhe besnikërie për hir të Allahut dhe me porosinë e Tij, me Kalifin e kohës, mund të gjendet vetëm në xhematin musliman Ahmedia. Këtë dashuri të dyanshme e ka ngjallur Zoti dhe nuk dihet se cili ka dashurinë më të zjarrtë. Nganjëherë duket se dashuria e anëtarëve ka arritur shkallën më të skajshme, dhe disave u duket se dashuria e Kalifit të kohës nuk gjendet në të njëjtën shkallë. Por, kjo dashuri është e dyanshme dhe shembulli i saj nuk mund të gjendet në lidhjet e kësaj bote. Më pëlqen një thënie e Kalifit III r.a. që Kalifi i kohës dhe xhemati përbën një qenie të vetme, që njihet me dy emra. Kjo është shenja e pranimit të lutjeve tuaja që me mëshirën e Allahut, plagët e mia janë shëruar jashtëzakonisht shpejt. Doktori më ka thënë që plagët e fytyrës në përgjithësi përmirësohen shpejt, por nuk kishte menduar se plagët e mia do të shëroheshin kaq shpejt. Unë i kisha thënë, që shërbimi mjekësor ka efektin e vet, por kryesisht janë lutjet që kanë sjellë këtë rezultat. Unë gjithashtu kisha menduar se janë shumë plagë dhe do të duhen të paktën dy javë që të hiqen buzët e plagës dhe ndoshta do të mbeten shenjat, por me mirësinë e Allahut ato u zhdukën vetëm brenda 7-8 ditëve.

Disa këshilla mjekësore dhe fuqia e lutjes

Tani dua të ndaj me ju përvojën time nga këto plagë. Para pak kohësh, Mir Mahmud Ahmed Nasir sahibi kishte përgatitur balsamin e Isait sipas mënyrës siriane dhe më kishte dërguar. Tani, për shkak të lëndimit, e kam përdorur këtë balsam, po ashtu kam përdorur kremin homeopatik Calendula për kujdesin e lëkurës. Megjithatë, shërimi kryesor vjen prej Zotit, i Cili është Shërues i vërtetë. Kam përmendur këto ilaçe, pasi mund të jenë të dobishme edhe për të tjerët. Tani, bëni dua që Allahu t’i largojë shenjat e mbetura të plagëve si dhe pasojat e tyre.

Fuqia kryesore buron prej mëshirës së të Madhit Zot, e cila arrihet me anë të lutjes. Më kujtohet se si para pak kohe, kam pasur një dhimbje të padurueshme në njërën shpatull dhe sup. Kisha vështirësi për të ngritur dorën, dhe duhet ta mbështesja me dorën tjetër. Kur e kontrolloi një mjek specialist, ai u shpreh se kjo dhimbje mund të më shoqërojë nga minimumi 6 javë e deri në 3-4 muaj. Megjithatë, kur e kontrolloi pas pak ditësh, me mëshirën e Allahut më ishte larguar 90% dhimbje, dhe ai shprehu habinë. Unë i thashë se kur miliona njerëz bëjnë lutje, shfaqet dhe mëshira e Allahut. Mjeku anglez i cili ishte i krishterë, më tregoi se familja e tij është fetare dhe ai besonte në fuqinë e lutjes dhe u shpreh se me të vërtetë ajo ishte rezultati i lutjes.

Prandaj, ne gjithashtu duhet të lutemi për mëshirën e Allahut dhe duhet të përkulemi vetëm para Tij. Në situatën ku ndodhemi, gjithashtu duhet të nënshtrohemi posaçërisht para Allahut.

Përkushtimi ndaj ibadetit në kohën e pandemisë

Sipas raporteve që kam marrë, si nga Britania po ashtu vendet e tjera të botës, anëtarët e xhematit i janë përkushtuar më shumë adhurimit të Allahut. Për shkak të kufizimeve në lëvizje, anëtarët po organizojnë namaze me xhemat në shtëpi, po ashtu mbajnë vaz nga Kurani Famëlartë apo librat e hadithit, dhe kështu jo vetëm që po u shtohet dituri të rriturve, por edhe të vegjlit po përparojnë në edukimin fetar. Me mirësinë e Allahut, na erdhi muaji i Ramazanit në këtë periudhë, dhe njerëzit iu përkushtuan akoma më shumë ibadetit dhe adhurimit. Tashmë, po përfundon Ramazani, ndërkohë shteti po planifikon të lehtësojë masat e kufizimit dhe në disa vende, këto masa tashmë janë hequr. Prandaj, në radhë të parë dua të them që çdo ahmedian duhet të respektojë dhe të zbatojë të gjitha rregullat që janë vendosur lidhur me lehtësimin e masave. Por, më e rëndësishme është që lejimi i aktiviteteve tregtare, zbutja e kufizimeve të lëvizjes dhe përfundimi i muajit të Ramazanit nuk duhet të bëjnë ahmedianin të bjerë nga niveli i veprave. Çdo musliman ahemdian, duhet të ketë si obligim që derisa vijojnë këto sanksione në jetën shoqërore, ai duhet të vazhdojë namazin me xhemat bashkë me veprat e tjera në shtëpinë e tij. Po ashtu, nëse lejohet frekuentimi në xhami, çdo musliman ahmedian duhet të pranojë si detyrë për të populluar xhaminë, më shumë se kurrë.  Gratë ahmediane gjithashtu organizojnë rregullisht namazin në shtëpi, që fëmijët t’i kenë si shembull para tyre, dhe kështu t’u shtohet besim në Zot. Duhet mbajtur dhe vazi në shtëpi pandërprerë, qoftë për disa minuta. Në të njëjtën kohë, duhet të ndiqni programet e MTA-së rregullisht, siç ju kam porositur edhe më parë.

Prandaj, as pas heqjes së masave dhe as pas largimit të Ramazanit, nuk duhet të jemi të shkujdesur në veprat e mira. Çdo musliman ahmedian duhet të mbajë parasysh besëlidhjen që ka bërë me Mesihun e Premtuar a.s. se ai vazhdimisht do të përpiqet të reformojnë dhe të përmirësojë veten.

Një besimtar assesi nuk mund t’u përkasë atyre që e kujtojnë Zotin kur janë zënë në hall dhe i kërkojnë mbrojtje dhe i përgjërohen përulësisht për ndihmë, por sapo u largohen situata, menjëherë e harrojnë Zotin. Këto ditë, njerëzit janë bërë mjaft kureshtarë se koronvirusi a qenka një pandemi e zakonshme apo një ndëshkim prej Perëndisë. Besimtari kur gjendet në situata të tilla, me pandemi apo fatkeqësi të tjera, ai duhet t’i nënshtrohet Zotit, e jo të pushtohet nga kureshtja e tepruar. Kjo është epoka e Mesihut të Premtuar a.s. dhe mjaft prej premtimeve që Zoti i kishte bërë atij tashmë janë përmbushur, dhe pjesa tjetër vijon të përmbushet. Nëse ato premtime paralajmërojnë për ngjarjet alarmuese, besimtari duhet të reagojë duke shfaqur druajtje dhe t’i lutet Allahut për forcimin e besimit dhe për një përfundim të mirë. Synimi kryesor i çdo besimtari është një përfundim i mirë. Unë kam përmendur disa herë që këto fatkeqësi, tërmete dhe pandemi etj. kanë një lidhje të veçantë me kohën e Mesihut të Premtuar a.s., andaj duhet të lutemi për të pasur besim të sinqertë dhe një përfundim të mirë, po ashtu duhet të lutemi për shpëtimin e botës.

Ndonëse Mesihu i Premtuar a.s. ishte lajmëruar prej Allahut për shpërthimin e murtajës si një shenjë qiellore, ai përpëlitej duke u lutur për shpëtimin e njerëzve. Ata që kishin dëgjuar përgjërimet dhe lutje emocionuese të Mesihut të Premtuar a.s., kanë rrëfyer se zëri i tij i ngashëryer i ngjante gurgullimës së ujit në tenxhere. Mëshira dhe dhembshuria e tij ndaj njerëzimit mbizotëronte në qenien e tij, edhe pse ai ishte lajmëruar se ajo murtajë do të shfaqej si një shenjë për të. Ne gjithashtu duhet të përvetësojmë shembullin e Mesihut të Premtuar a.s. për t’u lutur me mallëngjim për shpëtimin e njerëzve nga kthetrat e vdekjes, që po shkakton kjo pandemi.

Cili duhet të jetë qëndrimi i një ahmediani përballë pandemisë?

Disa njerëz, po mundohen të gjejnë lidhje midis kësaj pandemie dhe një shkrimi të Kalifit IV r.a. që titullohet “Fatkeqësitë natyrore apo ndëshkimi hyjnor”. Le të bëhet e qartë që padyshim, numri i fatkeqësive është shtuar ndjeshëm pas kohës së Mesihut të Premtuar a.s. dhe ai vetë ka qartësuar se ato do të ndodhin. Kam shpjeguar në hutbet e mia të fundit se padyshim nganjëherë edhe besimtarët bien viktimë të ligjit të natyrës, por ata quhen dëshmorë dhe arrijnë një përfundim të mirë. Sipas thënies së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., përfundimi i tyre i çon në xhenet. Profeti s.a.v.s. ka thënë që njeriu, të cilit njerëzit i thuren lëvdata kur e përcjellin në banesën e fundit, rrëfejnë shërbimet dhe kontributet e tij, të dëshmojnë dhe lavdërojnë për përmbushjen e të drejtave të Zotit dhe të drejtave të njerëzve, arrin të fitojë xhenetin. Disa prej ahmedianëve të devotshëm, që kanë ndërruar jetë për shkak të koronavirusit, morën të njëjtët lëvdata, nderime dhe fjalë të mira prej të tjerëve. Ne gjithashtu duhet të vështrojmë reagimin e njerëzve të tjerë të botës, përballë kësaj pandemie. Banorët e tokës janë hutuar plotësisht dhe bota ka pësuar ndryshime radikale. Jo vetëm njerëzit, por edhe shtetet që veten e konsideronin të fuqishme si malet, u janë shkatërruar ekonomia dhe sistemi financiar. Për t’ua larguar vëmendje njerëzve nga këto çështje, ata po hedhin hapa të rrezikshëm, që mund të shtyjë botën në luftë dhe rrënimin e mëtejshëm të ekonomisë. Për aq kohë, që ata nuk e ndryshojnë veten për t’iu shmangur fërkimeve dhe konflikteve të vazhdueshme, ata do të vazhdojnë të zhyten në rrënime të njëpasnjëshme.

Mesihu i Premtuar a.s. gjithashtu ka thënë që Allahu do të kërkojë llogari për gabimet a devijimet fetare në ditën e Kijametit, ndërsa mbjellja e pështjellimit, shkaktimi i çrregullimit, uzurpimi i të drejtave dhe përqeshja e robërve të Zotit, të gjitha këto ndjellin fatkeqësi të rënda. Megjithatë, kemi për detyrë të bëjmë lutje, të alarmojmë botën dhe të përmirësojmë gjendjen tonë.

Tema e Hazret Kalifit IV r.a., që unë cekur më lartë, është një shkrim i gjatë. Leximi i këtij shkrimi, nuk na shërben vetëm për të na ngjallur kureshtje se çfarë u ka ngjarë popujve të mëparshëm dhe për të nxitur debatin se pandemia aktuale a është një ndëshkim apo jo. Ndonëse, këto janë çështje alarmuese, ne duhet t’i kushtojmë vëmendje gjendjes sonë, pasi ai ka nënvizuar qartë që këto ngjarje vlejnë si paralajmërim, po ashtu si myzhde për xhematin musliman ahmedia. Paralajmërimi është që nuk do të mjaftojë vetëm etiketimi i ahmediatit, por takuaja (druajtja ndaj Allahut) është kushti i domosdoshëm. Ndërsa, lajmi i mirë është që çdo ahmedian do të mundohet për të ndrequr sa më shpejtë dobësitë në vepra.

Shpëtimi i njeriut varet nga kthimi i tij drejt Zotit

Besëlidhja apo bejti është thjeshtë një etiketë, dhe shpëtimi i vërtetë varet në kthimin e tyre drejt mësimit të pastër të Mesihut të Premtuar. Prandaj, njësoj si në kohën e Mesihut të Premtuar a.s., anëtarët e xhematit u ndërgjegjësuan në kohën e murtajës, edhe tani duhet të jeni të vëmendshëm në plotësimin e detyrimeve ndaj Zotit dhe ndaj njerëzve të tjerë, sepse pas shkatërrimit të botës, kur bota sërish do t’i drejtohet Zotit, dhe përmbushjes së detyrimeve ndaj njerëzve të tjerë, ata do të vështrojnë nga Xhemati. Në atë kohë, vetëm muslimanët ahmedianë do të jenë të denjë për të udhëhequr botën. Por, ne duhet të lutemi që ajo ditë të mos vijë kurrë, kur bota do të përfundojë deri në këtë derexhe, ku do t’i mbyllen të gjitha dyert e dritës dhe paqes. Duhet të lutemi që njerëzit të alarmohen, para se të përfundojnë në këtë gjendje. Andaj, krahas lutjeve, duhet të manifestojmë shembullin tonë të bukur dhe t’i tërheqim vëmendje botës se mund të arrijmë mëshirën e Zotit, duke mbrojtur të drejtat e të tjerëve. Po ashtu, le të bëjmë të qartë që derisa nuk synojmë mëshirën e Zotit, do të dështojnë të gjitha planet tona për vendosjen e paqes në tokë, dhe do të mbetemi të humbur edhe në jetën e pastajme.

Shërbejuni njerëzve dhe bëhuni mjet për t’i udhëhequr drejt Zotit!

Është mirësia e Zotit, që gjatë këtyre ditëve, anëtarët e xhematit jo vetëm që janë përkushtuar në ibadete, po ashtu djemtë dhe vajzat, gratë dhe burrat janë angazhuar në aksionet humanitare. Këto vepra solemne, po shërbejnë për t’ua treguar të humburve rrugën e Zotit.

Para disa ditësh, kisha marrë një raport nga Kanadaja. Një zonjë mori në telefon, fqinjin e saj, i cili kishte dhënë numrin e tij për ndihmë si programi i Khudamul Ahmedia. Djali i saj ishte i sëmurë, dhe nuk kishte asnjë mundësi për t’ia siguruar ilaçet. Ajo e mori në telefon, kur ishte dëshpëruar në çdo përpjekje. Ishte mesnatë, dhe të gjithë i kishin thënë që ato ilaçe mund të gjente vetëm në mëngjes. Djali po përkeqësohej. Në atë gjendje, ajo mendoi t’i lutej Zotit për të provuar fuqinë e Tij, edhe pse nuk e besonte. Ajo bëri një lutje mallëngjyese dhe iu drejtua Zotit me shumë ngashërim se O Zot! Nëse Ti me të vërtetë ekziston, shiko gjendjen e djalit tim! Më mundëso ilaçet për të! Në të njëjtën kohë, asaj i shkoi mendja për të thirrur numrin e shërbimit të khuddamëve. Kur mori në atë numër, dikush u përgjigj, dhe ajo ia tregoi problemin. Ai siguroi se do të përpiqej të gjejë ndonjë zgjidhje. Pas pak, ai thirri sërish për të thënë që ishte ora 2 e mëngjesit dhe ishte vështirë të rregullohej diçka. Pastaj ai pyeti për gjendjen e djalit. Unë i tregova gjithë situatën dhe i shpreha edhe ankthin tim. Ai prapë më siguroi se do të dilte për të gjetur ndonjë farmaci të hapur që të siguronte ilaçet. Ai u ngrit në atë orë të vonuar, ndonëse ishte i përgjumur. Ai shkoi me makinë 50 kilometra larg dhe më solli ilaçet. Kjo ngjarje më bindi se Zoti ekziston. Unë i jam mirënjohëse atij djaloshi ahmedian, i cili më ktheu besimin në Zot.

Pra, gjatë këtyre ditëve, ne mund të bëhemi mjet për t’i afruar njerëzit me Zotin, dhe për këtë, le të bëjë secili anëtar përpjekje të sinqerta, e jo të rrimë këmbëkryq duke menduar se a është kjo pandemi prej Zotit apo jo. Ne gjithashtu duhet të mbajmë të gjallë simpatinë dhe ndërgjegjësimin ndaj halleve dhe vështirësive të të tjerëve, ndjesinë kjo që kemi fituar në muajin e Ramazanit, e cila përbën një prej qëllimeve kryesore të agjërimit.

Nuk duhet të ndërpresim veprat e mira edhe pas Ramazanit

Situata e përgjithshme e botës si pasojë e kësaj pandemie, si dhe atmosfera e Ramazanit, duhet të na shërbejnë për t’u bërë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm ndaj detyrave dhe përgjegjësive tona. Ramazani do të ndahet pas një apo dy ditësh, por ne duhet të ruajmë mirësitë e tij përgjithmonë në qenien tonë. Duhet të përpiqemi që të mos ikin ato ndryshime të pastra, që ndërmorën në brendësinë tonë në këtë muaj.

Po ashtu, lehtësimi në masat kufizuese, nuk do të bëjë të pakujdesshëm ndaj përgjegjësive si ndaj vetes sonë po ashtu ndaj të tjerëve. Ne jo vetëm që duhet të jemi gjithmonë të vetëdijshëm ndaj përmbushjes së detyrimeve ndaj Zotit dhe robërve të Tij, po ashtu duhet të frymëzojmë dhe të nxisim edhe të tjerët përmes shembullit tonë të pastër. Ne kemi pranuar Mesihun e Premtuar a.s. në këtë kohë, dhe në çdo kuvend, ai na ka tërhequr vëmendje ndaj pozitës dhe nivelit të lartë të besimit, që ai pret prej nesh.

Porositë e Mesihut të Premtuar a.s.

Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë:

“Duhet që çdo njeri të mundohet për t’u zgjuar për namazin e tehexhudit, dhe të shtojë lutjen e Kunutit në namaze të pesë vakteve. Çdo njeri të pendohet nga sjellja që tërheq zemërimin e Zotit. Nga pendimi, nënkuptohet largimi nga të gjitha ato sjellje të këqija që tërheqin zemërimin e Zotit dhe të hedhim hapa për një ndryshim të vërtetë dhe t’i përmbahemi druajtjes. Të zbusim sjelljen tonë dhe të largojmë zemërimin duke e zëvendësuar me përulësi dhe nënshtrim. Bashkë me përmirësimin e gjendjes morale, të japim dhe lëmosha sipas mundësisë sonë.

وَيُطْعِمُونَ الطَّعَامَ عَلَىٰ حُبِّهِ مِسْكِينًا وَيَتِيمًا وَأَسِيرًا ﴿٨﴾

Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob për hir të kënaqësisë së Zotit edhe pse vetë janë nevojtarë. (el-Insan 76:9)

Shkurt, veproni me pendim dhe paguani vazhdimisht lëmoshë, që edhe Allahu i Madhërishëm të sillet me ju mëshirë e falje”.

Pastaj ai shkruan:

“Allahu nuk përfill askënd, përveç robërve të Tij të sinqertë. Ushqeni vëllazërinë e dashurinë për njëri-tjetrin, dhe largohuni nga çdolloj egërsie dhe mosmarrëveshjeje. Ndahuni plotësisht nga çdolloj talljeje e përbuzje, sepse përbuzja e largon zemrën e njeriut nga e vërteta dhe e çon në ngatërresa. Silluni me njëri-tjetrin me respekt dhe nderim. Duhet t’i jepni epërsi rehatisë së vëllait tuaj mbi rehatinë personale. Krijoni pajtim të vërtetë me Zotin dhe hyni në Të me bindje. Po zbret zemërimi i Zotit në tokë dhe vetëm ata do të jenë të mbrojtur prej tij, të cilët i afrohen Atij duke u penduar nga të gjitha mëkatet e tyre. Mbani mend, nëse do t’u përmbaheni porosive të Zotit dhe do të orvateni në përkrahjen e fesë së Tij, Zoti do t’ju largojë të gjitha pengesat tuaja dhe do t’ju bëjë fitimtarë. A nuk keni parë se për të mbrojtur bimë të mira, bujku shkul dhe largon bimë të egra, dhe kështu rregullon arën e tij dhe shton pemë të buta e të dobishme dhe në këtë mënyrë ai i mbron ato nga dëmi. Ndërsa, kopshtari nuk i përfill ato pemë apo bimë që fillojnë të kalben e të thahen, që i ha bagëtia apo i pret druvari. Mbajeni mend, nëse jeni të sinqertë në sy të Allahut, nuk mund t’ju dëmtojë asnjë kundërshtar, por nëse nuk e përmirësoni gjendjen tuaj, dhe nuk lidheni besnikërisht me Allahun, Ai gjithashtu nuk do t’ju përfill aspak”.

Ai thotë:

“Duhet të hyni në të dashurit e Zotit dhe të zhdukni çdolloj mosmarrëveshje, inati dhe armiqësi në mesin tuaj. Ka ardhur koha që t’u shmangeni çështjeve të rëndomta, dhe të angazhoheni në çështjet madhore. Njerëzit do t’ju kundërshtojnë, por mos e përfillni askënd. Mbajeni mend mirë këtë si një amanet që të mos u sillni kurrë me rreptësi apo mizori, përkundrazi shpjegoni çdokënd me butësi, maturi dhe cilësi të larta morale”.

Mesihu i Premtuar a.s. na ka tërhequr vëmendje ndaj përmirësimit të gjendjes morale dhe përmbushjes së detyrimeve ndaj njerëzve. Ai thotë:

“Në një hadith përmendet se në ditën e Kijametit, Allahu do t’u drejtohet disa robërve dhe do t’u thotë “Jeni robër të devotshëm dhe Unë jam kënaqur prej jush, Isha i uritur, e ju më keni ushqyer. Isha pa rroba, dhe ju më dhatë për t’u veshur. Isha i etur, dhe ju më shuat etjen. Isha i sëmurë, dhe ju më vizituat”. Ata do të përgjigjen: “O Allah! Ti je i shenjtë, kur ishe në këtë gjendje që ne të silleshim në këtë mënyrë?” Allahu do t’u përgjigjet: Robërit e mi, filan e filan ishin në këtë gjendje, dhe ju i ndihmuat dhe kjo ishte sikur ju më keni ndihmuar Mua”. Pastaj, do t’i paraqitet edhe një grup tjetër. “Jeni sjellë keq me Mua. Isha i uritur, por nuk më dhatë për t’u ushqyer. Isha i etur, dhe nuk më dhatë për të pirë. Isha pa rroba, dhe nuk më dhatë diçka për t’u veshur. Isha i sëmurë dhe nuk më vizituat”. Ata do t’i përgjigjen “O Allah! Ti je i shenjtë. Kur ishe në këtë gjendje, që ne të silleshim me Ty në këtë mënyrë?” Allahu do t’u përgjigjet: “Filan e filan robi im gjendej në këtë situatë, dhe ju nuk treguat simpati apo keqardhje, gjoja ju jeni sjellë me Mua ashtu”.

Dhembshuria ndaj njerëzve nuk është e kushtëzuar me faktin që ai të jetë musliman, hindu apo i krishterë. Simpatia dhe dhembshuria ndaj njerëzve është një ibadet i lartë dhe një mjet i fuqishëm për të arritur kënaqësinë e Allahut. Por, unë shoh indiferencë dhe shpërfillje në këtë aspekt. Njerëzit përçmohen dhe përbuzen. Frikësohem që këta njerëz, të cilët sillen me të varfrit me përbuzje, do të pësojnë të njëjtin fat. Falënderimi dhe mirënjohja e atyre, të cilët i ka begatuar Allahu, është të tregojnë mirësi ndaj krijesës së Tij, dhe të mos mburren mbi këto bekime hyjnore e as t’i shtypin mizorisht njerëzit e varfër.

Mesihu i Premtuar a.s. shtjellon këtë çështje dhe shkruan:

“Me të vërtetë, pjesa më e vështirë dhe më delikate u përket detyrimeve ndaj njerëzve, sepse besimtari gjithmonë përballet me to dhe në çdo moment sprovohet prej tyre. Andaj, atij i duhet të hedhë çdo hap me maturi dhe zgjuarsi. Unë besoj që as me armiqtë, nuk duhet vepruar me një ashpërsi të tepruar. Disa duan t’u shkaktojnë sa më shumë dëm dhe sabotim kundërshtarëve të tyre. Duke u pushtuar nga qëndrime të tilla dashakeqe, ata nuk marrin më në konsideratë të drejtën dhe të padrejtën. Për t’ia njollosur emrin dhe për ta çnderuar atë, ata merren me shpifje, përgojime dhe shtyjnë të tjerët kundër tyre.

Tani, reflektoni pak, se vetëm një hasmëri e vogël, e zhyti njeriun në sa e sa vese dhe ligësi. Imagjinoni, kur këto mëkate dhe veprime të pahijshme, do të pjellin mëkate të tjera, deri në çfarë pike do të përshkallëzohet kjo çështje. Unë ju them sinqerisht, mos e quani askënd armikun tuaj, dhe hiqni dorë plotësisht nga sjellja e hasmërisë.

Nëse Zoti i Madhërishëm është me ju, dhe ju jeni të Zotit, Ai ka fuqi t’jua nënshtrojë kundërshtarët tuaj. Por nëse keni këputur lidhjen me Zotin dhe nuk ju ka mbetur asnjë lidhej miqësie me Të, dhe ju veproni kundër vullnetit dhe dëshirës së Tij, të dini se nuk keni armik më të madh se vetë Zoti.

Njeriu mund t’i shmanget kundërshtimit të krijesës, por nëse Zoti bëhet armiku i tij, nuk i hyjnë në punë askush, edhe pse e gjithë bota të jetë miku i tij. Rruga juaj duhet t’u ngjajë rrugës së të dërguarve. Zoti dëshiron që të mos keni më hasmëri personale.

Mbani mend, njeriu arrin nderin dhe lavdinë, kur ai nuk mban më hasmëri me askënd. Këtu përjashtohet armiqësia, që njeriu mban për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ai që armiqësohet me Zotin dhe të Dërguarin e Tij dhe nuk i nderon ata, është armiku juaj. Por, kjo nuk do të thotë të bëni shpifje kundër tij apo t’i sillni atij dëm padrejtësisht. Jo, përkundrazi largohuni prej tij dhe çështjen e tij dorëzojani Zotit. Por, nëse është e mundur, bëni lutje që të udhëzohet, e jo të nisni konflikt të ri me të”.

Mesihu i Premtuar a.s. na tërheq vëmendje ndaj shkallëve të larta morale. Ai shkruan:

“Ju duhet të keni shkallën e lartë morale, që nëse duhet t’i tërhiqni vërejtje dikujt me dashamirësi apo të njoftoni për gabimin, ta bëni atëherë, kur ai të mos ndiejë i ofenduar. Mos e shikoni askënd me përbuzje. Mos e lëndoni askënd. Mos lejoni konflikte dhe marrëveshje brenda xhematit. Mos i vështroni vëllezërit tuaj në besim me urrejtje. Mos i nënçmoni të tjerët me përbuzje, duke u mburrur padrejtësisht për pasurinë e fisin tuaj. I nderuar në sy të Allahut është ai, i cili është i druajtur siç ka thënë ai

إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِندَ اللَّـهِ أَتْقَاكُمْ

Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i druhet Atij më së shumti. (el-Huxhurat 49:14) Tregoni morale të larta në sjelljen ndaj të tjerëve. Njerëzit gjurmojnë rrugën për të ndezur konflikt me xhematin tonë. Njerëzit kanë një murtajë, kurse për xhematin tonë ka dy murtajë. Nëse dikush nga xhemati ynë bën një veprim të pahijshëm, kjo e njollos gjithë xhematin. Shtoni maturinë, butësinë dhe faljen. Përgjigjuni me maturi dhe me frymë paqësore, edhe nëse ndesheni me njeriun më injorant. Sharjet dhe përgojimet nuk duhet përgjigjur në të njëjtën monedhë. Në këto ditë të sprovës, duhet të nënshtroni nefsin tuaj e të shtoni druajtjen.

Qëllimi im me këto fjalë është që të kuptoni dhe të nxirrni mësimin. Kjo botë është një vend kalimtar dhe përfundimisht do të shijojmë vdekjen. Lumturia gjendet në çështjet shpirtërore”.

Mesihu i Premtuar a.s. njëherë iu drejtua xhematit dhe porositi:

“Xhemati ynë duhet të jetë në atë shkallë që të mos kënaqet vetëm me llafe, por të mundohet për të përmbushur qëllimin e vërtetë të bejtit. Ata duhet të synojnë ndryshimin thelbësor në qenien e tyre. Ju nuk mund të kënaqni Zotin duke mësuar disa mesele dhe çështje. Nëse ju mungon ndryshimi qenësor, jeni të njëjtë me të tjerët. Nëse nuk jeni larguar akoma nga dredhitë, shpifjet, plogështia dhe përtesa, do të shkatërroheni para popujve të tjerë. Secili duhet të mbajë përgjegjësinë që i takon e të plotësojë zotimin e tij. Jeta është e pabesueshme. Njeriu që bën vepra të mira, para atij çasti, ka shpresë të pastrohet. Bëni përpjekje për të pastruar veten tuaj. Bëni lutje në namaz. Përmes lëmoshës, sadakasë dhe çdo mjeti tjetër, orvateni për t’u bashkuar atyre që janë përmendur në ajet:

وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا ۚ وَإِنَّ اللَّـهَ لَمَعَ الْمُحْسِنِينَ[1]

Bëni çdo përpjekje dhe kërkoni çdo rrugë të mundshme për të shëruar sëmundjet shpirtërore, njësoj siç shkon i sëmuri te mjeku, pi ilaçe, përdor barna, nxjerr gjakun, mjekon plagët dhe përdor çdo mjet për të arritur shërim. Përdorni të gjitha rrugët e përpjekjes, që ka përshkruar Zoti, e jo thjeshtë të shprehni diçka goja. Jepni lëmosha dhe bëni lutje në shkretëtirë.

Allahu i do ata që bëjnë përpjekje dhe përdorin çdo mjet të mundshëm. Kur njeriu përdor të gjitha mjetet, diçka ia arrin qëllimin”.

Ne gjithashtu duhet të përdorim çdo mjet për të tërhequr mëshirën dhe mirësinë e Allahut, veçanërisht në këto ditë, kur janë ngritur sërish valat e kundërshtimit ndaj ahmedianëve në Pakistan dhe në vende të tjera. Kur kundërshtari ka kaluar çdo cak në kundërshtim, ne gjithashtu duhet të shtojmë më shumë përpjekje për t’ia tërhequr mëshirën dhe mirësinë Allahut.

Mesihu i Premtuar alejhiselam na ka qartësuar gjithashtu statusin dhe pozitën e lartë dhe modelin e shkëlqyer të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ne mund të arrijmë moralet e larta dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj Allahut dhe njerëzve të tjerë, vetëm duke e ndjekur rrugën e tij të lavdishme. Mesihu i Premtuar a.s. na ka alarmuar për t’u mos larguar nga gjurmët e tij. Ai porositi:

“Unë dua t’ju them gjithashtu që disa njerëz duan të arrijnë cilësitë e larta dhe një lidhje të vërtetë me Zotin e Madhërishëm, vetëm duke recituar disa të yshtura apo shprehje të shpikura. Por, unë dua t’ju them që çdo rrugë, të cilën nuk e ka ndjekur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është e kotë dhe e padobishme. Kush mund të jetë udhërrëfyesi më i madh drejt udhës së lavdishme të atyre të cilëve Allahu u ka bërë mirësi, se vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s., në qenien e të cilit janë përsosur të gjitha cilësitë profetike. Rruga më e besueshme dhe më e shkurtër është ajo, që ka ndjekur i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Sipas mendimit tim, çdo rrugë tjetër, që shpiket krahas kësaj rruge, pavarësisht sa e bukur duket ajo, përbën shkatërrim e humbje”.

Të ashtuquajturit sufistët, dervishët dhe dijetarët që i kanë larguar njerëzit nga rruga e Profetit s.a.v.s., dhe kanë paraqitur interpretime të gabuara, kanë shtrembëruar mësimet e Islamit. Megjithatë, ata veten e quajnë musilmanë, ndërsa na nxjerrin nga rrethi i Islamit. Mesihu i Premtuar a.s. ka shtjelluar pozitën e lartë të Muhammedit s.a.v.s. dhe shkruan:

“Njeriu, nëse e ndjek të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. me besnikëri të sinqertë, mund të arrijë Zotin, ndërsa ai që i kthen shpinën, edhe nëse përplaset tërë jetën, nuk mund të arrijë qëllimin e jetës. Sadiu ka argumentuar nevojën e ndjekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në një varg në gjuhën perse:

بزہد و ورع کوش و صدق و صفا                    و لیکن میفزائے بر مصطفی‘‘

Bëni çdo orvatje për të arritur përkoren e druajtjen dhe sinqeritetin e dëlirësinë, por jo duke iu shmangur rrugës së Mustafës s.a.v.s..

Unë shoh që si njerëzit kanë sajuar lloj-lloj lutjesh. Ata varen mbrapsht dhe jetojnë si murg. Por të gjitha këto janë të padobishme. Nuk është praktika e të dërguarve që njerëzit të varen kokëposhtë apo yshten fjalë të çuditshme. Allahu e ka zgjedhur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. si shembull më i shkëlqyer, siç ka thënë:

لَّقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّـهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ

Me të vërtetë, ju keni shembull më të shkëlqyer në të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. (el-Ahzab 33:22) Ndiqni gjurmët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe mos u largoni asnjë grimcë”.

Pastaj ai shkruan:

“Çdo njeri duhet të synojë cilësitë e përmendura në grupin منعم عليه  (d.m.th. ata të cilëve Allahu u ka bërë miresi) dhe صِرَاطَ الَّذِينَ أَنْعَمْتَ عَلَيْهِمْ (rrugën e atyre të cilëve u ka dhuruar mirësi). Xhemati ynë, në mënyrë të veçantë, duhet t’i kushtojë vëmendjen kësaj rruge, sepse duke themeluar këtë bashkësi, Allahu ka dashur të krijojë një xhemat, i cili i ngjan xhematit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe bëhet dëshmitar për vërtetësinë dhe madhështinë e tij.

Ne që jemi lidhur në besëlidhjen e Mesihut të Premtuar a.s., jemi prej ndjekësve të vërtetë të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ne mund t’i qëndrojmë çdo sfide e çdo vështirësie, vetëm nëse bëhemi pasues të sinqertë të Profetit s.a.v.s., dhe të orvatemi të përvetësojnë shembullin e tij me të gjitha aftësitë tona. Ne duhet të synojmë të arrijmë grupin منعم عليه  pra prej atyre të cilëve Zoti u kishte dhuruar mirësi, dhe të ruhemi nga pasojat e atyre, të cilët kishin tërhequr zemërimin e Zotit. Allahu na mundësoftë të falim namazet tona me një përkushtim të veçantë dhe kalojmë jetën duke ndjekur porositë e Allahut të Madhërisëm dhe Pejgamberit të Tij s.a.v.s.. Ne gjithashtu duhet të lutemi për ata që dergjen nëpër burgje, për hir të Allahut, të cilët janë paditur me akuza të rënda.

Vala e kundërshtimit ndaj xhematit nuk ndalet as në Ramazan

Para disa ditësh, një zonjë ahmediane e quajtur Ramadan Bibi është arrestuar nën akuzën e fyerjes ndaj Profetit s.a.v.s.. Kjo familje kishte pranuar xhematin në 2002. Bashkëshorti i saj më ka shkruar që “ne nuk u trembemi sakrificave e as nuk hidhërohemi nga burgu. E vetmja brengë që më bren mua dhe bashkëshorten time është që ne mund të japim dhe jetën për hir të nderit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ndërkohë na kanë akuzuar për fyerjen ndaj tij. Kjo është brenga jonë”. Lutuni për këta dhe ahmedianë të tjerë, që janë vënë mbrapa hekurave nën këtë akuzë, dhe janë dënuar me vdekje. Allahu i liroftë përmes fuqisë së Tij dhe i mëshiroftë ata! Allahu e mundësoftë pushtetin ekzekutiv dhe gjyqësor t’i përmbahen drejtësisë. Ata përmendin emrin e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij s.a.v.s.. Dashtë Allahu, paçin frikën e Allahut dhe dashurinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Allahu i mundësoftë të ndjekin rrugën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Disa lutje

Tani dua t’ju tërheq vëmendje ndaj disa lutjeve:

  • Allahu mundësoftë secilin prej nesh të kuptojë qëllimin e ardhjes së Mesihut të Premtuar a.s.!
  • Allahu na mundësoftë që dashuria ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij s.a.v.s. të mbizotërojë çdo dashuri tjetër!
  • Allahu na mundësoftë të ndjekim mësime të vërteta të Islamit!
  • Allahu i bëftë shtëpitë tona vatrat e dashurisë dhe dhembshurisë!
  • Allahu ua largoftë ankthin dhe dhimbjen atyre fëmijëve, prindërit e të cilëve zihen me njëri-tjetrin!
  • Lutuni për gjithë ata që kanë dedikuar jetën e tyre për hir të Allahut. Allahu u mundësoftë t’i shërbejnë besimit duke pasur frymë vetëmohuese dhe të vërtetojnë betimin e tyre!
  • Lutuni për fëmijët vakifin e Nau. Allahu i mundësoftë të përmbushin zotimin e prindërve të tyre!
  • Lutuni për dëshmorët e xhematit dhe për familjet e tyre. Lutuni për të gjithë ahmedianët, që janë rrethuar në vështirësi të ndryshme. Lutuni për veten si dhe për të tjerët. Lutjet që bëjmë për të tjerët, tërheqin mëshirën e Zotit për ne. Lutuni për martesat e atyre vajzave, të cilat hasin pengesa dhe vonesa të panevojshme në martesën e tyre.
  • Lutuni që Allahu të mbrojë çdo musliman ahmedian nga situata e vështirë ekonomike dhe të shpëtojë nga pasojat e saj. Lutuni që shtrëngimet ekonomike të mos ndikojnë në veprimtarinë dhe planet e xhematit dhe Allahu t’i mundësojë xhematit mjete të nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm. Lutuni për të gjithë ata që sakrifikojnë pasurinë e tyre për hir të Allahut. Allahu u shtoftë në familje e pasuri dhe i begatoftë!
  • Lutuni për stafin e MTA-së, qofshin vullnetarë apo punonjës të rregullt. Ata po bëjnë detyrën e tyre me përkushtim e dedikim të madh dhe po përhapin mesazhin e Islamit anembanë botës. Lutuni për botën muslimane, që t’u jepet fund konflikteve të tyre të ndërsjella dhe ata të jetojnë paqësisht. Allahu i ruajttë shtetet muslimane nga fuqitë anti-islame. Kjo mund të arrihet vetëm nëse shtetet musliame, u japin fund mosmarrëveshjeve dhe përçarjeve të tyre të brendshme.

Tani do t’ju lexoj disa lutje të tjera, të cilat duhet të ndiqni pas meje:

اللَّهُمَّ إِنَّا نجعلُكَ في نحورِهِمْ، ونعُوذُ بِكَ مِنْ شرُورِهمْ

O Allah! Ty të vëmë përballë gjithë asaj që ata kanë në kraharorët e tyre dhe Ty të kërkojmë mbrojtje nga sherret e tyre.

لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ الْعَظِيمُ الْحَلِيمُ، لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ رَبُّ الْعَرْشِ الْعَظِيمِ، لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ رَبُّ السَّمَاوَاتِ، وَرَبُّ الْأَرْضِ، وَرَبُّ الْعَرْشِ الْكَرِيمِ

Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, të Madhërishëm e të Dhembshur! Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Zotit të arshit madhështor! Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Zotit të qiejve, Zotit të Tokës! Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Zotit të arshit fisnik!

يَا مُقَلِّبَ الْقُلُوبِ ثَبِّتْ قَلْبِي عَلَى دِينِكَ

O Kontrolluesi i zemrave! Vendosma zemrën në besimin Tënd!

اللَّهُمَّ إِنِي أَسْأَلُكَ الهُدَى، وَالتُّقَى، وَالعفَافَ، والغنَى

O Allah! Të kërkoj udhëzimin, druajtjen, dëlirësinë dhe vetëmjaftueshmërinë.

اللَّهُمَّ إِنِّي أَعُوذُ بِكَ مِنْ زَوَالِ نِعْمَتِكَ وَتَحَوُّلِ عَافِيَتِكَ وَفُجَاءَةِ نِقْمَتِكَ وَجَمِيعِ سَخَطِكَ

O Allah! Të kërkoj mbrojtje nga largimi i bekimit Tënd, nga largimi i shëndetit që kam prej Teje, nga ndëshkimi i beftë prej Teje dhe nga të gjitha mospëlqimet e Tua.

رَبَّنَا ظَلَمْنَا أَنفُسَنَا وَإِن لَّمْ تَغْفِرْ لَنَا وَتَرْحَمْنَا لَنَكُونَنَّ مِنَ الْخَاسِرِينَ

O Zoti ynë! Kemi shkelur veten tonë! Nëse nuk do të na falësh dhe nuk do të na mëshirosh, do të bëhemi të humbur. (Kurani Famëlartë 7:24)

رَبَّنَا لَا تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا وَهَبْ لَنَا مِن لَّدُنكَ رَحْمَةً ۚ إِنَّكَ أَنتَ الْوَهَّابُ

O Zoti ynë! Mos na shtrembëro zemrat pasi na ke udhëzuar dhe na dhuro mëshirë prej Teje! Me të vërtetë, Ti je Dhuruesi i madh! (Kurani Famëlartë 3:9)

رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا حَسَنَةً وَفِي الْآخِرَةِ حَسَنَةً وَقِنَا عَذَابَ النَّارِ

O Zoti ynë! Na jep të mirën në këtë botë, të mirën në ahiret dhe na shpëto nga ndëshkimi i zjarrit! (Kurani Famëlartë 2:202)

Një lutje e përulur e Mesihut të Premtuar a.s. është si në vijim:

“O Zoti i botëve! Nuk mund të të falënderoj për mirësitë e Tua. Ti je shumë Mëshirëbërës dhe shumë Bujar. Unë kam favoret e Tua të panumërta. M’i fal mëkatet, që të mos shkatërrohem! Vendos në zemrën time dashurinë Tënde të pastër, që të ringjallem! M’i mbulo gjynahet dhe më mundëso të bëj punë të tilla, që Ti të kënaqesh! Kërkoj mbrojtjen e fytyrës Sate bujare, që të mos më përfshijë zemërimi Yt! Vetë mëshiromë dhe shpëtomë nga gjëmat në besim, në botë e në ahiret, sepse çdo bekim e mëshirë është në dorën Tënde! Amin! Amin”!

اللَّهُمَّ صَلِّ عَلَى مُحَمَّدٍ، وَعَلَى آلِ مُحَمَّدٍ، كَمَا صَلَّيْتَ عَلَى إِبْرَاهِيمَ، وَعَلَى آلِ إِبْرَاهِيمَ، إِنَّكَ حَمِيدٌ مَجِيدٌ، اللَّهُمَّ بَارِكْ عَلَى مُحَمَّدٍ، وَعَلَى آلِ مُحَمَّدٍ، كَمَا بَارَكْتَ عَلَى إِبْرَاهِيمَ، وَعَلَى آلِ إِبْرَاهِيمَ، إِنَّكَ حَمِيدٌ مَجِيدٌ

O Zot! Lartësoje Muhammedin dhe popullin e tij, ashtu siç e lartësove Ibrahimin dhe popullin e tij! Me të vërtetë, Ti je i Lavdëruar, i Nderuar!

O Zot! Bekoje Muhammedin dhe popullin e tij, ashtu siç e bekove Ibrahimin dhe popullin e tij! Me të vërtetë, Ti je i Lavdëruar, i Nderuar!

Kjo është e xhumaja e fundit e këtij ramazani. Allahu na mundësoftë të kemi në vazhdimësi ato vepra të mira apo ndryshime të pastra që ngjallëm në veten tonë, edhe pas këtij muaji! Allahu na i pranoftë këto lutje për ne!

Festa e Fitër Bajramit kremtohet më 24 maj në Angli

Dua të bëj një njoftim lidhur me festën e Fitër Bajramit. Shumë veta më kanë shkruar që bajrami i cili do të zhvillohej më 24 maj, nuk mund të festohet me këtë datë, pasi hëna nuk mund të shikohet të dielën. Unë kam shkruar sërish dhe është thirrur dy apo tri herë takimi, në të cilën përveç zyrtarëve të xhematit, morën pjesë edhe ekspertët tanë. Unë gjithashtu kisha porositur Amir sahibin për ta shqyrtuar këtë çështje.  Ai më dërgoi një hartë të detajuar, sipas asaj sigurisht hëna e bajramit nuk mund të dukej në qytetet të mëdha më datën 23 maj, megjithatë ka disa vende si Falmouth, Penzance dhe Hale, ku ajo do të dukej edhe më 23 maj. Sipas kësaj harte, ndonëse hëna nuk mund të dukej në vende të tjera, ajo mund të shikohet edhe me sy më 23 maj, në këto vende. Sipas rregullit, nëse hëna duket në një vend të shtetit, festa e bajramit mund të manifestohet në mbarë vend. Në vendet muslimane, ku funksionon komiteti për pamjen e hënës, veprojnë pikërisht në këtë mënyrë. Si vjet, ky vendim është marrë pas shqyrtimit të çështjes në dy apo 3 takime. Insha-Allah festa e Fitër Bajramit do të mbahet të dielën më 24 maj.

[1] Ata që orvaten në çështjen tonë, ne i udëzojmë drejt rrugëve tona. (el-Ankabut 29:70)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp