Si të shpëtojmë veten dhe botën nga lufta që është gati të përshkallëzohet?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Si të shpëtojmë veten dhe botën nga lufta që është gati të përshkallëzohet?

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Vendimtari dhe gjyqtari do të jetë Mesihu i Premtuar, tha Profeti Muhammed s.a.v.s.

Është mirësi shumë e madhe e Allahut të Madhërishëm mbi ju, mbi Xhematin Ahmedia, mbi njerëzit që kanë ardhur për të banuar këtu, që Ai ju mundësoi të jetoni në këtë vend të zhvilluar. Sidomos gjatë viteve të fundit, shumë ahmedianë nga Pakistani kanë mërguar këtu dhe vazhdojnë të vijnë. Këta po mërgojnë nga Pakistani për arsye se atje jeta po u bëhet gjithnjë e më e vështirë. Nga ky aspekt, ahmedianët duhet t’u jenë mirënjohës këtyre shteteve, të cilat strehuan shumë prej ahmedianëve të persekutuar.

Por mirësia më e madhe që Allahu i Madhërishëm na bëri ne ahmedianëve është që na mundësoi ta pranonim Imamin e kohës, të dashuruarin e vërtetë të Profetit Muhammed s.a.v.s. Sa më shumë ta falënderojmë Allahun për këtë mirësi, aq më pak është. Dhe falënderimi ndaj Allahut është që t’i zbatojmë porositë e Tij; të përmbushim edhe detyrimin e adhurimit ndaj Tij; t’i përmbushim edhe detyrimet që kemi ndaj njerëzve. Dhe këtë mund ta realizojmë vetëm atëherë kur do ta përmbushim siç duhet bejatin që kemi bërë me Hazret Mesihun e Premtuar a.s., sepse në këtë kohë është pikërisht Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ai, i cili, sipas profecisë së Profetit Muhammed s.a.v.s., na priu në rrugën e mësimeve të vërteta të Islamit.

Çdo ahmedian duhet ta ketë parasysh këtë që mësimet e Islamit të vërtetë tani ne mund t’i gjejmë vetëm nëpërmjet Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Kjo sepse në këtë epokë, Allahu i Madhërishëm pikërisht atij i dhuroi dijet dhe njohuritë e thella të Islamit dhe të Kuranit të Shenjtë. Sot pikërisht ky person është i dashuruari i vërtetë i Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe synon ta edukojë Xhematin e tij në përputhje me praktikën e Profetit s.a.v.s..

Andaj, për t’u bërë muslimanë të vërtetë, tani e tutje kemi nevojë të shohim vetëm drejt Mesihut të Premtuar a.s. dhe ta përvetësojmë metodën që ai na ka treguar për jetën; ta forcojmë besimin; ta përsosim bindjen tonë në ardhjen e tij, të besojmë me bindje se ai është “vendimtar dhe gjyqtar” [siç ka parashikuar Profeti Muhammed s.a.v.s. me fjalët “hakem” dhe “adl”]; të jemi të bindur se sot njeriu mund ta përvetësojë mësimin e vërtetë të Islamit vetëm duke e ndjekur metodën e tij.

Duke këshilluar bejatbërësit e tij për bindjen e përsosur, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u thotë:

“Ai që beson, duhet të hedhë edhe hapin e dytë për të shkuar nga besimi (imani) deri te njohja (irfani).”

Pra, nuk duhet të mbetesh vetëm me besimin, por duhet ta kesh edhe bindjen duke fituar njohjen e këtij besimi se përse e kemi bërë bejatin.

“dhe ai nuk duhet të më paragjykojë pas besimit. Mbani mend! Paragjykimi nuk mund të jetë i dobishëm. E thotë vetë Zoti:

اِنَّ الظَّنَّ لَا یُغۡنِیۡ مِنَ الۡحَقِّ شَیۡئًا

Pa dyshim, hamendja nuk e zëvendëson asnjë fije të vërtetën.[1]

Është pikërisht bindja ajo që mund t’i sjellë sukses njeriut. Asgjë nuk mund të bësh, pa pasur bindjen. Nëse njeriu do të fillojë të paragjykojë tjetrin për çdo gjë, nuk mund të jetojë dot për asnjë çast në këtë botë. As nuk mund të pijë dot ujin, se mbase dikush mund ta ketë helmuar. As nuk mund të blejë ndonjë ushqim në treg, se mbase do t’ia shkatërrojë jetën. E si mund të jetojë ai me paragjykime të tilla! Jeta do t’i bëhet e vështirë. Ky është një shembull i thjeshtë, por po nga ky, njeriu mund të përfitojë edhe në botën e tij shpirtërore.

Tani mendoni vetë dhe gjykoni në zemrat tuaja që ju që më keni pranuar dhe keni bërë bejatin në dorën time duke më pranuar si Mesih të Premtuar, si vendimtar dhe gjyqtar, dhe pas këtij besimi, nëse do të keni ngurrim apo shqetësim për ndonjë vendim timin ose për ndonjë veprim timin, atëherë ju duhet të shqetësoheni për besimin tuaj. Besimi që është i rrethuar nga dyshimet dhe besëtytnitë, nuk mund t’ju sjellë dot asnjë dobi. Por nëse ju keni pranuar me zemër të sinqertë se Mesihu i Premtuar është me të vërtetë vendimtar dhe gjyqtar, atëherë dorëzohuni përpara vendimit dhe veprimit të tij dhe shikoni me nderim vendimet e tij, në mënyrë që edhe te Zoti të quheni respektues të fjalëve të shenjta të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Dëshmia e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. duhet të jetë e mjaftueshme për ju. Ai ju qetëson se Mesihu i Premtuar do të jetë Imami juaj dhe ai do të jetë prej jush; ai do të jetë vendimtar dhe gjyqtar. Nëse nuk qetësoheni me këtë dëshmi, çfarë dëshmie tjetër mund t’ju qetësojë ju?! Kurrsesi nuk mund të jetë e mbarë dhe e bekuar metoda që ju edhe të më besoni, edhe të ushqeni paragjykime në zemër.

Ata që më kanë refuzuar, që më kundërshtojnë dhe më akuzojnë, nuk më kanë njohur mua. Kurse ai që më ka pranuar dhe prapë më kundërshton, është fatkeqësi për të, sepse mbeti i verbër edhe pse e pati shikimin.”

Pas Mesihut të Premtuar a.s., vendimtari dhe gjyqtari është Kalifati

Pra, ky është standardi i besimit të cilin të gjithë ne duhet ta kemi. Pikërisht Hazret Mesihu i Premtuar a.s. na kishte njoftuar se pas tij do të fillojë Kalifati, madje, jo vetëm Mesihu i Premtuar a.s., por edhe vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte lajmëruar se me ardhjen e Mesihut dhe të Mehdiut, do të vinte edhe Kalifati dhe që do të vijonte deri në ditën e kiametit. Kalifati Ahmedia është pikërisht ai sistem i cili e vijon misionin e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Është ai sistem që i mban në fuqi vendimet e pikërisht këtij vendimtari dhe gjyqtari. Çdo ahmedian në bejatin e tij zotohet të jetë i lidhur me Kalifatin dhe t’u nënshtrohet porosive të tij. Nga ky aspekt, lidhja me Kalifatin dhe bindja ndaj tij gjithashtu është detyrë e çdo ahmediani. Andaj, edhe në këtë aspekt, çdo ahmedian duhet të përpiqet të shtojë besimin dhe bindjen e tij.

Kuranin studiojeni me vëmendje

Duke këshilluar anëtarët e Xhematit për ta studiuar me vëmendje Kuranin e Shenjtë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Atyre që janë të lidhur me mua, unë vazhdimisht u këshilloj një gjë të rëndësishme, që Zoti i Madhërishëm këtë Xhemat e themeloi për të zbuluar të vërtetat, sepse pa to, njeriu nuk mund të ketë asnjë dritë në jetën e tij. Unë dua që përmes vërtetësisë së veprave, të shfaqet vërtetësia e Islamit në botë, sepse pikërisht për këtë Zoti më ka caktuar mua. Andaj, lexoni sa më shumë Kuranin e Shenjtë, por jo duke e menduar atë thjesht një histori, por një filozofi të vërtetë.”

Andaj, secili duhet të analizojë veten e tij. Duke qenë të zhytur në punët e dynjasë, mos vallë e kemi harruar qëllimin e bejatit! Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha – Zoti më ka caktuar që t’u tregoj njerëzve mësimet dhe njohuritë e Kuranit të Shenjtë dhe ata që kanë bërë bejat me mua, ta kuptojnë rëndësinë e kësaj detyre dhe të thellohen në dijet dhe njohuritë e Kuranit të Shenjtë, të kuptojnë domethëniet dhe komentimin e tij. Kjo nuk mund të realizohet derisa nuk e studiojmë dhe nuk e kuptojmë thesarin shpirtëror që na ka lënë Hazret Mesihu i Premtuar a.s.. Ai vijon:

Kurani i Shenjë nuk është një histori a përrallë, por është një kod jetese, një udhërrëfyes për jetën, të cilin duhet ta zbatojë çdo musliman ahmedian.

Pas mërgimit në këto shtete, nëse do të harroni qëllimin e jetës dhe të zhyteni vetëm në angazhimet e dynjasë; nëse nuk e bëni shtëpinë tuaj model të zbatimit praktik të Kuranit të Shenjtë, fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm do të largohen nga feja. Dhe kjo do të ishte jo mirënjohje, por mosmirënjohje ndaj bekimeve të Allahut të Madhërishëm. Andaj, është një moment shumë kritik që na detyron të reflektojmë.

Çdo ahmedian, qoftë i ri, qoftë i vjetër, qoftë i ardhur, qoftë i lindur këtu, duhet të ketë qëllimin primar të jetës, adhurimin e Allahut, afrimin me Të, studimin dhe zbatimin e Librit të Tij. Vetëm atëherë ne mund ta përmbushim detyrën e bejatit.

Ata që kanë mërguar këtu, kanë shpëtuar nga persekutimet që u bëheshin, por nëse edhe pas kësaj nuk do ta kuptojnë fenë dhe nuk do ta kuptojnë Kuranin e Shenjtë, nuk mund të trashëgojnë bekimet e Allahut të Madhërishëm.

Po kështu, edhe ata që janë anëtarësuar tani, ose që janë ahmedianë vendas por janë të vjetër, duhet ta mbajnë mend se vetëm me bërjen e bejatit nuk e arrijnë qëllimin. Qëllimin mund ta arrijmë vetëm atëherë kur ne do të marrim përgjegjësinë për të vepruar në bazë të mësimeve të Islamit. Dhe kjo nuk mund të bëhet derisa ne nuk e studiojmë Librin e Allahut të Madhërishëm.

Mundësia që Allahu i Madhërishëm e krijoi për njerëzit fatlumë

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Sinqerisht ju them të vërtetën: kjo është një mundësi që Allahu i Madhërishëm e krijoi për njerëzit fatlumë. Të bekuar janë vetëm ata që përfitojnë nga kjo. Ju që keni krijuar lidhje me mua, kurrën e kurrës nuk duhet të mburreni duke menduar se e keni bërë gjithçka që kishit për të bërë.

Është e vërtetë që jeni një hap para dhe drejt mirësisë në krahasim me ata që më refuzuan, të cilët morën pakënaqësinë e Zotit duke më kundërshtuar dhe fyer ashpërsisht. Edhe kjo është e vërtetë që ju keni vepruar duke mos më paragjykuar dhe duke e shpëtuar veten nga zemërimi i Allahut. Por në të vërtetë ju keni mbërritur pranë këtij burimi, të cilin e ka hapur në këtë kohë Zoti i Madhërishëm për përjetësinë shpirtërore, por mbetet ende që ju të pini ujë nga ky burim. Andaj, kërkojini Zotit që në saje të bekimit dhe të mirësisë së Tij, Ai t’jua mundësojë edhe pirjen nga ky burim, sepse pa ndihmën e Zotit, asgjë nuk mund të bëni dot.

Po ju them me bindje të plotë se ai që do të pijë nga ky burim, nuk do të shkatërrohet, sepse ky ujë është jetëdhënës, të shpëton nga shkatërrimi dhe të mbron nga sulmet e djallit. Cila është metoda që ju të përfitoni nga ky burim? Të përmbushni dy detyrat me të cilat ju ka ngarkuar Zoti i Madhërishëm dhe t’i përmbushni me të gjitha kushtet. Njëra detyrë është ajo që keni ndaj Zotit, e tjetra ajo që keni ndaj njerëzve. Besojeni Zotin tuaj si Një dhe të Pashoq, ashtu siç e pranoni në Shehadetin duke pohuar “La ilahe il-lall-llah” pra, “dëshmoj se nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut”. Kjo është një fjali kaq e bukur saqë nëse do ta kishin hebrenjtë apo të krishterët apo idhujtarët e tjerë dhe ata ta kuptonin këtë, kurrë nuk do ta shkatërronin besimin e tyre. Pikërisht mungesa e kësaj kredoje u ka sjellë fatkeqësi, sëmundje dhe shkatërrim shpirtëror.”

Shikoni, pra, sesi Hazret Mesihu i Premtuar a.s. na jep qetësi dhe siguri duke thënë se ju që i jeni afruar këtij burimi, pra që keni bërë bejatin, nëse përfitoni prej tij duke pirë edhe ujin, pra të mos mbeteni duke bërë vetëm zotimin, por edhe të veproni, atëherë keni garancinë se ju nuk do ta pësoni shkatërrimin shpirtëror, sepse në këtë epokë pikërisht Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka ardhur për të përhapur në botë mesazhin e Kuranit të Shenjtë dhe porositë e Zotit të Madhërishëm. Ai thotë:

“Mbajeni mend që vetëm bejati nuk ju mjafton. Allahu i Madhërishëm kërkon vepra. Dhe ai që vepron, nuk privohet nga bekimet e Allahut të Madhërishëm, kurrë nuk shkatërrohet. Dhe këtë gjendje të të vepruarit do ta keni atëherë kur shehadeti La ilahe il-lall-llah do të bëhet zëri juaj i jashtëm dhe i brendshëm, kur askush nuk do të mbetet më shumë i dashur për ju sesa Allahu dhe asgjë nuk do të jetë më shumë e kërkuar për ju sesa pëlqimi i Tij. Andaj, ndiqni me përpikëri porositë e Allahut.

Tani çdokush nga ne mund të analizojë veten e tij që kur e themi shehadetin, a me të vërtetë e kemi Allahun dhe pëlqimin e Tij më të dashur dhe më të kërkuar se çdo gjë tjetër. Në kohët e namazeve nëse nuk u kushtojmë rëndësi namazeve, nëse nuk i lëmë punët e dynjasë gjatë kohës së namazit, që t’i përgjigjemi pozitivisht thirrjes së Allahut, atëherë ne e themi me gojë shehadetin, por përbrenda në zemër kemi një shirk të fshehtë. Punët tona të dynjasë po qëndrojnë mes nesh dhe Allahut të Madhërishëm. Besimtari i vërtetë beson me bindje dhe duhet të besojë me bindje se puna dhe tregtia e tij lulëzon falë bekimit të Zotit; atëherë si mundet që punët e tij të dynjasë ta pengojnë atë në rrugën e Allahut të Madhërishëm! E nëse kështu i ndodh, ai nuk e ka njohur fare esencën e shehadetit. Me gojë ai deklaron shehadetin, por me vepra jo. Në këtë rast, ne kemi ardhur te burimi, por nuk po zgjasim dorën për të marrë edhe ujin që ta pimë atë. Prandaj, ai tha:

Nëse e tillë është gjendja juaj, ju nuk e keni përmbushur detyrën e bejatit.

Ky Shehadet na tërheq vëmendjen jo vetëm që ta përmbushim detyrën që kemi ndaj Allahut, por edhe për detyrën që Allahu na ka ngarkuar për robërit e Tij. Kur njeriu i përmbush të dyja këto detyra, ai vetëm atëherë bëhet besimtar i vërtetë dhe vetëm atëherë muslimani ahmedian kryen edhe detyrën e bejatit.

Duke këshilluar bejatbërësit e tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Ju që keni bërë bejatin e pendesës në dorën time, nëse njëkohësisht jetoni si njerëzit e dynjasë, nuk do të keni asnjë dobi. Bejati i pendesës në dorën time kërkon një “vetasgjësim”, në mënyrë që juve t’ju jepet një jetë e re.

Si të shpëtojmë veten dhe botën nga lufta që është gati të përshkallëzohet?

Pra, pasi të bëni bejatin, ju duhet të keni një jetë të re shpirtërore. Nëse nuk e keni jetën e re shpirtërore dhe kërkesat tuaja janë po materialiste, atëherë bejati i tillë nuk ju sjell asnjë dobi. Huzuri a.s. vijon:

Nëse bejatin nuk e bëni nga zemra, ai nuk ju jep asnjë rezultat. Zoti ju kërkon betimin e zemrës. Andaj, ai që më pranon me gjithë zemër dhe pendohet me sinqeritet nga mëkatet e tij, Zoti Mëkatfalës patjetër do t’ia falë mëkatet dhe ai do të bëhet sikur ishte atë ditë kur e kishte lindur nëna e tij. Atëherë, engjëjt do ta mbrojnë atë.

Sepse ai bëhet i pafajshëm. Huzuri vijon:

Një fshat nëse ka qoftë një njeri të mirë, Allahu i Madhërishëm për hir të tij, e shpëton gjithë fshatin. Shkatërrimi kur vjen, i merr të gjithë, por prapëseprapë, Zoti, në një mënyrë apo tjetrën, shpëton robërit e Tij. Praktika e Allahut është që nëse ka qoftë një njeri të mirë, falë tij, Allahu shpëton edhe të tjerët.

Këtë parim themelor gjithmonë duhet ta keni parasysh. Allahu ua dëgjon lutjet robërve të Tij të pastër dhe ua pranon veprat e tyre të mira. Andaj, duhet të përpiqemi ta pastrojmë adhurimin tonë ndaj Allahut, ta bëjmë atë më të sinqertë; veprat tona të jenë vetëm për të fituar pëlqimin e Allahut.

Bota në këtë kohë është e rrethuar nga re të zeza të shkatërrimit. Presidenti i Amerikës dje deklaroi se nëse Presidenti i Rusisë do të përdorë bombën bërthamore, edhe pala tjetër do t’i përgjigjet me të njëjtën monedhë. Shkatërrimi që do ta pasojë, do të jetë fundi i një bote të tërë. Andaj, njerëzit që jetojnë në këto shtete të zhvilluara dhe ju që keni ardhur këtu duke mërguar, nuk duhet të mendoni se jeni të sigurt këtu. Askush në asnjë vend nuk është i sigurt. Kur u prishet mendja liderëve të këtyre superfuqive, ata nuk shohin asgjë.

Në këtë situatë, është detyrë e pikërisht ahmedianëve që të luten dhe ta adhurojnë sinqerisht Allahun e Madhërishëm. Siç na thotë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. që për hir të njerëzve të mirë, Allahu shpëton edhe të tjerët. Këtë na e thotë edhe Kurani i Shenjtë, Libri i Allahut të Madhërishëm.

Andaj, askush nuk duhet të jetë në ëndërr se duke jetuar këtu, të mund të jetë i sigurt, e ardhmja e fëmijëve të tij të jetë e sigurt. Jo, përkundrazi, po kalojmë nga një kohë tejet e rrezikshme. Nëse ka ndokush që mund të na shpëtojë në këtë situatë, ai është vetëm Allahu. Andaj, edhe ju përkuluni para Tij, dhe bëni edhe pasardhësit tuaj të përkulen para Tij, në mënyrë që të shpëtoni edhe ju, edhe pasardhësit tuaj. Njerëzit e botës nuk mund të na shpëtojnë dot dhe as nuk mund të na sigurojnë të ardhmen, as neve, as fëmijëve tanë. Por nëse ne do të jemi ata që përmbushin detyrën ndaj shehadetit “La ilahe il-lall-llah Muhammedur resulull-llah”, atëherë Allahu do të na dëgjojë lutjet tona përgjëruese dhe do të na pranojë veprat e mira dhe do ta shpëtojë botën. Andaj, në situatën ku ndodhet bota sot, kemi nevojë të lutemi shumë për të, përpara se situata të përshkallëzojë tepër.

Metoda sekrete për ta gjetur Zotin

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Mirësia është ajo që bëhet në kohë. Nëse e bëni pasi kalon koha, ajo nuk ka vlerë. Zoti nuk ta pranon mirësinë që bën nga vrulli instinktiv. Të gjithë ulërijnë kur mbytet anija, edhe pse deri më parë rrinë të qeshur e të gëzuar, por kjo ulërimë e tyre është thjesht instinktive, andaj nuk u sjell asnjë dobi. Përgjërimet ju sjellin dobi vetëm kur i bëni në kohë paqeje. Sinqerisht ju them të vërtetën, kjo pikërisht është metoda sekrete për ta gjetur Zotin. Ai që zgjohet në kohë dhe bëhet kaq vigjilent, sikur do t’i binte vetëtima, pikërisht atij nuk do t’i bjerë vetëtima. Por ai që ulërin atëherë kur vetëtin, atij do t’i bjerë vetëtima, e cila do ta shkatërrojë atë, sepse ai i trembet vetëtimës dhe jo Zotit.

Kështu me fjalë shumë të qarta Hazret Mesihu i Premtuar a.s. na ka tërhequr vëmendjen se tani është koha për t’u lidhur me Zotin. Retë e zeza të rrezikut sapo kanë filluar të përhijojnë dhe situata ende është në gjendje që të paktën edhe mund të vijë nën kontroll, por edhe mund të përshkallëzohet në çdo moment.

Andaj, sot besimi i ahmedianëve, lidhja e tyre me Zotin dhe lutjet e tyre mund ta shpëtojnë botën nga shkatërrimi. Lutuni duke pasur dhembshuri për gjithë njerëzit e botës. Po kështu, këshillojeni rrethin tuaj shoqëror që nëse nuk do t’i kushtojnë vëmendje detyrës ndaj Zotit, si dhe detyrës ndaj njerëzimit, kjo botë kaq e bukur mund të kthehet në gërmadhë. Çdo ahmedian duhet ta ketë këtë mendësi dhe më pas ta kryejë detyrën e tij.

Duke na tërhequr vëmendje te lutjet, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Shikoni, ju, duke bërë pak përpjekje, punoni në një arë dhe shpresoni që ajo t’ju sjellë fitim. Në të njëjtën mënyrë, ditët e paqes janë koha kur ju duhet të përpiqeni. Nëse do ta përkujtoni Zotin tani, atëherë do ta shijoni në kohën e duhur. Ndonëse mund t’ju duket e vështirë të falni namazet, për shkak të joshjes së punëve të dynjasë, e namazi i tehexhudit edhe më i vështirë, prapëseprapë nëse do ta bëni namazin shprehi që tani, më vonë nuk do të jetë e vështirë për ju.

Nëse luteni, Ai Zot Bujar dhe Mëshirëbërës do t’ju bëjë mirësi. … Shikoni, ju punoni në këtë kohë, shfaqni dhimbje e mëshirë për veten dhe për familjen tuaj dhe shqetësoheni për nevojat e tyre të kësaj bote. Kjo është një metodë si të kujdeseni për veten dhe për fëmijët tuaj, por në aspektin material. Por ka edhe një metodë tjetër, që duhet të luteni për ta në namazet tuaja, të luteni edhe në ruku, edhe në sexhde, që Allahu t’ua largojë këtë fatkeqësi dhe t’i shpëtojë nga ndëshkimi. Sepse ai që lutet, nuk privohet. Kurrsesi nuk është e mundur që lutësi të shkatërrohet njësojë si i ligu i pavëmendshëm. Po të mos jetë ky dallim, njerëzit kurrë nuk do ta njihnin Zotin. Ai e bën dallimin mes robit të Tij të vërtetë dhe mes tjetrit. Njëri kapet dhe tjetri shpëton. Andaj, edhe ju veproni siç ju kam shpjeguar, në mënyrë që të krijohet sinqeriteti i vërtetë brenda jush.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. këto fjalë po i thoshte atëherë kur po përhapej murtaja, por edhe në këtë kohë, rreziku i një shkatërrimi të përbotshëm është i dukshëm, andaj, janë të nevojshme këto këshilla edhe tani. Dhe siç ju thashë, ne në mënyrë të veçantë, duhet të përulemi përpara Zotit, sepse kjo është e vetmja rrugë për të shpëtuar veten dhe pjesën tjetër të botës.

Përvetësoni virtyte të larta

Duke këshilluar anëtarët e Xhematit të tij për virtyte të larta, sepse edhe kjo është një porosi kryesore e Allahut të Madhërishëm, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u thotë:

Rregullimi i moraleve është një punë e vështirë. Njeriu nuk e reformon dot veten e tij, derisa nuk e studion veten në mënyrë të vazhdueshme. Andaj, analizoni veten tuaj. Analizoni fjalët që thoni, punët që bëni gjithë ditën, gjithë jetën, se ku keni gabuar e ku keni vepruar mirë, se sa fjalë të këqija keni thënë e sa fjalë të mira keni thënë. Nuk mund ta bëni dot reformën në veten tuaj, derisa nuk i studioni këto elemente.

Ligësia e gjuhës krijon armiqësi mes njerëzve, andaj, gjithmonë duhet ta frenoni gjuhën tuaj. Shikoni, askush nuk do që të armiqësohet me mikun e tij. Atëherë, sa naiv është ai që nuk e mëshiron vetveten e tij, madje e rrezikon jetën e vet, duke mos i përdorur fuqitë e tij në mënyrën e duhur dhe duke mos i edukuar aftësitë e tij morale dhe intelektuale!

Sedra fetare

Pra, ai që është i zgjuar, patjetër që i përdor aftësitë e dhuruara prej Zotit, i shtron dhe i edukon në atë mënyrë që çdo vepër e tij shfaq një virtyt të lartë. Por nëse hidhërohesh qoftë për gjëra të vogla, vetëm do ta rrezikosh veten tënde. Njëkohësisht, nuk duhet të harrojmë që Islami në çështjet personale na jep mësimin e durimit, të vetëpërmbajtjes, të virtyteve të larta dhe të shmangies nga grindjet nga njëra anë, dhe nga tjetër, na nxit të shfaqim edhe sedrën duke qenë brenda konturës së ligjit.

Për të pasur sedrën ndaj fesë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

… Ai që ka dalë nga feja Islame, e shan dhe armiqësohet me të, tjetër është çështja e tij. Siç sahabët e Profetit hasën vështirësi dhe dëgjuan fyerjet ndaj Islamit nga disa të afërm të tyre. Në këtë situatë, pavarësisht nga lidhjet farefisnore me ta, sahabëve iu desh t’i jepnin përparësi Islamit dhe jo lidhjeve farefisnore.

Ai që është armik i përbetuar i Islamit dhe shan të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., meriton shpërfilljen dhe urrejtjen tuaj. Por ai që është i shkujdesur në veprat e tij, meriton mirësjelljen tuaj dhe që ju t’ia falni gabimet dhe të mos e shkëputni lidhjen që ai dëshiron ta ketë me ju.

Pra, nëse ai nuk është armiqësuar me ju, duhet të mbani lidhjet me të. Por një që është bërë armik i hapur juaji dhe e shan Islamin dhe të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., nuk rresht pavarësisht se e keni këshilluar, atëherë sedra juaj fetare nuk duhet t’ju lërë të keni miqësi me të. Ngjashëm me këtë, çdo ahmedian duhet ta ketë sedrën edhe për Hazret Mesihun e Premtuar a.s.. Ai që nuk heq dorë nga sharjet ndaj Hazret Mesihut të Premtuar a.s., pavarësisht se e kemi këshilluar, ne nuk mund t’i zgjasim dorën e miqësisë, sepse nuk na lë sedra për një gjë të tillë.

Shumë prej jush që keni ardhur nga Pakistani këtu, kanë përvojë personale se çfarë gjuhe të ligë të ashtuquajtur hoxhallarë përdorin atje për Hazret Mesihun e Premtuar a.s.. Nëse na thuhet të shfaqim dashuri ndaj tyre, ose të mos i lutemi Allahut që sherret e tyre t’ua kthejë vetë atyre, këtë nuk na e lë sedra jonë. Pra, vepron edhe këtu i njëjti parim që na tregoi Hazret Mesihu i Premtuar a.s. për Profetin Muhammed s.a.v.s.. Po, as kundër njerëzve të tillë, ne nuk e marrim ligjin në dorë, sepse është pjesë e mësimeve të Islamit që në asnjë rrethanë nuk duhet të marrësh ligjin në dorë duke bërë vetëgjyqësi.

Dashuria dhe vëllazëria e ndërsjellë

Një tjetër veti që duhet ta kenë bejatbërësit, që na tregon Hazret Mesihu i Premtuar a.s., është dashuria dhe vëllazëria e ndërsjellë. Ai thotë:

Xhemati ynë nuk mund të lulëzojë, pa pasur dhembshuri të vërtetë mes njëri-tjetrit. I forti duhet të ketë dhembshuri ndaj të dobëtit.

Pra, aftësitë dhe forcat që Allahu ju ka dhënë juve, t’i përdorni dhe të keni dhembshuri ndaj atyre që nuk i kanë ato, dhe jo t’i nënçmoni ata. Huzuri a.s. vijon:

Unë dëgjoj se filani nuk është sjellë mirë ndaj dikujt që ka bërë ndonjë gabim, madje ka shfaqur urrejtje dhe neveri ndaj tij. Kjo metodë nuk mund të jetë e drejtë. Xhemati ndërtohet atëherë kur do t’ia mbuloni gabimet njëri-tjetrit dhe të silleni me njëri-tjetrin porsi vëllezër gjaku.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. me shumë dhimbje iu drejtua Xhematit duke thënë:

Xhemati nuk duhet të jetë i përçarë nga brenda. Edhe sahabët kur krijuan vëllazëri mes njëri-tjetrit, u bënë një Xhemat.

Huzuri a.s. dëshiron nga anëtarët e Xhematit që edhe ata të kenë vëllazërinë e sahabëve mes njëri-tjetrit. Ai vijon:

Për këtë qëllim Zoti i Madhërishëm e krijoi këtë Xhemat. Pra, siç ishte Xhemati i sahabëve, të njëjtën vëllazëri Ai do ta krijojë këtu. Unë shpresoj shumë nga Zoti i Madhërishëm. Andaj ju them, është mëkat i madh të keni ankesa ndaj njëri-tjetrit, të lëndoni njëri-tjetrin, të përdorni gjuhë të rëndë ndaj njëri-tjetrit dhe t’i nënçmoni të dobëtit dhe të paaftët mes jush.

Pra, këto janë morale të larta, që të kujdeseni për ndjenjat e njëri-tjetrit. Kur do ta arrijmë këtë, vetëm atëherë ne mund t’ia dalim pritshmërisë së Hazret Mesihut të Premtuar a.s.; vetëm atëherë ne mund t’i trashëgojmë bekimet që Allahu i Madhërishëm ia premtoi atij dhe Xhematit të tij; vetëm atëherë ne mund të fitojmë bekimet e Allahut të Madhërishëm.

Në kohën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. në Xhemat kishin hyrë njerëz nga popuj të ndryshëm të Indisë. Kurse tani, sipas premtimit që Allahu i bëri Mesihut të Premtuar a.s., Allahu ka sjellë dhe vazhdon të sjellë në këtë Xhemat njerëz të popujve të ndryshëm të të gjithë botës, njerëz me kombësi, etni, gjuhë dhe ngjyra të ndryshme. Kjo është mirësia e Allahut të Madhërishëm mbi popuj dhe kombe të ndryshme që i mundësoi të bashkohen me Xhematin e Profetit Muhammed s.a.v.s., me Xhematin e shërbëtorit të vërtetë të tij, dhe në këtë mënyrë i ka bërë një popull të vetëm.

Andaj, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. na tha:

Ju jeni vëllezër me njëri-tjetrin. Me një fjalë, pavarësisht se keni baballarë të ndryshëm, por babai juaj shpirtëror është i njëjtë, dhe si të tillë, jeni degë të ndryshme të një peme të vetme.

Prandaj, pavarësisht nga kombësia, gjuha apo ngjyra jonë; jemi të bardhë apo me ngjyrë; jemi amerikanë apo afrikanë; jemi pakistanezë apo indianë; jemi spanjollë apo ndonjë kombësi tjetër, pasi kemi hyrë në Xhemat, jemi bërë bij të një babai shpirtëror, dhe pas kësaj, asnjëri prej nesh nuk ka epërsi ndaj askujt tjetër për shkak të kombësisë, gjuhës apo ngjyrës. Kjo sepse babai ynë shpirtëror është i njëjtë. Këtë e deklaroi edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në hutben e tij lamtumirës. Andaj, kur ne do ta kuptojmë këtë realitet dhe do të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin dhe do të kujdesemi për ndjenjat e njëri-tjetrit, atëherë Allahu i Madhërishëm do të na dhurojë fitoret.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Allahu i Madhërishëm e do atë që ka druajtje ndaj Tij. Andaj, jini të druajtur ndaj Tij duke marrë parasysh madhështinë e Tij. Dhe mbajeni mend. Të gjithë jeni robër të Allahut. Mos i bëni padrejtësi askujt, as mos u tregoni të ashpër ndaj ndokujt as mos përçmoni njëri-tjetrin. Nëse ka qoftë një njeri të ligë në Xhemat, ai të gjithë i bën të ligë. Virtytet dhe moralet e larta mund t’i përvetësoni atëherë kur do të keni takvanë në zemër.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Xhemati ynë më së shumti ka nevojë për takvanë, sidomos për shkak se anëtarët e tij kanë lidhje me një njeri dhe kanë bërë bejatin me një njeri që ka deklaruar të jetë prej Zotit, në mënyrë që ata që ishin të përfshirë në armiqësi a ndonjë lloj idhujtarie ose që qenë të zhytur në botën materiale, të shpëtojnë nga këto fatkeqësi.

Më tutje Huzuri a.s. thotë:

Njeriu në këtë botë ka shumë brenga. Brenga më e madhe e anëtarëve të Xhematit tim duhet të jetë nëse e kanë apo jo takvanë.

Andaj, nëse duam ta përmbushim detyrën tonë ndaj bejatit që kemi bërë, nëse duam të jemi mirënjohës ndaj mirësive që Allahu na ka bërë neve, atëherë kemi nevojë ta analizojmë gjatë gjithë kohës gjendjen tonë. Allahu na mundësoftë që të jetojmë sipas pritshmërisë së Hazret Mesihut të Premtuar a.s., besimit t’i japim përparësi mbi botën, të kemi frikë ndaj Zotit, ta përmbushim me të vërtetë detyrën ndaj shehadetit “La ilahe il-lall-llah” dhe të jemi pjesë e Xhematit të aherinëve, për të cilët Allahu i Madhërishëm i dha sihariq të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.! Allahu na bëftë të jemi të tillë!

28 vjet pas inaugurimit të xhamisë

Duke ardhur këtu te xhamia, Emir sahibi më tha se 28 vjet më parë, ishte e njëjta datë, pra 14 tetor, ditën kur ishte inauguruar kjo xhami. Pra, kanë kaluar plot 28 vite që kur u çel kjo xhami. Ahmedianët që jetojnë këtu, edhe të vjetrit, edhe të ardhurit rishtas, të bëjnë një analizë se sa kanë përparuar në spiritualizmin e tyre gjatë këtyre 28 viteve; sa janë përpjekur për ta përmbushur detyrën e kësaj xhamie. Allahu i ruajttë frekuentuesit e kësaj xhamie për dekada e shekuj; i ruajttë nga çdo fatkeqësi e kësaj bote! Por detyra jonë plotësohet vetëm atëherë kur do të përpiqemi t’i popullojmë xhamitë duke e përmbushur detyrën që kemi ndaj tyre. Allahu na mundësoftë ta realizojmë këtë!


[1] Kurani i Shenjtë 10:37.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem